Ka ngjallur siklet, mes mendjeve që preokupohen për të drejtat civile, vendimi i Twitter-it për t’ia mbyllur llogarinë presidentit të SHBA, Donald Trump. Me ç’të drejtë?
Twitter-i e përligji masën e vet kaq ekstreme duke shpjeguar se, nëpërmjet gjërave që postonte aty, Trump-i nxiste “dhunën”; ose, më tej, se një masë jo e vogël përdoruesish të atij rrjeti mund t’i interpretonin fjalët e Trump-it si inflamatore.
Njëlloj kanë vepruar edhe rrjete të tjera sociale, si Facebook-u dhe Reddit. Duket se është krijuar një konsensus, në mass mediat sociale, se presidenti Trump mund dhe prandaj edhe duhet censuruar.
Kështu në vështrim të parë, kjo tingëllon e rrezikshme.
Por pastaj të vjen natyrshëm pyetja: ç’dreqin bënte Presidenti i SHBA, Donald Trump, duke postuar “cicërima” pa fund, në një rrjet social?
A është kjo mënyra si duhet të komunikojë Presidenti Trump me publikun e vet? Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje, tek e fundit, do ta kornizojë edhe skandalin e tanishëm të censurimit.
Kjo edhe në kontekstin e historisë së marrëdhënieve të Trump-it me mass mediat, të së gjitha llojeve, gjatë këtyre katër vjetëve të Presidencës.
Sërish: ç’punë ka Presidenti Donald Trump-i në Twitter? A nuk ka gjëra më serioze për të bërë, p.sh. të jetë President? A nuk ka një ushtri me sekretarë të shtypit, që të kujdesen për komunikimin e tij publik?
Dhe sidomos: a nuk duhet ta dijë, një njeri me pozitën dhe statusin e tij, që fjala publike e Presidentit ka peshë tjetër nga ajo e një cicëruesi çfarëdo në Twitter, a postuesi çfarëdo në Facebook?
Fjala publike e Presidentit të SHBA, kur ky flet me cilësinë e Presidentit të SHBA, është performative: duke folur, Presidenti ushtron madje riprodhon edhe pushtetin që i jep ligji (kushtetuta).
Këtu nuk po diskutojmë se çfarë i thotë qytetari Donald Trump kamerierit, në një golf resort, kur porosit një gin tonic; komunikimet e tij në rrjetet sociale, që ndiqen nga dhjetëra miliona vetë, janë shprehje e institucionit të Presidentit në funksion e sipër, jo e dëshirave dhe e nevojave të Trumpit individ.
Prandaj pyesim: a mund të jetë dikush President i SHBA-ve brenda platformës sociale të Twitter-it ose të Facebook-ut?
Me gjasë, JO. Por një gjë është e sigurt: këtë duhet ta përcaktojë ligji.
Për të njëjtën arsye siç përcaktohet me ligj që Presidentin e SHBA e zgjedh një kolegj elektoral, jo vota e drejtpërdrejtë e qytetarit; dhe se demokracia në SHBA funksionon vetëm në kontekstin e normave ligjore dhe procedurale që e kufizojnë dhe e plotësojnë.
Gabimi i Trump-it, nëse mund ta quajë kështu, është personalizimi i institucionit – vërtet fjala e Presidentit të SHBA është performative (zë vend dhe kryen funksione që Presidentit i njihen me ligj), por kjo automatikisht duhej t’ia kufizonte lirinë e fjalës njeriut Trump.
Sepse sfida e Presidentit të SHBA nuk është aq liria e fjalës, sa ç’është përdorimi i fjalës me urtësi dhe në pajtim me ligjin (dhe Kushtetutën).
Pastaj, nëse Trump-i dëshiron të përdorë platformën Twitter për të komunikuar, kjo nuk do të ngrinte shumë peshë, në qoftë se fjala e tij kontrollohet nga specialistët përkatës – juristët, ekspertët e marrëdhënieve publike, espertët e marrëdhënieve ndërkombëtare, antropologët – para se të lëshohet në qarkullim.
Presidenti i SHBA-ve ka nevojë për sekretarët e marrëdhënieve publike njëlloj siç ka nevojë për gjeneralët, që t’ia bëjnë luftërat që shpall; ose për astronautët, që t’i dërgojë në orbitë në emër të shtetit të vet. Liria e tij për të vepruar – e cila përfshin edhe lirinë për të folur në publik – përkon ekzaktësisht me lirinë e institucionit përkatës.
Kontrolli i aparatit ndihmës është, në këtë kontekst, i krahasueshëm me kontrollin e kujdesshëm që ia bëjnë mekanikët, inxhinierët dhe teknikët e tjerë një avioni pasagjerësh, para se ky të ngrihet në fluturim.
Me fjalë të tjera, nëse dikush kërkon ta ushtrojë në maksimum prerogativën e lirisë së fjalës që ia njeh ligji, vështirë se mund ta realizojë këtë duke u bërë President i SHBA-ve.
I njëjti përfundim mund të arrihet edhe duke arsyetuar së prapthi: duke i jetërsuar marrëdhëniet e institucionit të Presidentit të SHBA-ve me mass mediat dhe duke hyrë në konflikt me këto të fundit, Trump-i njëfarësoj ia dorëzoi fjalën e vet publike – si President – një rrjeti social kompani private si Twitter-i, çfarë i dha Trump-it iluzionin, por vetëm iluzionin, se ashtu po mbante kontakt të drejtpërdrejtë me bazën e vet politike.
Kishim një President që hyri në konflikt jo vetëm me mediat, por edhe me establishmentin në Washington DC; dhe që e menaxhoi këtë konflikt shumë keq, sepse në analizë të fundit establishmenti e detyroi të snobonte ndërmjetësimet dhe të gënjehej me idenë se mund të komunikonte drejtpërdrejt me “popullin”.
Nëse efekt i kësaj karikature të komunikimit demokratik ishte edhe përdhosja e tanishme e Kapitolit nga mbështetësit e Trump-it dhe protestuesit e rezultatit të zgjedhjeve, këtë është ende herët ta thuash; pa çka se ai lloj komunikimi, që kish zgjedhur të praktikonte Trump-i, nuk mund të krijojë veçse turma, të cilat pastaj dalin nga kontrolli dhe kanë ritualet e tyre të riprodhimit dhe të zgjerimit.
Fiaskoja e tanishme, edhe e Trump-it edhe e ndalimit të tij, tregoi se rrjetet sociale rrezikojnë të kthehen në karnavale të demokracisë – dhe qytetarët që i përdorin të shndërrohen në turmë.
Dëgjon tani edhe argumentin se një president narcisist me tundime të forta populiste si Trump-i do të gjente, te rrjetet sociale, mjedisin ideal për t’u realizuar si lider, sepse atje mund të mbante kontakt me çdo ndjekës, praktikisht 24 orë në ditë.
Mund të jetë kështu. Por kjo, e para, nuk është demokraci dhe rrjetet sociale nuk mund të funksionojnë si institucione (janë thjesht platforma); dhe, e dyta, edhe sikur kjo mënyrë komunikimi të prodhonte vërtet vlera demokratike, sërish ia vlen të bësh pyetjen “arkeo-marksiste”, se kush i zotëron mjetet e këtij prodhimi.
Dhe ashtu e kupton si ia arritëm kësaj dite kur një person privat si Jack Dorsey, CEO i një platforme të komunikimit elektronik si Twitter-i, mund t’ia mbyllë kanalin e komunikimit Presidentit të SHBA-ve, me një lëvizje të gishtit.
Të kemi parasysh edhe se kompani si Twitter-i, Facebook-u, Google-i dhe Apple-i nuk janë institucione që kanë për mision të mbrojnë vlerat e qytetarisë dhe të demokracisë, por ndërmarrje me qëllim fitimi; të cilat nuk e kanë për gjë ta sakrifikojnë të drejtën e të tretëve për të ushtruar fjalën e lirë, nëse kjo e fundit ua rrezikon fitimet.
Eksperienca e këtyre viteve të fundit, kur censurimi është shndërruar në veprimtari politike madhore, falë lehtësisë me të cilin përhapet negativiteti në rrjetet, tregon se teknologjia, përfshi këtu edhe teknologjinë e komunikimit masiv, është rrezik i shtuar për të drejtat e liritë e individit dhe vetë funksionimin e demokracisë dhe të pluralizmit. Po i afrohemi me të shpejtë momentit kur individi do të përkufizohet, në sytë e shtetit dhe të kompanive që i shesin këtij produkte dhe shërbime, si tërësia e survejimeve që i janë bërë i të dhënave që janë mbledhur për të në rrjedhë të viteve.
Siç e shkrova më lart, rrëshqitja e Presidentit Trump në Twitter dhe duplikimi i tij si prezencë virtuale, u lehtësuan edhe nga personaliteti i tij i veçantë – narcisizmi, vaniteti dhe mosbesimi ndaj institucioneve. Normalisht, një institucion suprem si Presidenca duhej t’i kishte vënë në punë mekanizmat dhe filtrat e nevojshëm, për ta penguar një person narcisist, vanitoz dhe paranojak që të realizohej si i tillë, në ushtrimin e funksioneve të Presidencës.
Që kjo nuk ndodhi, tregon edhe se legjislacioni i sotëm, në vendet demokratike perëndimore, nuk është i përgatitur për t’u bërë ballë sfidave të mëdha, edhe juridike, që vijnë nga teknologjia e rrjeteve sociale.
© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.