Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

JASEMINI

Ia porositëm nusepashket në Ohio, në shtetin që nusepashken ka simbol të vetin. Jo se simbolet çoç na thonë, por sepse atje dukej të na drejtonin gjithë ata që më parë kishin pasur nevojë e konsumuar nusepashke. Jo, jo, nuk i blemë për t’i ngrënë tartare, dhe as për supë me nusepashke e vezë thëllëze; i blemë sepse jasemini i shtëpisë ishte sulmuar prej një insekti dashakeq e tinëzar, pa këmbë, trupi i të cilit ishte tërësisht gojë, thuajse i padukshëm e që hileqari fshihej ku më pak vërehej. Një lloj këpushe bimore aq aq e vogël, sa, mori kohë ta kuptoja që po ia merrte shpirtin jaseminit të hareshëm. Dallova një lëng ngjitës në dysheme një ditë. E lava. Të nesërmen e gjeta prapë. Atëherë ngrita kokën dhe s’mund të vinte veçse nga jasemini. Qante lot të sheqerosur? Iu afrova, dhe atëherë pikëzat e djallit kafshues nisën të përvijohen e i pashë që po ma hanin lulen nën gjethet e hajthme, nëpër nyjet e kërcinjve të hollë, mes të çarave të lëvores, nëpër lëkurën e trungut qendror si një miniaturë mështekne, ku nuk ishin! Nisa t’i luftoj duke pastruar një për një qindra gjethe, e pastaj kercejtë e hollë e ata më të trashët. Të nesërmen gjeja më shumë. Ajo qurre që prodhonin më jepte përshtypjen e një invazioni jashtëtokësor.

Jasemini pamje-liqeni, një bukuri e rrallë tropikale me lule pak si ato të portokallit e që çelin pa pushim gjithë vitin, është vështirë të rritet në klimën kontinentale të Illinois-it. Mos mendoni se është jasemini që gjejmë kudo në Mesdhe, bima kacavjerrëse shkurrore që mbulon porta e mure e që kur çel një herë në vit i jep diell e mirëz gjithë lagjes. Jasemini pamje-liqeni është i përmbledhur, i ngjan një peme të përmbajtur e të hijshme, më një të gjelbër të thellë marrosëse dhe me aromë që, pasi e thith, nuk ke dert të vdesësh. Pra jaseminin tim e kishin sulmuar, jaseminin gocë që kishte emër çuni. Jaseminin që vuante drama më të thella se ato që unë arrija të shihja; ndryshe nuk do mund të kishte ende atë erë hyjnore, edhe pasi e kishin mësyer djajtë veshtullakë. Luftova një muaj me insektin uzurpues kozmik. Nuk ia dola. Po ia merrte shpirtin. Kështu lindi ideja e nusepashkeve si armiq natyrorë të parazitit. Ishte fund-marsi. Kisha një javë pushim e shkuam diku për ca ditë të harroheshim. Tamam atëherë kishin mbërritur me postë nja 1500 nusepashke. Ishin ato agjentet e së mirës që do shfarosnin këpushën biologjike që kish hyrë pa lejë nën kurmin tim. Kur u kthyem, bukuroshet mezi lëviznin. Kandrrat e mjera pas kaq ditësh ishin si të mpira, e disa kishin vdekur. I hapëm me kujdes kutitë, i vumë nën e mbi jasemin, dhe pritëm. I kontrolloja çdo mëngjes. Këpushat shtoheshin, nusepashket vdisnin. Një shtresë me brumbujth të kuqërremtë, mollëkuqe i thonw diku, mbulonte tani dheun e vazos së madhe. Por nja dhjetë ia kishin dalë të jetonin dhe të lëviznin përtueshëm, si qenie që ende janë në hibernim, nëpër degëza e gjethe. I ndiqja në mëngjes e mbrëmje. I mendoja kur isha në mësim e në shtrat. I kontrolloja sa mundesha. Uroja që po hanin këpushat parazite. Por në fund edhe të sprasmet nusepashke ranë mbi shtresat e të tjerave. Një ushtri femërore dhe morale e mposhtur nën jaseminin vajtues! Nën një tjetër vështrim mund t’i konsideroje grabitqare e mashkullore, por para armikut që i kanosej jaseminit, vështrimi heroik ishte i vetmi i mundshëm.

E kështu erdhi maji. Jasemini lëngonte, por ende jetonte. E kisha marrë para 15 vjetësh. Ishte veç një vjeç e gjysmë atëherë. Sapo kishim hyrë në një shtëpi të re me dy kopshte të mëdhenj, një para e një pas shtëpisë. Asgjë e jashtëzakonshme, por me shumë gjelbërim, dhe hapësirë që unë të mbillja gjithë domatet dhe patëllxhanat që doja, të kisha të paktën dhjetë erëza mesdhetare, e të rrisja lule vathi, mëllaga e trëndafilë, lulet që adhuronte nona ime që më mësoi të mbillja e të doja lulet e kopshtin. Por nuk isha mësuar me lule dhome. Mbaja mend të shkretat lule shqiponje, fikuse e asparagus që rritnim dikur në Tiranën socialiste. Çdo shtëpi për të qenë duhet të kishte së paku një shqiponjë e një fikus. Apartamentet mjerane të familjeve pa oborre e kopshte, krenoheshin me lule-shqiponjën. Kështu pra, unë doja një lule-pemë për shtëpinë që ta mbanim brenda në dimër, që të ish e gjelbër gjithë vitin, të kishte lule gjithë vitin, dhe të më kujtonte Tiranën. E para gjë që im shoq bleu për shtëpinë e re ishte pikërisht jasemini. Dhe ma dhuroi mua. Ishte pemë dashurie. Shtatvogël ende, më i shkurtër se Lara ime bijë që sapo kish bërë dy vjec. Lara dhe jasemini po rriteshin bashkë. Ajo bimëz jasemini blerë në luleshitësin më të fismë të qytetit, gjithë hijeshi e të vetëndjerë, iu shtua një vargu lulesh për të cilat kujdesesha verërave; se dimrave acar në Illinois, i lija të fikeshin. Çdo pranverë mbillja lulet që nona më shumë donte: lule vathi shumëngjyrëshe dhe mëllagët. Trëndafilat i rezistonin paq dimrit. Vazhdoj t’i kem rregullisht në kopsht ende. Jasemini ama, kish një natyrë krejt tjetër, më delikat e namuzqar, si në kujdesin që donte, ashtu edhe në shpërthimet e luleve të bardha. Dhe, kur vinte vjeshta, hapej për të qoshja më e vlerëshme dhe e bëshme e shtëpisë në anën e murit prej xhami ku binte dielli dimërak gjithë ditën. Jasemini privilegjohej, sido që dashuri merrnin të gjitha lulet.

Në 2007-ën na u desh të rrimë në Europë për gjashtë muaj. Jasemini ndërkaq ish rritur e harlisur. Bukuria i kish marrë kot, e s’i pëmbahej. Kur lulëzonte i ndihej aroma marrosëse mu sapo hapej dera në cepin e kundërt të shtëpisë. Kush do kujdesej? Lulet e tjera do bënin si do bënin pa ne, dhe vdekja natyrale priste gjithë një-vjeçaret. Por jasemini nuk ishte dosido, dhe ashtu i kishte edhe ojnat edhe mëtimet. Jasemini, ky pamje-liqeni, nuk ngopet dot me ujë. Ai me sa duket është çfarë krijon gjethësinë e jashtëzakonshme në të gjelbër të errët, dhe ushqen lulet që s’pushojnë së çeluri gjithë vitin. Për jaseminin na duhej një kujdestar. Dhe gjetëm njeriun më të kujdesshëm e të organizuar që ndodhej përreth: Dianën. Jetonte vetëm 10 minuta larg nesh, kishte makinë dhe kohë, dhe doli vullnetare ta bënte këtë punë. Ajo do vinte e do i hidhte ujë çdo tri ditë. Hidhi ujë, sa mundesh – i thashë unë; jasemini do ujë me bollëk! Por Diana, që as dëm s’i bën kujt e as e keqe në mend s’i shkon, ia bënte adetet lules me kutin e vet. Diana është aq e kujdesshme dhe, të mos them koprrace, por dorështrënguar – pikërisht, e shtëngon dorën sa bën vaki i shkakton dhembje edhe asaj vetë shtrëngimi – pra Diana që edhe për vete kur e blen kokën e sallatës ia ndan gjethet tre e nga tre për çdo ditë të javës, “ujë sa mundesh” e kish përkthyer një gotë uji plot sa herë që vinte. Jasemini u tha për ujë, u zverdh, fletët i ranë, e u duk se mbaroi. Diana më çoi një email ku më lajmëronte fatin e keq. Ngulmova rishtas se duhej shumë ujë, shumë. Por masa dhe karari për Dianën është fuqi madhore që ridimensionon të gjitha fjalët dhe kuptimet. Shumë në kokën time dhe në atë të Dianës janë dy gjëra pa lidhje. Diana e mirë nuk puqej dot me nevojat e një bime tropikale. Tepërimet Diana nuk i njihte, por ato ishin mënyra e të qenit të jaseminit tim: tepër ujë, tepër dritë, tepër ngrohtësi. Për fat kish ardhur koha të ktheheshim. Unë iu futa të mjerit jasemin me llërë të përveshura. E krasita, e ujisja rregullisht, i ajrosja dheun, i hidhja ushqim. Trungut të bukur degëzuar në kurora të thata shumëkrahëshe i kish ngelur një tufë gjethesh vetmitare e të hutuara nga njëri krah vetëm. Dukej qesharak i mjeri jasemin. Treçereku i pemës ishte pa jetë. E pa jetë ngeli për shtatë vjet: një krah me gjethe, një krah i vdekur. Vendosa të ndërhyja më fuqishëm: e krasitja anën që harlisej rregullisht që ushqimi të shkonte në anën e tharë. Sa herë krijonte një degëz të re krahu i sëmurë, unë prisja një në krahun e kundërt. Lëngu i jetës do arrinte edhe atje. E, ashtu, gjeth pas gjethi, syth pas sythi e bisk pas bisku dega e madhe dimërake e jaseminit po mbushej e gjelbërohej. Në pak vjet jasemini nisi të ribëhej simetrik. E gjithnjë, dehës në lulëzimet e veta pa krahasim.

Ishte tamam atëherë kur ajo blanë famëkeqe njollëzezë, këpushat skuthe e syfshehura, e sulmuan. Gjetën momentin kur jasemini ndihej i dobët, në fund të dimrit e të një lëngate shumë vjeçare, dhe po e hanin të gjallë. Nusepashket ndoshta ca këpusha edhe i shfarosën, por asnjëherë nuk u ngjallën tërësisht. Ashtu të përgjumura ranë të vdekura shtresë pas shtrese mbi motrat e veta mbi dheun a vazos. Të mjerat i hoqa me lugë të madhe gjelle prej andej. Jasemini që me amëzën e vet më sillte njëheraz kopshtet e oborreve tiranase në pranverë mbushur me lule limoni e portokallesh, rrugicat me dorëzonja të fëmijërisë sa edhe vilat e bukura me jasemin kacavjerrës të Mondellos siqiliane, mund të mos ishte më, e të merrte me vete edhe gjithë këtë dashuri që përcillte në shtëpinë time. Por kish hyrë maji, dhe qielli qe ëmbëlsuar e rrezatuar. Unë ngulmoja se jasemini donte mjedisin e vet të natyrshëm ta hiqte qafe flamën që e pat mësyer, duhet ta nxirrnim nga dhoma ku dimëronte në oborr, habitatin e vet mes qindra luleve, pemëve e insekteve që po ringjalleshin. Im shoq ngulte këmbë që jashtë, i dobët si ishte, jasemini do sulmohej nga lloj-lloj parazitësh të tjerë ndoshta më hidhnakë se këpushat. Por gruaja këmbëngulëse ia doli ta nxirrte jaseminin në oborr. Nisa ta spërkasja me ujë e sapun çdo dy-tre ditë; i ndërroja dheun për të hequr qafe vezët e mundshme të lëna pas; i pastroja një nga një gjethet me dy gishta.

Tamam atë pranverë teksa luftonte të keqen e vet, jasemini lindi dy filiza të rinj. Mbinë një ditë papritur nga balta e vazos si dy bij të paditur por të mbrojtur nga kurora e mëmës mbi to. Prita të shihja në ishin jaseminë a ndonjë bar i keq. Kur dolën gjethet e para u bë e qartë që ishin dy bijëzat e jaseminit amë. Jasemini në ditët e këqia të dimrit, kur ndjeu se i kish ditët të numëruara, përgatiti të ardhmen e vet, me dashurinë dhe gjenialitetin që vetëm natyra mbart. I lashë të rriten edhe pak. Pastaj, nga fundi i verës kur kishin pak më shumë fuqi e kur jasemini amë duhej të rihynte brenda, i ndava në dy vazo të ndryshme. Ndërkaq jasemini mëmë ia kish hedhur së keqes, e krijonte bisqe të reja e lulëzohej si të ish një pemë e re dhe e vrullshme. Bimëza e dobët u dobësua e u vyshk që pa hyrë pranvera, por filizi më i fuqishëm sot është rritur e zbukuruar, dhe ka perfeksionin dhe shëndetin që nëna e vet nuk e pati kurrë. Nuk ka çelur ende lule por i rri lastar përballë jaseminit të madh si për ta bërë krenar. Këtë verë mbush një vit që kur së pari pa diellin. Tani kemi dy jaseminë, dy bukuri. Por dita po vjen të ikim me pushime, dhe një njeri na duhet për jaseminët. Një njeri që di t’u blatohet teprimeve.

3 Komente

  1. Një histori dhe rrefim i mrekullueshem në nje stil unik dhe të rrjedhshëm. Më shijoi çdo fjale. Pergezime Eda!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin