Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Art

ZOOART

Në mbyllje të ceremonisë për dhënien e diplomave anëtarëve të rinj, Ansambli i harqeve “Academia Albanica” i drejtuar nga Eno Koço (koncert-maestër dhe solist Lorenc Radovani) dha një koncert me vepra të kompozitorëve akademikë bashkëkohorë, te lulishtja përpara selisë së Akademisë.

Mes pjesëve që u luajtën, ishte zgjedhur edhe “Avionë dhe ngjyra”, nga kompozitori kroat Davorin Kempf. Eno Koçoja shpjegoi se kjo vepër ishte frymëzuar nga pikturat e Piet Mondrian-it, në vazhdën e një vargu kompozimesh të ngjashme, që marrin shkas nga pikturat – Koçoja përmendi edhe “Piktura në një ekspozitë”, të Mussorgskij-t.

Isha ulur fare pranë orkestrës, dhe teksa shihja harqet e violinave, violave dhe violonçelave, më shkoi mendja se këto harqe i prodhojnë me qime nga bishti i kalit – çdo hark kërkon diçka si 160-180 qime; harqet më të çmuara, janë ato që përdorin qime kuajsh nga Mongolia.

Gjëra që mbase edhe dihen, sikurse mbase dihet që edhe për të prodhuar një penel piktori përdoren qime zibelini (angl. sable), por edhe ketri dhe thiu, ndonjëherë edhe kau dhe dhie (këto të fundit, më shumë në kaligrafi dhe në pikturën kineze). Këtu m’u ndal pak fryma, sepse nuk e kisha menduar më parë lidhjen mes dy arteve – që ngjajnë edhe nga anë të tjera – përmes veglave që përdorin.

Qimja e kafshës valëzon edhe në dorën e muzikantit, edhe në dorën e piktorit.

Mongolia prodhon 900 ton qime kali në vit; zakonisht, qimet ua marrin kuajve pasi i kanë therur. Edhe qimet e penelave, pavarësisht nëse vijnë nga zibelinë, ose kafshë të tjera të ngjashme (vizon, etj.), e kanë origjinën te thika e therësit. Por të paktë janë ata violinistë a piktorë që ndalen për të menduar, qoftë edhe një çast të vetëm, për dhimbjen dhe terrorin, që mund të ketë ngrirë në veglat e tyre të përditshme.

Njeriu që nga kohët prehistorike i ka përdorur kafshët edhe për art: jo vetëm për penela dhe për harqe, por edhe për instrumente të tjera muzikore që përdorin lëkurë ose eshtra; edhe zamka që përdoret në prodhimin e këtyre instrumenteve ka pasur shpesh origjinë shtazore, por edhe dylli . Kafshët jo vetëm i kemi pikturuar, por edhe i kemi pikturuar, duke përdorur pjesë të trupit të tyre si zgjatime të dorës që pikturon. Pa përmendur sa vepra letrare janë shkruar me pendë pate, nën dritën e qirinjve të prodhuar me vaj balene. Duket sikur të paktën disa lloje arti kanë nevojë për këtë ndërmjetësim të kafshës.

E gjithë kjo përsiatje, më bëri të ndihem çuditërisht mirë, në këpucët që sot i paskësha pasur me lëkurë sintetike (pleather)… Të paktën troku i shojeve të mia në korridoret e Akademisë nuk do të ketë jehuar si i thundrave të një barngrënësi të trembur.

© 2021 Peizazhe të fjalës™

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin