(nga Stanislaw Lec*)
Gjithnjë drejtoju zotave të së tjerëve. Do të të japin audiencë pa qenë nevoja të mbash radhën.
Luftojmë për të drejtën e përjashtimit. Po le ta pyesim, pra, përjashtimin, nëse është dakord që “të konfirmojë rregullën.”
Fjala mund të shërbejë edhe si shtupë për gojën.
Disa pemë rriten kaq shumë, sa frutat e tyre u bien në kokë fqinjëve.
Kush e ka humbur mendjen, ka shpesh dhimbje koke.
Kur shoh fëmijët të ngrenë një njeri prej bore, pyes veten: “Ia vlen të ta ngrenë statujën për kaq pak kohë?”
Prekëse janë kujtimet e kujtimeve.
Mund të ndërrosh fé pa ndërruar Zot. Dhe e kundërta.
Në sytë e mi, kanonizimi i vret ata njerëz që mund t’i kisha konsideruar si të shenjtë.
Për të mëdhenjtë, mësimet e shkencës. Për të vegjlit, mësimet e jetës.
Plagët zënë kore, por koret vazhdojnë të rriten me ne.
Shenjat e gishtave të Zotit nuk janë kurrë dy herë po ato.
Edhe kur je duke gjuajtur elefantin, të duhet të vrasësh herë pas here ndonjë plesht.
Pati edhe martirë që e bënë rrugën e kryqit në drejtim të kundërt.
Ndonjëherë duhet ta mbyllësh gojën, që të të kuptojnë.
Thoshin për të që nuk është shqiponjë, dhe shtonin: “E ka trurin sa të zogut.”
Çfarë besoj? Në Zot, nëse ky ekziston.
Fytyra e armikut më tmerron, që nga momenti kur shoh sa i ngjan simes.
Merita për zbulimin e Amerikës nuk u takon amerikanëve. Çfarë turpi!
Te paradhoma e ferrit, mos iu lëpi menjëherë Satanait.
Çfarë i ndodh Djallit kur pushon së besuari në Zot?
Në qafën e gjirafës, pleshti fillon të besojë në jetën e amshuar.
Pashë në ëndërr një reklamë për kontraceptivët: “Ata që nuk do të lindin, do t’ju bekojnë!”
Si e di era se në ç’drejtim duhet të fryjë?
Mos u besoni zotave që janë në imazhin tuaj!
Kish një opinion kaq të lartë për veten, sa i dukej ndonjëherë se nuk ishte veçse xhuxhmaxhuxh para saj.
Mos u familjarizo shumë me veten!
Çelësi i situatës shpesh gjendet në bravën e fqinjit.
(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Nouvelles pensées échevelées (frëngjisht).