Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Totalitarizëm

FILOLOGJIA E LARGPAMJES

Kryeministri i Republikës Popullore të Kinës, Zhou Enlai (Çu En Lai, sipas drejtshkrimit të vjetër) e vizitoi Shqipërinë dy herë – në janar të vitit 1964 dhe pastaj në qershor të vitit 1966. Vizita e parë ishte pjesë e një turneu vizitash në vende të ndryshme të Azisë dhe të Afrikës; ndërsa e dyta pjesë një udhëtimi që e çoi edhe në Rumani dhe në Pakistan. Për t’u shënuar edhe se vizitën e parë vetëm gjashtë vjet e pak e ndanin nga vizita e Hrushovit në Shqipëri, në maj-qershor të vitit 1959.

Këto vizita ishin të rëndësishme për Kinën, por edhe më shumë për regjimin e Hoxhës në Shqipëri, të cilit Kina i kish mbetur i vetmi aleat i madh që i siguronte mbështetje dhe, në thelb, edhe i siguronte mbijetesën.

Historianët kanë folur dhe do të flasin për synimet e politikës së jashtme të Kinës në atë kohë, duke mbajtur parasysh se nga viti 1964 deri në vitin 1966 ndryshime të mëdha, tektonike, po ndodhnin në regjimin e Maos dhe në politikat e tij brenda vendit. Shqipëria, nga ana e vet, mundohej të përballonte pasojat e prishjes me Bashkimin Sovjetik dhe bllokun e Lindjes, në kontekstin edhe të një rreziku – jo krejt teorik – për t’u sulmuar ushtarakisht prej sovjetikëve.

Kush kërkon të marrë vesh se çfarë u diskutua gjatë vizitave të Zhou-së dhe bisedave të tij me Hoxhën dhe Shehun nuk ka rrugë tjetër veçse t’u drejtohet arkivave përkatëse; dhe, deri-diku, edhe shtypit të kohës, ku u përcollën fjalimet e protagonistëve. Botime të pas vitit 1978, kur ndodhi “prishja” tjetër dramatike mes regjimit të Hoxhës dhe Kinës post-Mao, hedhin gjithashtu dritë mbi shumë dyshime, interpretime dhe paranoja të liderit shqiptar. Veçanërisht ditari i tij politik, i botuar në shumë vëllime, dhe librat e serisë Shënime për Kinën (të botuara në vitin 1979), tregojnë një Hoxhë gjithnjë kritik ndaj politikave të Maos dhe demarsheve të tij ideologjike.

Këto qëndrime kritike të Enverit kishin mbetur sekrete, ose të paktën tejet të rezervuara, deri sa krisjet në marrëdhëniet shqiptaro-kineze nuk ishin bërë publike. Për qytetarët e informuar në Shqipëri u desh një editorial masiv (pa autor), i “Zërit të Popullit”, kundër “Teorisë së tri botëve”, për të dyshuar se diçka e madhe do të ndodhte në marrëdhëniet mes dy vendeve. Përndryshe, kur vdiq Maoja në 1975 “Zëri i popullit” i kushtoi një nekrologji/eulogji masive, që nuk kish ndodhur për askënd tjetër deri atëherë, të paktën që nga vdekja e Stalinit në 1953.

Nga ana tjetër, që prej vitit 1968, kish filluar botimi zyrtar i Veprës së plotë të Enver Hoxhës; datat e vizitës së parë të Zhou-së në Tiranë duhej t’i mbulonte vëllimi 26, i botuar në 1978, por atje për këtë ngjarje nuk jepet asgjë – as bisedat e Enverit me mysafirin, as fjalimet e tij në takimet dhe darkat zyrtare; zero. Ironikisht, materiali i fundit i vitit 1963 i referohet një bisede me një delegacion të rinisë dhe një piktor kinez, të cilit nuk i përmendet as emri (!); por pastaj kalohet menjëherë në 7 shkurt të vitit 1964, duke e lënë janarin zbuluar. Përkundrazi, në ditarin e vitit 1964, të botuar në 1989, vizitës së parë të Zhou-së i kushtohen disa hyrje – me gjuhë relativisht të thatë; njëlloj si edhe te Shënime për Kinën. Enveri kujdeset edhe të sqarojë se “stenogramet e bisedave të të dyja palëve janë në Arkivin Qendror të Partisë”). Ai e konsideron vizitën e Zhou-së një sukses dhe ndalet gjatë në jehonën e saj ndërkombëtare.

Pamje nga vizita në vitin 1966

Sa për vizitën e dytë, Vepra 33, e botuar në 1981, përmban një material mjaft të gjatë, me titull “Nga biseda me Çu En Lain”, që lë të kuptohet se biseda nuk është sjellë e plotë.[1] Lexuesit i thuhet edhe se ky material “Botohet për herë të parë, sipas origjinalit që gjendet në Arkivin Qendror të Partisë”; një formulë karakteristike për një numër të madh tekstesh të veprave. Ashtu lexuesit i lihet të kuptohet se po bëhet palë e një privilegji, ngaqë po i jepet mundësia të njihet me një lëndë deri atëherë sekrete; por nuk i thuhet sa i plotë dhe i saktë është ky botim.

Muajin qershor të vitit 1966 e mbulon edhe nga vëllimi 4 i Ditarit për çështje ndërkombëtare, botuar në 1982; dhe atje ngjarjet që shoqëruan vizitën trajtohen jashtëzakonisht shkurt – lihet të kuptohet se palët kanë pasur mes tyre mosmarrëveshje parimore, lidhur me qëndrimet ndaj Jugosllavisë, Bashkimit Sovjetik, Rumanisë dhe kështu me radhë; në një kohë që, te Shënime për Kinën, vizita e dytë e Zhou-së as që përmendet, sa kohë që datat kur ajo ndodhi janë kapërcyer krejt.

Po në 1966 u mbajt edhe Kongresi V i PPSH-së, ku Enver Hoxha lexoi raportin kryesor të KQ të PPSH-së; raporti është botuar, mes të tjerash, në serinë PPSH Dokumente Kryesore dhe pastaj në Veprën 34; te kjo e fundit, pasazhet që i kushtohen marrëdhënieve me Partinë Komuniste të Kinës dhe Republikën Popullore të Kinës janë shënjuar si të shkurtuara (me trepikësh).

Për të krijuar një ide se çfarë është hequr nga versioni i mëparshëm i raportit në Kongresin VI, (që nuk guxoj ta quaj origjinal), po sjell ndonjë shembull duke krahasuar me të njëjtin raport, të botuar në vëllimin PPSH, dokumente kryesore 5 (botuar në vitin 1974):

Versioni i vitit 1974Versioni i vitit 1981
Zhvillimi i ngjarjeve ndërkombëtare në këto vitet e fundit vërteton në mënyrë bindëse se imperializmi amerikan e ka drejtuar strategjinë e tij globale kundër Republikës Popullore të Kinës, kësaj fuqie të madhe socialiste, që mban lart flamurin e revolucionit dhe të luftës kundër imperializmit. Ai orvatet me të gjitha mjetet të frenojë, të izolojë Kinën Popullore, të sabotojë e të ndalë përparimin e saj në rrugën e revolucionit e të ndërtimit socialist, ta rrethojë atë me vatra zjarri dhe të pregatitë e të shpërthejë kundër saj luftën «totale».  Zhvillimi i ngjarjeve ndërkombëtare në këto vitet e fundit vërteton në mënyrë bindëse se imperializmi amerikan e ka drejtuar strategjinë e tij globale kundër Republikës Popullore të Kinës… Ai orvatet me të gjitha mjetet të frenojë, të izolojë Kinën popullore, të sabotojë e të ndalë përparimin e saj në rrugën e revolucionit e të ndërtimit socialist, ta rrethojë atë me vatra zjarri dhe të përgatitë e të shpërthejë kundër saj luftën «totale».
Por të gjitha orvatjet armiqësore të imperializmit amerikan, të forcave të ndryshme reaksionare dhe të klikës renegate hrushoviane kundër Republikës së madhe Popullore të Kinës kanë pësuar e do të pësojnë kurdoherë dështim të plotë përpara forcës së pathyeshme ekonomike, politike, ushtarake e morale të popullit 700-milionësh kinez, të bashkuar si një trup i vetëm rreth Partisë së lavdishme Komuniste të Kinës me shokun Mao Ce Dun në krye. Solidariteti me Kinën Popullore, mbrojtja e saj nga atentatet e imperialistëve e të shërbëtorëve të tyre revizionistë është sot një detyrë historike dhe një çështje jetike për të gjitha forcat e popujt revolucionarë e liridashës. Populli, Partia dhe qeveria jonë, që ecin në të njëjtën rrugë revolucionare me popullin e madh kinez dhe me Partinë e tij Komuniste, do të jenë kurdoherë solidarë e krah për krah tyre në ditë të qeta e në kohë stuhie, do të marshojnë së bashku me ta përpara në luftën kundër imperializmit e revizionizmit modern, për triumfin e revolucionit e të socializmit.[zero]
Në këtë luftë të madhe për jetë a vdekje midis popujve dhe imperializmit e gjithë shërbëtorëve të tij, nga e cila varen fatet e njerëzimit, një rol vendimtar luan Republika Popullore e Kinës dhe Partia e saj e lavdishme Komuniste. Kina Popullore është sot kështjella e pathyeshme e socializmit dhe e revolucionit në botë, mbështetja e fuqishme e besnike e popujve dhe e luftërave të tyre çlirimtare e revolucionare. Ajo është luftëtarja e madhe dhe e paepur kundër imperializmit amerikan, pengesa e pakapërcyeshme për planet imperialisto-revizioniste të hegjemonisë botërore, flamurtarja e marksizëm-leninizmit fitimtar kundër tradhtisë revizioniste.[zero]

Shkurtime të tilla, pa përmendur pastaj zhdukjen tërësore të emrit të Maos në versionin e vitit 1982, e dobësojnë fort statusin e dokumentit të botuar në Veprat, duke ia hequr autenticitetin (edhe pse në fund të materialit pranohet se teksti “botohet me ndonjë shkurtim…”)[2].

Sërish për krahasim, vizita e Hrushovit në Shqipëri, në maj-qershor të vitit 1959, nuk përmendet fare në Veprën 17, të botuar në vitin 1974; por zihet në gojë shkarazi në Ditarin për çështje ndërkombëtare, të botuar në 1981.

Nuk është ndonjë zbulim i madh, të thuash që në Veprat e Enver Hoxhës, përfshi edhe ditarët politikë, janë bërë ndërhyrje, zakonisht duke hequr ato pjesë “anakronike”, që bien ndesh me vijën politike të periudhës kur është bërë botimi. Modifikime të tilla të narrativës historike i gjen në të gjitha materialet zyrtare të botuara nga Instituti i Studimeve M-L, kur ka një diferencë vitesh midis datës së një ngjarjeje specifike dhe datës së botimit. Ndryshimet në vijë, si ato në marrëdhëniet me Jugosllavinë, Bashkimin Sovjetik, vendet e Lindjes, Kinën; dhe denoncimi i ish-udhëheqësve dhe kuadrove të larta si “tradhtarë” dhe “armiq”, janë bërë shkas për ndërhyrje së prapthi, për të shmangur thyerjet në narrativë. Këto ndërhyrje janë të tipit “Ne gjithnjë kemi qenë në luftë me Oqeaninë”, si te 1984-a e Orwell-it.

Vizitat e Zhou Enlait në Shqipëri, si ngjarje me rëndësi të madhe për të ardhmen e regjimit të Hoxhës dhe të vetë shtetit të Shqipërisë, përballë NATO-s dhe Traktatit të Varshavës, i japin mundësinë jo vetëm historianit që të kuptojë se çfarë ka ndodhur dhe është thënë para, gjatë dhe pas atyre vizitave, por edhe historianit të komunikimit të regjimit totalitar me publikun, që të kuptojë se si është shndërruar, pas prishjes së madhe të vitit 1977-1978, narrativa e marrëdhënieve të Shqipërisë me Kinën, në vitet 1949-1978, në mënyrë të tillë që të ruhet “koherenca” narrative me kusht edhe të sakrifikimit të së vërtetës historike. Sidoqë miqësia shqiptaro-kineze kish arritur nivelin më të lartë në vitet 1960, ose në kohën kur në Shqipëri erdhi dy herë për vizitë Zhou Enlai, ishte në interes të Enver Hoxhës “së vonë”, arkitekt i konfliktit me udhëheqjen post-mao të PKK-së, që të provonte njëfarësoj se ai gjithnjë kish dyshuar në kualitetin e teritalit marksist-leninist të Pekinit, përfshi këtu edhe të statusit të vetë Maos si klasiku i pestë. Konfirmimi i largpamësisë merrte përparësi ndaj vërtetësisë historike.

Kur lexon sot, në vitin 2026, një dokument me gjasë të prodhuar në 1966, por të botuar me redaktimet përkatëse në 1982, lexuesi i informuar – i cili e ka të qartë se midis datës së prodhimit të dokumentit dhe datës së përgatitjes së tij për botim ka ndodhur hataja e “prishjes me Kinën” – duhet të jetë gati që të mbajë parasysh, në mënyrë konstante, dy subjekte të ligjërimit: Enver Hoxhën vetë në vitin 1966 (dhe ata që ia kanë përgatitur tekstin atëherë) dhe redaktorin anonim të botimit në 1982, i cili është i pranishëm në tekst nëpërmjet shkurtimeve që i janë bërë origjinalit, heqjes së emrave, shënimeve shpjeguese ose edhe thjesht mungesave atje ku duhej të kishte prani. Heshtja totale në Veprën 17 të Enverit për vizitën e Hrushovit në Shqipëri në vitin 1959 gati sikur kërkon ta mënjanojë krejt këtë ngjarje nga historia, duke e likuiduar si të ishte gabim shtypi. Ashtu ajo zgavër mund të krahasohet, dhe duhet krahasuar, me manipulimet që gjetiu u janë bërë fotove dhe materialeve vizuale, përfshi edhe filmat dokumentarë, të gjitha pjesë e një projekti herë tejet ambicioz e herë tejet të dëshpëruar për rishkrimin e historisë.

Historiani Elidor Mëhilli, i cili e ka studiuar këtë periudhë drejtpërdrejt në burimet dokumentare dhe arkivat, u ka kushtuar marrëdhënieve kino-shqiptare një kapitull me titullin “Mao and the Albanians” në vëllimin Mao’s Little Red Book – A Global History (Edited by Alexander C. Cook), Cambridge University Press, 2014. Edhe Mëhillit i bën përshtypje kontradikta, në kufi të absurdit, mes qëndrimeve publike të Hoxhës ndaj Maos, PKK-së dhe ideologjisë maoiste nga njëra anë, dhe shënimeve private të njëkohshme të Hoxhës, që u botuan pastaj në Shënime për Kinën, si pjesë të ditarit politik. Mëhilli shkruan se nuk ka parë asnjë version origjinal të këtij ditari në arkivat e PPSH-së, por se ka prova që kujtimet e Hoxhës nuk janë tërësisht fabrikime post hoc. Megjithatë, disa nga hyrjet në ditarin politik të Hoxhës janë kaq ekstreme, dhe kaq ekstremisht në kundërvënie me qëndrimet e tij zyrtare (“Në të njëjtën kohë që ai, me gjasë, denonconte kultin e personalitetit të Maos në ditarin e vet, udhëheqësi shqiptar është dokumentuar të ketë lëvduar në publik idetë e Maos si domethënëse për mbarë botën…”), sa Mëhilli nuk e përjashton që këto të jenë përftuar retroaktivisht, si formë post-skriptuale e shpagimit politik kundër kinezëve, pas vdekjes së Maos. Nuk është e mundur të thuhet gjë me siguri, thotë ai. Këtë lloj verifikimi, me gjasë, e pengon edhe vetë natyra e librit Shënime për Kinën, si kompilim i kujdesshëm tekstesh të nxjerra nga arkivat partiakë (party records), ku vetë përzgjedhja luan rol aktiv në konstituimin e përgjithshëm të tekstit dhe në frymën e përcjellë.

Në çdo rast, përfytyrimi i këtij Enver Hoxhe të dyzuar, që nga njëra anë i thur lavde Maos dhe Revolucionit Kulturor në publik, dhe nga ana tjetër vë një alter ego të vetes të nxijë faqe pas faqesh, në ditarin e vet politik privat dhe sekret, në monologje teatrale kundër Maos, maoizmit dhe politikës kineze, të çon te një lloj marrëzie pseudo-dialektike, ku lideri i madh politik mund ta ruajë maskën e “normalitetit” publik vetëm e vetëm duke marrë seriozisht përsipër një rol të kundërt në privat. Kjo mund të interpretohet edhe kështu: aq shumë ish sikletosur e sëkëlldisur Hoxha me dredhitë dhe marifetet e politikës kineze dhe frazeologjinë e padepërtueshme plot numërime dhe metonimi kriptike (katër të mirat, shtatë fshatrat), sa mund t’i pranonte Maon dhe maoizmin vetëm e vetëm duke shfryrë kundër tyre në sekret: i çuditshëm këtu nuk është dyzimi i subjektit, por vullneti për ta regjistruar dyzimin me shkrim, për të lënë një gjurmë në rrjedhë të kohës. Me gjasë, ky imazh nuk i përgjigjet ndonjë realiteti historik, por i përshtatet megjithatë asaj metode të terapisë politike, ku subjekti ndërton me dorën e djathtë, shkatërron me dorën e majtë dhe e gjen balancën në mes.

Shembujt që analizova në këtë shkrim të paktën mund të shërbejnë për të mbështetur hipotezën se botime të tilla si Veprat e Enver Hoxhës nuk kanë pasur natyrë mirëfilli dokumentare, por më tepër kanë shërbyer për të ndërtuar a sajuar një narrativë historike pjesërisht të rreme e të falsifikuar – në momentet e saj më kritike – me qëllimin për të treguar se realiteti “i sotëm” nuk është veçse rezultati i projektuar dhe i parashikuar i vullnetit subjektiv të një elite politike dhe ideologjike, të pajisur me largpamësi të pagabueshme, në mos megalomaniakale (që ca prej nesh e njohin dhe e identifikojnë si paranojë). Manipulime të tilla dëshirore, për stabilizimin me çdo kusht të narrativës historike, vështirë t’i marrësh si të diktuara nga rrethanat objektive të pafavorshme; ato më shumë mishërojnë thelbin e komunikimit të pushtetit totalitar me masën e qytetarëve. Këto përpjekje seriale, nga ana e një aparati masiv botuesish e redaktorësh, për të vendosur rregull artificial në sekuencën kaotike të ngjarjeve në rrjedhë të viteve, do të meritonin kështu historinë e tyre.

(c) 2026 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Një version i besueshëm i kësaj bisede mund të lexohet këtu.

[2] Paradoksalisht, dhe në rrethana “normale”, një redaktor i kujdesshëm do t’i kish hequr këto pjesë nga teksti që para se ky të botohej, duke i gjykuar si bullshit – fjalë që nuk thonë asgjë, përveçse mbushin ajrin. Por me këtë logjikë nuk dihet sa tekst do t’u kish mbijetuar qethjeve editoriale.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin