Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kinema

KINEMAJA E FËMIJËRISË, FËMIJËRIA E KINEMASË

Kur e prezantova shkrimin tim për kinemanë në Facebook (Arti i shtatë), pata bërë një paralelizëm mes “kinemasë së fëmijërisë” dhe “fëmijërisë së kinemasë”, i nisur gjithnjë nga ideja – intuitive – se çdokush që e nis, ende fëmijë, eksperiencën me kinemanë, përsërit njëfarësoj fillimet historike të kinemasë, si art i mbështetur në një teknologji moderne. Por paralelizmi u shoqërua me një kritikë – më vunë në dukje se nuk qëndronte. Çështja vështirë se mund të ftillohet deri në fund: një metaforë e qëlluar për mua, mund të jetë e pakuptueshme për tjetrin, mbase edhe kundërprodhuese për argumentin. Por kritika më vuri në mendime. Dhe jo vetëm ngaqë ka diçka prej fëmije, tek një imazh që lëviz në ekran; dhe se projektori i filmit e ka origjinën në lodra për të vegjël (zoetrope) dhe gjithfarë magjish prej cirku; sikurse jo vetëm ngaqë filmat e hershëm, ato të kinemasë pa zë, na bëjnë për të qeshur me komicitetin e tyre, shpesh të qëllimshëm, por edhe thjesht nga mënyra si konvertohet sot lëvizja, e përshpejtuar ose konvulsive. Në fakt, nuk di pse m’u kujtua ligji biogjenetik që e kemi bërë dikur në shkollë, i formuluar nga Ernst Haeckel-i në 1866: se një embrion, gjatë zhvillimit të vet, rimerr fazat e zhvillimit të gjallesave paraprijëse, në kuptimin që embrioni i njeriut, në fillim, i ngjan embrionit të një peshku ose të një reptili. Për ta thënë me fjalët e Haeckel-it vetë, “ontogjeneza rimerr filogjenezën”. Me sa lexoj tani, ky ligj tani është përgënjeshtruar, por kjo nuk ia heq potencialin metaforik – dhe mua ashtu m’u kujtua. Dhe pikërisht: që dikush që shkon për herë të parë në kinema, e përjeton eksperiencën si të ishte jo vetëm e fillimit për të, por edhe e fillimit, pra e fëmijërisë së kinemasë. Kam lexuar që gjatë projeksionit të filmit të parë nga vëllezërit Lumière, që paraqiste një tren duke hyrë në stacion, publiku u tremb dhe u ngrit të ikte me vrap nga salla; një histori me gjasë e sajuar, por që mua më sjell në mend një moment, sërish nga kinematë e fëmijërisë sime, kur një alpinist duke iu ngjitur shkëmbit shkëputi me këmbë disa gurë që u rrokullisën drejt objektivit të kamerës, dhe mu aty dikush, ulur në radhën para meje, ngriti dorën si për t’u mbrojtur; ishte një gjest instinktiv, prej fëmije. Edhe unë mund ta kem ngritur dorën ndonjëherë. Nuk di ç’do të jepja, për ta provuar edhe një herë efektin e realitetit që projektonte në fillim ekrani; e kam ndier në palcë agoninë e Paridit, kur këtë e shpoi tej për tej me shpatë Menelau, te Helena e Trojës. Sot përkundrazi, si të rritur që jemi, “e dimë” se çfarë është film dhe çfarë është jetë; madje përdorim shprehjen: “si në filma”, për diçka të pagjasë ose të ekzagjeruar; ose shprehjen tjetër: “mos më bëj filma mua!”. Kur shkojmë në kinema, përjetimin e çdo filmi të ri na e filtron dhe kushtëzon fort prania në kujtesë e filmave të tjerë që kemi parë dhe e zhanrit përkatës; madje edhe nga regjisorët dhe aktorët vetë presim një efekt të caktuar; kjo përtej efektit intertekstual që mund të jetë i trupëzuar në film si autor implicit. Filmat që kemi parë na diktojnë si ta shohim çdo të ri rishtaz; ekspozimi i përsëritur me këtë formë arti na ka lënë në duart e intertekstualitetit (pisk e kanë këtu kritikët e filmit, që kanë parë gjithçka dhe arrijnë të perceptojnë vetëm teknikat), por në të njëjtën kohë qasja filmike ndaj realitetit ka marrë përmasa universale, në kuptimin që jeta “reale” po lexohet gjithnjë e më rëndom si të ishte film (Joel Black, The Reality Effect, Film Culture and the Graphic Imperative, Routledge 2002) dhe po na përcillet me gjithë artificialitetin e teknikave të filmimit. Por spektatori i sprovuar i kinemasë, me përkufizim, nuk e ka më pafajësinë e hershme; sheh një kukull animatronike, atje ku fëmija sheh një përbindësh të frikshëm; nuk arrin dot ta pezullojë mosbesimin (suspend disbelief), në një kohë që fëmija i nënshtrohet imperativit filmik naiv dhe beson gjithçka (duke e konsideruar besimin si pjesë konstitutive të paktit që ka lidhur me ekranin). Kjo e të besuarit lidhet edhe me natyrën e fotografisë, që i nënvendoset teknikës kinematografike; dhe me raportin e fotografisë me të vërtetën. Kur kam qenë fëmijë dhe më ka qëlluar të jem tronditur ose trembur nga një film, mbaj mend të më kenë qetësuar kështu: “nuk janë të vërteta.” Kjo duhej të shërbente edhe si formulë iniciatike, për të kaluar nga fëmijëria në adoleshencë: vetëdija për filmin si diçka “të shpikur” a “të sajuar”.

© 2021, Castigat & Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading