Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Politikë

DREJTËSI DUKE REFORMUAR LEKSIKUN

I këtyre ditëve ishte lajmi se Universiteti Brandeis, një universitet privat në Massachusetts, miratoi një listë fjalësh që duhen shmangur nga përdorimi, për të mos lënduar studentët dhe pedagogët e identifikuar si Black[1], mes të cilave më tërhoqi vëmendjen fjala picnic. Sipas një shpjegimi etimologjik popullor, të cilin tani po e besojnë shumë në SHBA, kjo fjalë e ka origjinën te një praktikë e shëmtuar e periudhës së skllavërisë, kur të bardhët mblidheshin për të bërë sehir linçimin ose ndëshkimin e një skllavi Black. Edhe pse historianët e gjuhës dhe etimologët kanë përcaktuar se fjala e ka në fakt origjinën nga frëngjishtja pique-nique, ky argument nuk ka arritur t’ia heqë fjalës stigmën, si fyese.

Në universitetet amerikane, por jo vetëm atje, prej kohësh bëhen përpjekje për të identifikuar elemente fyese të ligjërimit anglisht, të cilat mund ta kenë prejardhjen nga periudha e skllavërisë ose, edhe më shpesh, të cilat besohen, nga një numër studentësh dhe pedagogësh Black dhe jo-Black, se mund t’i referohen mendësisë sunduese ose diskursit dominant të asaj periudhe. Kjo lëvizje e policimit të leksikut shtrihet përtej marrëdhënieve racore në bashkëkohësi dhe në histori, meqë prek edhe marrëdhëniet mes sekseve – duke kërkuar që leksiku dhe gramatika të akomodojnë zhvillimet e fundit, dramatike, në prezantimin publik të seksit dhe të gjinisë. Brenda pak vjetësh, një numër i madh fjalësh janë shpallur tabu dhe janë dëbuar nga ligjërimi publik, për t’u zëvendësuar nga neologjizma; teksa sjellje dikur tabu dhe të dënueshme edhe me ligj janë normalizuar. Janë shtuar gjithashtu rastet kur ata që i përdorin këto fjalë tabu, por edhe që i kanë përdorur në të shkuarën dhe kjo u është dokumentuar, ka ndodhur që të humbasin vendin e punës, të drejtën e botimit dhe privilegje të tjera.

Vetëm brenda këtij konteksti mund të kuptohet obsesioni me një fjalë në dukje aq të rëndomtë sa piknik, të cilën askush nuk ka arsye ta shoqërojë me persekutimin racor, në qoftë se këtë nuk ia shtie në vesh një historian ose etimolog. Edhe fjalë të tjera, si master bedroom, e cila shënjon dhomën kryesore të gjumit në një shtëpi të madhe, janë identifikuar si mbijetoja të asaj periudhe, kur në dhomën në fjalë flinte master-i, jo si i zoti i shtëpisë, por si pronari i skllevërve të plantacionit. Në leksikun specifik të informatikës, terma si master dhe slave nuk mund të përdoren më pafajësisht, për të njëjtën arsye.

piknik nuk ka lidhje me skllavërinë në Amerikë, kjo nuk do të shkurajojë asnjë nga aktivistët që ngulin këmbë në “dënimin” e saj si tabu; sepse tashmë ka një masë të madhe njerëzish të cilët e perceptojnë fjalën si të papërshtatshme. Etimologjia e fjalës dhe e vërteta “gjuhësore” nuk ngrenë peshë, para nevojës për të ndërhyrë në leksik, në emër të vendosjes së një drejtësie sociale të munguar, me argumentin se anglishtja e sotme ende pasqyron privilegjin e racës së bardhë, edhe pse është gjuhë e një shoqërie multi-raciale. Vetë mundësia, për të imponuar ndërhyrje të tilla dhe për të ndëshkuar tekstet dhe personat që ende i përdorin fjalë të tilla, dëshmon për emancipimin (empowerment) të një shtrese sociale e cila kërkon ta ripërkufizojë vendin e vet në shoqëri, edhe duke policuar gjuhën.

Kritikët ndaj këtyre politikave leksikore – mes të cilëve edhe shumë intelektualë dhe akademikë Black – kanë vënë në dukje se heqja e një fjale nga përdorimi shpesh katandiset në një gjest simbolik dhe pretekst për të larë hesape personale me të gjithë ata që nuk tregohen të gatshëm për t’i modifikuar kodet e tyre leksikore; ka ndodhur shpesh që të jenë qortuar, turpëruar publikisht dhe dënuar me humbje pune edhe persona të cilët i kanë përdorur fjalët “e ndaluara” në publik pa dashje, gabimisht; pa folur për raste të tjera, kur janë qortuar dhe dënuar njerëz edhe thjesht ngaqë e kanë “përmendur” fjalën tashmë tabu.

Kritikët e policimit të leksikut kanë vënë gjithashtu në dukje se adoptimi dhe normalizimi i tabuve të reja leksikore nuk kanë ndonjë ndikim kushedi çfarë në përmirësimin e pozitës sociale të amerikanëve të identifikuar si Blacks; dhe se opresioni gjuhësor – që ndodh vërtet – nuk mund të mënjanohet me përparësi, ndaj opresionit social. Si rregull, adoptuesit dhe promovuesit e rregullave të tilla “ndaluese” nuk synojnë aq shndërrimin e marrëdhënieve sociale, sa ç’synojnë të marrin dhe të ushtrojnë me to pushtetin. Dhe këtë dukuri, të ushtrimit të pushtetit nëpërmjet adoptimit të një sistemi tabush dhe eufemizmash, ne që kemi përjetuar totalitarizmin e njohim mirë.

Nga historia e shqipes publike po mjaftohem të sjell shembullin e fjalës zotni, dhe të fjalëve të ngjashme si zoti, zonja, zotnia juej, zotëri etj., të cilat u shënjuan si të papërshtatshme, si ndajshtime adresimi, në periudhën e regjimit totalitar; për t’u zëvendësuar nga shoku, shoqja. Edhe pse nuk më rezulton të jetë dënuar kush ngaqë ka përdorur gabimisht zonja dhe zotërinj në vend të shokë dhe shoqe (ose vëllezër dhe motra), përdoruesi i termave të tillë do ta deklaronte menjëherë veten si i mendësisë së vjetër. Dhe, në fakt, imponimi i shoku dhe shoqja instauroi në shqipen publike pushtetin totalitar, por nuk është se e mënjanoi vertikalitetin në marrëdhëniet ndërpersonale; aq sa shoku Enver, edhe pse shok, fitoi statusin e një gjysmë-perëndie.

Në përgjithësi, praktikat e ndërhyrjeve në leksik për të zëvendësuar një klasë fjalësh me të tjera u shërbejnë mirë grupeve të caktuara për të mbajtur dhe riprodhuar pushtetin, sidomos në qarqet logocentrike dhe logokratike (universiteti, akademia, mass mediat, politika). Kjo nuk do të thotë aspak se Blacks, në Amerikë, e kanë marrë tani pushtetin dhe po e ushtrojnë atë nëpërmjet tabuizimit leksikor; por vetëm se grupe të caktuara – sidomos në universitetet – po përpiqen ta përdorin kauzën në thelb të drejtë të luftës kundër diskriminimit racial (por edhe të diskriminimit seksual) për të nxitur një ndërrim elitash dhe për të marrë pushtetin në mjedise universitare, në mass mediat dhe gjetiu, gjithë duke u dhënë Blacks iluzionin se kjo bëhet në emër të tyre. Nga ana tjetër, ajo çfarë ka ndodhur së fundi, është se obsesioni me policimin e leksikut dhe ndëshkimin e “shkelësve” ka gjetur jehonë të madhe në rrjetet sociale, ku është relativisht lehtë të nxitësh fushata indinjimi dhe t’i shndërrosh këto në shitstorms.

A mund të shërbejë vërtet leksiku dhe gjuha si truall dhe fushëbetejë për revolucionarizimin e marrëdhënieve sociale? Gjatë shekujve XIX dhe XX, me këtë eksperimentuan më parë lëvizjet nacionaliste anembanë, të cilat e ushtruan pushtetin edhe nëpërmjet purizmit leksikor; dhe më pas regjimet totalitare, si ai nazist ashtu edhe ato komuniste (BRSS, Kinë, Europa Lindore), të cilat u rrekën ta përdorin ligjërimin publik si mjet për të paralizuar lirinë e fjalës dhe të mendimit. Lëvizjet e sotme në Perëndim, të bazuara në politikat e identitetit (gjinor, etnik, racor) kanë trashëguar sisteme të kolauduara mirë praktikash por edhe teorish, që i lejojnë të veprojnë njëlloj. Nuk është e rastit që disa nga ndryshimet e sugjeruara në kategorinë gramatikore të gjinisë, në sistemin emëror të anglishtes, për të akomoduar identitetet transgjinore, e bëjnë anglishten të tingëllojë si Newspeak-u i 1984-ës së Orwell-it. Angazhime të tilla nuk janë për t’u gjykuar jashtë konteksteve ku kanë lindur dhe ku ndihen si të domosdoshme; po mjaftohemi të themi se ato zakonisht kërkojnë përligjje teorike tek ideja se realiteti social mund të ndryshohet, ose të paktën të ndikohet, duke modifikuar gjuhën që e flet atë realitet.

 

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë © RENEE BRIGHT / KUER.

Shënim: duke qenë tema tejet delikate, sidomos në SHBA dhe për Facebook-un, lutem tregoni kujdes në komentet – dhe mos harroni se po flasim për realitete diskriminimi social të cilat shumë prej nesh as i përfytyrojnë dot.


[1] E kam të vështirë të gjej një term shqip të përshtatshëm për të tanishmen e miratuar Black: i zi dhe zezak janë kritikuar si raciste, me ngjyrë është kalk i anglishtes colored ose of color që sikur nuk po pranohen më, Afrikan-Amerikan lë jashtë Blacks që nuk kanë lidhje me Afrikën. Vendosa ta lë fjalën në anglishte, si Black (me B të madhe), meqë kjo në momentin e tanishëm nuk është problematike. Prirja për fjalë të tilla është që gjithnjë të përfundojnë në tabu, për shkak të një modeli të protestës sociale që shprehet simbolikisht nëpërmjet tabuizimit të termave.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin