Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji

E KANË RUAJTUR

“Tradition is not the worship of ashes, it is the preservation of fire”
– Gustav Mahler

Ka një kult të së kaluarës (kitsch, në pjesën më të madhe), siç ka një kult të së vjetrës – i themeluar mbi bindjen se e vjetra është më e vlefshme, më e bukur, më e mirë se më pak e vjetra dhe mbi bindjen tjetër, edhe më mitike, se historia zhvendoset nga më e mira te më pak e mira, ose nuk është veçse kronika e degradimit të Kohës së Artë.

Brenda kësaj mendësie, sa për të sjellë një shembull, një majë heshte e katër mijë vjetëve më parë vleka më shumë – kulturorisht – se një dybek i shekullit XIX.

Nuk dua ta diskutoj këtë kult këtu – për mua dybeku ka më shumë vlerë kulturore se heshta indo-europiane, por i kuptoj edhe ata që lektisen pas antikitetit. Çfarë dua të diskutoj është një kult tjetër, që i shoqërohet këtij të primatit të së vjetrës dhe të hershmërisë: ai i ruajtjes.

Të thonë: tek ajo krahinë e kanë ruajtur këtë apo atë zakon pagan, ose tek ajo krahinë tjetër i kanë ruajtur disa fjalë shumë të vjetra, ose tek ai ngulim shqiptarësh ase arbrish e kanë ruajtur shqipen ose kujtimin e Skënderbeut ose tek ai fshat e kanë ruajtur praktikën e parashikimit të motit duke parë lafshën e këndesit në kundërdritë, e kështu me radhë.

Problemi me këtë lloj konstatimi – që e dëgjon shpesh – është se u jep komuniteteve përkatëse një agjenci në fakt të diskutueshme: përpjekjen e vetëdijshme për të ruajtur. Por le ta krahasojmë këtë me shprehjen: në ato fshatra është ruajtur kujtimi i Skënderbeut: një ndryshim i vogël, nga diateza veprore në pësore/vetvetoren, por që i lë shteg interpretimit se disa praktika dhe institucione ruhen pa qenë nevoja që dikush t’i ruajë.

Në ndonjë rrethanë specifike, si në atë të arbëreshëve të Italisë, ruajtja e vetëdijshme e arbërishtes dhe e shumë riteve e zakoneve është dukuri relativisht e vonë, që lidhet me përpjekjet për krijimin e një identiteti etnik specifik, kryesisht nga elitat në komunitetet. Por kjo lloj ruajtjeje, që lidhet edhe me lëvizjet dhe ideologjitë kombëtariste, nuk ka pse të njëjtësohet me ruajtjen e natyrshme të një praktike ase institucioni, përfshi edhe gjuhën, nëpërmjet riprodhimit.

Për të sjellë një shembull banal: te një familje shqiptare tre-brezash që emigron në SHBA, brezi më i vjetër është zakonisht refraktar ndaj gjuhës dhe kulturës pritëse dhe ndonjëherë as e mëson fare anglishten; ndërsa brezi më i ri, fëmijët, e humbin shqipen shpejt, për shkak të shkollimit dhe të akulturimit të shpejtë sidomos në metropolet. Por nuk ka shumë kuptim të themi se disa mesogra shqiptare në SHBA e kanë ruajtur shqipen, ndërsa disa prindër kanë lejuar që fëmijët e tyre ta humbin; dhe aq më pak të lëvdojmë virtytin identitar të atyre që e paskan “ruajtur” gjuhën.

Përndryshe, do të më duhej edhe mua të besoja se “po e ruaj” habitoren e shqipes, sa herë që e përdorkam!

Brenda mitit kombëtarist, ruajtja e gjuhës, e zakoneve dhe e identitetit lidhet me kuptimin esencialist që i jepet kombit, si një lloj kodi identitar i kulluar, i cili korruptohet në rrjedhë të historisë. Kjo bën pastaj edhe që humbja e një pjese të kodit, ose zëvendësimi i saj me fragmente të një kodi tjetër (p.sh. huazimi kulturor, si ai i një fjale, i një veshjeje ose i një melodie) të shihen si dobësi, ose mangësi të virtytit. Njëlloj dëgjojmë të thuhet: ato fshatra e ruajtën fenë e të parëve, dhe nuk kaluan në fenë tjetër – çfarë i jep ngjyra dramatike, madje heroike, një procesi që shpesh kushtëzohej nga nevoja praktike dhe të mbijetesës së komunitetit. Aq më tepër që, në kontekstin e historisë së feve si praktika dhe institucione sociale, ruajtja lidhet edhe me mitin e shpëtimit (shëlbimit), siç do të lidhej me mitin e shpëtimit edhe ideologjia kombëtare.

Aq më problematik është virtyti i ruajtjes në lidhje me ato dukuri, të cilat ndryshimin në kohë e kanë në esencën e tyre – dhe këtu hyn edhe gjuha. E lënë në punën e vet, gjuha ndryshon vijueshëm, sepse nuk mund të mos ndryshojë – mjaft të shohësh se çfarë ka ndodhur me gjuhët romane sot, në krahasim me latinishten e antikitetit. Kudo gjen komunitete ku nënat u kanë mësuar fëmijëve brez pas brezi “të njëjtën” gjuhë për mijëra vjet – e megjithatë gjuha vetë është transformuar rrënjësisht. Çfarë është “ruajtur” atëherë? Do të ishte, megjithatë, tepër e thjeshtë të thoje se janë ruajtur “emrat” – njëlloj siç është ruajtur emri i lashtë i Durrësit në emrin e qytetit të sotëm, edhe për shkak të vijueshmërisë gjeografike, edhe për shkak të vullnetit të elitave. Sikur të dëgjonim sot – nëpërmjet ndonjë magjie teknologjike – shqipen e folur të vitit 500 pas Krishtit, nuk do të kuptonim asgjë; e megjithatë, kjo do të ishte, njëfarësoj, me gjasë e njëjtë me shqipen tonë.

Le të arsyetojmë edhe kështu – një familje bartet nga fshati në qytet, por nuk heq dorë nga disa praktika kulturore dhe materiale që i ka sjellë me vete: tjerrin lesh me furkë, mbajnë pula në ballkon, e prodhojnë vetë djathin dhe gjalpin, preferojnë gomarin ndaj biçikletës dhe e therin kecin në lavapjatë. Do të themi: këta i kanë ruajtur zakonet e të parëve, por vështirë se do t’ua konsiderojmë këtë virtyt. Përkundrazi, rreziku është që këta të shihen si të prapambetur dhe të qortohen për këtë nga komuniteti i ri ku kanë hyrë.

Nga ana tjetër, shohim e dëgjojmë – madje më shumë se ç’do të donim – përpjekjet e institucioneve publike për të ruajtur: ndërtesa të vjetra, rite e zakone të rralla, praktika folklorike, çikërrima të traditës. Riprodhimi i vlerave të vjetruara nuk është kitsch në vetvete, dhe as doemos vetëshërbyes, por rrezikon të bëhet, në atë masë që ruajtja e traditës të trajtohet ajo vetë si vlerë kulturore, gjithçka të fitojë vlerë thjesht ngaqë “e kanë ruajtur” dhe restaurimi (shpesh: reanimacioni, jo rrallë: balsamimi) të fillojë të identifikohet dhe të venerohet si esencë e politikave kulturore publike. Se sa manipulative është kjo, na e tregon gatishmëria, e të njëjtave institucione, për të vendosur shkatërrimin e atyre vlerave për të cilat deri dje na rokanisnin kokën, nëse nga kjo mund të dalin fitime (shihni çfarë u bë me selinë e Teatrit Kombëtar, që deri pak më parë ishte monument kulture).

Në fakt, edhe pse është gjithnjë mirë që vlerat të mos humbasin, kjo nuk do të thotë se e vjetra fiton vlerë duke u ruajtur, dhe aq më pak se ruajtja është vetvetiu virtyt.

 

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading