Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kinema

FILMI “EUROPA“ – AUTENTICITET I PAKRAHASUESHËM

Në bisedë me regjisoren Sudabeh Mortezai

Festivali Ndërkombëtar i Filmit për Gratë në Dortmund dhe Köln (Internationales Frauenfilmfest Dortmund+Köln, IFFF) mbahet tashmë prej më shumë se 40 vitesh dhe këtë vit (1–6 prill 2025) u udhëhoq sërish nga parimet themelore të dialogut, diversitetit dhe fuqizimit. Në festival u shfaqën filma të jashtëzakonshëm të realizuar nga gra në të gjitha zhanret dhe stilet, si dhe në të gjitha hallkat e industrisë së filmit. Këtë vit u prezantuan tre filma që lidhen me Evropën Juglindore, mes tyre edhe filmi “Europa” i regjisores Sudabeh Mortezai, i cili trajton Shqipërinë.

Filmi “Europa”, tashmë fitues i disa çmimeve, është një produksion austriak i vitit 2023 i regjisores Sudabeh Mortezai. Bëhet fjalë për një film të veçantë artistik, me një kast pothuajse tërësisht të përbërë nga aktorë jo-profesionistë. Filmi trajton temën e ekonomisë së pamëshirshme globale dhe veprimin e saj në vendet në zhvillim. Beate Winter, një biznesmene e fortë me origjinë gjermane, punon për një investitor ndërkombëtar në një kompani me emrin “Europa”. Detyra e saj është të blejë tokë në zona të largëta të Shqipërisë, gjë ndaj së cilës fermerët vendas ngrihen në rezistencë. Filmi tregon me shumë detaje se si kjo grua ambicioze depërton në mënyrë dinake dhe pa skrupuj në strukturat e shoqërisë rurale shqiptare, duke përdorur rregullat ekzistuese kundër vetë banorëve vendas, përmes instrumentalizimit të të rinjve të arsimuar kundër prindërve të tyre dhe të grave kundër burrave – derisa ajo arrin qëllimin e saj.

Tregimi është jashtëzakonisht tensionues, prekës dhe mjeshtërisht e realizuar. Kalimi midis gjuhës shqipe dhe asaj angleze, si dhe roli i përkthyesit të investitorëve të huaj, është trajtuar në mënyrë artistike shumë të mirë. Ndërlidhja mes aktorëve jo-profesionistë dhe dy aktorëve profesionistë është inskenuar aq mirë, saqë në momente të caktuara ke përshtypjen se po shikon një film dokumentar.

Filmi është produksion i huaj me një regjisore pa origjinë shqiptare dhe pa lidhje tjera profesionale shqiptare, por duke arritur një vëzhgim aq të thellë në shoqërinë dhe kulturën shqiptare nëpërmjet një problemi global. Autenticiteti i aktorëve dhe e përdorimit të gjuhës shqipe e bën filmin të duket si film shqiptar. Filmi “Europa” tregon, se jo çdo gjë që vjen nga jashtë është automatikisht kolonialiste me inferioritet perëndimor dhe në dëm të vendit, dhe jo çdo gjë që vjen nga brenda është në favor të vendit dhe duhet të jetë medoemos nacionaliste.

Për Peizazhe të Fjalës, autorja Lumnije Jusufi ka zhvilluar një intervistë në gjuhën gjermane me regjisoren Sudabeh Mortezai më 7 prill 2025, të cilën e sjellim këtu të përkthyer në shqip.

 

  1. Si lindi ideja për të përzgjedhur Shqipërinë si vendngjarje?

Sudabeh Mortezai: Po kërkoja një vend postkomunist evropian, i cili kishte kaluar një zhvillim shpeshherë shumë ekstrem drejt turbokapitalizmit, me të gjitha dinamikat shoqërore që sjell kjo. Shqipëria më doli përpara disi rastësisht. Ajo që më tërhoqi veçanërisht ishte fakti se në Perëndim dihet shumë pak për këtë vend – ose ajo që dihet, është shpesh e ngarkuar me paragjykime. Klishetë klasike janë gjakmarrja, mafia shqiptare dhe virgjëreshat e betuara (burrneshat) – pastaj njohuritë fillojnë të veniten, ndoshta edhe Enver Hoxha dhe bunkerët. Ne shkuam me një shpirt të hapur dhe me shumë kuriozitet për të parë nga afër vendin – dhe shumë shpejt e ndiem se ishte pikërisht skena e duhur për tematikën që më preokuponte. Paragjykimet duhen hedhur menjëherë tej. Shqipëria, veçanërisht në zonat urbane, është një vend shumë modern dhe i ri. Tirana është shumë evropiane, shumë e ndikuar nga Perëndimi, njerëzit janë poliglotë dhe të lidhur ndërkombëtarisht. Shqipëria është një vend që karakterizohet fort nga migracioni. Shumë shqiptarë jetojnë jashtë vendit dhe janë në marrëdhënie të vazhdueshme me botën e jashtme. Për dekada me radhë ishte vendi më i izoluar në kontinent, ndërsa sot është shumë i hapur. Kjo sjell një ndarje të dukshme ndërbreznore. E dallon menjëherë kush e ka jetuar epokën e Enver Hoxhës dhe kush jo – ky ndryshim është i pranishëm jo vetëm në moshë, por edhe në mënyrën e të menduarit. Ndër breza, janë botë të ndryshme.

  1. Shqipëria si vendngjarje është pjesë e një problemi global. Çfarë nuancash të veçanta sjell rasti shqiptar? Dhe çfarë kuptimi ka titulli i filmit dhe emri i kompanisë brenda tij për Shqipërinë?

Sudabeh Mortezai: Një vëzhgim interesant që bëra që në udhëtimin tim të parë në Shqipëri ishte prania e flamurit evropian dhe atij amerikan pothuaj kudo. Rrallë shihja flamurin shqiptar të vetëm – zakonisht ishte i shoqëruar nga këto dy të tjerë. Kjo është një deklaratë shumë e qartë dhe një shprehje e shpresës. Shqiptarët e shohin veten si pjesë të Evropës dhe lidhin me të ideale dhe ëndrra. Por realiteti evropian është shumë larg nga ato ideale dhe duhet parë me sy kritik. Ideja e Evropës është një ideal i madh, por që shpesh bie ndesh me realitetin e kontinentit tonë. Për brezin e ri në Shqipëri, Evropa është një vend ëndrrash, një premtim. Filmi tregon me ashpërsi se si kjo ëndërr keqpërdoret për qëllime shfrytëzimi.

  1. Gjatë shfaqjes së filmit në IFFF në Dortmund, pranë meje ishte ulur një artiste e re shqiptare, e arsimuar, nga Tirana. Në shumë skena ku shfaqej natyra e paprekur, njerëzit e thjeshtë dhe varfëria – madje edhe ritualet fetare si festa e Kurban Bajramit dhe lutjet në teqe – ajo dëgjohej duke psherëtirë me pakënaqësi dhe në një moment pyeti me ironi: “Ku i ka gjetur këta?” Çfarë do t’i kishit thënë ju kësaj? Pse i zgjodhët pikërisht këto imazhe? Konflikti në film midis investitores gjermane dhe pronarëve shqiptarë nuk është vetëm ekonomikisht asimetrik, apo jo?

Sudabeh Mortezai: Ky reagim është shumë interesant dhe konfirmon në njëfarë mënyre ndarjen ndërmjet të rinjve të arsimuar e urbanë dhe pjesës tradicionale, të thjeshtë e rurale – gjë që, për hir të së vërtetës, nuk ndodh vetëm në Shqipëri, por është diçka universale. Artistja moderne dhe urbane ndjen turp dhe refuzim ndaj këtij “tjetri”, që e percepton si primitiv në kulturën e vet. Ajo nuk dëshiron të identifikohet me këtë pjesë dhe ndihet në siklet që kjo paraqitet në një film. Kjo është e kuptueshme – por unë e shoh ndryshe. Të dyja “botët” janë pjesë e shoqërisë dhe kulturës shqiptare. Figura e Besës, vajzës së Jetnorit, e cila manipulohet nga Beate, përfaqëson për mua pikërisht këtë ambivalencë dhe ndarje të brendshme. Ajo detyrohet të zgjedhë ndërmjet vlerave tradicionale të familjes dhe premtimeve të modernitetit – duke u përdorur si mjet. Në kulturën tradicionale dhe në ritualet e njerëzve të thjeshtë unë shoh një njerëzi të fuqishme dhe një dinjitet të madh. Mikpritja e famshme shqiptare, për shembull, që është aq e pranishme në zonat rurale, është një vlerë thellësisht humaniste – e cila në shoqërinë moderne dhe urbane shpesh është humbur. Po ashtu edhe jeta në komunitet dhe qëndrueshmëria e jetës së thjeshtë – këto janë vlera që sot i shohim si pothuajse utopike dhe që duhet t’i rindërtojmë. Tragjedia e kësaj historie për mua është pikërisht se një mënyrë jetese tashmë e margjinalizuar shkatërrohet nga një mendësi cinike fitimprurëse dhe nga babëzia e korporatave.

Sa i përket ritualeve bektashiane: ritualet më kanë interesuar gjithmonë dhe në të gjithë filmat e mi paraqiten në një mënyrë apo tjetër – qofshin nga Irani, Austria, Nigeria, Çeçenia apo Shqipëria. Ritualet na lidhin si njerëz dhe janë të rrënjosura thellë në psikikën tonë kolektive. Në këtë film më interesonte t’i paraqisja ato për ta bërë botën e personazheve sa më autentike. Për mua, skena me babanë dhe vajzën gjatë Kurbanit dhe në teqe është një moment emocional shumë i rëndësishëm, që tregon marrëdhënien e tyre dhe përkatësinë e Besës me komunitetin dhe familjen e saj.

  1. Një tjetër shikuese në festivalin e filmit në Dortmund tha pas filmit se ju kishit përpunuar artistikisht ngjarje reale në Shqipëri. Përveç betejës për mbrojtjen e lumit Vjosa, që përmendet konkretisht në film, a pati ngjarje të tjera konkrete që ju frymëzuan? Me siguri keni dëgjuar për marrëveshjen e litiumit mes BE-së dhe Serbisë, që lidhet edhe ajo me probleme të ngjashme për pronësinë e tokës. Apo për planet e dhëndrit të Trumpit, Jared Kushner, në Shqipëri dhe Serbi. A kanë pasur këto tema ndonjë ndikim konkret në krijimin e filmit dhe përzgjedhjen e Shqipërisë?

Sudabeh Mortezai: Gjatë procesit të shkrimit më pëlqen të frymëzohem nga realiteti dhe ngjarjet reale, të cilat më pas i përpunoj në mënyrë artistike në film. Disa prej tyre përbëjnë një sfond të padukshëm, edhe pse nuk shfaqen drejtpërdrejt në film. Betejën për mbrojtjen e Vjosës – lumit të fundit të egër dhe të lirë në Evropë – e kam ndjekur me shumë interes gjatë fazës së kërkimit dhe doja medoemos ta përfshija në film, edhe pse ideja fillestare nuk kishte lidhje të drejtpërdrejtë me të. Pata fatin që disa nga aktivistet na këshilluan, na mbështetën dhe morën pjesë në film. Gjithashtu e kam ndjekur nga afër edhe shembjen e Teatrit Kombëtar në Tiranë, si dhe shumë ndërtime të tjera që u realizuan përmes shpronësimeve dhe shembjeve. Mosmarrëveshjet rreth kompanisë Rio Tinto dhe minierës së litiumit në Serbi i ndjek prej vitesh. Nëse shikon më nga afër, ka pa fund raste dhe histori të tilla.

  1. A është shfaqur filmi në Shqipëri dhe, nëse po, si është pritur?

Sudabeh Mortezai: Patëm një premierë shumë të bukur në Tiranë në qershor 2024, ku morën pjesë shumë nga aktorët dhe anëtarët e ekipit. Reagimet ishin shumë pozitive. Gjithashtu patëm një shfaqje në Gjirokastër në bashkëpunim me përfaqësinë e BE-së në Shqipëri dhe ambasadën austriake në Tiranë. Më pas organizuam edhe një shfaqje në Poliçan, ku është xhiruar pjesa më e madhe e filmit – aty morën pjesë shumë prej aktorëve dhe njerëzve të komunitetit lokal që kishin bashkëpunuar me ne. Reagimet ishin të mrekullueshme. Ishte shumë prekëse t’i takoje përsëri ata njerëz dhe ta ndaje filmin me ta.

  1. Në film flitet shumë shqip. Pse ishte kjo kaq e rëndësishme për ju? Gjuha tingëllon shumë natyrshëm dhe “e papërkthyer”, shumë autentike. A ishin improvizime nga aktorët jo-profesionistë? Nëse po, ju është dashur t’i ushtroni për një kohë të gjatë pjesët e filmit me ta? Apo kishit ndihmë profesionale me tekst të shkruar?

Sudabeh Mortezai: Që në film të flitej shumë shqip ishte e vetëkuptueshme – disa nga personazhet kryesore janë shqiptarë. Fakti që gjuha tingëllon natyrshëm lidhet me metodën time të punës: unë punoj me improvizim. Në skenar nuk shkruaj dialogë që aktorët duhet t’i mësojnë përmendësh, por vetëm skicoj skenat. Ka një dramaturgji të qartë, por dialogët konkretë krijohen në vendngjarje, në mënyrë spontane – kështu që fjalët dhe fjalitë janë ashtu siç flasin njerëzit në të vërtetë. Të gjithë aktorët shqiptarë ishin jo-profesionistë – ishin njerëz që i kemi përzgjedhur në terren. Ata nuk luajnë vetveten, por rolet u janë përshtatur atyre – dhe kjo krijon një improvizim shumë të natyrshëm. Nuk bëj prova – xhirojmë menjëherë, për ta ruajtur spontanitetin. Në metodën time, përzgjedhja e kastit është çelësi – dhe më pëlqen shumë të punoj me aktorë jo-profesionistë. Lilith Stangenberg, që luan rolin e Beates, është aktore e njohur në teatër dhe film.

  1. A flisni shqip? Keni pasur përkthyes?

Sudabeh Mortezai: Unë dhe vëllai im Mehrdad Mortezai (që është producenti i filmit) kemi filluar të mësojmë shqip që në Vjenë, përpara xhirimeve. Për rreth gjashtë muaj mësonim disa orë në javë. Natyrisht, shqipja jonë nuk është shumë e mirë – është shumë bazike. Është një gjuhë komplekse dhe nuk kishim shumë kohë. Por na ndihmoi që të zhvillonim biseda të thjeshta, që të tregonim respekt dhe të krijonim lidhje me njerëzit në zonat rurale që nuk flasin anglisht. Po ashtu, donim të kuptonim sadopak zhvillimin e dialogëve gjatë improvizimeve në set. Gjatë casting-ut dhe kërkimeve kishim përherë përkthyes, ose anëtarë të ekipit shumëgjuhësh. Edhe gjatë montazhit, i gjithë materiali duhej përkthyer dhe titruar.

  1. Sa kohë kaluat në Shqipëri? Çfarë përshtypje morët për vendin dhe njerëzit?

Sudabeh Mortezai: Gjatë një periudhe trevjeçare, kaluam disa muaj në Shqipëri, në kuadër të udhëtimeve për kërkime, casting dhe xhirime. Pjesa më intensive ishte nga prilli deri në qershor 2022 për përgatitjen dhe realizimin e xhirimeve. Më pas patëm edhe dy udhëtime të tjera për të regjistruar muzikën e filmit – këngën polifonike.

Për Shqipërinë mund të them vetëm që e kam dashur gjithnjë e më shumë – vendin, kulturën dhe njerëzit. Mikpritja, mënyra e jetesës, njerëzorja, gëzimi i jetës, ushqimi i shkëlqyer. Unë dhe vëllai im kemi fituar miq për gjithë jetën. Ishte një përvojë e jashtëzakonshme që më ka pasuruar. Mbi të gjitha, njerëzit që pata fatin të njoh. Dua të përmend partnerët tanë të mrekullueshëm lokalë: Erafilm ishte kompania e shërbimit tonë, Sabina Kodra si producente dhe Robert Budina, një regjisor i njohur shqiptar, më mbështeti si asistent regjie. Ekipi ynë ishte një përzierje mes bashkëpunëtorëve të mi të zakonshëm nga Austria dhe profesionistëve shqiptarë. Ishte fantastike sa mirë bashkëpunuam. Aktorët dhe ekipi shqiptar ishin vërtet të mrekullueshëm. Pa ta, ky film nuk do të kishte qenë i mundur. Shqipëria dhe njerëzit e saj do të mbeten gjithmonë në zemrën time.

© Për botimin shqip, 2025 Lumnije Jusufi dhe Ledio Hala (shqipëruesi). Të gjitha të drejtat janë të autorëve përkatës.


Shtojcë

Çmime të filmit

Wiener Filmpreis 2023 në kuadër të Viennale-s – Çmim i veçantë i jurisë

Fünf Seen Filmpreis 2024

 

Shfaqje të filmit nëpër festivale

Sarajevo Film Festival

Haifa Film Festival

Zürich Film Festival

BFI London Film Festival

Rio Film Festival

Viennale

Taifas Festival

Marrakech International Film Festival

Les Arcs Film Festival

Pune International Film Festival

Europa! Europa Film Festival Australia

KINO Athens

Sguardialtrove Film Festival

Diagonale

Festival Cinéma du Monde de Sherbrooke

FILMFEST MÜNCHEN

Fünf Seen Filmfestival

Chennai International Film Festival

Internationales Frauenfilmfest Dortmund+Köln

 

Informata dhe të dhëna shtesë

 

Informata shtesë për filmin „Europa“:

EUROPA

 

Kontakt për akses të filmit:

https://www.memento-international.com/, festival@memento-films.com

DVD mund të blihet këtu: https://www.hoanzl.at/europa

 

Intervista tjera me Sudabeh Mortezai-n:

Im Gespräch mit Sudabeh Mortezai

https://www.profil.at/kultur/anatomie-der-ausbeutung-sudabeh-mortezais-albanisches-kapitalismusdrama-europa/402658613

 

Artikuj gazetash:

https://www.derstandard.de/story/3000000193342/regisseurin-sudabeh-mortezai-bewegt-sich-zwischen-den-kulturen

https://www.derstandard.de/story/3000000193413/sudabeh-mortezais-gewinnerfilm-europa-als-umgekehrter-mythos

 

Informata shtesë për festivalin e filmit në Dortmund+Köln, Gjermani:

Mission Statement


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin