“Sëmundje dhe Perëndi”: ndërmjet shqiptarizmit, postmodernizmit dhe Kosovës së sotme[1]
Hyrje nga Christian Voß
Gëzim Aliu (*1977) nga Instituti Albanologjik në Prishtinë është një nga ekspertët më të mirë të Letërsisë Shqipe në Kosovë[2] dhe në të njëjtën kohë një nga shkrimtarët më të mirë. Aliu sjell elementet ekzistencialiste të Albert Camus në Kosovë dhe i kombinon ato me ambientet absurde të Franz Kafka-s dhe libertinizmin seksual e promiskuitetin e Henry Miller-it.
Letërsia nga Kosova është një prej letërsive më të nënvlerësuara në Evropë dhe kjo është gabim. Ndryshe nga letërsia në Shqipëri që ka arritur t’i bashkohet letërsisë botërore në gjysmën e dytë të shekullit 20, më saktësisht në vitet 1970-1980. Letërsia shqipe në Kosovë ka prodhuar romancierë avangardë, poetë dhe dramaturgë të cilët janë ende të panjohur për audiencën perëndimore: Këtu po mendoj për Anton Pashkun, Ali Podrimjen, Teki Dervishin e Rexhep Qosjen. Si pionierë të postmodernizmit, këta autorë luajnë me forma dhe përdorin mjedise surrealiste për të shmangur instrumentalizimin politik. I vetmi përkthim në gjuhën gjermane i kësaj letërsie avangarde nga Kosova[3] është romani i tij Vdekja më vjen prej syve të tillë i Qosjes, përkthyer nga Joachim Röhm në gjuhën gjermane në vitin 1995. Pasi që kam lexuar librin me tregime dhe të katër romanet e Gëzimit, mendoj që kjo fushë e letërsisë – kjo është tradita ku vepra e tij qëndron. Nysret Krasniqi e ka quajtur këtë fushë të letërsisë, të autorëve të lartpërmendur, si “letërsi refuzuese” në kuptimin e refuzimit të socializmit të Titos[4].
Pse “nënvlerësohet” dhe injorohet letërsia kosovare prej dekadash? Fillimisht, letërsia shqiptare është në përgjithësi e vendosur përbrenda një këndi të verbër në Evropë. Kjo ka të bëjë me kosovarët në Jugosllavi pasi që jo vetëm qenë të vendosur në (semi) periferi evropiane, por edhe folës të një dialekti margjinal (gegë) të një gjuhe të vogël, shqipe. Po ashtu, ata janë një minoritet, problemet e të cilëve nuk dëgjoheshin pasi që Jugosllavia luante një rol të madh ndërkombëtar në Lëvizjen e Vendeve të Paangazhuara (Non-aligned Movement) gjatë Luftës së Ftohtë. Shteti Jugosllav ishte një projektim pozitiv i evropianëve majtistë: kjo mund të vështrohet sikurse një jehonë indiferente dhe e painteresuar ndërkombëtare e protestave në vitin 1981 në Kosovë.
Megjithatë, një “pikëpamje gjermane” nuk mjafton në diferencimin e saj pasi që deri më 1989, dy shtetet gjermane ekzistonin të ndërthurura në sisteme politike të ndryshme: Republika Demokratike e Gjermanisë (The GDR), ishte e lidhur ngushtë me Paktin e Varshavës dhe si rezultat kishte një lidhje problematike me Jugosllavinë prej vitit 1948 ashtu siç diktohej prej Moskës. Fakti që letërsia kosovare prej Jugosllavisë së Titos është pranuar ndonjëherë është për shkak të punës kërkimore dhe përkushtimit personal të dy albanologëve të mëdhenj të Gjermanisë Lindore: Oda Buchholz dhe Wilfried Fiedler. Ata morën një vëllim dy-gjuhësor gjermano-shqiptar të poezive kosovare në Prishtinë në vitin 1979, të përkthyer në gjuhën frënge, italiane dhe angleze dhe të publikuar nga Ali Podrimja e Sabri Hamiti.
Antologjia e poezisë ‘Dega e pikëlluar (The Sad Branch)[5]’ është një metaforë e komunitetit shqipfolës të ndarë ndërmjet demarkacionit të kufirit në vitet 1912/1913, ku rreth 40% e shqipfolësve u lanë jashtë shtetit të ri e që më pastaj i takonin kryesisht Serbisë e Malit të Zi e më vonë Jugosllavisë. Koleksioni përmban dy poezi për secilin nga 20 poetët e mirënjohur të asaj kohe: Esad Mekuli, Ali Podrimja, Musa Ramadani, Eqrem Basha dhe Sabri Hamiti. Temat e saj shtrihen nga fillimi i ri socialist deri në shpërbërje, hermetizëm dhe diskursin kombëtar shqiptar si një kërkim për identitetin kombëtar dhe artistik. Në parathënie, Sabri Hamiti përmend “mesazhin e tragjedisë, dhimbjes dhe lirisë,” ku miti i rezistencës është gjithashtu i lidhur në një dimension historik dhe i frymëzuar nga proza epike dhe këngët.
Antologjia e Gjermanisë Perëndimore Regen in einer Legende. Albanische Lyrik vom Amselfeld (Shiu në një legjendë. Poezi shqiptare nga Fusha e Kosovës) përmban kontribute nga disa prej autorëve të lartpërmendur, megjithatë është plotësisht jo-politike.[6] Poezitë e mbledhura nga Isak Ahmeti, Sabri Hamiti, Ali Podrimja e Musa Ramadani janë kryesisht poezi të dashurisë dhe kanë të bëjnë me tema si trauma, skepticizmi dhe frika. Kanë mungesë të optimizmit të letërsisë socialiste të urdhëruar nga lart.
Nëse kemi parasysh situatën gjermano-gjermane të 1970-1980, atëherë duhet të përmendim edhe situatën shqiptaro-kosovare. Pas vitit 1948, kufiri u mbyll hermetikisht dhe mbizotërimi i paradigmës socialist-realiste ishte aq i fortë në Shqipërinë e Enver Hoxhës, sa për Kosovën lindi pyetja nëse Shqipëria mund të ishte realisht një sistem referimi i jashtëm i vlefshëm në vitet 1950-1980. Sepse nëse nuk ka kurrfarë impulse nga “shteti amë”, atëherë kosovarët përfaqësojnë një kulturë minoritare që mund të krahasohet me Uellsianet apo Sorbët.
Dallimi në sistem është qartë i dukshëm në trajtimin gjermanoperëndimor të letërsisë shqipe: Të vetmet grupe të interesuara për Shqipërinë janë grupet radikale komuniste që nderojnë Enver Hoxhën si stalinistin e fundit besnik. Ata marrin përkthime të letërsisë nga Tirana besnike ndaj linjës partiake dhe natyrshëm injorojnë letërsinë nga Jugosllavia, kampionia e “disidentëve dhe revizionistëve”.
Vepra e Aliut
Le të përpiqemi të japim një përmbledhje të shkurtër të veprës së tij. Në përgjithësi, Gëzimi i përket një brezi të ri të shkrimtarëve postmodernë në Ballkan. Ndryshe nga shkrimtarët e diasporës dhe transnacionalëve nga Kosova, Shqipëria ose pjesë të tjera të Ballkanit (si Gazmend Kapllani ose Pajtim Statovci) që kanë ndryshuar gjuhën e shkruar, Gëzimi shkruan nga shtëpia dhe nuk i ndan temat transnacionale të hibriditetit dhe ndërmjetësisë. Romanet e Gëzimit luajnë në një mjedis surrealist dhe përdorin variante të nënstandardizuara. Në një mënyrë vetë-ironike, ai shfaqet vetë në romane të formuara nga promiskuiteti, pabesia dhe aventurat seksuale. Mjedisi është qendra urbane e Prishtinës si një shoqëri pas-konfliktuale që përballet me traumën e okupimit dhe pastaj të luftës së viteve 1998/1999.
“Në klubin e të shëmtuarve”, botuar më 2009, fitues i Çmimit vjetor për letërsi për romanin më të mirë të vitit, ribotuar në vitin 2019, është një roman surrealist: Ka një klub me pesë pavijone, ku protagonisti dëshiron të hyjë. Nga ana tjetër, mësojmë tërë biografinë e tij, duke filluar nga kujtimet e fëmijërisë, për shembull, lidhur me arrestimin e të atit.
“Libri i fundit” nga viti 2012 është një koleksion i hershëm tregimesh të shkurtra që luajnë në universin tipik të Aliut: histori dashurie, seks, pasion, tradhti, ironi, sarkazëm – një ambient kafkian i humbjes së orientimit në një shoqëri të pasluftës.
Romani “Katedralja pa kryq” nga viti 2014, është përkthyer kohët e fundit në italisht dhe ka marrë një pritje shumë pozitive atje. Aliu aplikon teknika postmoderniste të narrativës si një ditar i cituar dhe shfaqet vetë në libër duke pirë kafe në kafenenë e tij të preferuar në mëngjes, kur takohet me piktorin Leonard Kurti. Autori na tregon shumë dhunë në familje, dashuri pasionante dhe tradhti.
“Gosti në natën e parë të vjeshtës” nga viti 2017 ka fituar Çmimin për Letërsinë “Rexhai Surroi” në vitin 2018 (është ribotuar më 2019). Çifti Ceni dhe Anita organizojnë një festë në shtëpinë e tyre, dhe në të njëjtën natë, autori, Ceni, dëshiron të djegë dorëshkrimin e librit të tij të ri. Bisedat dhe diskutimet gjatë festës i japin autorit mundësinë të sjellë së bashku shumë kujtime personale dhe histori private nga koha e luftës 1998-1999 dhe e paraluftës. Kujtimet e treguara në “Gosti në natën e parë të vjeshtës” shkojnë deri në vitet 1992 dhe 1981, duke përmbledhur një memorie kosovare komunikuese të represionit të dhunshëm.
Romani më i fundit i Gëzimit, i vitit 2023 është një konstelacion tipik xhelozie mes narratorit dhe dy vajzave, Sara dhe Diana. Ndërsa ai konvertohet në katolicizëm për të martuar Sarën, ky është një reflektim mbi fenë dhe identitetin kombëtar dhe, në këtë kuptim, një temë prototipike shqiptare. Ndryshe nga Bullgaria, Greqia ose Serbia, kombi shqiptar në shekullin 19 u formua dhe u përcaktua si një grup multikulturor dhe multireligjioz, dhe të gjithë e njohim sloganin e Pashko Vasës: “Feja e shqiptarëve është shqiptaria.” Gëzimi e organizon këtë diskutim në disa nivele: Ekzistojnë skena ku autori Gëzim Aliu diskuton me narratorin mbi paganizmin dhe shqiptarizmin, dhe ka përshkrime të realitetit multireligjioz, i cili është larg çdo harmonie e paqeje: Narratori pothuajse e vret priftin Gjon sepse dyshon se është babai i foshnjës së tij me gruan e tij katolike, Sarën.
Zuzana Finger: Sot kemi kënaqësi të madhe të flasim me Gëzim Aliun për romanin e tij ”Sëmundje dhe Perëndi”. Është një vepër komplekse, inovative, narracioni është shumë i ngjeshur; më duket se është romani më i ngjeshur midis katër romaneve të tij. Po, domethënë, cilësia dhe zhvillimi i autorit drejt inovacioneve në romanet postmoderne. Por, edhe nga disa aspekte të tjera ky roman përbën një pikë referimi në letërsinë bashkëkohore shqiptare. Bëhet fjalë për kërkimin e kuptimit të ekzistencës, të jetës nga një njeri i kohës sonë, i cili ndodhet i mbyllur në një labirint ndjenjash, idesh, vlerash dhe marrëdhëniesh dhe ai përpiqet të shpëtojë me dhunë dhe pothuajse edhe me vrasje. Kur e kam lexuar romanin, ishte mbresëlënës për shkak të lirisë së madhe intelektuale me të cilën reflektohet si Islami ashtu edhe Krishterimi. Personazhi kryesor është Abrahami ose Ibrahimi: ateist, individualist?! Nuk e kam pasur të qartë sepse edhe është një lojë me fjalë me emrat: është A. Ibrahimi, por A. Ibrahimi shkruhet si një emër; si një fjalë. Domethënë ai është edhe Abraham, Ibrahim, ateist dhe individualist në të njëjtën kohë. A mendon se shoqëria shqiptare për shkak të trashëgimisë së veçantë të saj historike, kulturore, multi-kulturore, karakterizohet nga fakti se është më e lirë nga dogmat religjioze në krahasim me vendet e tjera?
Ideologjia kombëtare e ka shpëtuar shqiptarin nga dogmat religjioze
Gëzim Aliu: Nëse më lejohet, desha t’ju përshëndes të gjithëve, pikë së pari, profesorin Voss, për idenë, organizimin dhe realizimin e kësaj mbrëmjeje të këndshme. Do të kisha përmend botuesen time të dikurshme që e quaj ‘botuesja më e mirë në botë’, Feriden, profesoreshën Linditë, edhe ju të tjerët dhe natyrisht bashkëshorten time, Artonen dhe djalin Dituronin që kanë ardhur në promovim dhe ndihem shumë mirë që janë këtu të pranishëm. Është nder i madh që të jem këtu në mesin tuaj. U thanë fjalë të mira për romanin dhe siç e thanë edhe ambasadori, edhe profesor Vossi, romani është botuar që një vit e disa muaj, deri më tani janë mbajtur dy-tri promovime, disa, që mos të them afër dhjetë emisione televizive, intervista nëpër portale, kam folur shumë për këtë roman. Para disa ditëve pata një takim, PEN Qendra e Kosovës e organizoi një takim, por për tërë krijimtarinë time. Për autorin, me thënë të drejtën së paku për mua, nuk është edhe aq e lehtë të flasë për romanin e vet, sepse krejt çka ka pasur të thotë, edhe teknikat përmes të cilave i ka thënë, i ka shkrirë aty në mes këtyre kopertinave, por megjithatë, besoj se pyetjet e Zuzanës do të jenë provokuese.
Për shkak të trashëgimisë sonë historike, kulturore a jemi të lirë nga dogmat religjioze? Në të vërtetë do të kisha dalë jo vetëm te njeriu shqiptar, por te njeriu në tërësi, a mund të jetë njeriu në tërësi i lirë nga dogmat religjioze dhe jo vetëm dogmat religjioze, edhe dogmat politike, edhe dogmat ideologjike dhe dogmat që i trashëgon, sepse ne jemi rezultat i kushtëzimeve të ndryshme dhe shumica prej nesh nuk arrin t’i kapërcejë. Një prej motiveve që i trajtoj: lindim në një mëhallë, në një fshat ose qytezë, trashëgojmë gjëra nga prindërit, të tjerët, shkolla, varësisht çfarë tipi i shkollës është, sepse edhe shkollat kanë ideologji të caktuara, e dimë, për shembull, në komunizëm cila ka qenë ideologjia e shkollës: komuniste. Nganjëherë dëgjoj që ka qenë më i mirë shkollimi, nuk është e vërtetë, sepse ka qenë shkollim ideologjik, shkollim i rrafshimit të ndryshimeve, i unifikimit; në emër të unifikimit është bërë uniformiteti. Këtë synojnë edhe dogmat religjioze, secila dogmë religjioze, sidomos e feve abrahamike.
Emri i personazhit kryesor Ibrahimi-Abrahami, ka një lidhje referenciale të nënkuptueshme me patriarkun e feve abrahamike, e kam përdorur për këtë, kështu është interpretuar edhe në recensionet e shkruara për romanin tim: e kanë interpretuar me të drejtë; për këtë shkak, miku i tij, Gjoni, që është prift, e quan Abraham personazhin kryesor, nuk e quan Ibrahim.
Shqiptarët e kanë pasur fatin e rëndë historik që të jenë në një linjë të ndeshjes së Lindjes dhe Perëndimit. Ne jemi popull i vetmuar që kemi mbijetuar dhe mbijetesa jonë na ka kushtuar pastaj me disa përçarje të mëdha edhe në aspektin religjioz. Rilindësit tanë, e përmendi profesori Voss, Pashko Vasën, por jo vetëm ai, janë edhe Naim Frashëri, Sami Frashëri, më herët Jeronim De Rada dhe të tjerë rilindës, të gjithë, ideologjinë kombëtare për krijimin e njeriut shqiptar, njeriut kombëtar shqiptar e kanë pasur vizionin që ta shohin jashtë feve, për shkak të katër feve që shqiptarët i kanë. Jemi i vetmi popull në Evropë që i kemi katër fe, sepse edhe Bektashizmi është fe. Ndikimi i Bektashizmit ka qenë i jashtëzakonshëm në krijimin e identitetit kombëtar.
Rilindësit, ideologjia rilindëse kombëtare, ka arritur (sado që pak më vonë se te popujt e tjerë ballkanikë, e sidomos evropianë), ta krijojë identitetin kombëtar shqiptar. Për këtë shkak, feja e shqiptarëve në njëfarë forme është shqiptaria dhe kjo e ka çliruar në një masë shqiptarin nga dogmat religjioze. Kjo nuk do të thotë që nuk kanë pasur e nuk do të kenë debate religjioze, por shqiptarët nuk janë besimtarë fanatikë, ashtu së paku mendoj unë edhe nga terreni që e njoh; mund të ketë përjashtime, por shqiptarët nuk besojnë shumë në ide abstrakte, janë njerëz më praktikë dhe identitetin kombëtar e kanë më të fortë. Dhe, siç ka thënë Edith Durham, po e parafrazoj, nëse pyet dikë në Rumeli, Bullgari, a Serbi se çfarë janë, njëri të thotë katolik, tjetri protestant, tjetri ortodoks e në Shqipëri nëse e pyet shqiptarin çfarë je ai thotë jam shqiptar para se të thotë jam ortodoks, katolik, mysliman apo tjetër. Unë besoj që edhe tash, sot e kësaj dite është e njëjta: shqiptarësia na shquan sepse ka qenë elementi kryesor për të na mundësuar mbijetesën në këto përplasje të mëdha politike, ideologjike, fetare dhe dogmatike që kanë ndodhur në Evropë e posaçërisht në Ballkan. Për këtë shkak, identiteti kombëtar në njëfarë forme e ka çliruar shqiptarin nga dogmat religjioze.
ZF: Kjo është përparësi shumë e madhe!
GA: Është përparësi, unë mendoj që është dhe do të jetë përparësi. Dhe tendenca për ta kthyer ose për ta imponuar dogmën religjioze mund të jetë shumë e dëmshme për identitetin kombëtar shqiptar. Identitetin patriotik, mos ta përziejmë me nacionalizmin shovinist, sepse nuk jemi të tillë.
‘Sëmundjet dhe Perënditë’ e A. Ibrahimit
ZF: Këtu u përmend se libri i ka dy pjesë. Libri jeton nga kontradiktat, domethënë ka po, ka jo, ka dashurinë, ka xhelozinë, ka besim e ka mosbesim. Por, edhe titulli i librit ka dy pjesë: domethënë ‘Sëmundja’ dhe ‘Perëndia’. Dhe titulli i librit ka çështjen e marrëdhënies midis sëmundjes dhe perëndisë. A ndihmojnë ndoshta epigrafet në fillim të pjesës së parë dhe të dytë për një interpretim? Domethënë, pjesa e parë nis me vargje biblike ku thuhet se ”Shihni pra se unë jam Perëndi, e veç meje tjetër s’ka. Unë vras e unë ngjall. Unë kam plagosur rëndë e unë do të shëroj. Dorës sime s’ka njeri që t’i shpëtojë”, domethënë Perëndia plagos e shëron, vret e ngjall dhe pjesa e dytë fillon me një ajet kuranor, ku thuhet se ”Allahu ia hapë zemrën… atij që dëshiron ta udhëzojë, ndërsa atij që dëshiron ta lërë në humbje, ia mbyll…”. Janë fillime shumë të forta, shumë të fuqishme, a janë një ndihmë për interpretim të marrëdhënies midis sëmundjes dhe perëndisë; Sëmundja njerëzore dhe Perëndia…?
GA: Po, padyshim. Pa dyshim që autori vendos epigrafet për të dhënë një çelës, e interpretimet mund të jenë të ndryshme, sigurisht. Është çështja e dy librave që kanë pasur ndikim të jashtëzakonshëm e kanë edhe sot e kësaj dite në kulturën njerëzore përgjithësisht; Bibla hebraike dhe e krishterë dhe Kurani: në besim, në mënyra të jetesës, në ideologji, në politikë, në jurisprudencë e pothuajse në gjithçka. Kanë pasur ndikim, impakt të jashtëzakontë, e kanë edhe sot e kësaj dite. Për këtë shkak, pra janë përdorur këto, por tash, të dyja pjesët e paraqesin një personazh: Zotin, që ndikon tmerrësisht shumë në jetët e njerëzve, i cili përcakton pothuajse gjithçka dhe personazhi kryesor, A. Ibrahimi, ka telashe me këtë çështje, e sidomos me këtë pjesën kur Perëndia ia mbyll zemrën kujt dëshiron dhe e udhëzon kë dëshiron; personazhi pyet si është e mundur që ende pa lindur ia cakton dikujt mosbesimin. Pra, çfarë kuptimi ka jeta? Romanin që e keni lexuar, kushdo që e ka lexuar, e di që ai në ballafaqim me familjen e vet, sidomos me vëllain e madh, e ka këtë telash: nëse gjithçka është e paracaktuar, ku është kuptimi i jetës? Edhe në Bibël edhe në Kuran, shumë gjëra dalin se janë të paracaktuara; kush është i shpëtuar dhe kush është i humbur, dhe e çuditshmja për mua si autor është që njerëzit besojnë me plot shpirt në këtë dogmë.
Pastaj, titulli që e përmende ”Sëmundje dhe Perëndi”, mund të lexohet edhe në njëjës e mund të lexohet edhe në shumës, sëmundje një dhe perëndi një, por edhe sëmundje shumës në të pashquarën, dhe perëndi shumës në të pashquarën. Mund të jenë shumë sëmundje dhe mund të jenë shumë perëndi, pra dhe kjo rrjedhimisht lidhet, ndër të tjera, edhe me fanatizmin dhe nuk po flas aty për sëmundje fizike, është e qartë kjo, dhe mund të ngremë një pyetje se vetë besimi në një Perëndi të tillë determinuese, a është besim a është sëmundje?!
Por, edhe tash për momentin nuk po shpjegoj, po shtroj pyetje, pas pyetjeve që m’u bënë.
ZF: Më ka bërë përshtypje se shqiptarët më duket janë të familjarizuar edhe me Kuranin edhe me Biblën dhe kjo është dukuri e rrallë në Evropë për shembull, edhe vlerë, është shumë e lartë, shumë e madhe kulturore.
GA: Shkaku i pranisë së feve abrahamike në jetën e shqiptarëve. Do të thotë është pjesë e përvetësuar e kulturës: edhe trashëgimia biblike, por edhe trashëgimia kuranore, në fund të fundit Bibla dhe Kurani janë libra që kanë tipare të ngjashme në shumë aspekte.
ZF: Edhe kjo është pasuri shumë e madhe kulturore e cila pasqyrohet në këtë roman. Teksti më duket se ngjason me një fenomen, me një obsesion shkatërrues, por po ashtu të vetëdrejtë, sepse ai ndihet të ketë të drejtë. Më duket se A. Ibrahimi më shumë dyshon në njerëz të tjerë se sa në vetvete dhe personazhin kryesor është gati të çojë ky obsesion deri në vrasje. Kush është Abraham-Ibrahimi në fakt, a është ai vetëm egoman ose egoist? Në shikim të dytë në të vërtetë ai vuan nga humbja e të dashurve; domethënë në fillim nga humbja e nënës së dashur, ai vuan nga humbja e besimit në dashuri dhe në miqësi, domethënë a është një humbje e shumëfishtë në siguritë që nevojiten për një psikikë të fortë dhe të shëndetshme? A është ai një viktimë e humbjeve apo është egoman?
GA: Ka një varg nga ato sëmundje që thashë, që mund t’i nxjerrim nga personazhi. Çështja është këtu, nëse një njeri, në këtë rast ky personazh, provon të shkoqet nga ajo që e quajta ‘kushtëzimi’ i rrethit, familjes, mëhallës, qytezës, qytetit, fesë, ideologjive, çka ndodh me të? Neve të gjithëve na duhet nga pak besim në diçka që të mund të mbijetojmë, të mund të jetojmë. Për shembull, tash po e thjeshtësoj tepër ndoshta, por ne i besojmë edhe semaforit kur është ngjyra e gjelbër, e kalojmë rrugën pa shikuar, pra pa një trohë besim e kemi të vështirë. Pra, jo vetëm në perëndinë, jo vetëm në shtetin, jo vetëm në tjetrin. Por, çfarë ndodh kur tipi i tillë, që është shumë inteligjent, besoj një burrë i ri inteligjent si Abrahami, vë në pikëpyetje gjithçka? Çka nëse ne këtu vëmë në pikëpyetje në këtë moment të caktuar ose në të ardhmen, gjithçka: familjen, rrethin, kombin, fenë, fetë, njerëzimin, iluzionet që njeriu i ka krijuar për veten si një qenie, që në shumicën e rasteve është krijesë?! Çka nëse shkoqet? Unë mendoj që ai është tepër i ri, për ta përballuar atë që ai e quan ‘hiçi’. Përballimi i ‘hiçit’ është i vështirë për të. Tash unë po e interpretoj personazhin tim, do të ishte mirë që lexuesit… (qeshin). Kjo shkakton te ai një krizë të thellë ekzistenciale dhe deri në kufijtë ekstremë të gati vrasjes, sepse mendon që bota po i bën të padrejtë: familja, rrethi, gruaja, më herët e dashura, miqtë, dyshon në gjithçka. A dyshon me të drejtë apo me të padrejtë, autorit nuk i takon ta thotë. Unë besoj se lexuesi do ta nxjerrë nga leximi i veprës. Sigurisht do të flasim edhe për fundin e romanit, por në këtë rast po e zbuloj një sekret të vogël – autori, pra unë, Gëzim Aliu, nuk ka lejuar që ai, personazhi, të rrëshqasë në humbje, të bije në atë humnerën e Niçes: ‘Nëse e shikon për shumë kohë humnerën, edhe ajo të shikon ty’ – thotë ai. Ka pasur në fakt të drejtë – mos e shiko hiçin sepse hiçi mund të të përfshijë. Është një ndër temat që e mundon personazhin: ‘A ka pasur diçka para hiçit, kush ekziston më përpara, a ekziston hiçi?’. Është edhe pyetje filozofike që bëhet vazhdimisht, jo vetëm nga filozofët, por edhe nga spiritualistët, edhe nga shkrimtarët: çka po të mos kishte asgjë? Bota ka mundur të mos ekzistojë, ne e marrim të mirëqenë gjithçka që ekziston, sepse jemi mësuar me të, jemi mësuar përditë me të edhe na kanë mësuar me të, na kanë trajnuar me të, na kanë shkolluar. Por, çka nëse një ditë mendojmë që gjithçka është e ndryshueshme dhe gjithçka mund të përfundojë dhe gjithçka mund të ndryshojë? Ne mirë që e kemi këtë iluzionin, sepse pa disa iluzione nuk mund të ndërtohet asgjë, madje as historia, as kultura, as civilizimi sepse kjo bëhet përmes besimit – besojmë në diçka dhe e realizojmë, imagjinojmë diçka edhe e realizojmë. Kemi imagjinuar që do vijmë këtu, kemi planifikuar dhe ja ku jemi.
ZF: Është me të vërtetë një eksperiment shumë interesant, intelektual.
GA: Falemnderit.
“Rebelimi” në letërsinë shqipe?!
ZF: Dhe më duket, tani më vjen në mend spontanisht, më duket si një rebelim shumë interesant dhe një pyetje të shkurtër: a mund të karakterizohet letërsia shqiptare në Kosovë më shumë nga aspekti i rebelimit se sa për shembull në Shqipëri? A ka më shumë motive të rebelimit?
GA: Rebelim të autorit apo personazhit?
ZF: Këto duhet të ndahen…
GA: Fatkeqësisht deri vonë, letërsia shqipe edhe në Shqipëri edhe në Kosovë e ka vuajtur ideologjinë para estetikës. Madje unë e kam edhe një ese se si ideologjia i ka paraprirë estetikës. Është dashur të shkruhet sipas disa, prapë po e përmend fjalën ‘dogmë’, sepse letërsia i ka paraprirë kryengritjes për çlirimin e shqiptarëve. Letërsia i ka paraprirë emancipimit dhe e ka realizuar emancipimin, i përmenda rilindësit, por sidomos është periudha në mes të dy luftërave botërore në Shqipëri, në Kosovë jo sepse në atë kohë gjuha shqipe ka qenë e ndaluar nga pushtuesi sllav, por në Shqipëri ajo kohë është shpërthim, ”një epokë modeste të artë” e quan Robert Elsie, se e tillë ka qenë, epokë e artë e emancipimit të shqiptarit: kombëtarisht, ideologjikisht, kulturor e gjuhësisht, sepse ka munguar lexuesi edhe është dashur të krijohet edhe lexuesi. Pastaj, pas Luftës së Dytë Botërore dihet si kanë rrjedhë gjërat, në Shqipëri dogma e realizmit socialist, në Kosovë një kohë ka qenë më lirë, por megjithatë kanë ekzistuar imponimet dhe shkrimtarët kanë shkruar në kuadër të disa kallëpeve, nuk kanë qenë të lirë të shprehin rebelimin, janë shprehur përmes metaforave dhe alegorive që sot ndoshta janë jo lehtë të zbërthyeshme. Në atë kohë kanë qenë lehtë të zbërthyeshme, sepse njerëzit kanë jetuar në kontekstin e caktuar, i kanë kuptuar metaforat, të folurit që i themi ne në Kosovë ‘me rrotulla’. Tash ekziston liri e pakufishme e të shprehurit, e rebelimit, por është rreziku i rebelimit artificial. Edhe rebelimi duhet të ketë një mënyrë elegante të të shprehurit sepse rebelimi deklarativ nuk është letërsi, për mendimin tim. E dëmton letërsinë. Autori duhet të bëjë një distancë që quhet ‘distancë me lëndën e trajtuar’, edhe atëherë kur autori futet si personazh brenda romanit nuk duhet t’i prejë gjërat. Unë mendoj që në këtë roman mund ta gjejnë veten edhe ateisti edhe besimtari, mund t’ua zgjojë interesimin, kureshtjen. Sepse, nuk është aq e thjeshtë, siç ka thënë edhe Sartri, t’i biem me një vijë, me një të rënë lapsi: kështu është dhe ndryshe nuk është. Edhe letërsia nuk duhet të bëjë prerje të tilla. (Letërsia) shtron pyetje përmes formës artistike, përmes përmbajtjes artistike. Letërsia për mua është filozofi artistike e shtrimit të pyetjeve përmes formës artistike, por duke mos kërkuar përgjigje përfundimtare, finale, sepse për mendimin tim nuk ekzistojnë përgjigje të tilla.
ZF: Oh, sa keq. (Qeshin)
GA: Nuk e di a do të kishte kuptim jeta, po të ekzistonin përgjigje përfundimtare. Ne besojmë se ekzistojnë përgjigje përfundimtare, mirë që e besojmë sepse nuk do kishim arritur të krijonim kulturë dhe civilizim.
ZF: Gjithmonë duhet të pyesim për këtë roman.
Autori si personazh në roman
ZF: Do të vazhdojmë për librin konkret. Profesor Voss ka përmendur se ky është një shembull i romanit postmodern dhe çka më ka pëlqyer shumë është se ka disa thyerje në narracion, d.m.th., teksti thyhet. Kemi një narrator, A. Ibrahimin, pastaj papritur Zoti merr përsipër tregimin, shumë interesant! Dhe disa recensentë kanë shkruar se këtu autori ironizon Perëndinë, dhe kjo nuk është ende fundi i postmodernizimit, sepse futet edhe autori në roman. Cilat janë efektet që synohen në strukturë, narrativë, me lojën me fiksion?
GA: Unë e quaj nganjëherë, efekti kryesor është kruarja e mendjes, kruarja e trurit të lexuesve. Vepra artistike duhet të jetë e sofistikuar. Unë besoj në sofistikimin figurativ të kuptueshëm, jo në thjeshtësim deri në vulgaritet. Kohët moderne tash kanë një tendencë që gjithçka të thjeshtësohet tepër, t’lëmohet tepër saqë t’kuptohet shumë lehtë, por kjo tani kalon në vulgaritet. Dhe mendoj që autorët, shkrimtarët, nuk duhet që t’i përshtaten absolutisht shijes së lexuesit. Autori, shkrimtari, e krijon lexuesin e vet dhe e ngacmon lexuesin e vet dhe duhet ta shtyjë të mendojë lexuesin e vet, t’i bëjë nganjëherë disa thyerje, të bëjë nganjëherë ndoshta edhe t’i rrahë zemra më shpejt dhe të mbajë frymën e të thotë: “Hë çka po ndodhë tash!”. Për këtë shkak i kam përdorur këto teknika, po unë besoj që pjesët e romanit ndërlidhen mirë me njëra-tjetrën që lexuesi t’mos e humbë fillin, sepse fundi i historisë tregohet në fillim, pastaj parahistoria është në pjesën e dytë dhe ndërlidhen kah fundi i romanit. Çështja e futjes së autorit nuk është vetëm postmoderne, sepse është përdorur nga autorë edhe më herët. Çka dua t’them është që kur autori e fut veten në roman, aty shndërrohet në personazh, tashmë është i pavarur nga autori real, nga shkrimtari, nga Gëzim Aliu këtu ku gjendet, është personazh në një roman. Roland Barti në një libër, autobiografinë e vet, thotë se ‘Këtë që po e lexoni, merreni si të thënë nga një personazh brenda një romani’, ama flet për jetën e vet, pra n’momentin kur autori kalon në tekst aty është personazh dhe shkëputet lidhja me autorin, shkrimtarin real, të përditshmërisë, i cili shkon e ha një drekë atje ose rri me juve këtu, shkëputet pra, tashmë është brenda botës fiksionale.
ZF: D.m.th., shkatërron iluzionet, fiksionet.
GA: Është një trik që autorët e përdorin, edhe në këtë rast, në romanin tim, fjalët që autori ia thotë personazhit kryesor, ai pastaj i fut në parashtresën për mbrojtjen e tezës së magjistraturës. Këtu është ajo loja që kam dashur ta bëj.
“Të jesh shqiptar është e jashtëzakonshme…”
ZF: Një aspekt i rëndësishëm janë refleksionet filozofike. Nuk e di a është më shumë roman për dashurinë, për fenë por me siguri është roman shumë thellësisht filozofik. Edhe janë refleksionet filozofike mbi thelbin e shqiptarisë, për ne si lexues nga bota e jashtme shumë interesantë. Po citoj autorin tani “Të jesh shqiptar është e jashtëzakonshme. Është përvojë e pazëvendësueshme. Të jesh shqiptar do të thotë të kesh njërën këmbë në parahistori, e tjetrën në histori. Dy shkolla shkruajnë në tabelën boshe të mendjes së shqiptarit: Parahistoria dhe historia. Shkolla e parë është fisi, e dyta është pushtimi. E para vazhdimisht ka synuar të mbajë shqiptarin në shpellë e kullë, e njëjta gjë, e dyta vazhdimisht ka synuar ta asimilojë, ta zhdukë, ta tjetërsojë. Cila ka fituar? Të dyja! Ne jemi sot rezultat i përplasjes së madhe njerëzore mes kulturës zanafillore të fjalës së folur, të ligjeve të etikës të bartura pa shkrim dhe kulturës së autoritetit, shtetit, sundimit, shkrimit, qendrës. Secili prej nesh e ka brenda vetes këtë përplasje, këtë luftë të vazhdueshme, të cilën, kultura e dytë, që ka themelet mbi të parën, e ka fituar në shumicën e hapësirave ku ka njerëz. Brenda shpirtit shqiptar ende nuk e ka fituar, ka mbetur bërthama e fuqishme. A është mirë ta fitojë? A është më mirë të jetosh në shpellë, në kullë, në bjeshkë, pa qendër apo është më mirë të jetosh në shtëpi, lagje, pallat, institucione, me qendër. Ku është njeriu më vetvetja, më natyral?”
Dhe tani do të më interesonte, kjo tingëllon në mënyrë provokuese apo jo? A zhvillohen aktualisht debate mbi këtë temë në shoqërinë shqiptare?
GA: Zhvillohen debate mbi këtë temë, po, zhvillohen debate por nuk duken sikur debate tashmë provokuese këto. E kam thënë edhe në intervista, ne kemi elemente edhe paramoderne edhe moderne, por ende edhe kultura kanunore, fisnore është e fuqishme në realitetin tonë, sidomos në pjesën veriore të Shqipërisë, por edhe në Kosovë.
Pse është kështu? Kthehemi prapë te ajo përplasja mes civilizimeve – kultura e folur, kultura fisnore, kanunore, na ka shërbyer për të mbijetuar, për t’mos u zhdukur, sepse nënshtrimi ndaj civilizimeve që kanë ardhur t’na pushtojnë, do të thoshte zhdukje dhe pjesë t’mëdha t’kombit edhe janë zhdukë edhe janë asimiluar. Megjithatë, ka mbetur diçka duke falënderuar kulturën fisnore e kanunore, kulturën e folur. Kjo nuk do të thotë që nuk kemi edhe kulturë të shkruar, por jehona e kulturës së folur, kulturës fisnore dhe kanunore është, ekziston e mbijeton edhe sot e kësaj dite, dhe zhvillohen debate për këtë, sepse kulturën e fisit fatkeqësisht në shumë raste e kemi bartur edhe në institucione, odën e kemi marrë edhe e kemi dërguar edhe në qeveri, edhe në shkollë, edhe në universitet dhe kjo ka ndiku jashtëzakonisht keq në shumë zhvillime demokratike, institucionale dhe sidomos në krijimin e administratës efikase. Për këtë shkak i kam ngritur këto pyetje, por tash, a është më mirë të jetojmë me qendër a pa qendër, a më mirë të jetojmë n’kullë e n’shpellë, unë me t’vërtetë nuk e di, por meqë jemi pjesë e një kontinenti t’vjetër, ne shqiptarët përfundimisht duhet ta heqim qafe fisin, kanunin dhe të bëhemi pjesë e vetëkuptueshme e kontinentit evropian dhe e demokracive liberale, kurse kanuni dhe kultura kanunore t’mbetet pjesë muzeale, ashtu edhe siç do të duhej të ishte dhe të merren etnologët dhe antropologët me këtë pjesë, po ende ka ishuj dhe ende ekziston një bërthamë e fuqishme fisnore-kanunore që ndikon e rrezaton në mentalitetin tonë, në sjelljen tonë.
ZF: Por edhe te personazhi kryesor?
GA: Edhe te personazhi kryesor, e ke vërejt si i trajton gratë?
ZF: Po, është shumë josimpatik.
GA: Është nëntekst, por pikërisht kjo kultura kanunore, fisnore ndikon që ai t’i trajtojë gratë në këtë mënyrë.
ZF: Edhe në Prishtinë?
GA: Edhe në Prishtinë madje!
ZF: Intelektualë të Prishtinës…
GA: E vërtetë se ka edhe raste që trajtohen gratë përmes qasjes dhe mentalitetit kanunor fisnor.
Shtrimi i pyetjeve të vështira
ZF: Një motiv shumë i fortë në roman është pyetja a ekziston diçka, ka fillim Zoti, ka fillim hiçi? Por edhe pyetja është pse ekziston? Zoti thotë nuk e di pse jam. Kjo është diçka që më trazon shumë, Zoti nuk e di e ai duhet ta dijë.
GA: Ai duhet ta dijë. Unë jam ai që jam thotë, por nuk tregon pse është.
ZF: Dhe autori thotë se në çastin kur njeriu tha pse, Zoti sikur u zhduk. D.m.th., këtu luftohen siguritë absolute, vuajmë si lexues, vuajmë me personazhin kryesor. ‘Zoti sikur u zhduk, nuk u përfshi më, me fuqinë e tij të madhe e bëri veten të harrojë që ka krijuar diçka aq të errët, larg hirit e dashurisë së tij. Njeriu pra është Perëndia që lufton për t’ia dëshmuar vetes hyjnoren. Se a do ta mbërrijë, unë nuk e di’… ne nuk e dimë… ‘Kur njeriu pyet ‘Pse’, ai del përtej jetës, natyrës së vet dhe vuan. Nga krijesa ai bëhet qenia. ‘Më e lehtë ishte të gjeje lumturinë duke qëndruar vetëm krijesë’, mendon A. Ibrahimi dhe për këtë arsye ai nuk dëshironte që studentët e tij ta bëjnë këtë pyetje. Po pse? A dëshironte ai t’i shpëtojë nga vuajtjet? Apo nga sëmundja që është forca lëvizëse e veprimeve të tij, me të cilën ai emancipohet nga krijuesi i tij, qoftë Perëndia apo Autori? Kush është njeriu, a është një kafshë e cila mendon, a emancipohet nga Perëndia d.m.th., shtrohen shumë-shumë pyetje?
GA: Citimin e parë që lexuat e shpreh një personazh, është Diana, gjatë bisedave me A.Ibrahimin dhe profesor Sadikun, një personazh tjetër i romanit. Citimi i dytë është kah fundi i romanit, kur Ibrahimit, tërë jetën në kërkim të kuptimit, i duket që ka dështuar. I duket që shndërrimi i tij nga krijesë në qenie që pyet pse vetëm e ka bërë të vuajë dhe e ka bërë qenie të dështuar. I shikon nxënësit e tij duke luajtur me njëri-tjetrin, janë të lumtur, të gëzuar, sikur një organizëm. Nuk janë qenie individuale, nuk shkoqen prej turmës dhe iu merr lakmi atyre. Frikësohet se n’momentin kur njëri nga ta do të pyesë “pse?”, do të shkoqet nga turma dhe do t’vuajë, do t’bëhet sikur ai, qenie e dështuar. Për këtë shkak ai thotë më mirë ndoshta do të ishte t’rrijmë krijesa, të mos bëhemi qenie.
ZF: Por edhe, ai thotë në një tekst se vuajtja më bën njeri, d.m.th., vuajtja duhet?
GA: Ne vazhdimisht mundohemi t’i largohemi vuajtjes, por n’fakt është vuajtja që na bën njerëz, jo vetëm gëzimi, lumturia, kënaqësia, po t’bën edhe vuajtja, sepse vuajtja është ballafaqim.
Fundi i hapur i romanit
ZF: Në fund të romanit duket se ka një zhvillim tjetër, por vetëm duket. Në fund të romanit A. Ibrahimi kthehet në shtëpi te babai, i cili në fakt është i vetmi person i afërm që i mbetet pas humbjes së nënës, së Dianës, ish-dashnores, Sarës, gruas, djalit, Gjonit, mikut të tij. Po citoj, po është teksti shumë i bukur d.m.th., si poezi, unë e kam lavdëruar se ka ritëm shumë fantastik edhe pse është prozë, tingëllon si poezi.
GA: Nuk botoj asgjë pa e dëgjuar melodinë e gjuhës. Sepse gjuha është muzikë!
ZF: Duhet të dëgjohet.
“A.Ibrahimi ndenji edhe një orë e gjysmë, u end nëpër shtëpi, të tjerët nuk gjendeshin aty, kishin shkuar diku për vizitë, ndjeu mall për fëmijët e vëllezërve, i donte shumë, moti nuk i kishte parë, shkoi në dhomën e vet të dikurshme, në katin e dytë, ku banonte vëllai i mesëm, deshi t’i merrte disa libra, por i ktheu ku ishin, shikoi jashtë dritares një pjesë të lagjes, vërejti që ishin ndërtuar edhe disa shtëpi të reja, u kthye te dhoma e babait, e përqafoi, ai e luti të rrinte për darkë, nuk pranoi, e përcolli deri jashtë, i tha se do të kthehej, nuk i tregoi kur, u lëshua shkallëve të ballkonit, eci shtegut, hapi portën, e shikoi edhe një herë të atin, doli në rrugicë.
Hipi në veturë, e ndezi, mori frymë thellë dhe iku”.
Domethënë, fjalitë janë në një ritëm, gjatë-shkurt, gjatë-shkurt, d.m.th., si një motiv i muzikës, shumë bukur.
GA: Faleminderit!
ZF: Domethënë, një fund i hapur i romanit dhe ky është një mjet artistik i fuqishëm dhe kjo mund të nënkuptohet se pyetjet e ngritura për të cilat keni folur tani, keni diskutuar pak tani, ato nuk mund të marrin përgjigje nga personazhet e romanit ose nënkuptohet tani se historia mund të vazhdojë në nivel tjetër tani, më shumë kuriozitet. A do të ketë një vazhdim, sepse edhe kjo do të ishte e mundshme, sepse dera është e hapur, ai mund të kthehet. Çfarë vlen për ju në këtë rast, çfarë mund të shpresojmë ose jemi tani të lënë të vetëm si lexues dhe duhet të zgjedhim vetë?
GA: Fundi i hapur lejon interpretime të ndryshme. Dikush mund të thotë që është njëfarë fillimi i stabilizimit të krizës ekzistenciale të personazhit. Dikush mund të thotë që ai ikën nga gjithçka po kthimi i tij te babai në fund të romanit mund të jetë më pozitiv për atë interpretuesin që thotë se është fillimi i një stabilizimi të personazhit. Unë e lë të hapur që secili lexues ta interpretojë ashtu siç lexuesi dëshiron, dhe ashtu siç ka prirje dhe ashtu siç përshtatet me mendësinë e tij, kulturën e tij, informacionet e tij, dijen e tij ose të saj. A do t’ketë një vazhdim? Njëherë për njëherë jo, por sigurisht që një pjesë e ideve, motivet, temave që i kam trajtuar këtu do t’jenë në romanin e radhës, por me ngjarje të tjera. Dhe unë besoj që është tip i tillë romani që nuk do ta duronte mbylljen e prerë, do t’duhej t’ishte fundi i hapur, sepse ngrihen shumë çështje t’cilave nuk mund t’iu përgjigjemi sepse nuk…
ZF: Por mbetet si jehonë! E paharrueshme!
GA: Mbetet si jehonë, e vërtetë! Jam i lumtur që ka pasur këtë jehonë të tillë tek ju, që jeni njohëse kaq e mirë e letërsisë shqipe. Shpresoj edhe te lexuesit e radhës! Te shumë lexues që e kanë lexuar ka pasur jehonë të mirë, ka pasur diku afër dhjetë recensione e shkrime e kritika për romanin tim, është pritur mirë. Ka jehu do t’thotë, edhe te lexuesit, edhe te kritika dhe shpresoj t’vazhdojë të jehojë në t’ardhmen, me storien që e ka, por edhe motivet, idetë e temat që shtrohen dhe trajtohen.
ZF: Dhe ju ftoj edhe juve përzemërsisht ta lexoni, këtë fund të hapur. Dhe tani desha të të lus të lexosh diçka.
GA: Desha ta lexoj këtë pjesën para kësaj që lexuat ju, është kah fundi edhe kjo.
ZF: Unë të kam marrë fundin e bukur.
GA: Tash është pjesa kur babai i tij, njeri shumë i mirë, edhe fetar, por jo dogmatik si i vëllai, gjendet në xhami, ka shkuar për ta falur xhumanë. Babai i tij është fetar, por tolerant. Ai e ka toleruar vazhdimisht të birin, ndërkaq vëllai i madh është më dogmatik. Po e lexoj pjesën që lidhet me atë pjesën që lexuat.
“Në mesditë kishte qenë në xhami, ishte e premte, dita e madhe e myslimanëve. Një hoxhë i ri mbante ligjëratë. “Sprovat”, e kishte titulluar. Pasi kishte renditur një varg lutjesh hyrëse, hoxha kishte nisur të ligjëronte, me fjali të gjata, me ndërprerje mes tyre për të marrë frymë, për të pirë ujë, se i thahej goja shpesh, për të gjetur argumentet më bindëse, besimtarët dëgjonin ose mendonin ndonjë gjë tjetër, e natyrshme kjo, ai herë e kishte mendjen aty, herë jo, mirëpo, nga mesi i ligjëratës, ndodhi diçka. Hoxha po vazhdonte duke konstatuar se jeta në këtë botë ishte sprovë. Zoti e kishte krijuar njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet dhe ai duhej ta dëshmonte në botën materiale këtë thelb hyjnor duke u përpjekur t’i përmbushë detyrat, obligimet, nënshtrimin ndaj krijuesit. Zoti ka thënë në Kuran se njerëzit do të sprovohen, do ta përjetojnë varfërinë, luftën, sëmundjen, humbjen e të afërmve të dashur, të gruas, të… I kishte dëgjuar shpesh këto gjëra, por përmendja e mundësisë së humbjes së gruas, në ditën e pesëdhjetëvjetorit të takimit të tyre të parë, e kishte tronditur, në mendje, me tërë fuqinë, ishte kthyer fytyra e buzëqeshur dhe njëkohësisht e mërzitur e gruas së tij të dashur dhe ai, për herë të parë në jetë, kishte lejuar t’i dilte nga gjoksi e në ndërgjegje një fjalë, vetëm një fjalë, me tri shkronja: Pse? Kur fjala kishte ndriçuar në mendjen e tij, ai kishte lëvizur nga vendi, ku qëndronte ulur, në qilimin e butë, të pastër, të rendit të parë të xhamisë. Goja e tij ishte hapur pa e pyetur dhe këmbët kishin lëvizur pa e pyetur, trupi ishte ngritur mbi këmbët e mpira, tashmë të drejtuara, gjoksi ishte rritur, dora e djathtë, me pesë gishtat e drejtuar nga kupola e stilizuar me lule, bëhej gati ta shoqëronte fjalën e rëndë që ai donte ta thoshte, drejtuar hoxhës në minber, murit në të majtë të tij, kamares së mihrabit, vargjeve të librit të shenjtë shkruar mbi të, vetë Zotit. Por, fjalën e kishte shqiptuar vetëm në kokë, bërtimë me krejt zërin e brendshëm, goja ishte mbyllur, gjoksi ishte ulur, frymëmarrja ishte qetësuar, duart ishin lëshuar, sytë ishin ulur përdhe, mbi qilimin e bukur. Gjithçka ishte ligështuar në qenien e tij, pos këmbëve, ato nuk ishin dorëzuar, ia kishin nisur të lëviznin, nuk kishin dëshiruar të qëndronin më aty, e kishin nxjerrë jashtë, ajri i flladshëm e kishte ngjallur, dhembja iu kishte bërë edhe më e thekshme, por nuk ishte ndalur, nuk ishte kthyer, nuk kishte qitur lot nga sytë, vetëm kishte pyetur prapë, tri herë: Pse? Pse? Pse?”
[1] Podiumi u mbajt në Universitetin Humboldt në degën e Südosteuropa-Gesellschaft në Berlin më 22 tetor 2024. Transkriptuar nga Elona Selmani dhe Aurora Salihu.
[2] Shiko monografinë e tij të fundit Proza shqipe e viteve 1920-1944. Pristina 2020.
[3] Rexhep Qosja: In solchen Augen liegt der Tod. Innsbruck 1995.
[4] Nysret Krasniqi: Letërsia e Kosovës 1953-2000. Pristina 2016, Fq. 111ff.
[5] Botimi gjermanisht-shqip i “Dega e pikëlluar” nga Oda Buchholz dhe Wilfried Fiedler. Prishtinë 1979
[6] Regen in einer Legende. Albanische Lyrik vom Amselfeld. Redaktuar dhe përkthyer nga Rudolf Grulich. Heiligenhof 1977