Hyrje
Jam matanë. Mundohem të ndjek pulsin nga pikselët e telefonit. Një skenë kulturore që më mirë mbahet në kuadratet e kuruara të Instagramit se mirëmbahet. Hapat dhe hapësirat gjejnë jehonë në stories që skadojnë në 24 orë. Mbeten gjurmët. Karusele me foto si kartolina të zverdhura për të të thënë se “Ishim dhe ne aty. Sa keq që nuk u pamë. Ikëm shpejt se kishte dhe një aktivitet tjetër.” Një zemër.
Me zemër? Më mungon ARTES, por kulturës ka kohë që i mungon gazetaria kulturore. Më vjen një zip me materiale nxjerrë nga arkivi i Bibliotekës Kombëtare. Kronika e artikuj pa fund. Gjurmët e para të teatrit në kohën e tranzicionit. Më shfaqet një panoramë e gjallë. Më duken kohë të arta. Kohë kur gjëmimet gjejnë jehonë në faqe gazetash. Këto ditë u lajmërua shkarkimi (lirimi) nga detyra e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare. Mediat mjaftohen me riprodhimin e VKM-së. Asnjë rresht për drejtorin e emëruar që në 2019. Iku ashtu siç erdhi. Me një VKM. Gjithë veprimtaria e shkrirë në një burokratishte emërimesh e shkarkimesh. Na rrofshin fotot në Instagram të veprimtarive. Plot zemra.
Zemra plot. Si fillim dalloj një rreth që përsëritet. ME ATË. Klikoj. Një kuadrat që përsëritet. ANË.
Teksti shoqërues është përkufizimi i fjalës matanë sipas fjalorit të 80-ës. Jemi në fund nëntor 2025.
I. ndajf. Në anën tjetër të diçkaje, përtej diçkaje.
II. parafj. Përtej.
III. përemër. Ne.
Hapësira matanë erdhi si një gjeometri e sigurt rrathësh dhe kuadratesh që zgjaten si teleskop për të parë përtej. “Matanë është mishërim kulturor & artistik i gjallimit të vrullshëm të rezistencës opozitare”, lajmërohet në biografi. Por çfarë ka matanë? Kur nuk e di ku je, në atë anë shkohet kollaj, mjafton dëshira. Një fjalë. Një abrakadabra për t’u zhvendosur në një botë magjike matanë. I bëj një screenshot. E fiksoj në arkivin e telefonit. Më duket se kështu sigurohem që rrathët dhe kuadratet nuk do të zhvendosen drejt një pafundësie ku nuk i ndjek dot. Shtyp butonin follow të llogarisë më të re të skenës kulturore andej, matanë, edhe pse jam unë ajo që jam matanë (matanë: ndajf. 2. Në anën tjetër të kufirit shtetëror.) Përkufizim i ri ky në fjalorin e sapo dalë. Ndihem e përfshirë. I feel seen.
Më pas vjen manifesti. Në formë mirëseardhjeje. Dalloj menjëherë hartën e pozitave dhe qëndrimeve. Artdashës. Pavarësi. Bashkësi. Mendim kritik. Vetëdije. Kujtesë kolektive. Qendërzim. Fonde. Lëmoshë. Regjim. Diktatorial. Globalizim. Propagandë. Shtypje. Komunitet. Fole. Frymë.
Pikëtakimi nuk vonon. 15-17 dhjetor. Programi titullohet “Jehona e gjëmimeve që nuk resht.” Një këngë polifonike. Kap vetëm vargun e parë. “Kam një këngë për të kënduar.” Qenka titulli i një këngë të Grupit të Sarandës. Këngë kushtuar mërgimit kënduar në Festivalin e Beratit 1995. Një vit më pas, unë nisem matanë.
Matanë është jehona e një brezi që ikjen e ka shpëtim. Këngët e mërgimit nuk dëgjohen më me nostalgji. Jemi të gjithë një këmbë këtej, një këmbë andej. Pozitat nuk janë më aq të lakmueshme. Ka sheshim. Nuk ka më vija ndarëse. Vija të kuqe. Vija që nuk kalohen. Ka vetëm vija paralele. Jetë paralele. Jetë të jetuara dhe jetë të projektuara. Kam një këngë për të kënduar.
Këtej marshime NO KINGS kundër një regjimi në kufi të fashizmit. Andej matanë një protestë qytetare. Nga Opozita. Vetëdije? Mendim kritik? E marr lajmin nga një video e shpërndarë në rrjet të gazetares Enkelejda Mema nën efektin e plotë të gazit lotsjellës. Ja njoh fytyrën se dikur do të ketë qenë gazetare aktive në terrenin e kulturës. Raporton live nga teatri i politikës. Nuk do të raportojë dot për lirimin e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, pak ditë pasi takoi një deputete të opozitës të ngarkuar për mbarëvajtjen e kulturës.
Programi është një polifoni. Ekspozitë. Shfaqje filmash. Histori të rezistencës. Këngë të humbjes. Punëtori teatri hijesh. Shtrirë në një hartë hapësirash simotra. BERK. Hot Spot. Galeria Zeta. Refuzimi për t’u pozicionuar në një stacion dhe multidisiplinariteti i programit më bën kurioze. Ka guxim. Ka një shtrirje dore, bashkëpunim, dhe komunitet që ma bën të gjallë zotimin dhe zemërimin e manifestit. Nuk është tekst-traktat. Është manual ndërveprimi.
Jam matanë. Nuk do mund t’i ndjek aktivitetet nga afër. Ndonjë aty, nuk do t’i ndjekë për arsye të tjera. Ka konkurrencë për vëmendje. Nuk ka as gazetarë të më përcjellin ndonjë përshtypje, siç nuk ka rregullisht për aktivitete pa stampën e propagandës apo establishmenteve. Kurioziteti fillestar është më i fortë për shtysën drejt formimit të këtij grupi të rinjsh sesa për vetë programin. Dua të kuptoj pozitat ku ndodhen pikërisht, që duan të dalin matanë. Cilat pikënisje që i çuan drejt një bashkimi për të artikuluar një pozitë të re. U kërkoj një intervistë. Sa më poshtë është fryt i një bashkëbisedimi me anëtarë të grupit matanë në Zoom në dhjetor të vitit të kaluar dhe plotësuar me shkëmbim elektronik gjatë janarit të këtij viti.
Elona Pira

Le ta nisim këtë bisedë duke mësuar diçka më shumë rreth praktikave artistike, mediumeve që lëvroni dhe formimin artistik të secilit prej jush.
Emi Behari, 23 vjeç, ndjek studimet për Pikturë Kavaleti dhe Mësuesi në Universitetin e Arteve, nga ku u diplomova në nivelin bachelor para dy vitesh. Kërkimi im i vazhdueshëm artistik vërtitet rreth ndërthurjes së teksteve filozofike, të shkuarës së papërcaktueshme kronologjikisht dhe simbolikës, gjithmonë duke u mbështetur në vetitë taktile të materialit, i cili është subjekt i provave të shumta.
Besa Mustafaj, 25 vjeç, e diplomuar në ciklin e parë bachelor për Pikturë Monumentale në Universitetin e Arteve, Tiranë. Artiste vizuale, kryesisht e përqendruar në krijimin e kukullave artizanale të animuara dhe në ndërtimin e skenografive teatrore në miniaturë. Procesi im i punës konsiston në ruajtjen dhe ripërdorimin e objekteve të riciklueshme, si edhe të sendeve të vyera, duke i përdorur ato për të eksploruar teknika të ndryshme si gdhendja, vizatimi, piktura dhe qepja në tekstil.
Dario Martini (Pjetrushi), 21 vjec, studioj në UART Tiranë për Pikturë Kavaleti në vitin e parë master. Punoj kryesisht në sipërfaqe si dru dhe hekur me bojëra vaji, diluent dhe ujë, duke i lejuar format të shfaqen në mënyrë organike dhe të zhvillohen gradualisht deri në veprën përfundimtare.
Ermela Çelaku, 28 vjeçe, punoj në shtëpinë botuese Berk dhe njëkohësisht në Institutin e Antropologjisë në rolin e koordinatores. Përballë një dyshimi të heshtur por këmbëngulës mbi çfarë është e vërtetë, e prekshme dhe e rëndësishme, të shkruarit ka qenë gjuha më e saktë që kam gjetur për të pohuar përjetimet e mia dhe për t’u bërë vend në shumësinë e gjërave. Sa herë e bëj këtë zgjedhje ndjej të marr bekimin e Emily Dickinson me: “If your Nerve, deny you – Go above your Nerve”. E rëndësishme është që nëpërmjet të shkruarit (dhe të lexuarit) të përkthej huajësinë e botës në një fjalor intim timin, i cili funksionon si një portë që më mirëpret brenda botës, jo më vetëm si vëzhguese e saj.
Nadia Abazi, 25 vjeç, artiste multimediale, e cila jeton në Tiranë. Me praktikën time, përmes fotografisë, video artit dhe instalacioneve, prek tema si gjendja njerëzore, kujtesa kolektive, si dhe tregoj një vëmendje të veçantë tek dinamika e ndërlikuar mes hapësirave urbane dhe atyre që zënë vend ndër to. Kërkoj vazhdimisht të gërmoj në kompleksitetin e përvojave personale ose të përbashkëta të mjediseve në të cilat lundrojmë, duke kërkuar të zbuloj dhe të vë në dyshim shtresat shpesh të padukshme të vetes dhe asaj që na rrethon. Gjatë procesit krijues, vëzhgoj dhe hulumtoj mbi modelet që kam ndjekur në mënyrë të pandërgjegjshme, njësoj si “shtigjet e dëshirave”, duke kërkuar me vrull një zgjidhje ose përgjigje për to.
Kairo Urovi, jam një artist vizual, i lindur në Itali, dhe jetoj midis Essex-it (Angli) dhe Shkodrës. Puna ime sillet rreth kompleksitetit të kësaj deklarate. Me një përqendrim te materialet e shtypit dhe te qasja e udhëhequr nga komuniteti, puna ime hulumton si përvojën trans, ashtu dhe atë të diasporës. Duke ndërthurur lenten dokumentuese me atë konceptuale, tentoj të rikonfiguroj arkivat dhe historitë vetjake, me qëllim ngritjen e pikëpyetjeve mbi mënyrën se si identitetet formohen, shihen dhe kujtohen.
Ira Gjini, 29 vjeç, nga Gramshi, jam studente e vitit të parë në Histori–Gjeografi dhe ndjek programin për Udhërrëfyes Turistik Kombëtar, duke e lidhur formimin me pasionin për kulturën dhe turizmin. Prej 5 vitesh drejtoj kompaninë Cleaning Service Albania. Jam e angazhuar në iniciativa mjedisore dhe kam interes për fotografinë, artin dhe shkrimin. U largova nga Shqipëria në moshën 18-vjeçare dhe jetova e punova në Dortmund dhe më pas në Bruksel. Në verën e vitit 2025 u bëra pjesë e grupit, në një fazë kur ende nuk kishte emrin “matanë” dhe kishte shumë pikëpyetje për drejtimin që do të merrte. Që në fillim ndjeva përkatësi. Zëri im u ndie i dëgjuar dhe i vlerësuar mes miqsh. Kam qenë gjithmonë e gatshme të kontribuoj me organizim dhe ide, duke e parë këtë bashkëpunim si motivim dhe hapësirë për rritje të përbashkët.
Ajo që më ra menjëherë në sy ishte prezantimi në rrjet nëpërmjet përkufizimit të vetë fjalës, sipas fjalorit të 1980, ku “matanë” jepet si akti i të shkuarit “në anën tjetër të diçkaje, përtej diçkaje”. Në një kohë kur qendra (establishmenti) është e mbingopur me ‘zhurmë’ propagandistike, a mund ta lexojmë dëshirën për të shkuar përtej si një arratisje drejt një periferie më të sigurt, apo ndoshta si një përpjekje për të krijuar një qendër të re graviteti? Dhe në secilin rast, si e përfytyroni pavarësinë në këtë moment kulturor e politik?
Emi: Teksa përpiqeshim edhe vetë të kuptonim ç’ishte ky grupim që me kaq zell donim të krijonim, vumë re se një nga fjalët mbizotëruese në bisedat tona ishte përtej. Donim të shkonim diku përtej hapësirës së tretë, përtej qendrës si simbol i investimit të papërgjegjshëm të pushtetit, përtej skutave të errëta të skenës kulturore brenda këtyre qendrave, përtej propagandës së “zhvillimit”, keqpërdorimit të fondeve apo varësisë ndaj tyre, përtej Universitetit të Arteve, Ministrive, bordeve drejtuese dhe përtej network-ëve të artistëve më-në-fund-të bashkuar, ku liria e fjalës goditet agresivisht.
Për të arritur në atë anë përtej, e dinim se bashkudhëtarët tanë do të ishin përballja dhe rreziku. Përballjen e kemi me makinerinë e botës së artit në këtë kontekst ku ndodhemi, për shkak se duam ta bëjmë të qartë se për të krijuar dhe për të ndarë punën e tyre me publikun, artistët e rinj nuk duhet t’ia kenë nevojën parave të përlyera në kufizime, servilosje apo drejtime të mirëpërcaktuara që nuk cenojnë kurrkënd.
Megjithatë, për të qenë të sinqertë me veten dhe këdo po lexon këtë shkrim, duhet pranuar se ndjekja e një shtegu të tillë rrezikon jetëgjatësinë dhe qëndrueshmërinë e iniciativës, ashtu siç ka gjasa të komprometojë karrierën profesionale artistike të krijuesëve dhe mbështetësve të saj.
Nga ana tjetër, vlen të themi se nisma jonë nuk është aspak e re apo e padëgjuar dhe kjo na shkon për shtat më së miri, pasi nuk udhëhiqemi nga dëshira për të prezantuar të veçantën apo për të krijuar një qendër të re graviteti, por udhëhiqemi nga nevoja për të ushqyer të përbashkëtën. Pikërisht ky kërkim i së përbashkëtave, i mjetit artistik, pakënaqësive, frymëzimeve dhe kryengritjeve, duke bërë paqe me pasojat e përballjeve dhe rrezikun e së ardhmes, është ajo çka ne besojmë se na çon matanë. Siç duket qartë, për atje nuk mund të arratisesh, por duhet të çash mes për mes.
Sa i përket pavarësisë, është e vështirë të përfytyrohet teksa kemi 13 vite nën të njëjtat forca drejtuese, që duan të risjellin në skenë (sipas interpretimit të tyre) titullin e romcom-it të famshëm 13 Going on 30. Gjithsesi, një pavarësi e vogël më duket të jetë fakti se programi ynë i parë publik shkoi me sukses. Pavarësi e vogël më duket të vetëfinancohesh dhe prapë të mundesh ta prekësh tjetrin. E tillë është dhe gjetja e të ngjashmëve në komunitet dhe mbarëvajtja me ta. Me shpresë, një ditë do t’i mbledhim këto pavarësitë e vogla dhe do jenë mjaftueshëm për të bërë një pavarësi të madhe.
Kairo: Kam përshtypjen se jemi ende duke ia përcaktuar parametrat praktikës sonë dhe kolektivit që kemi. Natyra e tij poroze dhe mikpritëse ka rezultuar e dobishme; dhe ne ende nuk mund ta fiksojmë fytyrën tonë në gur. Mendoj se pavarësia shpesh do të thotë që t’ia lejojmë vetes lirinë për të ndryshuar mendjet, për t’u angazhuar me kontekstin kulturor dhe artistik dhe për t’iu përgjigjur këtij konteksti me frymë kritike. Duam të nxitim krijimin e artit të madh, artit që provokon, në një hapësirë që mund ta përmbajë krejt zemërimin dhe fuqinë tonë, në të gjitha aspektet e tyre. Por puna jonë kërkon edhe një publik të mirë. Duhet të angazhohemi me të gjithë, por veçanërisht me më të rinjtë. Gjithnjë e përfytyroj këtë punë në afat të gjatë dhe besoj, vërtet, se kujdesi për një komunitet njerëzish që mund të lidhen me artin në mënyrë domethënëse do të ndihmojë për ta përmirësuar perspektivën.
Ermela: Matanë është imagjinuar fillimisht mbi bazën parimore që skajet mund të shndërrohen në terrene të frytshme rezistence, për një numër arsyesh siç është neglizhenca shtetërore, e cila mund të shfrytëzohet nga nisma të pavarura dhe antikonformiste. Aspirata jonë nuk është të sfidojmë pushtetin duke kërkuar ta rrëzojmë apo ta zëvendësojmë, por të krijojmë një rreth të lirë në thelb të kësaj ngulfatje mendore, ku mund të zgjohen praktika të reja të të parit, menduarit dhe vepruarit.
A mund të identifikoni një krisje ose nevojën që ju çoi drejt kristalizimit të këtij grupimi? Me pak fjalë, pati një “krizë” që e bëri bashkimin të pashmangshëm pikërisht në këtë moment, apo e shihni “matanë” si një reagim të përgjithshëm ndaj institucioneve shtetërore, apo edhe ndaj vetë skenës së pavarur?
Emi: matanë lindi si kundërpërgjigje e shtypjes së akumuluar në kohë dhe ngjarjeve të freskëta të ditëve të fundit të verës. Një nga të cilat ishte edhe humbja e hapësirës fizike të Bulevardit (Bulevard Art & Media Institute), për shkak të shitjes së tërë godinës ku Bulevardi ndodhej.
Një vend ky, ndër të rrallët në Shqipëri, ku mblidheshim, flisnim, punonim, qeshnim, kritikonim dhe dyshonim bashkë.
Ishte dhe vazhdon të jetë një sirenë e fuqishme alarmi mbyllja e njëpasnjëshme e hapësirave kulturore që kultivojnë njëfarë fryme kritike. Çdo tra që u shembet atyre, bie pashmangshëm në kokën tonë.
Skena e pavarur mban në gji antikonformistë të shumtë, siç janë grupet/individët me të cilët kemi bashkëpunuar, por edhe ata, punën e të cilëve e kemi ndjekur tashmë prej vitesh. Andaj, pakënaqësia jonë buron nga të varurit që pretendojnë pavarësi, duke joshur dhe të tjerë brenda lakut të tyre. Në këtë drejtim, veçanërisht problematik duket rasti i AVAN-it (Albanian Visual Artist Network).
Ermela: Për t’u përmendur është dhe se centralizimi i skenës kulturore në disa pika të cilat flirtojnë me pushtetin ndikon dhe në lirshmërinë dhe ndjeshmërinë që artistët ndajnë me shoqi-shoqin. Të ndierit i vëzhguar nga ente elitare cungon fushën e eksperimentimit, mendimit, ndoshta të pasaktë, por të lirë për t’u rritur dhe shpesh prodhon vepra të cilat tradhtojnë premtimin esencial të unitetit dhe pikëtakimit që arti na bën.

Disa prej jush jeni ende pjesë e sistemit formal arsimor, prandaj jam kurioze të di diçka më shumë për rrugëtimin tuaj të formimit (zyrtar e jozyrtar) dhe nëse keni hasur boshllëqe që ju është dashur t’i kapërceni e plotësoni vetë, e tani bashkërisht? A mund ta shohim “matanë” edhe si një nevojë për të “çmësuar” (unlearn) metodat e akademisë, apo për të ndërtuar atë strukturë mbështetëse që ju mungonte – një hapësirë paralele për vetë-pedagogji?
Emi: Në njëfarë mënyre, matanë lindi si produkt i përpjekjes sonë të vazhdueshme për të rimësuar të shpresuarit. Ndërkohë nëpërmjet tij, lufta për të lënë pas mësimet mbi ftohtësinë e figurave autoritare, pasivitetin e rrogëtarëve dhe bindjen fatkeqe të të pafrymëzuarve, ku herë pas here e gjenim veten në shkollë, nuk resht kurrë. Një ide që i ka depërtuar muret e Universitetit të Arteve dhe tanimë e shtrin rrezen e veprimit në çdo mbledhje sociale, është ajo se të rinjtë kanë gjithçka në dorë e ndërkohë nuk bëjnë asgjë. Përsëritja e kësaj fjalie që nuk sjell kurrgjë të mirë dhe pesha e papërballueshme e fajit të imponuar mbi brezin tonë, ka bindur shumë se jemi të paaftë, të pafuqishëm dhe të vetëm kundër botës. Me grupimin tonë synojnë ta zhbëjmë sado pak këtë besim të paqenë, ta lirojmë njëri-tjetrin nga barrët e hedhura mbi supet tona nga pikërisht ata që refuzojnë të mbajnë përgjegjësi. Pambarimisht po çmësojmë frikën e dështimit, të prezantimit, të mosmarrëveshjeve. Po mësojmë gjithashtu të kemi besim.
Një tjetër vështirësi e hasur që vlen të përmendet është padyshim edhe aksesueshmëria e informacionit, parë në dy këndvështrime: e para, mungesa e orientimit (nga ata që duhet të ishin orientues) brenda lëmit të pashtershëm burimor dhe e dyta, pengesat e hasura gjatë kërkimit të materialeve të caktuara. Sa i përket të dytës, i referohem tepricës së dokumentacioneve të kërkuara për t’u anëtarësuar/regjistruar në hapësira leximi, pagesave, kërkesave të stërngatërruara për të zënë një karrige në Bibliotekën Kombëtare, si dhe materialeve të ofruara vetëm në gjuhë të huaj. Për të plotësuar këto boshllëqe të rëndësishme, por në veçanti këtë të fundit, kemi vendosur që matanë të jetë një hapësirë ku flitet shqip. E ndiejmë nevojën për t’u artikuluar në gjuhën tonë, për të dëgjuar biseda artistiko-kulturore, për të lexuar tekste profesionale dhe për të shkruar edhe vetë një ditë shqip.
Me edukim formal apo jo, vetë-pedagogjia është më së shumti çka na ka sjellë në këtë pikë. Matanë nuk ka ndërmend të kthehet në qendër studimi së shpejti, por me siguri etja jonë për dije dhe metodat që kemi ndjekur për ta përfituar deri më sot, do ta pasqyrojë veten në hapat e mëtejshëm.
Duke qenë se në grup ka anëtarë me formim dhe praktikë në mësuesi/pedagogji (dhe programi përfshin punëtori/diskutime) a vlen te shihet ‘matanë’ edhe si një projekt edukativ alternativ? Nëse shkolla është vertikale (mësuesi jep, nxënësi merr), a mund te imagjinojmë programin edhe si një klasë horizontale ku dija ndahet barazisht mes artistit dhe publikut? Jam kurioze si ndikon formimi juaj si mësues/e në mënyrën se si e kuroni përvojën e vizitorit?
Besa: Po i përgjigjem kësaj pyetjeje duke pasur ndërmend filtrin e eksperiencës gjatë punëtorisë së teatrit me hije, por duke e shtrirë më tej reflektimin nisur nga edukimi gjatë viteve të studimit në shkollë, e më pas duke vazhduar viteve te fundit në mësimdhënie, në klasat e artit për fëmijë/adoleshentë.
Kurimi i përvojës së vizitorit, në këtë rast edhe i pjesëtareve të punëtorisë, nuk qëndronte/qëndron si synim i drejtpërdrejtë i mbledhjes apo i ngjarjes së asaj dite. Më shumë sesa të kuronim përvojën e tyre, synimi ynë ishte/është të kuronim/kurojmë qëndrimin dhe punën tonë ndaj këtij procesi, ku me bindje do të donim të qëndronim të hapur ndaj procesit, e jo ta kontrollonim atë.
Gjatë përgatitjes para zhvillimit të punëtorisë, përtej hapësirës fizike, siç ishte skena e teatrit, karriget, vendet bosh në tryezën e drurit, materialet e pambukut, fijet e bakrit dhe gërshërët e mprehta, gati për të nisur punën, për ne ishte thelbësore dhe e domosdoshme të kuronim një hapësirë të brendshme të zbrazët dhe të çliruar nga parashikimet e pritshmëritë, kështu e gatshme të zëvendësohej nga përvoja të jashtme e të panjohura si bagazh i pjesëmarrësve.
Ermela: Qëllimi primar ishte të ravijëzonim së bashku modelin e një qytetari dhe artisti të angazhuar sipas lentës sonë. Patjetër që nisma në thelb është artikulimi i një dëshire për të mos reshtur së mësuari dhe së njohuri, ku dija vjen e dyanshme dhe si rezultat i bisedës. Ka qenë shumë e rëndësishme për ne që të mos pozicionohemi në një rol edukativ pasi nuk duam të limitojmë fushën tematike të veprimtarive të hapësirës vetëm me specializimet e njërit apo tjetrit. Ndaj nuk premtojmë të jemi didaktikë por të vëmendshëm e përherë kuriozë ndaj mendimit që lind në mesin e një komuniteti pa role të përcaktuara.
Nadia: Formati i deritanishëm i mësimdhënies në sistemin shkollor shqiptar i aprovuar nga strukturat vendimmarrëse dhe rregullatore i përmend aty-këtu metodat e edukimit horizontal në lëndët metodologjike, por nuk i zbaton ato në praktikë.
Me punëtorinë dhe diskutimet e programit nuk synohet zëvendësim i metodave arkaike, por kalim përtej tij në një hapësirë të lirshme, ku ndërveprimi zhvishet nga presupozimi se një nga pjesëmarrësit e tij është më i paditur se tjetri që ka përballë.
Kuptohet që askush nuk mbart ndër vete tërësinë e njohurive mbi çdo tematikë apo fenomen dhe forma më e dobishme për ta kultivuar habitatin e shëndetshëm të komunitetit është pikërisht ndërveprimi si i barabartë. Të barabartë si ekuacione të fuqisë së parë me dy ndryshore, ku X-i i njërit dhe Y-i i tjetrit i japin kuptim pikëpyetjeve mes tyre.

Programi i parë publik i titulluar “Jehona e gjëmimeve që nuk resht” ishte ambicioz në multidisiplinaritetin që synonte. Çfarë reflekton kjo “polifoni” e mediumeve (ekspozitë, film, teatër hijesh, lexime) në një kontekst ku kanë filluar të dominojnë javët kulturore me ngjeshje programacionesh pa shumë vizion dhe lidhje mes tyre? A ju shërben ky multidisiplinaritet si një “gjuhë e përbashkët” apo polifoni zërash për të artikuluar dhe kuruar më mirë vizionin e grupit?
Emi: Deshëm që shfaqjen e parë ta zhvillonim në disa akte për një sërë arsyesh. E para, për të vënë në pah shumëllojshmërinë e fushave në të cilat lëvrojmë vetë e rrjedhimisht fusha në të cilat përqendrohet edhe veprimtaria e grupit.
Shpjegim: Si artiste vizuale, Besa, Emi dhe Nadia e hapin programin me ekspozimin e punëve të tyre. Më vonë, Besa po ashtu e mbyll duke mbajtur punëtorinë “Ninëza e kujtimit” që ngrihet mbi kukullat artizanale, stop-motion-in dhe përrallat e Andersenit, të gjitha specialitete të artistes. Ndërkohë, edhe Emi i drejtohet njërit prej interesave të saj të fundit, traditës polifonike shqiptare, me të cilën krijon një instalacion audio-vizual, si dhe një libër tekstesh me shpjegimet përkatëse. Ndërkohë, Ermela sjell për herë të parë në shqip tre histori të shkurtra të Ghassan Kanafanit, duke shpalosur kështu talentin në përkthim dhe përfshirjen në kauzën palestineze. Së bashku me Nadiën, të dyja përzgjedhin filmat që u shfaqën në program, duke qenë se kinematografia zë një vend të rëndësishëm ndër interesat e tyre artistike.
Përpos kësaj, realizimi i një programi të shtrirë në kohë dhe në hapësirë kreu gjithashtu funksionin e një premtimi ndaj vetes dhe ndaj publikut: një premtim serioziteti, këmbënguljeje, bashkëpunimi dhe cilësie.
Me të drejtë ju e përmendni “trendin” e kalendarëve të ngjeshur dhe javëve kulturore. Mbase për ne ishte qëllim në vetvete të tregonim se të njëjtat rezultate (jo vetëm logjistike) janë të arritshme pa patur nevojë për fonde të pushtetit, por thjesht për fuqi krijuese (dhe pak kundërshtuese).
Programi ofron një hark narrativ të fuqishëm: nga humbja personale (në ekspozitën tuaj) kalon te “histori rezistence” (Kanafani) dhe kulmon me “reminishenca” (Jonas Mekas). Duket sikur po propozoni që ‘Humbja’ nuk është thjesht vajtim, por një akt politik ose një formë arkivimi. Cila është pika e takimit mes dhimbjes intime që shfaqet në punët tuaja dhe “dhimbjes historike/politike” që sjellin autorët e zgjedhur? Duke pasur parasysh tekstin kuratorial që përmend “ujërat e humbjes”, a bisedojnë veprat me njëra-tjetrën (dialog) apo qëndrojnë si dëshmi të izoluara (kor monologësh)? Pse ishte e rëndësishme për ju të kontekstualizonit punën tuaj krah këtyre figurave?
Ermela: Është thënë se të kujtuarit prodhon shpresë, ashtu si të harruarit të çon në dëshpërim. Përballë një terrori të atillë si gjenocidi i vazhdueshëm në Gaza dhe politika fashiste gjithnjë e në rritje anë e mbanë, nevoja e të ndërlidhurit histori humbjeje përmes gjeografish të largëta dhe kërkesa për t’i përjetuar së bashku në komunitet ndihej fort mes nesh, si më e pakta që mund të bënim për të refuzuar apatinë. Më e pakta që mund të bënim për të ofruar një strehë kundrejt dhunës psikike të kolektives. Strehë në sensin e të ofruarit të vëmendjes dhe ndaj miqve tanë të rinj dhe përjetimit të tyre të këtij realiteti gjithmonë e më të pasigurt, nga mbingopja me imazhin e dhunës. Në një ndër historitë e zgjedhura, e cila titullohet Letër nga Gaza, trajektorja e ndjekur nga personazhi në raport me ndjenjat e tij për qytetin mundet lehtë të paralelizohet me gjendjen pas-socialiste shqiptare. “E urreja Gazën dhe banorët e saj. Ai qytet i gjymtuar më shëmbëllente i gjithi me ndoca piktura gri të një artisti të dështuar. Vërtetë i dërgoja mamasë dhe të vesë së vëllait tim disa të holla që të mund t’ia dilnin bashkë me të vegjlit, por do çlirohesha dhe nga kjo afri së shpejti. Atje, në Kaliforni, larg nga kundërmimi i mposhtjes.” Përçmim, dëshirë për ta lënë pas së bashku me dhimbjet e saj, vështirësi për ta rrokur përse-në e kësaj nevoje për t’u arratisur. Po ky personazh përshkon një tjetërsim gjatë rrëfimit si rezultat i një tragjedie të rëndomtë (nën ato rrethana) po aq sa të jashtëzakonshme, mbesa e tij humb këmbën nga nje sulm izraelit. Në këtë moment, personazhi zbulon qartazi burimin e dhimbjes së tij, i cili është i njëjti burim që ushqen rezistencën: “Nuk do ta harroj kurrë këmbën e Nadias, të prerë në rrëzë të kofshës. Nuk do të harroj vrerosjen që i kishte brumosur fytyrën e kishte zënë vend në tiparet e saj përjetë. Dola nga spitali i Gazës atë ditë me një përqeshje të heshtur, teksa shtrëngoja në grusht dy kartëmonedhat që solla për të. Dielli flakërues ndriçonte rrugët me një ngjyrë gjaku. Dhe Gaza ishte krejt e re, Mustafa! Unë dhe ti s’e pamë kurrë të tillë. […] Jo, unë s’do të vij te toka ku ka gjelbërim, ujë dhe fytyra që shndërrisin. Do të qëndroj këtu. Por ti, ti kthehu te ne. Të gjithë po të presim.”
Ndjesia e mposhtjes dhe dhimbjes së shpërnguljes përshkon brishtësisht dhe filmin, si kur Mekas shprehet “We never let you down world, but you did lousy things to us.” ose kur thotë “I used to watch them, the old immigrants and the new ones. And they looked to me like some sad, dying animals in a place they didn’t exactly belong to, in a place they didn’t recognize. They were there, on the Atlantic Avenue, but they were completely somewhere else. […] I wanted to make a film against war. I wanted to shout, to shout that there was a war, because I walked the city and I thought nobody knew that there was a war. I thought nobody knew that there were homes in the world where people cannot sleep, where their door has been kicked in at night, with the boots of soldiers and the police, somewhere, where I came from. But in this city nobody knew it.”
Donim t’i dëshmonim së bashku këto vepra, sepse të përjetuarit në nivel ndjesor arrin të zgjojë ndërgjegjen, ta bëjë të huajin mes fletave apo shkrepjeve të vërtetë dhe prej mishi, dhe dhimbjen e tij si atë të një miku.
Emi: Kujtoj se isha duke pirë kafen e mëngjesit me Besën para se të nisnim punën e asaj dite, teksa filluam të flisnim për tematikat që po trajtonim së fundmi. Zbuluam se në thelb të veprave tona qëndronte e palëkundur humbja, qoftë ajo familjare, intime, e përgjithshme apo sistematike. Sa të habitura, po aq dhe të kënaqura, ftojmë në këtë kafe iluminuese mëngjesi edhe Nadian, duke e ditur që vërtitej në të njëjtat ujëra. Kështu, në rrethe të ngrohta miqësore dhe në reflektime mbi dhimbjet e përbashkëta, u zgjodh tema e programit.
Titulli i tij mori jetë në pothuajse të njëjtat rrethana, vetëm se kësaj here, Ermela po na lexonte përkthimin e parë të Kanafanit. Nga tregimi i tretë, Hamidi ndalon së dëgjuari historitë e xhaxhallarëve, nxorëm togfjalëshin “jehona e gjëmimit që nuk resht”, duke qenë se vet shkrimi tregonte atë anë të humbjes që ekspozita e prekte vetëm pak: anën e ringritjes pas vajtimit. Mbushur me refuzimin kundrejt mundjes, këto tre rrëfime pasqyronin mjeshtërisht kundërshtinë tonë ndaj gjunjëzimit që humbja pritet të shkaktojë. E pamë të përshtatshme ta pagëzonim përpjekjen tonë të parë me po të njëjtën frymë.
Më pas, Mekasi sjell rrugëtimin drejt të shkuarës që ende vazhdon të jetojë e që shëmbëllen edhe njëherë jehonën e pashtershme të një gjëmimi tashmë të kaluar. Shtëpia që ai “arkivon” gjatë rikthimit në Lituani, gjendet në një dimension kohor të pakapshëm nga i ikuri. Kjo shpërfaqje paradoksale mes të shkuarës dhe së tashmes në formën e filmit, e materializonte më së miri një ndër pikat kyçe të reflektimeve tona: humbjen si pasojë e pamundësisë së perceptimit të saj e jo si pasojë e mosekzistencës fizike të diçkaje në realitet.
Jo vetëm punët e paraqitura në ekspozitë, por gjithë veprimtaritë e programit, do t’i quaja kor monologësh. Për ne, ky kor e krijoi harmoninë, duke patur të njëjtin intonim. Shpresojmë që edhe publiku të ketë dëgjuar po të njëjtën këngë të këndshme.
Besa: Të qenët i sinqertë me temën e humbjes, në një mënyrë thellësisht të ndjeshme, duke e shfaqur atë me dukshmërinë dhe bollëkun që i përket, kuptoj se është një akt i ardhur nga nevoja gërryese që dhimbja të shpërndahet dhe të tjetërsohet në një hapësirë kohe/vendi të jashtëm, e jo të ruhet veçmas në intensitetin e intimitetit personal. Të dallosh po ashtu përkatësinë e këtyre ndjenjave tek njerëzit pranë teje, në bashkësi e në komunitet, është shëruese. Humbja që jeton në trup, e shënjuar me lëngim, nuk është dëmtim, por është trashëgimi. Bashkë me mënyrën se si trashëgojmë tipare si hundën, sytë, fytyrën e gjyshërve apo të qeshurën e nënës së tyre, trashëgojmë gjithashtu edhe arkitekturën e zisë.
Referuar ngjashmërisë së temës së filmit Katatsumori të Naomi Kawase, po ashtu dhe punimi me kukullën e vendosur në pazen e drurit, e instaluar në një nga dy dhomat e hapësirës matanë, është një dëshmi se dashuria dhe dhimbja ikin e vijnë dorë për dore. E titulluar Shitësja e vogël e shkrepëseve, jam frymëzuar nga historia me po të njëjtin titull nga Anderseni. Si përzgjedhje, lidhet ngushtë me kohën e krijimit te kësaj pune. Shënjuar thellë dhe e shtyrë nga përjetimet personale gjatë këtyre viteve të rritjes, ndjeva me një nevojë të fortë që marrëdhëniet familjare me gjyshen dhe mamanë time të mos përkufizoheshin vetëm nga rënia e tyre. E për rrjedhojë, ekspozimi më ka ndihmuar të kuptojë se ky punim qëndron si një akt vajtimi, kujtese dhe shndërrimi të heshtur, një reflektim mbi mënyrat se si i mbartim me vete ata që kemi dashur, edhe kur na veniten përtej së arritshmes.
Shprehur kjo, programi i parë, Jehona e Gjëmimit që nuk rresht, nuk i jep një zgjidhje pikëllimit, e as një përgjigje përfundimtare, por na kujton të besojmë në rrëfimin e historive dhe rëndësinë e mbledhjeve të përbashkëta. Atë çka rritet mes nesh.
Titulli i programit i referohet një kënge të vitit ’95 dhe programi përfshin arkiva të kujtesës kolektive. Si e shihni dialogun mes punëve tuaja personale (të cilat janë bashkëkohore dhe intime) dhe këtyre materialeve arkivore apo historike? A mund të flisni pak këtu edhe për marrëdhënien me arkivat/kujtesën në Shqipëri? Përmendnit diku se keni hasur vështirësi për të siguruar materiale nga institucionet tona.
Emi: Personalisht, puna ime ka qenë gjithnjë në marrëdhënie më të shkuarën. Përsiatjet e para i kam hedhur mbi nostalgjinë reflektive, siç do ta quante Svetlana Boym e më pas jam vërtitur rreth simbolikave që prekin grupime gjithmonë e më të gjera njerëzish. Paralelisht, puna nuk resht së qenit imja, pra nuk resht kurrë së treguari të vërtetën time bashkëkohore, sado e rrënjosur në të shkuarën tonë antropologjike. Siç thotë edhe Giorgo Agamben në esenë e tij Çka është bashkëkohori? që e kam lexuar të përkthyer nga Zef Paci në serinë e parë të Bulëzave: “Zanafilla nuk gjendet veç në një të shkuar kronologjike: ajo është bashkëkohëse me mbrujtjen historike dhe nuk resht së vepruari në të, ashtu siç vijon të veprojë embrioni në thurimat e organizmit të pjekur dhe fëmija në jetën psikike të të rriturit” dhe se “çelësi i modernes fshihet në të pakujtueshmen e në parahistoriken.”
Sot, ne qëndrojmë para rrezikut të rëndë që i kanoset të shkuarës, njëkohësisht të tashmes dhe të ardhmes sonë: harresës. Jemi në prag harrese edhe kur flasim për këngën polifonike labe, sepse fondet që janë të detyruara ligjërisht të shkojnë drejt promovimit të kësaj trashëgimie keqpërdoren, këngëtarët emigrojnë ose koha i ndan nga ne. Neve të sotmëve, na ngelet vetëm të kujtojmë me mall darkën e Vitit të Ri kur dëgjuam labçe për herë të fundit. Po në të njëjtën shtëpi kur kjo këngë fshehtazi përfundimtare u këndua, nëna ime me siguri kishte shtruar krevatin me një nga çarçafët që ndërtojnë sot Letrën e Lamtumirës.
Shqiptarët duket të kenë një qasje të ftohtë, menefregiste ndaj historisë së tyre. E jo pa qëllim. Nëse ia lejoj vetes ta analizoj këtë fenomen në bazë të aftësive dhe botëkuptimit tim të deritanishëm, dal në përfundimin se ne nuk jemi nxitur kurrë të përballemi në mënyrë të përgjegjshme me të kaluarën tonë të errët. Rezultatet janë ose injoranca e tejskajshme, ose nostalgjia ndaj një sistemi diktatorial me justifikime të tipit: “atëherë kishte punë të siguruar, shëndetësi falas, aktivitete kulturore, rrugë me portokalle dhe miqësi të vërtetë”. Normalisht, të dyja opsionet i leverdisin pushtetit, sepse një popull i vetëdijshëm nuk priret ta përsërisë historinë. Përditë shohim të riciklohen taktika të qëmoçme, por tashmë me një prekje më fine, më moderne. Shtyhet masa drejt paditurisë dhe varfërisë, me qëllim që të propagandohet dhe të komandohet më lehtë.
Nëpër labirintet burokratike, arkivat shfaqen më problematike sesa sallat e leximit që përmendëm më parë. Sipas Urdhrit Nr. 300, datë 17.5.2022, pika 5, dhënia e materialit arkival filmik për aktivitete kulturore nga origjinali në format SD/HD shkon 5000 lekë (pa e qartësuar nëse tarifa vlen për minutë apo për gjithë materialin) dhe nga origjinali në format 2K, plot 10000 lekë. Meqenëse dhënia e materialit arkival filmik për studentët thuhet të jetë falas, ekzistonte ende shpresa se mund të mos dilnim pa gjë dhe ia vlente ta provonim. Aplikimi, për fat të keq, duhej kryer nëpërmjet e-Albania-s, por kërkesa jonë ishte aq e paperceptueshme, saqë sistemi bëri crash të gjitha herët që e provuam. Përballë pengesave të tilla absurde, e pamë të papërshtatshëm ngulmimin e marrjes së atyre pak materialeve filmike që na duheshin. Prandaj në instalacion përdorëm video të damkosura me preview purposes only për të theksuar edhe njëherë pamundësinë e tejkalimit të shpejtë të sfidave institucionale.

“Manifesti” na e prezanton hapësirën matanë si një “fole”, por programi i parë shënoi një “nomadizëm” të qëllimshëm, duke u shtrirë nga hapësira matanë te Galeria Zeta, BERK dhe Hot Spot. Në një Tiranë ku hapësirat publike tkurren ose plasin si kërpudha pas shiut për t’u zhdukur po aq shpejt, m’u duk një gjest i qëllimshëm hartëzimi i programit dhe motërzimi i hapësirave.
Emi: Hapësira matanë, ajo fizikja, nuk i përmbushte dot standardet për të shfaqur filma apo për të pritur një numër të konsiderueshëm njerëzish në aktivitete ku rehatia luan një rol kryesor. Me të vënë re këtë mangësi si element kyç në organizmin e programit, vendosëm t’i kërkonim mbështetje hapësirave të tjera të pavarura, që përgjatë viteve kanë dhënë një kontribut të vyer në skenën kulturore dhe shoqërore në Tiranë. Me bujarinë më të madhe, BERK-u dhe Hot Spot-i (që tani nuk ekziston më) na zgjatën dorën dhe na akomoduan në oazet e tyre, të ngrohta pavarësisht dhjetorit. Si matanë, kemi vendosur që bashkëpunimet tona të ngrihen vetëm me individë/grupime me të cilët ndajmë të njëjtat vlera. Në këtë drejtim, jemi krenarë të themi se të dyja vendet e lartpërmendura u bënë pjesë e hapave tanë të parë.
Duhet qartësuar këtu se ishte i pamundur bashkëpunimi me Galerinë ZETA, për shkak të kalendarit të tyre të ngjeshur artistik.
Si mbyllje, dhe duke ju falënderuar, do të doja të di se çfarë ju frymëzon tani për tani dhe në të ardhmen?
Emi: Mbetet frymëzim i përditshëm gjithë çka na shtyu drejt nisjes së këtij rrugëtimi. Në horizontin herë të afërt e herë të largët, shohim 5 a 6 projekte të ardhshme. Hëpërhë kemi në duar një tufë kartolinash, të gjetura rastësisht e më pas të mundësuara bujarisht nga Joli dhe Orgesi nga Libra të Vjetër të Përdorur. Këto kartolina, që njëkohësisht luajnë edhe rolin e fotografive, edhe të letrave, do të jenë përmbajtja e një serie postimesh që do të publikohen në rrjetet tona sociale. Në të njëjtën kohë, rishtazi kemi pranuar ftesën e KUR’AJO Press në bashkëpunim me Kolektivin Feminist, për dizenjimin e posterave të marshimit të 8 marsit. Ky vit premton për ne mbledhje të tjera leximi, punëtori, biseda, shfaqje filmash dhe studio të hapura.
© 2026 Elona Pira. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhet © e hapësira matanë.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.