nga Sait Saiti
Ato që i honepsi gjuha dhe hyjtin gjer në kasolle të malësorit,
ato fjalë u-nacionalizuan.
Faik Konica, Gjuha… dhe një pjesë e gurmazit, 1922
Politiki kouzina (2003) asht i vetmi film grek që kam pa fillim e mbarim, disa herë, për mue i detyrueshëm me u dhanë në ndonjë landë shkollore për kulturën ballkanike. Bashkë me ndonjë amerikanadë si My big fat greek wedding, të dy filmat kanë disa personazhe që përcjellin steriotipe të grekut në përpjekje të vazhdueshme me shpjegue në mënyrë sa mitike, sa etimologjike gjithçkafen përmes greqishtes dhe se si çdo gja e mirë në dynja asht greke. Mundet që greku steriotipik i filmave të jetë portretizim karikatural i përpjekjes për me mbajtë identitetin e vet, tue përjetue edhe etimologjitë në mënyrë mitike, e kështu me i ba njëfarë qëndrese melting pot-it kozmopolit. Edhe pse në fakt gjuha greke gëzon tjetër prestigj në një sërë shkencash, duket sikur nga komshillëku nuk kemi shpëtue pa e “marrë” në mënyrën tonë këtë nostos.
Këtu asht shkrue ma parë për Spiro Kondën nga i zoti i shtëpisë dhe se si i apasionuem siç ishte për pellazgët u rrek deri në moshë të shtyeme që tezat e tij të begeniseshin nga të mëdhenjt, ashtu si shumë dijetarë në çdo kohë kanë lypë patronazh në oborret e par(t)isë. Trashëgimtari ma i bujshëm i tij në këtë fushë magjepsëse apasionimesh, Petro Zheji i shkretë, asht pasë shprehë në një intervistë të 23 prillit 2001 madje që “Po shkruaj veprën time që të shpëtoj shqiptarët”. Do ta kisha qesëndisë ndjesëpastin tue e pyetë: nga realiteti? Me ç’duket ai jo vetëm pati meraklillëkun si të Kondos me i dhanë yryshin për primatin imagjinar të shqipes, por i paska mveshë vetes me modesti të teprueme edhe rolin prej shpëtimtari siç ishin Soter (shpëtimtarë) çereku i panteonit helenik apo Jezui e Hyu në traditën e krishterë. Kështu si profet self-made edhe Petro duket sikur ka luejtë ndonjë rol te Politiki kouzina, por tuj i shpjegue gjanat përmes shqipes. Vetë Zheji në veprën e tij e përmend kontributin e Kondës në këtë lamë, por nuk dihet ende nëse asht vetë Konda arsyeja se pse zuni merak me këtë sistem të menduemit që çon gati drejt mitbërjes (mythopoesis), as nuk dihet nëse e mori prej importit social të ndokujt që kultivoi frymën rilindase të shqipes si gjuhës parake si mit antemural apo prej referencave ma të drejtëpërdrejta me mitomaninë që edhe vetë savantët grekët mund të kenë pasë. Për të dijmë se ndoqi dhe kreu një sistem shkolle të naltë 2 vjeçare për Matematikë-Fizikë sa për formim pedagogjik, kur shteti shqiptar në modernizim e sipër kishte nevojë për kuadro. Dikur ma vonë u ba përkthyes i shtëpive botuese shtetnore të kryeqytetit.
Kam pasë ndigjue për të tavolinave të para gati 10 vjetëve, përflitej sikur ishte diçka ma pak se evlija, por ndejet nuk zgjatnin kurrë mjaftueshëm sa me ra n’ujdi për a me i ba një tyrbe apo jo; dhe u interesova me aq sa ç’ofronte online-i burime për ndonjë thellim të matejshëm. Gjeta disa pak elemente biografike, dhe video ku edhe aty flitej për të me një lloj zelli që më kujtuen ndonjë skenë filmash Kinostudioje ku brigadieri apo sekretari i partisë flet si njeri robot, me kasetë në kaptinë, diçka prej parrulle, pa urti, pa merhamet, veç gam-gam.
Tani që paska zgjue edhe njëherë vëmendje Petro magjiku, thashë po kërkoj njëherë në Google Books nëse e ka begenisë kush veprën e tij rishtazi dhe ta ketë trajtue kritikisht tashma në hartën e citueshmërisë. Doli që një antropologe dhe profesoreshë norvegjeze, Cecilie Endresen qenka marrë me të në kuadrin e mitologjive të reja shqiptare, të menduemit mitik e mitologjik, si dhe pseudo-indologjisë. Antropologia duket se asht përmbajtë dhe s’e ka trajtue në kuadrin e pseudo-albanologjisë, edhe pse me mitologji të re nënkuptohet bash ajo, ndoshta ngaqë vetë autoritetet e fushës kanë hezitue ta fusin në atë kornizë. Në fakt produkti libror i Zhejit në skedat online të Bibliotekës Kombëtare figuron ndër kategoritë me fjalë kyçe “gjuha shqipe; gjuha sanskrite; gramatika krahasuese dhe etimologji”, “gjuhësi matematike” dhe “semiotikë”. Endresen asht marrë me të dhe se si teori të tilla kanë ndikue forumet online, diskutimet mbi historinë dhe identitetin, e deri te nacionalizmi duke u përdorur si melhem simbolik i plagëve që kanë prekë indin psikologjik, social e shpirtnor të shoqërisë shqiptare. Si përgjigje simbolike për pikëpyetjet e mëdha që ngelën pa përgjigje në transformime shumëpërmasore në jetën e gjithkujt. Tek teksti i një artikulli që arrita me gjetë m’u ndalën sytë te fragmenti që vijon:
The Illyrian myth is to some extent associated with the Socialist Party of Albania, the formal successor of Enver Hoxha’s Labour Party, while the Pelasgic myth, with its emphasis on the nation’s ‘deeper’ roots, has more support in the Democratic Party, the Socialists’ main rival (Lubonja 2008). Nevertheless, the funeral of Petro Zheji, whose main contribution was to ‘prove’ that Sanskrit was Pelasgic, was attended by the Socialist Prime Minister and his Minister of Culture (Çaushi 2015).
Miti ilirik asociohet deri në njëfarë pike me Partinë Socialiste të Shqipërisë, pasardhësja formale e Partisë të Punës së Enver Hoxhës, ndërsa miti pellazgjik, me theksin e vet mbi rrënjët edhe më të thella të kombit, i ka mbështetësit e vet në Partinë Demokratike, rivalja kryesore e Socialistes (Lubonja, 2008 – “Akademija midis ‘ilirëve’ dhe ‘pellazgëve’.”). Sidoqoftë, në funeralin e Petro Zhejit, kontributi më i madh i të cilit ka qenë ‘të provuarit’ që sanskritishtja qe pellazgjishte, mori pjesë Kryeministri socialist dhe ministri i tij i Kulturës.
Njëherë qesha, por mbasandej sikur edhe kishte kuptim ky fragment kur mendova narrativat e ndryshme që kam ndigjue se si përpiqet militanti t’i japë shpjegim nënbotës politike, kulisave, intrigave, i distancuem siç asht nga “Olimpi” i kryesive, ku olimpikët perceptohen si të paprekshëm dhe shpesh të pagabueshëm. Kultet e individit kur zejnë vend në psikën kolektive me ç’duket edhe nga trashëgimia jonë politike, paskan vetinë që riciklohen si patterns-a deri edhe te dija alternative. Kur pakkush e ven ujin në zjerm për me hulumtue psikologjinë tonë sociale, edhe ma të rrallë janë ata që marrin në sy mundësinë me peshue se sa virale bahen dhe se sa ndikojnë këto teori, shkon puna që dikush i jashtëm si Cecilie Endresen t’i hyjë me lupë kopesë së “dijetarëve tanë alternativë” që t’i asemblojë, t’ua radhisë esencat e tezave, dhe t’u mundësojë një sqarim lexuesit të interesuem. Përpjekje të vazhdueshme për ta trajtue ka pasë edhe këtu te Peizazhet, siç edhe hulumtumi i fundit nga prof. Qirjazi që meriton vëmendje serioze. Pavarësisht se teori të tilla mund të duken si epistemologji endemike, në fakt shfaqin një frymë, një trend, se si teori ideosinkretike, kaotike mbase edhe pse të kopjueme keq.
Teori të tilla alternative patën simotrat e tyne edhe në vendet e rajonit, madje me tjetër mbështetje. Mes dy luftnave botnore në Turqi u lëvrue teoria që gjuha turke asht Gjuha Diell, me këshillim të drejtëpërdrejtë nga Mustafa Qemali mes dy luftnave botnore, tue teorizue që edhe keltishtja me gjuhët e tjera indoeuropiane rrjedhnin prej çagatajishtes. E trajtueme te punimi i Gert Brojkës Nascita della Turchia moderna (Torino, 2021), kjo etapë në Turqi shkoi për aq sa qe gjallë vetë Mustafa Qemali dhe kushedi nëse përmendet ma përveçse nëpër periferitë e mendimit. Po i njëjti fenomen, në Rumani mori pamjen e tillë që mëtohej se dakishtja ishte burimi i gjuhëve latine, indishtes dhe akadishtes u lëvrue nga mendimtarët që politikisht i përkitnin spektrit të djathtë. Rumunët e quejtën protokronizëm – nga emri proto dhe chronos = ç’ka qenë në krye të kohës; filloi si kritikë letrare, vazhdoi si kritikë historike deri që u ba karburant i variantit rumun të nacionalizmit anakronik, i njohun edhe si dakomania apo trakomania, cilësohet nga bota akademike rumune si dakopatí (pathos), shprehi e kompleksit të inferioritetit të nacionalizmit rumun apo edhe nacionalizmi djerrë dhe paranojak. Gjatë viteve ‘70, regjimi nacional-komunist i Çausheskut e adoptoi si teori për të pohue epërsinë e kulturës vendase ndaj çdo ndikimi të huej. Te Lost in Protocronia Mircea Mihăieș citon kineastin Dan Alexe “protokronizmi është një sëmundje ngjitëse e kombeve të vogla dhe të pasigurta, ku një apo disa grupe njerëzish me kulturë të diskutueshme (e) të pastërvitur në historiografi a gjuhësi besatohen për të shpikur një madhështi të së kaluarës me përmasa kozmike të një kombi.”
Fatmirësisht, siç asht shkrue te Mes pellazgëve të Kondës dhe etruskëve të Mayani-t, na u kursye ky skenar edhe pse nacionalizmi anakronik i llojit tonë damtoi jopak shkencat albanologjike, trashëgiminë dhe vetëperceptimin tonë. Por për sa kohë vonohet konturimi nga autoritetet e dijes ku këto teori mëtojnë me pasë hise, atëherë rrezikohet që ky fenomen i zehërlisjes së pusit të çojë deri në një epidemi. Gjithçka shkon pa qeder kur këto tematika nuk shkapërcejnë tavolinat e mejhanes së lagjes apo të fshatit, sikur të jetë ndonjë stil tjetër i sportit të mundjes ku mujsharët me vu poshtë njeni tjetrin. Por kur gjithë vetëbesim, si walking talking Dunning Kruger effect, mëtohet në mënyrë mitologjike (si Titanët) me përmbysë status quo-në (Olimpin), atëherë na mbetet me pa nëse ndokush përligj autoritetin, prestigjin dhe ndërhyn apo ka me u lanë terezi të vet se edhe kjo do të kalojë.
Para do javëve u ndala me hangër pilaf tek Tit Karakaçi dhe ia behin disa djelm të rinj grekë, nuk i pyeta nëse ia banë bujrum se mos u këndoi mbiemri te tenda dhe afëria e qartë e llagëpit të paçexhiut të nderuem me llagëpin grek Καρακάσης, por nuk hoqën keq me u ambientue. I orientova disi dhe e kuptuen direkt menynë, i them që nuk janë tana greke në kyt rast, por turke. Qeshën, e dijshin. Qesha edhe unë me ta se ma lanë mbarë. I them Titit që keta janë si ne por ma të shyhretshëm, kajherë m’duket se tanë Ballkani janë – ndoshta jo bash një komb – por një popull, kajherë urrehen, kajherë edhe janë vra, flasin gjuhë të ndryshme, por për ushqim e për sedër ngjajmë si mos me pasë ba vaki këto tjerat. Sikur te filmi në krye të këtyne radhëve, edhe Titi për pak sa nuk thotë se gastronomia përmban në vetvete fjalën astronomia.
© 2023 Sait Saiti. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
Ballkanasit te gjithe pa perjashtim i thurrin lavde vetes si trima ,te lashte ,te fisem e te mencem e fqinjet e tyre barbare e te pacivilizuar tecilet kane ardhur vone ne trojet e tyre ,por nese largohesh nga Ballkani e i sheh nga larg jane pak a shume njesoj .Une sa here takoj ballkanas me duket sikur takoj komshinjte qe luanin domino ne hije te plepiit tek lagja e vjeter .Por edhe popjt e tjere nuku keq .Hidhu andej nga Azia ,kinezet e mbajne veten per qendren e universit ,japonezet si populli i diellit ,ndersa koreanet te thone se jane italianet e Azise dhe aziatiket e tjere jane si bicim fshataresh para tyre .
Jeta ne toke e ka nje fillim dhe ky fillim mund te jene nga cdo cep te saj,aty ku Zoti i vendosi.Edhe nese fillimi nuk jane ballkanasit por nje tjeter vend, perseri nuk besoj se ata kane qene te civilizuar apo moderne sic jane sot.Hulumtimet per fillimin si te gjuhes dhe vendit nuk do te thote se ( nese eshte ballkani apo shqiptaret ) se ata jane me te civilizuarit.
T’i hedhësh një sy skenës së sotme përfshi edhe alternativët dhe amatorët, nga njëra anë, është tradita albanologjike, dyshekullore, me dritëhijet e veta, por që ka përpunuar tashmë diskursin e vet të konsoliduar. Nga ana tjetër, dijetarët e sotëm që duan të shkojnë më tutje, por nuk janë të bindur sa fort duhet ta godasin traditën, ngaqë po të çahet muri, do të hyjë jo vetëm ajër, por edhe gjithfarë gjërash që muri i mbante jashtë. Nga njëra anë establishmenti akademik, që nuk arrin të luajë rolin që i përket, sepse nuk ka formuluar politikën e duhur dhe është kapur i papërgatitur nga ekspozimi që i bëhet traditës prej mediave dhe rrjetet sociale; nga ana tjetër, krahu alternativ, që kërkon ta rrëzojë albanologjinë dhe ta zëvendësojë me diçka tjetër, dhe që tani ka nxjerrë nga sirtari dhe po tund flamurin e Petro Zhejit.
Besoj se Petroja zinte vend më lehtë e më mirë në kohën e vet, në monizëm, përballë obtuzitetit ideologjik të regjimit enverist, se sot, në tribunën ku duan ta ngjitin ithtarët e tij. Veprën e tij nuk e lidh asgjë me gjuhësinë historike bashkëkohore, siç nuk e lidhte edhe atëherë. Petroja ishte mistik. Hermetik. Nuk dukej të tjerëve ashtu, por ishte vërtet, me vetëdije. Gjuhësia historike është shkencë racionale, me traditë të konsoliduar, ku çdo risi njëherazi ngrihet mbi një arritje të mëparshme dhe e korrigjon ose e rrëzon atë. Vepra e Petros i përket një tradite tjetër, hermetike, simbologjike. Ata që duan tani ta përdorin si pararendës dhe autoritet të punëve të tyre sot, kam frikë se nuk e kuptojnë thelbin e asaj vepre, dhe as ia kapin frymën. Duke shfletuar “Rolin mesianik të shqipes”, vura re sa shpesh është përmendur dhe cituar një Juan Eduardo Cirlot, hermeneutist dhe mitologjist spanjoll, autor i një “Fjalori të simboleve” mjaft të vlerësuar. Veprën e Petros unë do ta shihja në një raft me ato të Cirlot-it, jo në raftin e gjuhësisë historike. Ka një keqkuptim të madh këtu, që nuk i bën nder Petros vetë.
Dyshoj fort nëse Petroja KA DITUR sanskritisht (këtë dyshim ma ushqen mënyra si ai ndan dhe analizon fjalët e sanskritishtes). Natyrisht, kjo që them nuk është kritikë – sepse nuk kam ndonjë argument për ta mbështetur, përtej intuitës. E kuptoj se atij nuk i duhej ta dinte gjuhën, për të operuar me leksemat sipas metodës së tij, që konsiston në ndarjen e fjalëve në pjesë të vogla. Te një libër tjetër, ai zbërthen me anë të shqipes edhe fjalë nga turqishtja dhe akadishtja.
Madje dyshoj edhe nëse koncepti i tij për një gjuhë si “shpjeguese” të një tjetre (konkretisht shqipes kundrejt çdo gjuhe tjetër) kish gjë të bënte me atë që mendojmë, kur themi se italishtja e sotme shpjegohet nëpërmjet latinishtes. Kur i lexoj elaborimet e Petros, më duket sikur ai gjen te shqipja atome, të cilat i ndesh gjetiu vetëm si molekula komplekse. Njëlloj si kimisti, po të gjykonte ky se diamanti përmban dhe shpreh, si i tillë, esencën e çdo lloj karbonati në univers. Unë vetëm kështu mund t’i jap një arsye konstruksionit të Zhejit – sepse nga pikëpamja linguistike, dhe aq më pak linguistike-historike, ai nuk ka kuptim. Për shembull, kam vënë re se ai e shpërfill edhe morfologjinë aq komplekse të sanskritishtes, duke ia rrokjezuar fjalët arbitrarisht, dhe sidomos, te libri i “rolit mesianik”, kur analizon fjalë të hebraishtes, arabishtes dhe gjuhëve të tjera semite, strukturën specifike të rrokjeve në këto gjuhë dhe raportin mes bashkëtingëlloreve, që përcjellin kuptimin leksikor, dhe zanoreve, që përcjellin kuptimin gramatikor. Ai vepron si ndonjë florist, që i këput lulet në kopsht dhe pastaj i kombinon në buqeta metafizike, pa e vrarë mendjen se lulet janë produkte procesesh biologjike specifike dhe, ato vetë, kanë funksione që nuk kanë të bëjnë me përdorimin e tyre ornamental prej nesh. Apo vallë kanë?