nga Dhurata Hoti
“Të gjitha familjet e lumtura i ngjajnë njëra-tjetrës; çdo familje e palumtur është e palumtur në mënyrën e vet.” Kjo fjali e Tolstoit endet si një fantazmë mbi filmin Sentimental Value të Joachim Trier-it, ashtu siç endet ideja e papërsosmërisë njerëzore në gjithë filmografinë e tij. Trier nuk është i interesuar për familjen si strukturë, por si terren emocional ku dashuria dhe dështimi bashkëjetojnë pa marrëveshje. Familja, ashtu si lidhjet romantike te filmi i tij i mëparshëm The Worst Person in the World, nuk shfaqet kurrë si vend i sigurt, por si një hapësirë ku intimiteti është gjithmonë i fragmentuar.
Sentimental Value ndjek historinë e dy motrave, Nora dhe Agnes, pas vdekjes së nënës së tyre, në momentin kur babai rikthehet në vendlindje pas një mungese të gjatë, këtë herë me një projekt filmik që synon të shënojë kthimin e tij artistik. Oferta që ai i bën Norës — një aktore në krizë personale dhe profesionale — për të luajtur rolin kryesor në këtë film, rihap jo vetëm marrëdhënien e tyre të pazgjidhur, por edhe arkivin e heshtur të traumave familjare. Projekti lidhet drejtpërdrejt me kujtesën e nënës së tij të ndjerë, vetëvrasja e së cilës mbetet një prani e pashprehur, por thellësisht formësuese në jetën e të gjithë personazheve. Në këtë kontekst, përpjekja e Norës për vetëvrasje nuk shfaqet si akt individual i izoluar, por si simptomë e një dhimbjeje të trashëguar, duke e zhvendosur narrativën nga drama personale drejt një përjetimi më të gjerë të traumës familjare. Interpretimet e Renate Reinsve, Inga Ibsdotter Lilleaas dhe Stellan Skarsgård i japin kësaj historie një ton të përmbajtur dhe emocionalisht të ndërlikuar, ku tensionet shpalosen më shumë përmes heshtjeve sesa përmes konfrontimit.
Në The Worst Person in the World, Trier e ndiqte pasigurinë ekzistenciale të një gruaje të re, që nuk arrinte të përkufizonte veten pa humbur dikë tjetër. Sentimental Value e zhvendos këtë pasiguri nga individi te familja, duke sugjeruar se konfuzioni emocional nuk lind në izolim, por trashëgohet. Ajo që dikur ishte frikë nga angazhimi, këtu bëhet paaftësi për të komunikuar dashurinë. Personazhet e Trier nuk janë “të këqij”, janë njerëz që vonohen emocionalisht, që arrijnë gjithmonë pak më vonë se momenti kur afërsia ishte ende e mundur. Sentimental Value kështu lexohet si një vazhdim i The Worst Person in the World: më pak ironik, më i rëndë, por po aq i ndjeshëm ndaj mënyrës se si koha, kujtesa dhe frika nga intimiteti e deformojnë dashurinë.
Ky film artikulon atë që në veprën e mëparshme mbetej e nënkuptuar: se pasiguria, shmangia emocionale dhe repetitiviteti i lidhjeve toksike nuk lindin në vakum, por formësohen në marrëdhënie të hershme, kryesisht në raport me figurën prindërore. Marrëdhënia me babanë — një figurë e munguar, e papjekur emocionalisht, më shumë fëmijë sesa autoritet — shfaqet si matricë e këtyre modeleve, pa u shndërruar kurrë në shpjegim reduktiv.
Forca e Trier-it qëndron pikërisht në mënyrën se si e artikulon këtë lidhje pa e verbalizuar atë drejtpërdrejt. Filmi nuk ofron diagnoza dhe as nuk sugjeron një vijë të qartë shkak–pasojë; përkundrazi, ai ndërton një terren interpretimi ku shikuesi ftohet të vërejë vazhdimësitë emocionale, jo t’i gjykojë ato. Kjo qasje e pozicionon Trier-in pranë traditës bergmaniane të kinemasë psikologjike, ku marrëdhëniet familjare dhe intime shfaqen si hapësira tensioni të pazgjidhshëm dhe ku figurat femërore trajtohen me një kompleksitet të plotë subjektiv.
Ashtu si te Bergman-i, gratë e Trier-it nuk funksionojnë si bartëse tezash ideologjike, por si subjekte të ndërlikuara, të përshkuara nga kontradikta dhe dëshira. Mungesa e një artikulimi të drejtpërdrejtë feminist nuk e dobëson këtë qasje; përkundrazi, ajo e forcon realizmin psikologjik të karaktereve, duke i çliruar ato nga nevoja për të përfaqësuar diçka përtej vetes. Në këtë mënyrë, Sentimental Value nuk e korrigjon The Worst Person in the World, por e thellon atë, duke ofruar një kuadër më të gjerë për të kuptuar ndërlikimet emocionale që përshkojnë universin kinematografik të Trier-it.
Në Sentimental Value, familja nuk trajtohet si një njësi sociale e qëndrueshme, por si një matricë psiko-emocionale ku formësohet subjektiviteti. Trier e zhvendos vështrimin nga funksioni i familjes te ndikimi i saj afektiv, duke e paraqitur atë si hapësirën ku ndërtohen skemat e para të afërsisë, mungesës dhe refuzimit. Në këtë kuptim, marrëdhëniet familjare nuk janë thjesht kontekst biografik, por struktura themelore përmes së cilës subjekti mëson të lidhet — ose të mos lidhet — me tjetrin. Kjo qasje rezonon me teorinë e object relations, ku përvojat e hershme me figurat prindërore internalizohen si modele të qëndrueshme marrëdhëniesh, që më pas riprodhohen në jetën emocionale të rriturit.
Figura e babait në Sentimental Value artikulohet jo përmes autoritetit apo konfliktit të drejtpërdrejtë, por përmes mungesës dhe papjekurisë emocionale — dy elemente që, në dritën e teorisë së atashimit (attachment theory), formësojnë një atashim të pasigurt. Babai nuk shfaqet si figurë represive, por si objekt i paqasshëm afektivisht, i cili dështon të ofrojë stabilitet emocional dhe përgjigje të qëndrueshme ndaj nevojave të fëmijës. Por babai, dikur ka qenë vet fëmijë dhe kështu pashmangshëm, viktimë e një logjike të ngjashme. Kjo lloj pranie e ndërprerë prodhon një subjekt që mëson ta lidhë afërsinë me pasigurinë dhe pritjen, duke e përjetuar lidhjen si diçka që gjithmonë mund të humbasë.
Në Sentimental Value, arti funksionon si një ndërmjetës ambivalent midis personazheve — një hapësirë që njëkohësisht e zëvendëson dhe e mundëson afërsinë. Praktika krijuese e babait mbart një dozë të pashmangshme egoizmi: ajo kërkon distancë, përqendrim në vetvete dhe një lloj vetëmjaftueshmërie emocionale që shpesh e përjashton tjetrin. Pikërisht për këtë arsye, arti bëhet një mënyrë për të shmangur kontaktin e drejtpërdrejtë afektiv, duke e zhvendosur lidhjen nga përvoja e jetuar te përfaqësimi i saj. Megjithatë, drejt fundit të filmit, kur Nora përballet me skenarin, ky mekanizëm fillon të çlirohet nga funksioni i tij mbrojtës: leximi i tekstit krijon një formë të vonuar afërsie mes babait dhe bijës, jo përmes rrëfimit të sinqertë, por përmes njohjes së ndërsjellë në aktin e krijimit. Arti, ndonëse i lindur nga një impuls egoist, shndërrohet kështu në të vetmen gjuhë të mundshme ku babai arrin të artikulojë diçka që nuk ka ditur ta përjetojë emocionalisht.I paaftë për intimitet të drejtpërdrejtë, ai i drejtohet përfaqësimit, duke e zhvendosur afërsinë nga përvoja në formë. Kështu, arti nuk shfaqet si urë emocionale e mirëfilltë, por si një strukturë zëvendësuese, ku mungesa jo vetëm që nuk zhduket, por bëhet pjesë përbërëse e aktit krijues. Afërsia që lind këtu nuk është riparuese dhe as e plotë, por është reale në brishtësinë e saj: një takim i vonuar, i ndërmjetësuar, ku dashuria nuk shprehet drejtpërdrejt, por lexohet.
Në Sentimental Value, kujtesa funksionon si një mbetje afektive, duke riprodhuar përvojat emocionale të papërpunuara të së kaluarës në jetën e tashme. Koncepti psikoanalitik i deferred affect sugjeron se kujtimet familjare nuk veprojnë menjëherë në momentin e tyre origjinal, por rikthehen më vonë si një peshë emocionale e pashpjegueshme, duke formuar mënyrat se si subjekti përjeton afërsinë dhe mungesën. Për Trier, kjo nuk është thjesht një teknikë narrative, por një strategji estetike dhe psikologjike: personazhet nuk përjetojnë traumën e drejtpërdrejtë të së kaluarës, por tensionin e saj të heshtur, të cilin shikuesi ndjen si një gjendje afektive që strukturon marrëdhëniet aktuale. Në këtë mënyrë, filmi e vendos kujtesën në qendër të arkitekturës emocionale: ajo nuk është nostalgji, por një akt i vazhdueshëm interpretimi dhe ripërjetimi, që ndikon në zgjedhjet e dashurisë, pasigurinë dhe repeticionin e modeleve të hershme.
Te ky film, koha nuk funksionon si faktor shërues apo si mjet katarsik; përkundrazi, ajo thellon distancën dhe intensifikon tensionin emocional të personazheve. Kalimi i kohës nuk ofron riparim ose kuptim të menjëhershëm për boshllëqet e formuara në marrëdhëniet familjare, modelet e atashimit apo kujtesën afektive, por i zhvendos ato nga drama e dukshme drejt një tensioni të brendshëm të vazhdueshëm.
Por megjithatë, filmi nuk është kurrë shumë i rëndë; midis heshtjeve dhe pritjes së pamundur, Trier gjen vend për një humor të hollë, shpesh i lindur nga absurditeti i përpjekjeve të personazheve për të kuptuar ose përmbushur vetveten. Performanca e aktores amerikane (Elle Fanning), me nuanca të lehta ironie dhe një përzierje të brishtë të seriozitetit dhe komedisë, shpërfaq këtë humor pa e shtrembëruar dramatikën, duke i dhënë karakterit një kompleksitet të gjallë dhe njerëzor.
Sentimental Value nuk prezanton një narrativë shërimi; ajo operon në regjistrin e ndërgjegjësimit emocional, duke pranuar se disa boshllëqe formuese nuk mund të riparohen plotësisht, por vetëm të njihen dhe të integrohen në përvojën subjektive të personazheve. Ky perspektivë i jep filmit një qasje reflektuese, ku pasiguria, humbjet dhe mungesat nuk kërkojnë zgjidhje morale, por kuptim dhe pranueshmëri.
Trier refuzon çdo lexim homogjen të përvojës familjare, duke e ndërtuar marrëdhënien mes motrave si dëshmi se e njëjta mungesë afektive nuk prodhon kurrë subjektivitete identike. Edhe pse të rritura brenda së njëjtës histori familjare dhe në raport me të njëjtën figurë prindërore të munguar, Nora dhe Agnes e përjetojnë dhe e artikulojnë këtë mungesë në mënyra thelbësisht të ndryshme. Njëra e përkthen distancën emocionale në rezistencë dhe vetë-mbrojtje, duke e mbajtur afërsinë në një regjim kontrolli dhe dyshimi; tjetra e kanalizon atë në forma më të heshtura pranimi, duke e integruar mungesën si pjesë të rendit emocional të jetës së saj. Filmi nuk i hierarkizon këto reagime dhe as nuk i vendos në raport korrektese me njëra-tjetrën, por i paraqet si mënyra të ndryshme të mbijetesës afektive, të lindura nga i njëjti boshllëk formues. Në këtë kuptim, Sentimental Value e zhvendos traumën familjare nga një përvojë e përbashkët drejt një përjetimi thellësisht subjektiv, duke sugjeruar se mungesa është universale në origjinë, por individuale në efekt.
Kjo shumësi subjektive gjen përmbushjen e saj më të qetë në skenën e fundit mes motrave, ku dialogu i thjeshtë dhe i zhveshur nga patosi nuk synon të zgjidhë historinë familjare, por ta pranojë atë si të tillë. Kur Nora artikulon faktin se përvoja e tyre familjare nuk ka pasur të njëjtin ndikim mbi të, dhe Agnes përgjigjet thjesht: “Të kam pasur ty,” filmi nuk propozon një akt pajtimi apo riparimi, por një njohje të heshtur të dallimit. Afërsia që lind këtu nuk është produkt i shërimit, por i pranimit të mënyrave të ndryshme se si secila ka jetuar me të njëjtën mungesë. Vlera sentimentale e këtij momenti nuk qëndron në korrigjimin e së kaluarës, por në faktin se boshllëqet emocionale mund të bashkëjetojnë me afërsinë, duke e bërë humanizmin e filmit të prekshëm pikërisht në mungesën e zgjidhjes.
© 2025 Dhurata Hoti. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.