Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Botime

DORA E NGROHTË

Shfletoj ca nga librat që kam rreth e rrotull në shtëpi në Tiranë. Vepra nga autorë të huaj, të përkthyera në shqip, që për ndonjë arsye ose ndonjë tjetër kanë përfunduar tek unë – ca të blera, ca të dhuruara.

Lexoj në faqet e copyright-it:

Ky projekt realizohet falë ndihmës financiare të Komisionit Europian.

Kjo vepër u botua me ndihmën e Ministrisë së Arsimit, Kulturës dhe Sporteve të Spanjës.

Botimi i këtij libri u mbështet nga Instituti Francez në kuadër të programeve të tij të ndihmës për botime.

Ky botim u mbështet nga Österreichische Kooperation in Wissenschaft… [etj.]

Botimi i këtij libri është mbështetur financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

Ky libër u përkthye falë ndihmës financiare për përkthim, lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme italiane.

E kështu me radhë: ky libër u mbështet, ky libër u ndihmua, ky libër u financua, ky libër u pagua…

Mund të mbushja faqe me këto pohime dhe të bëja statistika; por po mjaftohem këtu të spekuloj se një numër i madh botimesh nga gjuhë të huaja, që hidhen në tregun e librit shqip – me përjashtim të best-sellerëve tip Danielle Steel dhe të projekteve hobby individuale (“do ta përkthej vetë Nietzschen”) – financiarisht e sjellin bukën me vete.

Pastaj i marr këta libra, që i ka mbështetur krej harta e botës me gjithë OKB-në brenda, dhe u shoh çmimet. Siç e prisja – sepse një pjesë edhe i kam blerë vetë – çmimet janë të njëjta me ato të librave të tjerë, të themi autorëve vendës (librat e mi, për shembull).

Pyes veten: atëherë çfarë është mbështetur këtu?

Sepse për nga cilësia e letrës ose e tipografisë ose e libërlidhjes ose e kopertinës, asgjë nuk i dallon këto produkte nga të tjerat – ato që nuk gëzojnë mbështetjen e NATO-s dhe të Frankofonisë.

Dikush do të priste që serumet financiare t’i kalonin drejtpërdrejt publikut, si zbritje çmimi: por kjo nuk ndodh (besoj se nuk ndodh).

Dikush tjetër do të gjykojë se paratë e dhuruara nga ambasadat, institutet, ministritë dhe komisionet u shërbejnë botuesve për të mundësuar nxjerrjen në treg të librave të autorëve shqiptarë, mes tyre edhe unë (“nuk po shitet hiç”).

Në atë rast, edhe në librat e mi duhej të shënohej që “ky libër është mbështetur me ndihmën – e tërthortë – të Institutit Suedez të Bukinistikës”. Por as këtë nuk e kam parë gjëkundi.

Ndonjë keqdashës, do të thoshte se me ato të ardhura mbahen shtëpitë tona botuese si biznese fitimprurëse (a pensar male si fa peccato ma ci si azzecca).

Nuk kam ndonjë provë për këtë; aq më tepër që “dihet” se shtëpitë botuese i mban mbi ujë libri shkollor.

As jam në gjendje të them nëse këto burime financuese kanë ndikim në zgjedhjen e titujve që përkthehen. Me logjikë, një institucion publik i një shteti të caktuar u shërben interesave të atij shteti, përfshi këtu edhe interesat kulturore; të cilat jo doemos përkojnë me interesat e kulturës pritëse.

Më duket e vështirë, për shembull, që “Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë” të mbështetë përkthimin në shqip të një libri amerikan që vë në dyshim versionin shpjegues zyrtar të 9/11.

Por mund ta kem gabim.

Në disa raste thuhet shkoqur se me paratë e financimit është mbështetur përkthimi – jo botimi. Edhe unë kam përfituar ndonjëherë nga bujari të tilla, dhe jam paguar për përkthime shuma që, si autor, as do t’i kisha parë në ëndërr.

Çfarë më ngushëllon këtu është se edhe autori i librit që kam përkthyer (në rastin tim, Lacan-i), nuk ka marrë asnjë kacidhe nga shitjet e librit të tij të përkthyer në Tiranë.

Sikurse nuk ka marrë asnjë kacidhe enti që e pat financuar atë përkthim.

Edhe atëherë kur paratë dihet kush i jep, sërish nuk dihet mirë kush i fut në xhep.

Tani, për të kaluar nga fusha e spekulimeve në realitet, gjasat janë që në Shqipëri, për një kategori librash, shtëpitë botuese gjithnjë të dalin me humbje: ngaqë publiku mbetet gjithnjë relativisht i vogël në numër, madje edhe për vepra që i drejtohen një mase të padiferencuar lexuesish.

Dhe nëse botimet nga autorë të huaj mbështeten haptazi nga shtetet dhe institucionet përkatëse, kam të drejtë të pyes se kush i mbështet autorët vendës dhe si.

Ndihma financiare publike deri më sot nuk ka munguar krejt; por modeli i kësaj ndihme mbetet i llojit demonstrativ: në kuptimin që nuk arrin të luajë ndonjë rol domethënës në nxitjen dhe kultivimin e produksionit letrar.

Institucionet që e kanë këtë barrë në Shqipëri nuk mund ta mbështetin librin shqip, brenda vendit, në të njëjtën mënyrë siç mbështetin përkthimin dhe botimin e librit shqip jashtë vendit.

(Për shembull: Shtëpia botuese që përktheu dhe hodhi në treg Ndërhyrjet e z. Shyti në Greqi përfitoi nga një ndihmë financiare e Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë; por nuk do të kishte kuptim që, ta zëmë, Ndërhyrjet e z. Shyti në shqip të ishte botuar me ndihmën e Ministrisë së Kulturës ose të ndonjë institucioni tjetër të ngjashëm).

Prej kohësh kam sugjeruar që libri shqip (i autorëve shqiptarë) të subvencionohej nga fondet publike në momentin e shitjes me pakicë – në kuptimin që një pjesë e çmimit të përballohej nga ato fonde.

Kjo do të kërkonte edhe që të bëhej qartazi dallim midis librit shqip të përzgjedhur për botim nga vetë enti botues dhe librit shqip të botuar me mbështetjen financiare të autorit përkatës. Kjo mund të realizohej (a) duke e shpallur haptazi, mu në faqen e parë, që “ky libër botohet me financimin e autorit (tezes së autorit)” dhe (b) duke mos i lejuar shtëpitë botuese që të botojnë edhe ashtu, edhe kështu; ose duke e bërë të detyrueshme, me ligj, që botimet e tipit “vanity” (ose të paguara prej autorëve) të bëhen nga shtëpi botuese të specializuara për këtë punë.

Mbase ashtu do të mundësohej që edhe librat e botuar me paratë e ambasadave dhe të instituteve kulturore të huaja të botoheshin, po ashtu, nga të njëjtat shtëpi botuese të specializuara për vanity press. Dhe pastaj do të flasim prapë.

 

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht riprodhimi në media të tjera elektronike. Lutemi bëjeni share në rrjetet sociale.

3 Komente

  1. Jo vetem ne Shqiperi, por sot kudo ne bote, nga ana financiare me te humburit jane vete autoret. Ne te kundert, perkthyesit, si ne Shq., ashtu edhe kudo ne bote, paguhen. Kjo eshte e natyrshme, pasi parakuptohet qe perkthyesi kryen nje pune te caktuar, ndersa autori krijon dicka nga asgjeja.
    Deri dje, shtetet kontribonin edhe tek autoret, sot kontribojne ne raste te vecanta shtepite botuese, por jo ne Shq. Tek ne autori do paguaje botimin e librit, pervec kesaj do paguaje edhe biletat e autobuzit per ti cuar librat e tij neper biblioteka, neper televizione, qe te japin 3 sekonda lajm per botimin e librit, neper librari ne kembim te faturave qe nuk paguhen kurre, si dhe neper miq per t’ua dhuruar. Por ne Shq. nuk mbaron me kaq historia, ky autor qe -bie fjala- ka shkruar dramen e nje personi qe ka veshtirsi te ndryshme ne jete, (sic jane pergjithsisht historite e librave), mund te arrestohet nga policia e te shkoje ne burg, pasi kapet ne momentin qe ka dhene tek nje librari dy libra te tij pa marre fature. Keshtu ai ka mundesi qe ne burg te shkruaje nje liber te ri, pse jo, ti leverdise te rrije ne burg e te shkruaje libra, me shpresen se ndonje biznesmen filantrop do ta ndihmoje ne botimin e tyre.
    Ne fund te fundit, nuk duhet harruar, per shtetin (shqiptar) libri taksohet so cdo mall tjeter me rreth 20% te cmimit, dhe jo vetem nje here, por 3-4 here, duke filluar nga letra qe vjen nga jashte, nga blerja e saj si dhe bojrave prej shtypshkronjes, nga taksat e pergjithshme qe paguan shtypshkronja (shtepia botuese), nga taksat e pergjithshme qe paguan libra-shitesi, si dhe taksa per cdo liber te shitur ne fund. E mbas fundit, sic thoshte Nonda Bulka ne emisionin e tij ne radio: diten e mire nese eshte dite, dhe naten e mire nese eshte nate!

  2. Natyrisht duhej lidhur nxenesi i shkolles 8- (9) vjecare me librin shqiptar me shume, natyrisht .ne vecanti kohet e sotme te internetit- duhej mos-taksuar libri i autorit shqiptar, natyrisht duheshin lejuar 2-3 here ne vit pazare te hapura librash ne sejcilin qytet, natyrisht duheshin thirrur ne cdo panair libri shume autore shqiptare e te flisnin per librat e tyre, natyrisht mund te kishte me shume informacione ne TV e Radio mbi librat e autorve shq. e te huaj. Natyrisht! Mirpo sot edhe natyra eshte bere disi dembele. Golfshtromi po ngadalson rrjedhen e tij, fusha magnjetike e Tokes po dobesohet, erwrat dhe tajfunet jane tashme vetem sporadike, shiu nuk bie me si perpara me gjyma, ndoshta edhe vete graviteti ka renie! Biles edhe ne njerezit kemi filluar te pertojme te lexojme libra e te flasim ende per librat!

  3. Kur e lexova ne fillim temen m’u duk se kishte diçka qe nuk shkonte tek koncepti i uljes se çmimit per konsumatorin/lexuesin.

    Kuptohet qe ulja e çmimit per dijen ka funksion shume pozitiv ne shoqeri dhe ekonomi sepse rrit vleren e kapitalit njerezor.
    Por ne Shqiperi investimi tek kapitali njerezor eshte ne teresi defiçitar, pasi ky kapital njerezor iken jashte dhe eshte dukuri tmerresisht negative ne rastin e mjekeve dhe infermiereve qe po ia mbathin drejt Gjermanise.

    Pra, ajo qe ne pamje te pare ose ne teori eshte absurde, brenda sistemit aktual shqiptar ne te vertete nuk eshte aspak absurde, por shume racionale.

    Transferimi i ketyre fondeve tek shtepite botuese apo tek perkthyesit e autoret shqiptare eshte me pozitiv sesa transferimi i ketyre fondeve tek lexuesi ose kapitali njerezor, pasi ky i fundit per shkak te sistemit eshte i prirur per t’ia mbathur nga Shqiperia, ndryshe nga shtepia botuese, e cila s’ka nga t’ia mbathe apo perkthyesi e autori qe ne keto raste kane mjaftueshem fonde per te punuar e jetuar ne Shqiperi.

    Per vete natyren e tij emigracioni ”ha” me te miret ose zgjedh mes me te mireve, dmth mes te varferve ha ata me punetoret, mes atyre me prirje biznesi, prape ha me te miret ose zgjedh mes me te mireve, mes te kualifikuarve ha serisht me te miret, sepse cilesia e punes ne Perendim eshte me e larte se ne Shqiperi.
    Po keshtu emigracioni ha edhe kualifikime specifike, psh mjeket dhe infermieret, ku serisht zgjedh mes me te mireve ose edhe me guximtareve, qe serisht eshte virtyt.

    Rama u tha shqiptareve beni shkolla te mesme profesionale per t’ia çuar Gjermanise, e cila here pas here zgjedh hidraulike, bojaxhinj, mekanike te cilet duhet t’i kene te çertifikuara dijet me ane te shkolles.

    Pra ne kete sistem qe prodhon kapital njerezor per ta derguar jashte, keshtu nepermjet valutes se emigracionit te mbylle deficitin e madh ne bilancin e pagesave, une besoj se ka pak vend per investime masive ne kapitalin njerezor.

    Keshtu ajo qe duket absurde ne fakt eshte racionale. Investimi ne Shqiperi duhet te shkoje drejt atij kapitali njerezor i cili jeton ne Shqiperi ose ka prirje/propension me te larte per te qendruar ne Shqiperi, sepse keshtu ky kapital njerezor do te jete me produktiv per Shqiperine.

    Te investosh ne veçanti per hidraulike, bojaxhinj, mjeke, infermiere eshte kundeprodhuese, po kaq kunderprodhuese eshte te investosh per kapitalin njerezor ne teresi, pa bere diskriminim pozitiv per atej kapital njerezor qe eshte me i prirur per te qendruar ne Shqiperi.

    Ne rastin e temes, ulja e çmimit eshte investim per kapitalin njerezor ne teresi, pra kundeprodhuese, kurse mosulja e çmimit, me leket qe qendrojne ne xhepat e shtepive botuese, perkthyesve dhe autoreve eshte diskrimin pozitiv ndaj kapitalit njerezor qe eshte i prirur te qendroje ne Shqiperi, pra Shqiperia fiton padyshim ne rastin e dyte dhe nuk i dihet nese fiton, sipas gjasave humbet ne rastin e pare.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin