Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Narratologji / Teori letrare

AUTOFICTION

Nuk di të them sa vend ka zënë koncepti i autofiction në kritikën dhe në kulturën shqip – edhe pse sot dëgjon të thuhet, poshtë e lart në Perëndim, se ky lloj të shkruari – autofiction – po ia zë vendin romanit post-modern.

Termi mëton të shënjojë një lloj të ri (apo “të ri”) romanesh memuaristike, autobiografike dhe metafiksionale, që i relativizojnë kufijtë mes autobiografisë dhe fiction-it: për shembull, My Struggle nga Karl Ove Knausgaard.

Në Francë, ku edhe u përdor fjala për herë të parë, autofiction e dallonin nga romani autobiografik në atë që i pari manifestohej si rrëfim në vetë të parë, nga një protagonist me të njëjtin emër si autori.

Përndryshe, këtë formë narrative e kanë afruar me Künstlerroman, një nënkategori e Bildungsroman, që përqendrohet te rruga e formimit të një artisti.

Lexuesi i autofiction ftohet të përfytyrojë se po lexon një diçka si ditar, ku kalohet lirisht nga jeta reale në faqen e shkruar. Christian Lorentzen, prej të cilit e kam marrë këtë përcaktim, përpiqet të dallojë mes fiksionit autobiografik, metafiksionit autobiografik dhe autofiction, duke argumentuar se “në autofiction emfaza bie mbi statusin e alter-egos rrëfimtar, protagonist ose autor si shkrimtar ose artist, dhe se krijimi i librit i brendashkruhet vetë librit.”

Edhe Lorentzen e konsideron autofiction si një përzierje të reales dhe trillimit.

Te një artikull i shumëcituar në The Guardian (“Drawn from life: why have novelists stopped making things up?”), Alex Clark pyet mos lulëzimi i tanishëm i autofiction-it po paralajmëron fundin e romanit: pse vallë autorët nuk po trillojnë më? – pyet ai që në titull.

Për të autofiction dalon nga autobiografia, sepse autobiografia kërkon të jetë “e vërtetë” ndryshe nga ç’kërkon të jetë i vërtetë autofiction.

Ai citon shkrimtaren Lucia Berlin, e cila thotë se [në autofiction] është vetë historia që bëhet e vërtetë, dhe jo thjesht për shkrimtarin, por edhe për lexuesin.

Kritiku dhe teoricieni Gérard Genette, që vjen nga një shteg tjetër, flet për autofiction si një “pakt qëllimisht kontradiktor”, ku një autor, përmes një versioni të fiksionalizuar të vetes, vetëm sa duket sikur thotë një histori të vërtetë, pa e bërë këtë.

Sipas Tim Parks (How best to read autofiction), në autofiction “të shkruarit bëhet zgjatim i të jetuarit”.

Kujt nuk i kujtohet klisheja e qasjes mendjethjeshtë ndaj narrativës realiste si “e ka treguar tamam siç ka ndodhur”? Ndoshta, për autofiction, është vendi që kjo formulë të përditësohet kështu: e ka treguar tamam siç ka ndodhur… në narrativë.

Si lexues i keq dhe jo-tipik i letërsisë shqipe bashkëkohore, më duhet të pranoj se kam ndeshur, tek-tuk, në autofiction, por të maskuar si autobiografi.

Nuk është e thënë që një autor ta dijë që po bën autofiction, për ta bërë; disa forma letrare praktikohen “me vesh”, ose “me sy mbyllur.”

Por kritiku i letërsisë bashkëkohore shqipe nuk do të gabonte shumë, po të kërkonte për autofiction në masën e letërsisë “mirëfilli” autobiografike që mbush sot raftet e librarive – madje edhe mes titujve të memuaristikës.

Një cinik do të thoshte këtu se autofiction u jep disave licencën për të gënjyer në vepra me natyrë autobiografike, ose për ta ndërtuar një narrativë të vetes sipas dëshirës ose interesit.

Autofiction, në fakt, mund të gënjejë vetëm në atë masë që i referohet së vërtetës; çfarë do të thotë se, sa më autobiografike të paraqitet një vepër, aq më shumë i ekspozohet autori (“autori”) akuzës se po gënjen.

Shumë lexues në botën shqip, dhe me siguri edhe ndonjë shkrimtar, e kanë përjetuar letërsinë autofiction nëpërmjet romaneve napolitane të Elena Ferrante-s dhe enigmës së identitetit të autorit të tyre.

Ferrante i pat thënë dikur botuesit të saj, Sandra Ozzola: “Unë besoj se librat, pasi janë shkruar, nuk kanë më nevojë për autorët e tyre.” Por mos do të thotë, kjo, se romani autofiction e përfshin autorin e vet në tekst?

Kjo varet edhe nga çfarë kërkon të synojë një autor, me veprën e vet. Prandaj edhe kthjellimi brenda letërsisë shqip për konvencionet e autofiction do t’i mbronte jo vetëm autorët, por edhe lexuesit nga gënjeshtra.

 

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Në kopertinë: shkrimtari Karl Ove Knausgaard.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin