përkthyer nga Alen Bejko
FRAZA DHE FILOZOFI PËR PËRDORIM TË TË RINJVE
Detyra e parë në jetë është të qenit sa më artificial të jetë e mundur. Se ç’është e dyta, këtë nuk e ka zbuluar ende askush.
Ligësia është mit i shpikur prej njerëzve të mbarë, për të shpjeguar tërheqjen e çuditshme ndaj të tjerëve.
Sikur të varfërit të kishin vetëm profile, nuk do të kish pasur kurrëfarë vështirësie për zgjidhjen e problemit të varfërisë.
Ata të cilët shquajnë çfarëdo dallimi mes shpirtit e trupit, nuk kanë asnjërin syresh.
Një thile e punuar vërtet bukur është e vetmja lidhje ndërmjet Artit dhe Natyrës.
Fetë vdesin atëherë kur vërtetohen. Shkenca është regjistër fesh të vdekura.
Të sojmit kundërshtojnë njerëz të tjerë. Të mençurit, vetveten.
Asgjë nga çka ndodh vërtet nuk ka as rëndësinë më të vogël.
Mërzia është pjekja në moshë e seriozitetit.
Në të gjitha punët e parëndësishme, jetik është stili, jo sinqeriteti. Në të gjitha punët e rëndësishme, po ashtu.
Nëse thua të vërtetën, je i sigurt se herët a vonë kanë për të të zbuluar.
Kënaqësia është e vetmja gjë për të cilën duhet jetuar. Asgjë nuk vjetërohet aq shpejt sa lumturia.
Të mospaguarit e faturave është e vetmja shpresë për të jetuar në përkujtim të klasës tregtare.
Nuk ka krim vulgar, por vulgariteti është krim. Vulgare është sjellja e të tjerëve.
Vetëm të përciptit e njohin veten.
Koha është harxhim parash.
Duhet me qenë gjithnjë disi i pagjasë.
Të gjitha vendimet e mira kanë diçka fatale. Merren gjithmonë tepër shpejt.
E vetmja mënyrë për të shlyer të tejveshurit hera-herës, është të qenit absolutisht i tejarsimuar përherë.
Të jesh i parakohshëm është të jesh i përkryer.
Çfarëdo interesi për idetë e asaj çka është e drejtë apo e gabuar në sjellje, dëften një zhvillim intelektual të ngelur në vend.
Ambicia është streha e fundit e dështimit.
E vërteta resht së qeni e tillë kur e beson më shumë se një person.
Gjatë provimeve, budallenjtë shtrojnë pyetje të cilave të mençurit nuk mund t’u përgjigjen.
Veshja greke qe joartistike në thelb. Trupin nuk duhet ta nxjerrë në pah asgjë me përjashtim të vetes.
Njeriu ose duhet të jetë vepër Arti ose ta veshë një të tillë.
Vetëm cilësitë sipërfaqësore zgjasin. Natyra e thellë e njeriut shfaqet shpejt.
Industria është rrënja e çdo shëmtie.
Epokat jetojnë në histori përmes anakronizmave të tyre.
Vetëm zotat kanë shije vdekjeje. Apolloni ka dhënë shpirt, por Hiacinti, të cilin thuhet ta ketë vrarë, vijon të jetojë. Neroni dhe Narcizi janë përherë mes nesh.
Të vjetrit besojnë gjithçka; ata në moshë të mesme dyshojnë gjithçka; të rinjtë dinë gjithçka.
Kushti i përsosmërisë është bjerraditja; synimi i saj rinia.
Vetëm mjeshtrit e mëdhenj të stilit ia kanë dalë ndonjëherë mbanë të jenë të panjohur.
Ka diçka tragjike numri i stërmadh i të rinjve në Angli sot që dalin në jetë me profile të përkryera dhe përfundojnë duke zgjedhur ndonjë profesion të dobishëm.
Dashuria për veten është fillesa e një romance gjer në vdekje.
Botuar për herë të parë në The Chameleon, dhjetor 1894.