Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kinema / Kritikë

AKTI ARTISTIK SI GJEST MBIJETESE

nga Mirgen Robo

“Mua besoj më shpëtoi portreti” është dokumentari 10-minutësh i Alban Mujës, i ndërtuar mbi rrëfimin e babait të tij, Skënder Mujës, për ngjarjen e përjetuar gjatë Luftës së Kosovës, në prill të vitit 1999. Ngjarja zhvillohet në një shkollë në Skënderaj, e kthyer asokohe në kamp përqendrimi, ku Skënder Muja, artist dhe mësues arti, mbahej bashkë me shumë të tjerë në kushte të rënda. Në qendër të rrëfimit është momenti kur urdhërohet të vizatojë me shkumës portretin e një komandanti serb, ndërsa fati i tij duket se lidhet me suksesin ose dështimin e këtij vizatimi. Kështu, akti artistik i detyruar shndërrohet në gjest mbijetese. Dokumentari rikthen këtë moment 25 vjet më vonë, brenda ambienteve të shkollës ku ka ndodhur ngjarja, e cila këtë herë, e ritreguar funksionon më fort në nivel mendimi sesa në nivel emocional. Portreti i oficerit nuk shfaqet plotësisht deri në momentet e fundit të dokumentarit, dhe kjo mungesë e bën atë më të rëndësishëm si koncept sesa si subjekt konkret. Ai përfaqëson figurën e pushtetit, frikës, rastësisë për të vdekur apo për të mbetur gjallë. Në këtë kuptim, dokumentari arrin të krijojë paralelizmin mes kujtesës individuale të Skënder Mujës dhe kujtesës kolektive të Kosovës, e historive që kanë mbetur të patreguara. Rrëfimi është i ftohtë, pothuajse pa ngarkesë emocionale dhe zëri i narratorit i përmbajtur e gati mekanik. Pikërisht këtu shfaqet pika e dobët, sepse sakrifikon lidhjen njerëzore me protagonistin. Mungesa e portretit të plotë të Skënderit, sidomos mungesa e syve të tij si hapësirë ku mund të lexohej trauma, e bën rrëfimin më tepër se të ftohtë.

Inkuadrimi i duarve është një mënyrë për të skicuar mjetin që ka realizuar portretin dhe që i kanë shpëtuar jetën. Ato mbajnë peshë të dyfishtë sepse janë duart e artistit dhe mekanzmi i mbijetesës.

Turma fillimisht duket e çuditshme, pothuajse e pashpjeguar, por merr kuptim kur duket se disa prej njerëzve që dëgjojnë rrëfimin kanë qenë vetë të pranishëm në shkollën-kamp përqëndrimi. Ky kontekst e pasuron ndjeshëm dokumentarin. Problemi është se disa prej këtyre shtresave nuk janë të qarta për shikuesin që nuk ka informacion paraprak. Artifica e filmit funksionon më mirë nëse shikuesi njeh prapahistorinë e krijuesit, narratorit dhe lokacionit. Pa këtë njohje, disa zgjedhje formale vijnë më të ftohta.

Rrëfimi ka njëfarë ritmi, hapësirat midis fjalëve krijojnë pritje, por emocioni që shikuesi pret të vijë nuk materializohet plotësisht.

Si përfundim, “Mua besoj më shpëtoi portreti” është dokumentar intelektualisht i fortë, i ndërtuar mbi ide të fuqishme: arti si mjet shpëtimi në rrethana çnjerëzore. Vlera e tij më e madhe qëndron te mënyra se si kujtimi personal kthehet në metaforë për kujtesën kolektive të luftës në Kosovë. Megjithatë, distanca formale e pengon shikuesin të krijojë lidhje më të thellë me narratorin dhe e privon atë nga përjetimi emocional.

© 2026 Mirgen Robo. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading