Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Jurisprudencë / Sociologji

VRASËSIT SH.P.K.

nga Arjan Shahini

Hetimi ndaj një grupi të organizuar kriminal vrasësish me pagesë më vuri në mendime për modelin e biznesit të këtyre organizatave. Pas trajtimit të kornizave analitike të krimit të organizuar, modeli i biznesit përbën aspektin më interesant të studimit në këtë fushë.

Dimë që kornizat analitike të krimit të organizuar i trajtojnë këto në raport (1) me politikën vendore (në shërbim gjatë fushatave elektorale, të kontrolluara apo të mvetësuara nga organizatat politike, mbështetëse apo antagoniste të forcave politike); (2) me shtetin (si kërcënues, bashkëpunues, apo konkurrues të administratës shtetërore dhe shtetit ligjor); (3) me politikën ndërkombëtare dhe çështjet e sigurisë (krimi i organizuar ndërkombëtar, lidhjet me shtetet kërcënuese të sigurisë kombëtare, etj.); (4) me sistemin ekonomik e financiar (përfitimet apo pasojat nga përfshirja e tyre në ekonominë vendore, si p.sh. kostot ekonomike të pastrimit të parave, gjobëvëniet, etj.); (5) me sistemin social dhe penal (kostot në jetë, pasiguria e rendit, mungesa e sigurisë sociale apo ekonomike në zona të caktuara të prekura nga krimi).

Të gjitha këto trajtime mund t’i nënshtrohen një meta-narrative të caktuar (demokratizimi, rule of law, liberalizimi etj.). Mua më duket më bindës kjo e neo-feudalizmit. E ri-kthimit të rendit feudal në organizimin socioekonomik, ku rolin e latifondistëve të djeshëm e luajnë të ashtuquajturit oligarkë. Këta konkurrojnë me dy grupet e tjera parazitare: krimin e organizuar dhe administratën e shtetit. Në varësi të këndvështrimit mund të vlerësohet nëse banditëria e organizuar është kërcënim apo oportunitet për pushtetin politik.

Relevante për secilën prej këtyre trajtimeve analitike, pavarësisht meta-narrativës, është modeli i biznesit apo forma organizative e banditërisë së organizuar. Kur flitet për krim të organizuar mendohet se organizimi i krimit ka evoluar prej formave të thjeshta dhe sporadike të bashkëpunimit në një sipërmarrje të rregullt kriminale me struktura të qarta dhe ndarje punësh. Në shumë raste modelet e biznesit janë kopjuar nga modelet e suksesshme të bizneseve legjitime. Ato gjithashtu i përshtaten mjedisit të jashtëm, si p.sh. kushteve politike dhe ekonomike lokale e globale.

Rasti i organizatës kriminale që kryente akte të dhunshme me porosi është një rast interesant studimor. Me gjasa është një organizatë. Jo nga përkufizimi ligjor dhe vendimi gjyqësor, por ngase është angazhuar një organ i drejtësisë që merret me krimin e organizuar (SPAK – Prokuroria e Posaçme). Gjithsesi, për lehtësi le ta quajmë këtë organizatë Kompania.

Aktiviteti kriminal dhe ekonomik i Kompanisë nuk është i qartë. Për këtë paqartësi janë siguruar gazetat dhe oficerët gjyqësorë që kanë pyetur dëshmitarin kryesor. Sidoqoftë, rrethanat dëshmojnë se Kompania ofronte shërbime që varionin nga dëmtime fizike me pasoja të lehta deri tek vrasjet. Sa i përket modelit të Kompanisë, ka disa elemente që sinjalizojnë se modeli i biznesit është ai që quhet multisided platform business model, shqip: model biznesi platforme shumëfaqesh.  Modeli është popullarizuar nga Paypal ose Ebay, por është qindravjeçar. Në thelb të modelit qëndron ndërmjetësimi i shërbimeve apo shkëmbimeve ndërmjet dy grupeve a organizatave.

Në rastin tonë, vlera ekonomike që gjeneronte Kompania vinte nga ndërmjetësimi i kërkesës me ofertën kundrejt një tarife transaksioni. Më saktë, ajo kapitalizonte lidhjet që kishte me personat e gatshëm të ushtronin dhunë fizike kundrejt pagesës. Kompania merrte porosi për një akt të dhunshëm (kërkesën), gjente ekzekutuesin (ofertën), dhe pastaj krijonte lidhjen. Zakonisht lidhja ndërmjet ofruesit dhe kërkuesit ishte anonime. E garantuar kryesisht nga kompania kundrejt një përqindje që në një rast dimë se shkoi deri në 25% të shumës. Marrë parasysh rrezikshmërinë e veprimtarisë, kërkesën, mungesën e kualifikimit dhe kredencialeve, fushën ilegjitime dhe të ardhurat jo të rregullta, përfitimi ekonomik duket i arsyeshëm dhe brenda parametrave të fitimit të një sipërmarrje të zakonshme.

Por në disa raste ofruesit njiheshin me porositësit. Kjo e ndërlikon jo vetëm përcaktimin e modelit, por edhe logjikën ekonomike të biznesit. Kompania kapitalizon nga lidhjet e ndërmjetësimi. Por ndoshta kjo ka qenë si një lloj mekanizmi për të rritur reputacionin. Gjithsesi, mund të diskutohet që (1) Kompania kishte edhe elementë të saj të inkorporuar që kryenin porosi të tilla, pra ndiqte një model klasik të biznesit duke ofruar vetë shërbimin; (2) Kompania nën-kontraktonte shërbimin; (3) Kompania vepronte me modelin e Facebook-ut, duke krijuar lidhje të drejtpërdrejta ndërmjet konsumatorit edhe shitësit. Duke u njohur me modelet e ndërmjetësimit mund të kuptojmë përse shifrat kishin një variancë të lartë dhe çmimi ishte elastik.

Përcaktimi i çmimit dhe elasticiteti i tij nuk është i qartë nga dëshmia, por mund të spekulohet se çmimi ishte kryesisht në funksion të kërkesës, edhe pse në disa raste Kompania ka kërkuar më shumë. Ndërsa dimë që në të gjitha rastet kur është kërkuar më shumë, shërbimet nuk janë kryer. Nuk dihet nëse rritja e çmimit ka qenë një mënyrë për të refuzuar shërbimin, duke kuruar njëkohësisht reputacionin e kompanisë. Kompania duket se edhe e ka diversifikuar gamën e shërbimeve.

Sipas gazetave, ka qenë e përfshirë në vjedhje me armë. Por anëtarë të saj e kanë refuzuar këtë. Nuk është e qartë p.sh. në cilën fazë të procesit të vjedhjes me armë është përfshirë Kompania. Por duke qenë se një prej aseteve të saj kryesorë ishin lidhjet dhe rrjeti i saj i ofruesve të shërbimeve kriminale, supozohet se Kompania vepronte në mënyrë oportunistike dhe kërcente në fusha të tjera veprimtarie duke shfrytëzuar pikërisht informacionin asimetrik që zotëronte. Madje, sikur shumë kompani të rregullta, mund të ketë kërkuar lidhje me politikën, por ka pak gjasa të këtë pasur lidhje të tilla. Mungesa e specializimit, e etikës në marrëdhënie me konsumatorët dhe e përplasjes së interesave jashtë kuadrit të veprimtarisë së Kompanisë shkaktoi konflikte të brendshme dhe të jashtme, çfarë ndoshta solli neutralizimin e saj nga policia.

Përfundimisht, nga kjo analizë e shkurtër del se krimi i organizuar ka përvetësuar një model biznesi modern që u përgjigjet kushteve sociale-ekonomike të Shqipërisë. Modeli është njëkohësisht edhe forma mbizotëruese e biznesit të suksesshëm në Shqipëri. P.sh., nga akuzat e deputetëve të Partisë Demokratike, ka gjasa që firmat kryesore të përfshira te inceneratorët ishin platforma për ri-shpërndarjen e parave publike nëpërmjet shërbimeve e kompanive fiktive të lidhura edhe me politikanë. I njëjti model ndiqet edhe nga firmat e të ashtuquajturve oligarkë në fushën e ndërtimit. Kontratat që këta fitojnë në mënyrë korruptive përcillen te nën-kontraktuesit, një pjesë e të cilëve edhe fiktivë, për të derdhur paratë gjetkë. Edhe kompania që do të administrojë zonën muzeale të Butrintit duket se do të zbatojë një model të tillë. Rregullisht këto lloj kompanish kapërcejnë në mënyrë oportune në sektorë të tjerë të ekonomisë. Prandaj ngelet për tu parë nëse mungesa e specializimit apo edhe e etikës në biznes (oportunistic behavior që rezulton nga adverse selection, lidhjet me politikën që u japin një pozicion të volitshëm në treg) do të ketë pasoja negative.

(c) 2022 Arjan Shahini, të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin