Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

TEATRI I DRITËHIJEVE

Te një shkrim i Luan Ramës tek TemA, kushtuar prurjeve nga Gjirokastra në kulturën kombëtare (Gjirokastra: ana tjetër, bukura e padukshme), më tërhoqi pasazhi ku flitej për një altorelief afër Sheshit të Çerçizit, i cili ekspozon, si “NDERI I QYTETIT”, portretet e Eqrem Çabejt, Vasil Labovitit, Musine Kokalarit, Reuf Ficos dhe Ismail Kadaresë.

“Po përse vetëm këta e jo të tjerë po aq të famshëm?” – pyet autori.

Dhe pastaj zë në gojë emra të tjerë po aq të shquar, që ka nxjerrë qyteti në vite – nga Vangjel Koça te Vangjo Nirvana e Branko Merxhani, dhe pastaj me radhë Koto Hoxhi, Pandeli Sotiri, Muço Qulli, Hamit Kokalari, Thoma Papapano, Hysen Hoxha, Zihni Sako, Xhanfise Keko, Feim Ibrahimi, Jorgo Bulo, Lefter Dilo, Ksenofon Dilo, Farudin Hoxha, Sabiha Kasimati e Mumtaz Dhrami.

A nuk janë edhe këta të denjë për tabelën e nderit?

Problemi i cekur nga Luan Rama, që del sa herë që një institucion a person vihet të bëjë një listë emrash të njohur, lidhet ngushtë me vetë natyrën e listës; e cila përkufizohet sa nga njësitë që përmban, aq edhe nga çfarë ka lënë jashtë.

Është e pamundur, besoj, të bëhen lista të tilla nderi, që t’i kënaqin të gjithë ose edhe thjesht të kenë kuptim; aq më tepër kur bëhet fjalë për figura që janë shquar në histori, me kontributet e tyre në fushat e dijes, të arsimit, të letërsisë, të artit e të publicistikës dhe që, jo rrallë, u kanë përkitur kampeve politike të kundërta.

Lista të tilla, më bëjnë të mendoj për Enver Hoxhën, një politikan që la gjurmën e vet të pashlyer në Shqipëri për gati gjysmë shekulli; edhe pse sot nuk do të jenë të shumtë gjirokastritët që duan t’ua kujtosh këtë dhe që do ta futnin në ndonjë listë “nderi”. Përkundrazi, gjen ende mes nesh provincialë të parikuperueshëm, që e quajnë Enverin “gjirokastriti” për ta përçmuar atë vetë, ose vendin e tij të origjinës.

E përmend Enver Hoxhën jo sepse emri i tij mungon në tabelën më lart; por për të provuar sa e vështirë është që t’i bësh bashkë, në klasifikime të tilla kaq naive, njerëz të cilët dikur kanë luftuar me njëri-tjetrin; dhe janë bërë historikisht relevantë, pikërisht nëpërmjet këtyre konflikteve.

Nëse Musineja dhe Sabiha Kasimati, të kositura prej dhunës policore të regjimit të Enverit, nuk u lanë ta realizonin potencialin e tyre intelektual dhe artistik, të tjerë si Kadareja, Feim Ibrahimi dhe Farudin Hoxha shkëlqyen në atë regjim dhe me miratimin e mbështetjen e të njëjtit Enver. Duam apo nuk duam ne, lideri totalitar ka qenë i tillë që të ketë modifikuar, me agjencinë e vet, statusin dhe perceptimin e shumë personaliteteve të mëdha që ka nxjerrë Shqipëria, duke përfshirë këtu edhe ato që kanë dalë nga Gjirokastra.

Edhe nëse vendosim që ta shkulim monumentin e tij nga qyteti, do ta kemi të pamundur të bëjmë sikur nuk e shohim zgavrën që lë pas monumenti i shkulur.

Autori i shkrimit e pranon edhe vetë se nuk synon që t’i përmendë të gjithë ata që ia ngritën emrin Gjirokastrës; këta janë aq të shumtë, sa vetë numri i tyre i madh meriton të hulumtohet – si arriti ky qytet i vogël të nxjerrë kaq emra, brenda në thelb gjysmë shekulli, për të rënë pastaj sërish në heshtje relative? Çfarë ndodhi?

Ironikisht, këtë teknikë për të futur gishtat në histori dhe larguar që andej protagonistët e padëshiruar e kemi trashëgim nga e njëjta filozofi dhe ideologji totalitare që mishëroi Enveri dhe u mbajt gjallë prej tij. Gjatë gjysmëshekullit 1945-1990, regjimi u angazhua në një veprimtari të ethshme pastrimi dhe dezinfektimi të historisë, për t’i dhënë kësaj trajtën e një përralle hegeliane me happy end. U hoqën nga qarkullimi libra dhe filma, u prishën fytyra në fotot dhe emra në tekste të shkruara dhe, në mënyrë orwelliane, e shkuara u reduktua në një palimpsest, që rishkruhej sa herë që ndodhte diçka në të sotmen.

Aq u teprua me këto ndërhyrje, sa edhe vetë praktika e shënjimit të vendeve, të ngjarjeve dhe të njerëzve me pllaka dhe barelieve dhe mbishkrime gjithfarësh mbetet sot e kësaj dite e komprometuar dhe këqyret si vegël për riprodhim pushteti.

Unë vetë, pa shfletuar asnjë dokument, por vetëm duke rrëmuar në kujtesë, mund të sugjeroja dhjetëra emra të tjerë, po aq të meritueshëm sa ata të listës më lart; mes të cilëve edhe viktima të regjimit enverist, edhe njerëz që në atë regjim lulëzuan dhe kontribuuan profesionalisht, por pa u përlyer me krimin politik. Ndonjëherë këta vinin edhe nga e njëjta familje.

Mund të sugjeroja – por nuk dua; sepse nuk mendoj se i bëhet kujt nder, kur përfshihet në ndonjë listë nderi. Gjithsekush nga të mëdhenjtë që ka nxjerrë Gjirokastra i përket një liste të posaçme, me një emër vetëm; përndryshe, radhitja në lista rreket të nxjerrë në pah, por në fakt tërthorazi lëndon, sa kohë që vendi ku ndalet përzgjedhja gjithnjë do të duket arbitrar; dhe një etj. në fund të vargut të emrave nuk e maskon dot dhunën e gërshërës që mëton të ndajë relevanten nga jo-relevantja.

Përndryshe kujtesa ime nuk është jotja, përvoja dhe kriteret e njërit grup a brez janë të ndryshme nga përvoja dhe kriteret e tjetrit, dhe qyteti si makineri prodhuese vlerash kulturore merr trajta të ndryshme, varësisht raporteve që kemi vendosur me të.

 Dhe këtu mund të kthehem tek Enveri dhe vendi i tij në memorien publike të qytetit – sepse fakti që Gjirokastra ka qenë vendlindja e një shkrimtari të kalibrit të Kadaresë ose e një dijetari të kalibrit të Çabejt, nuk mund të ndahet tërësisht nga fakti tjetër – sado i patretshëm për disa – që prej andej i erdhi Shqipërisë edhe një tiran si Enveri. Ka llamba që shndritin shumë, por ka edhe llamba që lëshojnë errësirë po aq shumë: misioni i historianit është të lexojë dritëhijet dhe konfliktin, jo të mjaftohet me hagjiografitë.

(c) 2026 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin