nga D. Kokonozi
Tema pa dyshim që është tejet delikate, por pse është e tillë nuk do të thotë se për të duhet heshtur. Mein kampf është cilësuar si libër i keq, veçse kur është fjala për vepra të tilla nuk besoj se ato merren në dorë për të njëjtat arsye sikundër zgjidhen librat që do të lexosh në plazh. Shpesh, për të mbështetur vendimin e shëndetshëm se ai nuk duhet lexuar, autori tij cilësohet si psikotik, psikopat, skizofren, pervers seksual, paranoiak etj., gjë që çështë e vërteta e kam parë gjithnjë me dyshim të madh. Arsyetoja se prania e dikujt me patologji mendore në krye të një shteti të fuqishëm mund të bënte vaki në rastet e pushtetit të trashëguar, sikundër historia flet për perandorë romakë si Kaligula (që edhe ky në fakt u sëmur disa muaj pasi ishte ngjitur në pushtet), por që një i sëmurë mendor të nisej nga shkallët e kishave të Vjenës ku flinte dhe të vinte në krye të një shteti me spektër dhe jetë politike të zhvilluar si Gjermania (pa dashur të përmend klishenë e njohur të atdheut të Betovenit dhe Gëtes), kjo mund të ishte gjithçka tjetër, por jo punë e një të çmenduri.
Ja një i çmendur që nuk doli të jetë
Në raste fenomenesh të tillë është tjetër gjë të kërkosh të kuptosh dhe tjetër gjë të përligjësh. Këtë mendim pata para disa muajve ndërsa lexoja librin e Eric-Emmanuel Schmitt “Pjesa e tjetrit”. Origjina çifute e këtij shkrimtari të përkthyer kudo në botë nuk e pengoi që t’i shohë si krejt të papranueshme idetë se Hitleri ishte një i çmendur. Autori thotë se ai kishte një plan për të mbërritur në pushtet dhe e realizoi atë pa i lëvizur asnjë presje. Për Schmitt-in Hitleri ishte një “artist logjik” dhe ndryshe nga politikanët e tjerë që i përshtateshin edhe një realiteti që nuk u pëlqente, Hitleri dinte ta krijojë atë realitet sipas përfytyrimit të tij. Njerëzit duan ta paraqesin atë si të çmendur, thotë Schmitt, sepse po ta pranojnë si normal kjo tregon se te gjithkush prej nesh fshihet një diktator i përgjakshëm (gjë që është ca e frikshme, por jo fort e pavërtetë, theme unë).
Tani vonë, edhe një numër ekspertësh gjermanë, që ishin vënë në kërkim të ndonjë patologjie që kishte turbulluar personalitetin e Hitlerit, deklaruan se nuk kishin gjetur asgjë të tillë. Me këtë besoj se u mbyll një kapitull shpjegimesh foshnjorizuese, që kishin krijuar një tërthore të dëmshme që i mbyllte analizat aty ku duhej të fillonin.
Filosemiti A. Hitler
Mein kampf mbetet një libër i pashmangshëm edhe për të kuptuar formimin dhe personalitetin e autorit të tij. Ajo që bie në sy është se deri në një moshë pak a shumë të rritur, ai jo vetëm që nuk ka asnjë ndjenjë antiçifute, por përkundrazi, ndjen neveri për antisemitët. Ndryshe nga sa thuhet, në shtëpinë e tij ai kurrë nuk kishte dëgjuar të flitej keq për çifutët. I ati, thotë ai, do t’i cilësonte si të pagdhendur e të prapambetur ata që do të flisnin kundër çifutëve (E përmend këtë sepse ka një teori psudo frojdiste që e trajton antisemitizmin e tij si një mënyrë e kundërshtimit të autoritetit të të atit). Edhe në fillimet e tij në Vjenë ai skandalizohet nga artikujt e gazetave antisemite. Por edhe mënyra se si nisi t’i urreje ata është një rast mjaft interesant studimi, sepse nuk del në asnjë rast që të jetë motivuar fetarisht ashtu siç ndodh me turmat e antisemitëve të rëndomtë e gjysmakë të cilët në shekuj i shihnin çifutët si “vrasësit e J . Krishtit”, ide që njëfarsoj e ushqente edhe vetë Vatikani me heshtjen e tij deri vitet ’60. Asgjë e tillë te A. Hitleri. Në të ritë e tij ai ka të gjitha shenjat e nja filosemiti.
Gjithçka ndodhi krejt rastësisht, kur një ditë ai pa në rrugë një çifut të veshtur me “kaftanin e tij të gjatë dhe me dredhëzat e flokëve” që i varshin në kokë. Ky është çifuti, pyeti ai veten dhe pastaj vazhdon: ky është edhe gjerman? Nga ai çast ai u vu të kërkojë libra për t’u informuar dhe lexoi shumë literaturë antisemite, por asgjë nuk i dukej bindëse. Pohimet e tyre thotë, ishin artificiale dhe në to mungonte baza shkencore, që lë të kuptojë se do ta bëjë ai vetë.
Kthesa ishte marrë dhe A. Hitleri shumë shpejt do të shndërrohet në një “antisemit fanatik” siç thotë diku vetë. I përbuz se ata se ishin shumë dhe kishin zënë vend në çdo qelizë të jetës, se në afishet teatrale, gazeta, banka kishte vetëm çifutë, se “për një Gëte kishte njëqind kalemxhinj të tillë”, se grindeshin pareshtur me njëri tjetrin. Ai ka shumë imagjinatë, por edhe mangësitë kulturore dhe historike që ka bien shumë në sy në këtë kapitull të veprës. Megjithatë, autorë të ndryshëm mendojnë se ky shndërrim në antisemit ka ndodhur në një kuadër të veçantë. Ai ka ndjekur dhe është bërë adhurues i diskutimeve të K. Lueger, kryebashkiaku mjaft i suksesshëm i Vjenës, por edhe antisemit e antikapitalist i njohur. Ka të ngjarë që Lueger të ketë një rol në shndërrimin e tij por përsëri më duket shpjegim disi i thjeshtuar, edhe pse më i besueshëm se teori të tilla se donte t’i zhdukte të gjithë çifutët sepse vetë kishte një damar të largët prej gjaku çifut, apo se donte t’u merrte paratë etj..
Më tej, argumentet e pretenduara si “shkencore” që do të sjellë, vërtet që nuk më duken aspak të tilla. Duke kërkuar të mbështesë neverinë që i kishte shkaktuar çifuti që pa nga afër me rrobën e tij tradicionale (them se do të ketë qenë ndokush nga ata që sot i quajmë çifutë ortodoksë) ai i akuzon ata se kurrë nuk kanë krijuar gjë dhe vetëm se kanë përfituar nga qytetërimet e tjera, të cilat me kohë i korruptojnë dhe shkatërrojnë së brendëshmi. Një pohim krejt pa logjikë, për mendimin tim, sepse çifutët jo vetëm kanë qenë pjesa më e integruar e popullsive përkatëse nëpër botë, por ata kanë kontribuar me sukses në të gjitha kulturat dhe hapat që ka hedhur njerëzimi, pa llogaritur faktin se të gjitha qytetërimet kanë përfituar nga njëri tjetri dhe kurrsesi nuk mund të thuhet se arritjes e kohëve tona (për të cilat flet edhe autori Hitler) janë rezultat i një qytetërimi të vetëm. Dhe këtu lëmë mënjanë se ata janë populli i parë që përqafoi idenë e monoteizmit, ndërkohë që popujt e tjerë edhe për mijëra vjet do të vazhdojnë t’u falen maleve, diellit, gurëve (fise të ndryshme gjermane deri në Mesjetën e mesme u faleshin pemëve) etj. e në shumë raste do të praktikojnë deri vonë edhe sakrificën njerëzore.
Protokollet e Sionit
Këtë tekst të përpunuar në zyrat e policisë cariste A. Hitleri e sjell si provë të komplotit çifut për shkatërrimin e qytetërimit. Duke folur për të vërehet edhe një mënyrë tipike e modelit të tij të thjeshtuar të arsyetimit. Ja një frazë që nuk të lë indiferent: “Janë të gënjeshtërt (protokollet e Sionit), përsërit duke ulërirë Gazeta e Frankfurtit dhe kërkon të bindë universin, por kjo është prova më e mirë se ato (protokollet) janë autentike”(!?). Në vazhdim të kësaj logjike, nuk lë jashtë edhe një argument linguistik. Për ta vënë botën më lehtësisht nën sundim, çifutët, sipas tij, do t’u imponojnë të gjithëve të mësojnë një gjuhë universale si esperanto.
Eshtë aq i pabesueshëm roli që u faturon çifutëve për ta arritur qëllimet e tyre, sa diku jep të kuptojë se edhe evolucioni historik i shoqërisë njerëzore në mijëravjeçarë është pjesë e manovrave të tyre. “Në fillim, çifuti, thotë shoku në fjalë, ka përdorur borgjezinë si mjet lufte kundër feudalizmit, tani përdor punëtorët kundër borgjezisë”. “Ai (çifuti) hiqet sikur u qan hallin punëtorëve, sikur është indinjuar nga varfëria ku ai jeton, për të fituar kështu besimin e tij. Por nën maskën e ideve sociale fshihen qëllime diabolike, ta cilat madje i paraqesin edhe në publik me qartësinë më të paturpshme…”
Besoj se e kuptuat se po flasim për marksizmin, për mënyrën se si e shkon A. Hitleri origjinën dhe rolin e tij, sepse këtu ai kopjon dhe shtrembëron idetë e njohura të Hegelit dhe Marksit.
Shpjegimi i mëtejshëm i marksizmit, për të cilin ai thotë se ka lexuar gjithçka, deri edhe Kapitalin vazhdon në të njëjtën linjë: një filozofi (aq sa mund të quajmë të tillë, thotë) që nuk është asgjë më shumë se një mjet i “çifutit” për të dominuar. Por në të dalin edhe disa parashikime të çuditshme. Ja si thotë diku: “ Me të fituar përfundimisht revolucionin (duket e ka fjalën për revolucionin e proletariatit botëror, për të cilin flet K. Marksi), ai hedh tutje edhe vellon e fundit, nën të cilën fshihej. Çifuti demokrat (kupto marksisti), mik i popullit i lë vendin çifutit gjakësor e armik të popullit. Në rrjedhë të viteve ai do të shfarosë përfaqësuesit e inteligjencës, duke u rrëmbyer popujve udhëheqësit e tyre shpirtërorë dhe i përgatit për rolin e skllavit duke i vënë përjetësisht nën zgjedhë.”
Ideja duket profetike, por ka të ngjarë që të mos ketë asgjë të tillë, ai vetëm sa ka përshkruar atë që po ndodhte në Rusi, ngjarjet e të cilave gazetat gjermane i përcillnin rregullisht. Dhe këtu është rasti të themi se për këtë personazh e për partinë e tij naziste mbase nuk do të qe folur më që pas puçit të Mynihut, po të mos kishte qenë frika që ndjente Evropa nga zhvillimet që ndodhnin në Rusi. Ekzistenca e mëtejshme e nazizmit mund të shihet edhe si pasojë e drejtpërdrejtë e pasojave dhe frikës së “Revolucionit” rus të Tetorit, të kërcënimit që paraqiste ai për perëndimin.
Arianët
Në këtë libër ai i kushton shumë vend popullsisë ariane, që e sheh si një racë superiore dhe paraardhëse të popujve gjermanikë, të cilët në çdo rast ia kundërvë çifutëve, si antipode të njëri tjetrit. Në logjikën e tij popujt janë ndarë në krijues, depozitues e shkatërrues (arianët krijues, japonezët, f.v.j., depozitues, që përdorin shpikjet dhe arritjet e arianëve dhe çifutët si shkatërrues të qytetërimeve). Po a mjaftojnë argumente të tilla për të organizuar zhdukjen e një populli të tërë, qëllim të cilin ai nuk e shpreh drejtëpërdrejtë në këtë libër, por që ka avancuar të gjitha argumentet për?
Duke u marrë me këtë problem, diku kam krijuar (modestisht) një ide timen, që do ta shpreh shkurtazi: Duke folur me përbuzje për popullsinë çifute, A. Hitleri në librin e tij hera herës, shtron me ironi të njëjtën pyetje: këta janë vallë populli i zgjedhur? Nga ana tjetër tek shpalos projektin e tij për të ardhmen e popullit gjerman, ai e përshkruan atë si një popull që me gjakun arian në deje, është i vetmi popull i aftë dhe i denjë të projektojë të ardhmen, i vetmi popull krijues. Por ndërkohë në librat e shenjtë dhe në krejt imagjinatën e njerëzimit, për shekuj të tërë populli i zgjedhur ka një emër tjetër, është populli çifut. E pra, një gjë e tillë është krejt e papranueshme për logjikën e tij nacionaliste. Ai nuk mund të lejojë ekzistencën e një popull tjetër t’i bëjë hije racës gjermane, vetëm se në atë kohë ende nuk ka marrë pushtetin…
Janë shkruar mbi 12 mijë libra për të dhe mbase kjo ide mund të ketë lindur edhe në mendjen e ndokujt para meje, por ajo që ka rëndësi është fakti se në të unë shoh një argument dhe potencial të frikshëm që mund të jetë në origjinë të projektit shfarosës më të madh të historisë së njerëzimit. Për A. Hitlerin është e pakonceptueshme që të ketë një popull të zgjedhur, veç atij gjerman!
Por ndërsa flet pikërisht për arianët mua më qartësohen së tepërmi mungesat e formimin të tij historik e kulturor dhe shpesh interpretimet e tij më kujtojnë pasionin popullor të amatorëve të universit pellazgjik, që e marrin si të mirqënë e madje inatosen keq po të mos besosh edhe ti se pellazgët janë paraardhës të shqiptarve. Kështu edhe fantazitë e A. Hitlerit, pa asnjë referencë, pa asnjë të dhënë të besueshme që ta provojë një gjë të tillë, i sheh gjermanët si pasardhës të një popull që herë shfaqej në orient, herë në afërsi të Hindisë, që herë thuhet se kishte zbritur nga veriu e herë ishte ngjitur nga jugu etj… (Ajo që nuk pritej të ndodhte është se ky libër sot po njeh shumë sukses në Hindi, ku shumë e cilësojnë veten si arianët e vërtetë dhe Mein kampf-in e shohin si një armë kundër “çifutëve” të tyre, pra myslimanëve.)
Mein kampf është cilësuar si bibël e nazizmit dhe si e tillë ai ka dhënë aty shpjegimin e tij për gjithçka që një ideolog dhe politikan mendon se i intereson universit të zgjedhësve të tij, në radhë të parë shpjegimi i qytetërimit nga fillimet e tij e deri në kohët moderne dhe më tej e mbi të gjitha vizioni i tij për të ardhmen e popullit gjerman. Ai është i studiuar në çdo fjalë, në çdo figurë, madje duke përshtatur edhe gjermanishten në shërbim të ideologjisë së tij. Këtu dua të përmend shkarazi një studim të V. Klemperer i cili që më 1933, tek fshihej t’u shpëtonte kampeve të përqendrimit iu kushtua studimit të stilit gjuhësor dhe fjalëve që përdornin nazistët, nisur nga fjalimet që dëgjonte në Radio, ftesave për martesë, njoftimeve për lindje a vdekje, gazetave, broshurave, bisedave të jerarkëve nazistë dhe nëpërmjet tyre ekzaminoi procesin e një konfigurimi të dukshëm të gjuhësor të gjermanishtes. Më 1947 ai botoi LTI (Lingua Tertii Imperii, gjuha e Rajhut të III-të) që u kthye në referencë të analizave të gjuhës së regjimeve totalitare.
Por te Mein kampf ka edhe kapituj të tillë si “Rëndësia e fjalës” apo “Propoganda dhe organizimi”, të cilat të ndihmojnë të kuptosh përse ai ka synuar drejt një stili të thjeshtë, të drejtpërdrejt, dinamik. Aty ai nuk të lë indiferent edhe me shpjegimet e tij përse oratori duhet të synojë t’i drejtohet zemrës e jo mendjes e publikut etj., që duket se janë themelet e një shkence të re, të komunikimit, teknikat e të cilës mjaft politikanë i përdorin edhe sot e gjithë ditën për të manipuluar auditorin e tyre. Duhet pranuar se është arritje e konsiderueshme për një autodidakt.
Hapësira jetësore
Eshte fjala për një koncept që në të vërtetë nuk është krijim i tij (në origjinë ai kishte për qëllim bashkimin e vendit dhe ekspansionin drejt kolonive të ndryshme sipas modeli britanik dhe francez dhe nuk kishte natyrë racizmi biologjik), por A. Hitleri e vendos shpesh herë përbri rolit që ka për të luajtur në të ardhmen raca e epërme ariane dhe deklaron se ndryshe nga politika e paraluftës, kjo “hapësirë jetësore” nuk duhet kërkuar te kolonitë (nga të cilat Gjermaninë e kishte privuar Traktati i Versajës) por drejt Lindjes. Kolonitë afrikane duket se i ka frikë dhe diku thotë se për shkak të tyre Franca tashmë po shndërrohet në një vend mulatësh.
Idenë e tij të shtrirjes në Lindje e përpunon deri në detaje duke e ngritur në rangun e një programi nacional të jashtëzakonshëm e të përpunuar në të gjitha detajet, deri edhe në konsiderata të ekonomisë politike, si ato të sipërfaqes së nevojëshme për një numër të caktuar popullsie etj… Këtu mbase duhet parë edhe suksesi i propagandës naziste. Ajo, veç fjalëve, i ofronte popullit gjerman një projekt të tërë vital, një utopi. Për mua, krimi i vërtetë i popullit gjerman nuk është se pranoi këtë projekt utopik që është hutues e joshës, por sepse në asnjë rast nuk shtroi problemin e popujve që aktualisht banonin në ato territore e për më keq, pranoi propagandën naziste se ata janë popuj inferiorë e meritojnë të skllavërohen, e madje të zhduken. Se për të, Rusia kishte mbijetuar sepse qe drejtuar nga një klasë e zgjedhur gjermanike (mbase ka parasysh origjinën rregullisht gjermane të careshave), por tani që në pushtet aty kanë ardhur “çifutët”, kjo përligj pushtimin e saj dhe të vendeve kufitare me të. Dhe një ide të tillë ai e formuloi shume vite më parë se të vinte në pushtet.
Sociologu
Nëpër faqet e këtij libri mund të vëresh se atij nuk ka munguar talenti dhe syri i mprehtë i sociologut. Në këtë rast kam parasysh analizën që i bën shoqërisë vjeneze të periudhës kur jetoi, pra deri në fillim të L1B. Eshtë një mjedis dhe periudhë për të cilën ka lënë mjaft shënime dhe përshkruar shumë edhe S. Cvajg, veçanërisht në librin e tij Bota e djeshme. Kujtimet e një evropiani. Por tek lexon Hitlerin e kupton se përshkrimet e Cvajgut duhen kapur me pincë e duhen vënë në një kontekst të caktuar. Cvajgu përshkruan Vjenën e tij, Vjenën gjithë varak të skenave teatrale, sallonet e njerëzve të shquar, festat mondane, flet për kënaqësinë dhe lehtësinë e të jetuarit në të, lehtësinë e të pasuruarit etj. Për të gjithçka shkonte si në vaj nën vështrimin dashamirës të perandorit Franc Jozef.
Vjena e A. Hitlerit është krejt tjetër gjë, është vendi i mizerjes e papunësisë, e njerëzve të pastrehë, e alkoolit dhe dhunës që bënte kërdinë, e njerëzve të papunë e të pa strehë, e grave që ndjekin pas burrat alkoolikë që t’u marrin paratë për bukën e fëmijëve. Pra një Vjenë që duket më afër së vërtetës. Por si lexues i qëmotshëm i të dyve, shpesh më është dukur se ata plotësojnë njëri tjetri (këtu e ndjej se të dy po rrotullohen aty ku janë). Kur Hitleri flet për grindjet e pareshtura të komunitetit çifut, pa dhënë shumë detaje Cvajg, na informon se është fjala për zallahinë që ka shkaktuar libri Shteti çifut i mikut të tij T. Herzl, kryeredaktor i Neue Freie Presse. Aty ai thotë se çifutët si popull nuk kishin asnjë të ardhme nëpër diasporë dhe se duhet të ndërtonin shtetin e tyre në Palestinë. Tamam, sherrin e madh që shkaktoi një ide e tillë, Hitleri me sa duket nuk e ka kuptuar dhe e sheh si shenjë të një kombi të padenjë, e një tufe krijesash inferiore. Në të vërtetë është fjala pë konfliktin e njohur midis sionistëve që e miratuan këtë ide dhe pjesës tjetër qe e kritikuan rëndë duke mos e kuptuar se përse duhej të iknin diku te një shtet hebre, të cilit nuk i njihnin as gjuhën, ndërkohë që ndiheshin mirë aty ku ishin.
Duket se Hitleri ka dijeni për botën e Cvajgut por ky fundit nuk ka asnjë dijeni për botën e Hitlerit e të mijëra të tjerëve si ai. Të paktën kurrë nuk flet për to. Diku, them se ata të dy edhe do të jenë kryqëzuar bashkë, mbase edhe mund të jenë përplasur te dyert e Burgtheater dhe do të kenë patur delikatesën t’i kërkojnë ndjesë njëri tjetrit. A. Hitleri frekuenton rregullisht operat dhe shfaqjet teatrale me paratë e kursyera, nganjëherë edhe duke qëndruar pa ngrënë, Cvajg detyrimisht do të shkonte të ndiqte shfaqjet e tij.
Në një mendje janë vetëm kur flasin për prostitucionin, por ndërsa Hitleri te Mein kampf e sheh atë si një plagë të shkaktuar nga çifutët, për korruptimin e kombit gjerman, Cvajg-u e trajton në një kuadër më zakonor e si etapë ku shtyhet një shoqëri që ndrydh ndjenjat, e gjitha kjo në dritën të e zbulimeve të origjinës së neurozave nga miku tij S.Frojd, por asnjëherë si plagë shoqërore. Këtu më duket se Vjena e Hitlerit me pabarazitë e saj sociale është më e besueshme se ajo e Cvajgut, i cili ç’është e vërteta më duket se ka vështirësi të depërtojë në thellësi të shoqërisë ku jeton, ndryshe nuk do të ishte vënë të lavdëronte edhe diktaturat latino-amerikane, ku emigroi duke ngjallur zemërimin e mjaft intelektualëve të kohës.
Ishte i majtë apo i djathtë?
Ja një pyetje që besoj se shumë vetë as që do të dëshëronin të dëgjonin.E megjithatë, problemi nuk është ndarë përfundimisht. Në fillim kam qenë i prirur të përkrah korrentin e studiuesve “strukturalistë”, ku rreshtohen edhe marksistët, që e shihnin ngjitjen e Hitlerit në pushtet si lojë të strukturave të rënda, kapitalit, ushtrisë, bankave. Por problemi është se që në krye e deri në shembjen e tij nazizmi nuk pushoi së qeni antikapitalist radikal e sistematik. L. Von Mises (ekonomist i njohur austriak) thotë që më 1944 se marksizmi dhe nacional socializmi kanë të përbashkët kundërshtimin e liberalizmit dhe mospranimin e rendit social të regjimit kapitalist. Të dy synojnë një regjim socialist. Më tej ai shton se tetë nga dhjetë pikat e Manifestit komunist u zbatuan nga nazistët me një radikalizëm të tillë që do të linte gojëhapur edhe vetë Marksin.
Edhe te Mein kampf, A. Hitleri thotë se ai gjithnjë i la të hapura dyert e partisë së tij për militantët komuniste, ndërkohë që nuk lejoi hyrjen në të të elementeve “borgjezë” të partive tradicionale. Aty nuk harron të tregojë se edhe ngjyrën e kuqe të sfondit të svastikës së tij, ua mori marksistëve (nuk përdor shumë termin komunist). Gjithnjë te Mein Kamp”, ai thotë : Lufta kundër financës ndërkombëtare dhe kapitalit të huazimeve është bërë pika më e rëndësishme e luftës së kombit gjerman për pavarsinë dhe lirinë e tij ekonomike. Goebbels, nga ana e tij fliste rregullisht për « bolshevizmin nacional » kur donte të tregonte pozicionimin politik të partisë së tij naziste.
Ndërkohë është e vërtetë që partia nacional-socialiste kur u ndodh ngushtë financiarisht, më 1933 u përpoq të afronte edhe elementë të klasës së industrialistëve dhe të së djathtës konservatore, por në asnjë rast nuk u vunë re ndryshime të programit të saj social e politik. Me të marrë pushtetin ai nacionalizoi krejt ndërmarrjet e mëdha të industrisë gjermane.
Ka historianë që kundërshtojnë këtë pozicionim shqetësues të nazisteve duke thënë se kjo ndodh vetëm kur krahasimi bëhet me sistemin politik që u aplikua në Bashkimin Sovjetik dhe se nazizmi nuk ka asgjë të përbashkët me komunistët demokratë si Roza Luksemburgu apo me atë që njihet si Komunizmi i këshillave (qe mori jetë në periudha të shkurtra si gjatë revolucionit gjerman 1918-1919, te Këshillat punëtore të Torinos më 1919, diçka edhe në Hungari më 1956).
Mund të jetë edhe kështu, dhe unë do të kisha dashur të jetoja nën një komunizëm të tillë, por ajo që njohu bota nuk është Komunizmi i këshillave por modeli sovjetik stalinist, që u shtri gati në gjysmën e botës.
Pastaj, besoj, kur dy të majtë hyjnë në konflikt, qoftë ky edhe i armatosur, kjo nuk e bën domosdoshmërisht të djathtë njërin prej tyre.
(c) 2018, autori.
Shkrim terheqes! Interesant edhe krahasimi me Cvajgun, vetem se ky i fundit eshte marre me shume me njeriun, ndersa Hitleri eshte marre me shume me popujt. Ndaj stonimi i pershkrimeve te tyre besoj eshte ne relate.
Persa i perket prejardhjes cifute te Hitlerit, kjo duhet te kete qene mjaft e njohur edhe nga ai vete, te pakten sipas disa emisioneve TV dhe filmave.
Kur shkruhet, sidomos tema te tilla delikate, duhet me u ruajt nga shumekuptimet qe marrin fjalet. Psh fjala i çmendur ka nje mije nuanca, sekushi i perdor i interesuar ose pa menduar shume. Psh kur thuhet se Hitleri eshte i çmendur, menjehere pyetja: ne ç’kuptim i çmendur? Me pixhama ne pavjon me koke katrore e veshtrim te humbur melankolik? Apo per te çfryre urrejtjen duke share nje person si rendom behet? Apo si person qe ka nje revelate? Apo si nje vizionar qe i pervijoset nje ide ne enderr apo zhgjender?
Pra shkohet nga nje skaj ne tjerin, nga pozitivja ne negative, nga i interesuar personalisht (nuk ka shume rendesi me vetedije apo pavetedije) ne hajt po them dhe un nje ide si gjithe te tjeret per Fyhrerin apo Stalinin, Enverin, Van Gogun. Duhet sqaru mire pozicioni i fjales, perdorimit te saj dhe perdoruesit te saj ne radhe te pare. Pak a shume si me aksiomat ne matematike, ndryshe nuk shkohet gjekundi.
Kete e kemi diskutuar disi tek tema e shahistit Fisher, qe u be shkak te zgjedh nickun qe shqetson koleget, por ndoshta ndonjerin e zbavit, shpresoj te pakten.
Shkrim i shkelqyer. S’mund te them asgje me shume se te tjerat i ka thene autori
Nje tjeter gje qe lidhet me pasaktesine dhe shumekuptueshmerine e fjaleve: çfar quhet e majte dhe çfar quhet e djathte me perkufizim?
Ky eshte nje problem i hapur dhe i rremujshem, nje forme tij gjendet dhe ne fund te ketij shkrimi qe e nxjerr Hitlerin dhe Stalinin njesoj te majte. Por hajde mbushi mendjen shumices antifashiste per kete teori qe i nxjerr kallup betejat e tyre gati njeshekullore.
Rasti eshte tipik per te pare se kush mbron ose levdon njeren prej tezava me siper: kush mbron se Hitleri ishte i majte, ka shume mundesi qe ka votu Trump, dhe kush mbron te kunderten, ka shume mundesi qe voton Obame. Dmth eshte rasti qe kam permed ne komentin me pare, termi ose fjala perdoret e interesuar, dmth nuk shkojme kerrkund me keto lloj teori pervçse rrasur brenda kutise se votimit.
Me fjale te tjera figura e Hitlerit, aq me teper e Stalinit, eshte e nje rangu madhesie qe nuk rroket dot, perveçse pjeserisht, nga politika. Duhen perdor te tjera parmetra per te matur keto lloj figurash. Eshte pikerisht figura e Hitlerit qe ka trondit sistemin klasik te ndarjes majte-djathte (qe tamam nuk eshte klasik, por eshte modern, sepse ka lind prej Revolucionit Francez). Mbas Hitlerit fillon zallamahia e interesave personale subjektive paraqitur si teza objektive me lloj lloj arsyetimesh sa majtas djthtas per te tregu se çfar eshte e majta sallake dhe e djathta mengjerashe. Stalini eshte maja e fenomenit, ndersa viti fatidik 1989 i ve vulen perfundimisht, tashme anarkia eshte totale, e megjithate vazhdohet me beteja sa majtas djathtas sepse anrkia duhet ushqyer duke i dhene me ngrene sa anej knej.
Tjeter fjale e dyshimte: i zoti. Po çfar do te thote i zoti? I zoti sepse di me fol bukur, i zoti se eshte presor ex katedra, i zoti se ka fuqi grushti, i zoti si i pari shtetit, i zoti se ka shume pare, se ka rregullu shume femna etj etj. Ka shume lloje te zotesh, dhe nuk eshte e thene qe kush behet Fyrer eshte vertet i zoti, biles sipas “Principit te Pjeter” perkundrazi, jane te pazotet qe ngrihen ne pozite:
https://en.wikipedia.org/wiki/Peter_principle
Nuk e dija ekzistencen e ketij Principi derisa nje dite e solli ne blog Ardiani. Nuk e dija te intelektualizuar si koncept profesoresh, por jo se nuk e kisha hasur ne jeten reale. Ka rrezik qe profesoret qe kane shkruar kete liber nuk e dine qe kjo ishte rutine gjate komunizmit. Kur nje drejtuesi i kerkonin nje “kuadro te mire” per ta vene ne nje post te larte, zgjidhte jo ate qe e meritonte, por ate qe urrente sepse nuk kishte menyre tjeter qe ta hiqte qafe. Kjo ndodhte rendom sidomos ne periudhen e ngritjes ne detyre me elemente te ardhur nga klasa puntore, te cilet arriten te pushtojne gjysmen e Byrose. Nje murtaje e vertete. Ishte kjo arsyeja qe u ndal si metode, “ata lart” e kuptuan se çfar luhej “aty poshte”.
“[C]ilësohet si psikotik, psikopat, skizofren, pervers seksual, paranoiak etj”
Mungon vetëm një cilësim që me siguri duhet ta keni hasur, por nuk e shoh ta cekni në shkrimin tuaj:
Narçist malinj (malignant narcissist).
Nuk e di mendimin e kolegut psikopati, por une nga ana ime nuk eshte se bere nje liste sharjesh e akuzash siç me erdhi per se mbari. Secili prej cilesimeve te mesiperme eshte thene ne nje kontekst te caktuar, deri edhe ai si pervers seksual (kur eshte fjala per disa marredhenie kurre te provuara me te mbesen Geli Raubal), apo qe nje patologji e tille mund t’i jete shkaktuar nga fakti se kishte vetem nje testikul (gje qe eshte ne raportin e nje komisionin ushtarak te rekrutimi). Ne te vertete nje gje e tille, nuk eshte verejtur asnjehere si shkak patologjish mendore. Ne çdo nje mije meshkuj ka disa te tille me nje testikul te pazbritur dhe kjo as nuk pengon nje jete te rregullt seksuale, perveç faktit se ne rastin e Hitlerit kjo i shkaktonte atij nje fare druajtjeje per t’u zhveshur lakuriq perpara grave. Por, dhe me kaq po e mbyll, ai ka te ngjare te kete qene i ndrojtur per nature. Ka disa burime qe e shfaqin te tille. Tani po me kujtohet rasti i ambasadorit francez qe shkoi ta takoje me 1933. Nisur nga fjalimet e tij, ambasadori kishte krijuar nje imazh tjeter per A. Hitlerin, por kur u ndodh vetem per vetem me te, u habit nga thjeshtesia e tij dhe e cilesoi si njeri te druajtur.
Siç e kupton, nje natyre e tille, qe kishte marre persiper ta nxirrte Gjermanine ne nje epoke tjeter, mund te jete gjithçka por jo pervers narcizik. Ruaja kete cilesim ndonje shefi a shefeje ndermarrjeje apo insituti qe po i presin fondet dhe kerkon viktima midis vartesve te tij.
Kam theksua karakterin problematik te perdorimit te fjales i çmendur (dhe i disa fjaleve te tjera) per te treguar karakterin problematik te perdorimit te fjaleve.
Me kerkon mendim tim nese ka qene i çmendur apo jo Hitleri. Varet nga çfar pikpamje e sheh. Psh nga nga pikpamja thjesht psikiatrike shen Francesku rezulton nje i çmendur sepse vrapon lakuriq ne bore, çvishet lakuriq para te jatit te tij dhe i hedh rrobat ne fytyre te te jatit ne mes te turmes ne shesh te qytetit.
Më duket se po diskutojmë për dy gjëra të ndryshme…
Nuk e kisha fjalën për një perversitet moral e aq më pak për një qerthull të ngushtë marrëdhëniesh. Jo se nuk ka interes njohja e të gjithë spektrit të narçizmit (Paul-Claude Racamier ka disa punime interesante për narçistin pervers që përmendni ju), por sepse narçisti malinj dhe perversi narçist janë dy kategori sa të ngjashme, aq edhe të ndryshme për shkallën e dëmit që shkaktojnë.
Be rregull Teuta, besoj se te kuptova me mire.
Per te dale ne konkluzione anti-Semite Hitlerit mund t’I kete mjaftuar vetem leximi I Bibles, qe mund t’ia kete dhuruar ndonje prift shkalleve te kishave ku flinte.Edhe pa e lexuar te teren, mjaft historia e Abrahamit dhe e Lotit, pastaj urdheresa se c’duhet bere me mishin e ngordhur apo ligji endogamik … Behet fjale per gjera esenciale. Formimi historic dhe kulturor sigurisht qe jane te rendesishem, por ne kete rast me shume ngaterrojne pune.
Ceshtja shtrohet a ka vazhduar historikisht populli hebre , deri ne kohen e Hitlerit te zbatoje motamo ligjin e Moisiut ; a kane qene realisht bij te Abrahamit ne kuptimin e modelit qe ai perfaqsonte? ; nese po atehere gjerat jane ndryshe.
Per te dale ne konkluza antisemite mjafton, dhe tepron, vetem fakti qe kryqzuan ate qe kishin 2 mije vjet qe e prisnin. Keshtu paguan ç’kishin per te pagu tek nje mesi psikotik, psikopat, skizofren, pervers seksual, paranoiak, qe te mos i ngelet hatri Teutes, edhe narçist malinj (sepse, siç thashe, benjinin e kryqzuan).
Aleks, Hitleri e njeh mjaft mire Biblen dhe ne kete liber i referohet disa here, pra e citon. Ne ese u perpoqa te theksoj se ai nuk mund te futet ne kete kategori. A. Hitleri nuk eshte nje antisemit i ndikuar nga famulltari i fshatit, perndryshe nje eksegjet i ditur do t’i kthente me kohe mendjen e do ta bindte se çifutet nuk jane me shume mekatare se te krishteret apo te tjeret. Por Hitleri nuk perfaqeson as te krishteret dhe as ata ta tjeret. Ai flet me krenari per “shtet racial” dhe po perpiqet te riperterije racen ariane. Dhe ne veshtrimin tim, problemi i çifuteve dhe i arianeve eshte si puna e njeriut te Neandertali dhe Homo sapiensit. Qe te jetonte njeri duhej te zhdukej tjetrit.Per fat te mire ishin “te tjeret” qe u ngriten dhe zhduken arianet (si koncept hitlerian) dhe kjo beri temundur mbijetesen e çifuteve.
Dasho, famullitaret e fshatit dhe prifterinjte e qytetit nuk jane marre kurre me shpjegimin e atyre rasteve biblike qe referova une, jo se s’i dine por se nuk kane tager per te pohuar negativitetin e pershkruar aty; jane gjera qe tundin themelet e kishes, edhe me shume bile. Jo pa qellim i permenda. Them se duhen lexuar njehere, pastaj eshte fare e lehte per t’i diskutuar . Historine e Abrahamit e ke ne fillim tek Zanafilla; edhe Loti po aty, ndersa Endogamine e ke tek urdheresat e Moisiut ; edhe punen e mishit te ngordhur po aty; them t’i hedhesh nje sy.
Sinqerisht nuk doja te hapja debat se njifemi, por nuk kisha nje adrese kofidente te te beja mesazh .
Asnjë koment nuk është fshirë. Ndonjëherë WordPress i kalon disa komente te lista e atyre që duhen moderuar; asnjëherë nuk e kam marrë vesh pse pikërisht, kur vijnë nga komentues që njihen nga faqja se kanë komentuar më parë.
Besoj se te kam kuptuar, por Hitlerit edhe pa keto qe thoni ju, nuk i kane munguar argumentet per te bere ate qe beri.
Historiani amerikan Richard Pipes (njohes i shkelqyer i Bashkimit Sovjetik dhe keshilltar i Ronald Reganit) në librin e tij “3 pse-të é revolucionit rus” eshte kategorik: nese bolsheviket nuk do e merrnin pushtetin në Rusi, Hitleri nuk do të kish mundur të merrte pushtetin në Gjermani, nuk do kish ndodhur Lufta e 2 Boterore, as dekolonizimi, as Lufta e ftohte.
Të njejten gje thosh edhe Bertold Brehti (edhe pse krejt i kundert për nga bindjet me historianin amerikan) : fashizmi nuk eshte e kunderta e demokracise, perkundrazi eshte zgjatim i saj në kohe krize.
Të dy kanë thene të njejten gje, edhe pse ideologjikisht të kundert.
Kiniditar, nje ide e tille ka lindur qe ne radhet e disidenteve ruse aty nga vitet ’60. Kur shume bolshevike rreshtonin fitoret e rrevolucionit, ata (kam parasysh Vasili Grossman) thonin se pasoje e tij direkte ishte lindja e fashizmit.
Historiane te diteve tona shkojne me larg. Pasoje e para revolucionit rus eshte puçi i Musolinit dhe ardhja e tij ne pushtet. Duhet te jete e vertete se’ ne ate kohe ishin krijuar ne veri, Torino, qelizat e komunizmit te keshillave dhe po te mbash re Musolinit flet pareshtur per rrezikun bolshevik, qe e frikesoi shume mbretin dhe e shty t’i lere vendin ne dore. Nen shembullin e tij Hitleri provoi edhe ai nje grusht shteti ne Munih, por nuk eci, Gjermania kishte probleme por nuk lejonte nje anarshi te tille latine, aq me pak nje marrje pushteti ne rruge jo parlamentare. Atehere ai shoku iu fut punes, te pergatiste te rrenin ideologjik nepermjet librit te tij. Sapo zgjuhesha thote, zbavitesha per disa çaste duke veshtruar minjte levizjen e minjve ne qeline time dhe pastaj ngrihesha te shkruaja.
Mbase qe atehere njerzit nuk i dukeshin shume te ndryshem nga minjte…
“Atehere ai shoku iu fut punes, te pergatiste terrenin ideologjik nepermjet librit te tij.”
Vepra e Hitlerit gjendjen nje jeten e tij, ne praxis marksiste haha! Asnje person nuk ka krijuar levizje ne histori per merite libri te shkruar, por per mundin, djerse dhe gjakun e tij. Historine nuk e bejne profesoret, pavarsisht se historine e shpjegojne profesoret sikur e bejne ata. Jo rastesisht libri i prof. Hitlerit quhet “Jeta ime”, rasti eshte deshmia me me mire dhe krejt evidente se çfar po them. Dmth Hitleri veproi, pastaj shkroi mbi ate qe veproi ne praktike per ta perhapur si deshmi. Ndryshe libri i tij do te ishte mykur ne biblioteka si ndodh rendom me librat e profesoreve.
Ndersa mua me bën akoma me shume pershtypje thenia e Bertold Brehtit qe konfimon se, në aspektin ideologjik (të kohes, por jo vetem), Revolucioni i Tetorit eshte shkaku kryesor i krizes se demokracise (se asaj kohe), e për pasoje, edhe i lindjes se fashizmit (si zgjatim i saj – siç thote Breht).
Thene ndryshe, Revolucioni i Tetorit (ose me sakte, suksesi i tij, pra jo deshtimi) eshte “fajtori” (në thonjeza për Brehtin dhe pa thonjeza për Richard Pipes & co.) i lindjes se fashizmit: borgjezia ishte mesuar me deshtimet e perpjekjeve revolucionare (Komuna e Parisit etj). Suksesi i tij (sa réussite) e futi demokracine borgjeze në krize.
Nga sa kam lexuar, kam bindjen se shkaku i parë i nazizmit në Gjermani ishte padrejtësia e madhe e Versaille-s. Rusia u vetë-sakatos nga Revolucioni, por Gjermaninë e sakatosën Franca dhe Anglia.
Natyrisht, madje kur u diskutua se fundi per botimin e Mein kampf qe ra ne domen publik, pjese me e medhe e historianeve rane dakord qe libri te botohet pa frike duke thene me te drejte se pa sanksionet e Versajes, dekadencen e republikes se Wajmarit etj, libri i Hitlerit nuk ka asnje vlere. Por e verteta eshte se Franca u detyrua te fuse ushtrine ne Ruhr me 1925 qe te mbushte trenat e saj me qymyr sepse Gjermania nuk po paguante asnje demshperbleim. Ne te vertete ajo duhej te paguante rreth 4 miliarde marka çdo vit dhe pagesa ne mos gaboj duhej te vazhdonte deri me…1989. (Kuptohet pra se sa pak ka paguar, nderkohe qe me Republiken e Wajmarit pati nje reprise te mire ekonomike, para ardhjes se AH ne fuqi., por ketu nuk duhet harruar edhe kriza e 1929-tes dhe terheqja e kredive amerikane, qe ishin ku e ku me te renda se sanksionet e Traktatit te Versajes.
Me tej me Traktatin e Munihut dhe aneksimin e territoreve sudete (ne fakt ishte me shume se aq) edhe ato pak toka te Alzase Lorenes u kompensuan se tepermi dhe Hitleri deklaroi se me aq Gjermania ishte e kenaqur dhe nuk do te kishte me lufte.
Veçse ne Mein kampf ka nje plan tjeter per popullsine çifute te Gjermanise qe kishte vuajtur po aq sa te tjeret nga sanksionet, qe qartazi nuk ka te beje me sanksionet ne fjale (futet ne loje rreziku perspektiv i çifutit marksist apo çifutit qe fshihet pas marksizmit), nderkohe qe ideja e shtrirjes se terrtoreve gjermane deri ne kufijte e Siberise le te kuptohet se sa shume duhet relativizuar pesha e Versajes. Raportet kane ndryshuar. Ne skene kane hyre dy ideologjite totalitare.
Kokonozi, me siper jam munduar te shpjegoj problemin nese ka qene Hitleri ka qene i çmendur duke te thene varet nga çfare pikpamje e sheh ose çfar rrafshi. Psh sipas shume deshmitaresh (diçka te ngjashme ke sjelle dhe ti) nuk eshte i vertete Hitleri histerik i filmave qe dridhet e i bien jarget mbi musteqe, ai ishte krej normal, si gjithe te tjeret. Le ta konsiderojme se keshtu ishte e verteta, atehere Hitleri ne rrafshin psikiatrik nuk rezulton i çmendur. Mirpo Jezuin qe sipas deshmise biblike se ai shkonte ne nje cep te dhomes dhe fliste me Zotin, kishte vegim etj, çdo psikiater modern per kte lloj komportamenti do te therriste ambulancen: alo, alo, ambulanca! Jezui mrena ne pavionin e 17 me pizhama duke degjuar “zerat” e duke pire aperiodol me kavanoze.
Ta kam llafin qe nje person apo nje ngjarje nuk vlersohet vetem ne nje rrafsh por ne te gjitha rrafshet e mundeshem. Psh nje cilinder i ngritur ne kembe qiri, i projektuar ne rrafshin horizontal rezulton rreth, ndersa ne rrafshin vertikal rezulton drejtkendesh. Kjo si shembull qe mund te gabohet rende nese i vlerson gjerat vetem sipas nje rrafshi, qe ne vetvete nuk eshte i genjeshter, por ka nje te vertete te pjeseshme. Per te kap te verteten te tere duhet te kapesh vizionin e te teres. Ndryshe na del Hitleri burre i mire, ndersa shen Françesku, Dostojevskij, Jezui per tu mbyll ne çmendine.
E njejta gje per nazizmin dhe komunizmin qe nuk mund te vlersohen vetem ne rrafshin, ideologjik, fetar, politik, ekonomik apo diplomatik siç ne fakt po beni ju dhe kolege te tjere me siper. Ju edhe sikur te vertetat me te medha te sillni si argumenta per nazizmin dhe komunizmin te vezhguar vetem ne nje rrafsh, pa pas vizionin e te teres, dhe pa pa pasur jerarkine e rrafsheve te vezhgimet, do te rezultojne rrenat me te medha, cilidri do te rezultoje nje drejtkendesh.
Me siper po diskutohet per lindjen e komunizmit dhe nazizmit si me qene nje loje pingopongu. Mund te diskutohet ne kete menyre, s’ka ndonje te keqe te luhet ping pong ne fund te fundit, kalohet koha e lire. Por ama nuk arrihet kurrkund duke lujte pingpong.
Kadare ne nje ese a ne nje interviste, nuk jam i sigurte, rrefen disa deshmi personash te besueshem se Enveri ka marre pjese rastesisht ne mbledhjen e PKSH. Po kalonte rastesisht andej pari, ecte rrugices prane shtepise themelimit te PKSH, dhe nuk di per ç’arsye, me duket mungonte nje vote e domosdoshme ne tavoline, nje prej udheheqesve te njohur, e takoi dhe i tha te merrte pjese ne mbledhje. Qofte ndodhur keshtu, s’ka asnje problem qe rasti ka te beje ne histori, por “rasti” eshte vetem nje prej rrafsheve te vezhgimit, i cili ka vlere psh per te demaskuar rranat e historigrafise komuniste. Problemi eshte kur fillon e behet terkuze sqarimi i komunizmit ne Shqiperi nepermjet rastit: “Ptu, çer shonsi t’keq kemi mer jau! Kaloi Enveri e hongrem keq! Ah sikur te kishte kalu aty Fan Noli ose Zogu, kishim per t’ja hudh omel”.
Ky lloj muhabeti humoristik eshte per kafene. E bukura eshte se me ne thelb kete lloj muhabeti, ose me te ngjashem me te, me ndryshimin e vetem qe nuk jane humoristik, shkruhen libra nje mije faqesh, dmth zhduken hektare me pyej.
Ka një pasazh që më tërhoqi vëmendjen në këtë shkrim dhe konkretisht:
“Njerëzit duan ta paraqesin atë (Hitlerin) si të çmendur, thotë Schmitt, sepse po ta pranojnë si normal kjo tregon se te gjithkush prej nesh fshihet një diktator i përgjakshëm (gjë që është ca e frikshme, por jo fort e pavërtetë, theme unë.”
Për dikë që tejkalon caqet e normalitetit, zakonisht në të folurën e përditshme themi: ai është i çmendur, i marrë, i luajtur mendsh, i krisur, i lajthitur, i roitur, i shkarë, i tranuar, i mangët, etj.
Nga mënyra e perceptimit të thuajse gjithë përcaktimeve të mësipërme duket sikur lihet e hapur mundësia e kthimit në normalitet, p.sh. dikush që ka shkarë mund të kthehet në binarë përsëri, një tjetër që ka roitur ndoshta edhe mund ta përmbledhë mendjen (për analogji me bletët që, pas roitjes, i kthehen punës në zgjua normalisht) e mund të vazhdohet ndoshta me rradhë për të gjithë mbiemrat e mësipërm, me vetëm një përjashtim.
Ka vetëm një fjalë që është e ngurtë ndaj ndryshimit dhe ajo është: i mangët.
Për të mangëtin fatkeqësisht nuk mund të shpresojmë të jetë dikur normal, pikërisht sepse është i mangët dhe normal s’ka qenë kurrë. Që këtej edhe lidhja me spektrin e gjerë të narçizmit që e kam përmendur edhe më lart.
Ajo që Schmitt vëren kur pohon “se te gjithkush prej nesh fshihet një diktator i përgjakshëm”, ndoshta ka të bëj pikërisht me potencialin narçistik brenda pothuaj të gjithë njerëzve të konsideruar normalë, i cili mund të aktivizohet i ushqyer nga posedimi i pushtetit. Narçizmi ka shfaqje dhe nuanca të larmishme. Profesionistët e fushës zotërojnë një arsenal të pasur etiketash kontrastuese, si p.sh.: narçizëm i dëmshëm dhe i padëmshëm, i shfaqur dhe i mbuluar, individual dhe kolektiv, i trashëguar gjenetikisht, apo i ushqyer nga faktorë të jashtëm, etj.
Ndër të gjitha format, ajo më e pashpresa është narçizmi malinj, që shpesh konsiderohet si mangësi e trashëguar gjenetikisht e që në shqip do i përgjigjej përcaktimi “i mangët” dhe jo “i çmendur”.
Edhe pse është futur relativisht vonë si diagnozë (diku nga vitet ’80), në botimin e tretë të “Diagnostic and Statistical Manual of Mental Disorders”, apo DSM, siç i referohen rëndom, narçizmi manifestohet me një mungesë të theksuar empatie ndaj të tjerëve – “njerzit nuk i dukeshin shume te ndryshem nga minjte” – shkruani ju për Hitlerin.
Përsa i takon “grafisë” së patologjisë së tij, ka një numër shumë të madh psikiatrësh e psikanalistësh (ndër të cilët edhe Erich Fromm tek “The Anatomy of Human Destructiveness”) që kanë tentuar të hedhin dritë në shpjegimin e “rastit Hitler” nëpërmjet njohurive që ofron fusha e tyre, ku nuk mungojnë cilësimi narçist.
Megjithatë, termi “narçist malinj” është përdorur fillimisht në vitin 1992, nga Otto Kernberg dhe për ta aktualizuar rëndësinë e njohjes së tij, më poshtë mund të gjeni një artikull të Stephen Diamond, i cili sugjeron ndër të tjera bërjen e një testi psikologjik prej atyre kandidatëve që do të kenë fatet e vendit të tyre në dorë.
Kjo do të ishte e mundur sigurisht në një vend të lirë dhe jo atje ku ka zënë rrënjë një lloj seleksioni i qëllimshëm negativ.
https://www.psychologytoday.com/us/blog/evil-deeds/201608/the-malignant-nature-narcissism
Teuta, e morem vesh qe Hitleri ka qene narçisist malinj, pranohet pa problem, thene kjo me sinqeritet dhe bindje, jo formalisht per te kap mat me pyetje qe tani pason.
Na thuaj ndonje rast narçisisti beninj ne histori, po te kesh mundesi.
Mendimi jot apo i Fromit nuk ka rendesi shume, mjafton te percaktohet nje, qe te sqarohet me gjere problemi. Gjykojme me mire kur kemi perballe njeri tjetrit negativin edhe pozitivin.
Edhe mund të përgjigjem, por nuk më pëlqen të më fshihen komentet që janë jashtë teme.
E sigurte qe pergjigja nuk eshte jasht teme, jo vetem qe nuk je jasht teme, por je me thelle ne teme. Nese tema eshte per shenje minus, je ne teme me thelle nese flet per shenje minus. Ne ,mos qofshin temat te tera re bera per topalle.
Eshte bere shprehja “jasht teme” si kolere diktatoriale e perdorur nga te gjithe.
Nuk e kuptoj regimin tend nuk e kuptoj me cilin e ke, dhe ne keto raste eshte normale qe tjetrit t’i duket vetja fajtor, me cilindo ta kesh.
Nuk eshte nevoja per komente “nuk e kam me ty”, se pilafi eshte bere tani, e tani je vertet jasht teme.
“Njerëzit duan ta paraqesin atë (Hitlerin) si të çmendur, thotë Schmitt, sepse po ta pranojnë si normal kjo tregon se te gjithkush prej nesh fshihet një diktator i përgjakshëm (gjë që është ca e frikshme, por jo fort e pavërtetë, theme unë.”
——————————————————————————————–
Përbindëshat që kemi brenda
që jetojnë në çdo njeri
fshehur në pavetëdijë
Janë një thirrje atavike.
Përbindëshat që kemi brenda
Që bredhin në çdo mendje
janë instinktet tona të errëta
dhe në mënyrë të pashmangshme
duhet të merremi me ta.
https://www.youtube.com/watch?v=8WOmiuIRWvw
Gaber nje strofe e paska per shoqerine civile, sapo e vene re:
Jeta jonë civile
ideja jonë për drejtësi dhe barazi
bashkëjetesa sociale
është e kërcënuar
nga përbindëshat që janë substanca jonë.
https://www.youtube.com/watch?time_continue=9&v=jVAhTa26EFQ
Main Kampf ka marre formen e nje klishe-je te kultures moderne, “faqja” e pare e argumentit Reductio ad Hitlerum.
Hitleri ishte nje simptome e kohes.
Me mbi 200 mije vetvrasje ne vit, me mbi 80% to industrise ne gjendje jo prodhuese, me 6-7 miljon te papaune, me nje monedhe te pavlere dhe banka bosh, me “kryeqytetitn” e Europes per droge dhe pornografi, vetem nje i “cmendur” mund te merrte guximin e tu premtonte njerezve.se cdo gje do behej me mire po ta ndiqnin ate, se do kishin nje pune, do kishin nje shtepi, do kishin nje te ardhme, se familja do te ishte perseri plot me femije, qe do te edukoheshin ne shkollat, ne menyren me te mire, pa influenca qe demtonin shoqerine.. Vetem ta besonin e ta ndiqnin. Dhe ate e besuan dhe e ndoqen…. deri ne fund ( bitter end).
Une mendoj se me shume se sa Mein Kampf, nje liber qe tregon me nota te qarta personin mbrapa figures se Hitlerit, do te ishte ai me titutllin ” Biseda tavoline me Hitlerin”
…””At the end of four years, when I am up for reelection as Führer in 1947, I guarantee you that I will get 95 percent of the Jewish vote. I promise you. In fact, why be modest. I will get 100%.” …. tha.