(Botime Françeskane, Shkodër 2026, 410 f. – ISBN: 978-9928-331-70-0)
Janë mbushur thuajse plot 5 vite prej pyetjes Cili jeni ju, zoti Buzuku?, që shtroi atëbotë për diskutim kolegu dhe miku im Ardian Vehbiu në një shkrim sa fshikullues aq edhe domethënës në faqet e kësaj reviste (Peizazhe të Fjalës: 25 korrik 2021). Është pikërisht kjo pyetje bashkë me ndonjë “batutë apo shaka me Buzuk” mes kolegësh të mi që më shoqëron gjithmonë, sa herë i kthehem dhe i rikthehem tekstit të ‘Mesharit’ dhe autorit të tij, madje sidomos, kur me flladitet ndërmend ai çast fatlum, kur u gjenda para eksponatit të ekzemplarit unikat të ‘Mesharit’, të cilin e kishte sjellë Biblioteka Apostolike e Vatikanit pranë Bibliotekën tonë Kombëtare me rastin e festiviteteve të 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë (nëntor 2012). M’u desh të prisja jo pak në radhë me e shijuar edhe unë atë moment, thënë saktë eliksirin e amshuar në jetën e filologut të thjeshtë albanolog, andaj kisha kohë boll të ngjëroja të fiksuar në fytyrën dhe mimikën e vizitorëve të shumtë atë mbresë të thellë ngazëllimi hutak, sa të pakuptueshëm, aq edhe fanmirë, që përjetonte shumëkush, kur ndalej para vitrinës së këtij relikuari me dhunti magjike në kulturën e shkrimit shqip. Shumëkush e kishte vërtet të vështirë të ngjëronte diçka, qoftë edhe një fjalë të vetme në atë tekst të lodhur nga motet e të shtypur me shkronja të imta e të dëmtuara keqas të tipit gotik rotunda, që kishin dalë jashtë përdorimit do kohë pas botimit të këtij libri (1555). U përkula edhe unë i ngazëllyer para vitrinës dhe vura re menjëherë, se libri ishte ekspozuar i hapur në faqen e tij të fundit, bash aty ku jet e gjëllin pasthënia e njohur dhe e mirënjohur e Buzukut.
Kjo pasthënie dikur, deri aty nga mesi i viteve 60’ të shekullit të shkuar, mësohej e tëra përmendësh, madje qysh në vitet e para të shkollës së mesme dhe pedagogjike. Më vonë ishte po ajo që i mbijetoi motet për thuajse tri dekada me radhë, anipse e rrudhur si tekst në dy-tri rreshtat e parë dhe e tëhuajsuar deri në mosnjohje prej funksionit të saj fillestar si syzim që i kishte vënë vetes autori me nxjerrë mirëfilli në dritë atë libër. Përndryshe vepra vetë, me faksimilet dhe tekstin e saj, si botim kritik i mëvonshëm i Eqrem Çabejt (1968 I, II), nuk i pa asnjë ditë në gjallje të tij raftet dhe stendat e tregut të rregullt të librit në Shqipëri e gjetkë. Ekzemplarët e shumtë, të ngrënë e të brejtur nga minjtë dhe peshkthit e të përthithur nga lagështira e kthinave të druve të zjarrit në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë, u bënë stoli të rralla për rrugët e trotuaret gjithë pellgje e gropa në fillim të viteve 90’ të shekullit të kaluar. Bash aty u shitën kopjet e para të ‘Mesharit’, të përvetësuara ashtu lirshëm si mall pa zot.
Janë, pas gjase, ato vite dhe ato rrethana që erdhën e i dhanë gjak e jetë edhe rikthimit në traditë dhe në kulturën e hershme të shkrimit shqip. Prashtu nuk kemi përse bëjmë aspak çudi, se si dhe përse ato vite e deri aty nga mesi i dhjetëvjeçarit të parë të shekullit të ri u mbajtën aq shumë tubime dhe u shkruan e u botuan kaq e aq punime e monografi, edhe mbi Gjon Buzukun dhe ‘Mesharin’ e tij si libri i parë i botuar shqip që njohim deri sot. Një lexim sado i shpejtë e me stil diagonal i (vetëm) një pjese të tyre, dëshmon qartë e kthjellët si dita në diell atë desiderat kulturor të gjithhershëm e po aq të pranishëm në përmasat e tij tek ato rrethe kulturore-albanologjike që janë të interesuara drejtpërsëdrejti të qëmtojnë dhe të njohin formëzimin dhe rrugëtimin e mendimit intelektual shqiptar në shekuj, i sendërtuar ky sidomos në gjuhën e vendit si mjet komunikimi brenda përbrenda bashkësisë. Veçse, për të përmbushur këtë synim, pasthënia e ‘Mesharit’ shërben thjesht dhe vetëm si nxitje me zbritur drejt e në tekst, i cili na kumton shumë më shumë e jo thjesht dhe vetëm për veprën në vetvete dhe autorin e saj, por edhe për mjedisin kulturor-intelektual, në të cilin erdhën e morën formë e hodhën shtat të dy së bashku. E për të mësuar këto, besojmë se është e tepërt të shtojmë, se sa të nevojshme dhe të domosdoshme janë njohja dhe studimi mirëfilli filologjik i tekstit në vetvete, sidomos në një kohë, kur ende nuk disponojmë informacion të dorës së parë me të dhëna dokumentare-arkivore për ta.
Parë nga kjo perspektivë, shkruesi i këtyre radhëve, edhe pse është treguar paksa i vonuar në hartimin e kësaj monografie, synon të zhdrivillojë në të pikërisht atë qerthull problemesh që mëton prej kohësh interesi i përgjithshëm kulturor-shkencor në rrethet intelektuale brenda dhe jashtë hapësirës shqipfolëse. Duke pasur mirëfilli një synim të tillë, kjo monografi u konceptua dhe u realizua si pjesë e diskursit albanologjik bashkëkohor dhe i drejtohet si e tillë më fort një rrethi të gjerë lexuesish sqimatarë në fushat kryesore të kulturës dhe të mendimit intelektual shqiptar në shekuj, sikurse edhe specialisteve të ndryshëm në shkencat albanologjike, në historisë ekleziastike në trevat shqipfolëse e në diasporën historike shqiptare, etj.

Këtë qëllim sendërton së pari korpusi kryesor i studimit që shtrihet në dy pjesë me nga dy, përkatësisht tre krerë secila. Kështu, në pjesën e tij të parë: B. Struktura dhe organizimi i tekstit, i përcjellim lexuesit për të parën herë në mënyrë sistematike tekstin e ‘Mesharit’ në plotësinë e tij, duke marrë në analizë të gjitha rubrikat e materialit liturgjik që ngërthehen në të e në përqasje me tekste të kanonizuara të Kishës Katolike Romake si ata të Uratores së Shën Mërisë së Virgjër, të Breviarit, Ritualit dhe sidomos të Mesharit Romak para motit të Buzukut (1555), që vjen me thënë edhe para reformimit që përjetuan këto tekste më pas me vendimet e Koncilit të Trentos (1543-1563). Kjo pjesë ndiqet nga C. Shfaqje të formimit teologjik-intelektual të Gjon Buzukut, ku është rrokur pjesa e dytë e ‘Mesharit’, shi ajo që i ka dhënë emrin gjithë veprës. Ajo u nënshtrohet analizave ndërtekstuale me disa madhësi përqasëse siç janë Besëlidhja e Re (latinisht, italisht, greqisht, serb[okroat]isht dhe shqip), Meshari Romak i Milanos (1474) dhe disa leksionarë paratridentinë (latinisht, italisht, kroatisht). Këto analiza, të zbatuara me një akribi të rreptë shkencore dhe falë një metode të re në punën filologjike me tekstin, të zhvilluar po prej nesh (Kreu VI: Buzuku – përçues i frymës së Humanizmit Kristian në kulturën e shkrimit shqip), çojnë natyrshëm dhe bindshëm në përfundimin se Buzuku me veprën e tij përçon frymën e Humanizmit Kristian si rrymë progresiste intelektuale-fetare që kishte marrë formë e hedhur shtat atëbotë edhe në elitat intelektuale të diasporës historike shqiptare në veri të Italisë, duke u radhitur kështu po aq natyrshëm dhe bindshëm pranë humanistëve të tjerë të asaj periudhe, ndër ta: Marin Barleti, Marin Becikemi (Biçikemi), Dhimitër Frangu, etj. Për më tepër shpresojmë të kemi fiksuar ndërkohë edhe një tekst latinisht-italisht që mund dhe duhet t’i ketë shërbyer Buzukut pikërisht si model në përkthimin e gjithë teksteve biblike (perikopeve) që i takojnë kësaj pjese të ‘Mesharit’ e që ngërthejnë më shumë se 80% të të gjithë tekstit që ruhet në ekzemplarin e vetëm që i ka shpëtuar rrëgjimit të plotë (Kreu VII: Modele burimore të ‘Mesharit’ të Gjon Buzukut). Këto rezultate bënë më se të nevojshëm dhe të domosdoshëm rishikimin e të ashtuquajturit ndikim kulturor-fetar kroat në punën e Buzukut për realizimin e veprës, i cili, falë zbatimit të përpiktë të metodës në fjalë, rezulton tash të ketë qenë e të mbetet thjesht fiktiv në diskursin e derisotëm mbi Buzukun dhe ‘Mesharin’ e tij (Kreu VIII: Ndikimi kulturor-gjuhësor kroat – një narrativ shkencor-filologjik).
Pjesa përmbyllëse e punimit (D: Addendae) përcjell në dy rubrika me nga një tabelë të gjatë secila organizimin e detajuar të të gjithë këtij materiali liturgjik në ‘Mesharin’ e Buzukut në përqasje me Mesharin Romak (të Milanos 1474) si edhe me nga dy leksionarë (latinisht, italisht dhe kroatisht) në secilën syresh. Kjo paraqitje tabelare shpresojmë t’i vijë në ndihmë çdo studiuesi filolog ose historiani teolog që synon të zhvillojë hulumtime induktive dhe deduktive mbi Buzukun dhe veprën e tij në një të ardhme sado të afërt apo të largët qoftë.
Mëngojmë të përmendim në këto fjalë hyrëse edhe pjesën e parë që i prin këtij korpusi (A. Libri dhe autori), në të cilën rroken në tri krerë të ndryshëm çështje gjithfarëshe, që kanë të bëjnë me kornizën para- dhe peritekstuale të veprës (Kreu I), duke u përqendruar këtu kryesisht në autopsinë e librit në vetvete, sikurse në funksionin dhe përdorimin e tij burimor, në interpretimin e detajuar filologjik të tekstit të pasthënies (Colophon–it), si edhe në vetë fenomenin ‘Buzuku’ në kulturën e shkrimit shqip. Dy krerët ndjekës kanë karakter kryesisht enciklopedik dhe përcjellin si të tillë dy punime tonat të mëparshme mbi historikun e ‘zbulimeve’ të veprës në shek. XVIII (Kreu II: Viti i zbulimit të ‘Mesharit’; Kreu III: Njohje e mëhershme e “Mesharit” të Gjon Buzukut).
Shtojmë së fundi, se shtysën e parë dhe vendimtare në këtë ndërmarrje tejet të lodhshme që i kushtoi shkruesit të këtyre radhëve plot tre vjet pune intensive, e nxitën mirëfilli ato vështirësi, me të cilat e nisëm këtë shkrim e që kishin të bënin me përpunimin filologjik të tekstit të “Mesharit” gjatë punës përgatitore që u zhvillua në kuadrin e projektit afatgjatë: (Bardhyl Demiraj dhe Olav Hackstein – botues) Fjalor Filologjik-Etimologjik Digjital i Shqipes së Hershme. Shek. XV-XVIII (DPEWA = <https://www. dpwa.gwi.uni-muenchen.de/>) si pjesë e aktivitetit shkencor të Institutit të Gjuhësisë së Krahasuar dhe Indoeuropiane si edhe të Albanologjisë pranë Universitetit elitar Ludwig-Maximilian të Mynihut, projekt ky që u mbështet fuqishëm prej Shoqatës së mirënjohur të Kërkimit Shkencor Gjerman (Deutsche Forschungsgemeinshaft) për periudhën ndërmjet viteve 2017-2026. Puna në këtë projekt e sidomos bashkëpunimi intensiv me koleget dhe kolegët sikurse edhe forcat shkencore, të angazhuara në të – ndër to lejohem të veçoj me respekt dhe mirënjohje të thellë sidomos kolegen e kurdogjendur Prof. dr. Anila Omarin për konsultat e panumërta dhe fanmira, sikurse gadishmërinë e pakursyer të Mag. Qëndresa Halitit dhe Dr. Besim Kabashit, që u bënë dashur pa dashur pjesë edhe e këtij projekti të dytë si bashkudhëtar i të parit. Mirënjohje të veçantë dua t’u kumtoj me këtë rast Urdhrit Françeskan me seli në Shkodër dhe entit të tij botues “Botime Françeskane”, që patën mirësinë ta rroknin edhe këtë monografi pa shumë veprime burokratike në listën e botimeve të vitit.
S’më mbetet tash gjë tjetër, veçse t’i përmbyll këto fjalë hyrëse ndaj lexuesit potencial me një pasazh të hedhur dikur në letër të bardhë në një rast të ngjashëm dhe po aq domethënës për studime filologjike kësodore nga mësuesi ynë i parë, gjuhëtar e filolog, Frangu i Bardhë d.v.:
“…e të tierëtë i lae urtīsë sāi gji t i emendonjë pā nytërime e pā zā; flas kështu, përse udob kishte kush me shtremënuem buzëtë e me shkundunë kryetë mbë vepëra të tierëve, mā me vum dorënë mbë pendët e me fietunë pak, hoc opus hic labor, sikūr me thanë: këto fështīr janë; e shumë vetë kishnë me shtërguem krahëtë e me thanë se s mundinj e s jam i zoti: itaque mitè corriges.” (Franciscus Blanchus [= Frang Bardhi]: Dictionarium Latino-Epiroticum, Romae 1635, f. 223)
(c) 2026 Bardhyl Demiraj. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.

Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.