Duket sikur tepsi, kazan dhe timon kanë qenë kryemetaforat e kësaj fushate elektorale, të varfër në ide dhe të pasur në batuta; por ka edhe një fjalë tjetër që meriton të rreshtohet të paktën krahas këtyre të trejave: lojë.
Emri lojë në shqipe ka shumë kuptime, të cilat mbulojnë mes të tjerash ato të anglishtes game dhe play; duke shënjuar më parë një lloj veprimtarie kryesisht argëtuese, midis dy a më shumë vetëve, edhe fëmijë edhe të rritur; dhe më pas një ndeshje sportive, ku palët kërkojnë fitoren. Një tjetër kuptim themelor i lojë është ai i aktrimit, ose i çfarë bëjnë aktorët në skenën e teatrit dhe të filmit; dhe që këtej emri ka shënjuar edhe çdo orvatje për t’ia hedhur tjetrit, ose për ta gënjyer a mashtruar (trick), qoftë edhe nëpërmjet inskenimit; dhe më në fund, të dyja kuptimet themelore janë kombinuar në një kuptim të tretë, të diçkaje që nuk është serioze.
Brenda ligjërimit politik, lojë shënjon fillimisht manovrën ose lëvizjet taktike të një pale; por edhe përpjekjet për t’ia hedhur palës tjetër. Që këtej, janë të zakonshme instancat kur fjala përdoret për të shënjuar negociatat politike mes krerëve, zakonisht larg kamerave, si një formë allish-verishi, presioni a bixhozi.
Mjaft të lexosh ç’kanë shkruar mediat gjatë kësaj fushate, për të parë se gjithçka në lëvizjet politike të partive dhe të liderëve të tyre është reduktuar në lojë: loja me numrat, loja me votat në kuvend, loja me afatet, loja me listat e kandidatëve, loja me koalicionet, loja me fondet, loja me numrin 71, loja me kolegjin zgjedhor, loja me mandatet e deputetëve, loja e çadrës, loja me sondazhet, loja me KQZ; lojë bën edhe Edi Rama, edhe Ilir Meta edhe Lulëzim Basha. Palët luajnë, sipas rastit dhe kontekstit, me cingla, me kungulleshka, me porta të vogla; por krerët luajnë edhe me njëri tjetrin: loja e Metës me PD; loja e Ramës me Kokëdhimën; loja e Metës kundër Ramës.
Etosi ndaj lojës në mediat, por edhe i palëve politike të treta, paraqitet si tejet mosmiratues: loja është zakonisht e ndyrë, e shpifur, e pështirë, e shtirur, teatrale; ose e kundërta e asaj që e kanë quajtur fair play. Në fakt, në shqipe loja mund të shënjojë edhe një game që luhet sipas rregullave të rrepta dhe ku kultivohet mes të tjerash edhe virtyti; edhe përpjekjet për të luajtur pa rregulla, ose për t’i shkelur këto rregulla në rastin e parë. Prandaj lojë quhet edhe ndeshja Angli-Argjentinë e vitit 1986, e vlefshme për Kupën e Botës; edhe goli me dorë, ose krejt i parregullt, i Maradonës në atë ndeshje – shqipja e lejon këtë ambiguitet, çfarë e përçudnon pastaj edhe perceptimin e publikut; deri në atë pikë sa publiku të pyesë nëse ka ndonjë kuptim të flitet për fair play në politikë.
Edhe vetëm kaq do të mjaftonte, për ta vënë në krizë etikën.
Metaforat sportive në diskursin politik kanë histori të vjetër – dhe janë, në analizë të fundit, më të pranueshme se ato luftarake: është më mirë që fitorja të krahasohet me një fitore në sport dhe kundërshtari të trajtohet jo si armik, por si oponent. Megjithatë, shumë instanca të lojës në ligjërimin e tanishëm të mediave shqip nuk kanë të bëjnë aq me metaforën sportive, sa ç’i referohen dredhisë, të shtirurit, mashtrimit, strategjemës – çfarë kombinohet bukur me imazhin e politikanit si aktor, i cili luan në skenë atë rol që mendon se i sjell më shumë përfitim, pa u shqetësuar për të ruajtur sinqeritetin me qytetarët dhe zgjedhësit; por duke iu bindur vetëm skriptit që ia kanë hartuar strategët përkatës. Kjo lloj loje i kundërvihet, në fakt, çfarë ndodh gjatë një ndeshjeje sportive – ku shkelja e rregullave, mashtrimet dhe marifetet jo vetëm që nuk lejohen, por edhe ndëshkohen me rregullore, në atë masë që nuk janë të rregulluara paraprakisht (si në poker).
Ajo lojë, e cila e shpërfill haptazi strategjinë për t’iu përkushtuar taktikës, duhet analizuar të paktën në dy rrafshe: në rrafshin e dukjes, i cili pritet që të hutojë kundërshtarin ose ta shtyjë këtë në gabim, ose thjesht ta gënjejë; dhe në rrafshin e qëllimit të synuar. Shtirja dhe teatri i përkasin nivelit të parë, ku një politikan jo vetëm kërkon të manipulojë reagimin e kundërshtarit, por edhe është i vetëdijshëm se po gënjen kështu edhe publikun, sa kohë që luan në publik (të krahasohet kjo me fjalën spiel të jidishtes, e cila ka hyrë edhe në anglishte, me kuptimin “një lloj ligjërimi pompoz, që synon të bindë dikë ose të shesë diçka”). Dhe nëse është kështu, atëherë roli që i kanë dhënë vetes mediat, është që, pasi ta kenë përcjellë lojën në hollësi, ta shpjegojnë pastaj këtë lojë obsesivisht dhe spekulativisht, duke i kushtuar netë pas netësh debate të zgjatura në TV dhe mijëra e mijëra fjalë në artikuj analitikë në print dhe në Internet me javë të tëra.
Në vetvete, edhe kjo e deformon si politikën vetë, si rolin “ndërmjetësues” të mediave; sepse loja e politikanëve me njëri-tjetrin nuk mund dhe nuk duhet të lejohet të kapë vëmendjen kryesore të publikut; sidomos në kurriz të temave të mëdha që prekin drejtpërdrejt jetën e njerëzve, si ato të ekonomisë, të shëndetësisë, të mjedisit, të arsimit dhe të kulturës.
Për këtë fushatë është thënë tashmë se ka qenë tejet e varfër në përmbajtje dhe në programe dhe se palët nuk kanë pasur ç’t’u ofrojnë qytetarëve, veç personaliteteve dhe karizmës të liderëve përkatës; në këtë rast, mediave u ka interesuar drejtpërdrejt të përqendrohen në shpjegimin e lojës, meqë ashtu mund edhe ta detyrojnë publikun që, në vend që të marrë pjesë aktivisht në fushatë, thjesht të argëtohet me të, duke ndenjur i ngulur pas ekranit. Kështu edhe të gjithë kthehemi te kuptimi themelor i lojës në gjuhën shqipe, si një veprimtari së cilës nuk i mungon përmasa argëtuese.
Një publik që ftohet, madje trajnohet që ta ndjekë fushatën elektorale si lojë, do t’u dorëzohet edhe instinkteve të tifozit, të cilat në politikë i shërbejnë jo aq besnikërisë individuale të zgjedhësit, sa përftimit dhe riprodhimit të turmave, të cilat votojnë për hir të përkatësisë, ose në mënyrë tribale.
Këtë raport në thelb pervers e konsolidon momenti kur shpallen rezultatet e zgjedhjeve, të cilat edhe nga emri sërish i referohen sportit dhe njëlloj edhe përcillen nga publiku; nuk është e rastit që për këto rezultate qëllon të vihen edhe baste. Në të vërtetë, “rezultati” më shqetësues i këtij metaforizimi sportiv të zgjedhjeve, nga ana e mediave, është që publikut vjen dhe i krijohet bindja se roli i tij në zgjedhjet është pasiv, prej spektatori ose sport-dashësi, që ndjek që nga shkallët e stadiumit ose para ekranit lojën e politikanëve në fushë.
Çfarë është edhe ekzaktësisht e kundërta e demokracisë.
Nganjehere lajmet e parendesishme zene vendin kryesor! Ne rreth 27 vjet pluralizem ne Shqiperi dhe rreth 8-9 here zgjedhje parlamenti, euronews-i ka dhene vetem tre here lajmin mbi zgjedhjet parlamentare ne Shqiperi! Cudia nuk qendron tek ky raport i dhenies se lajmit nga euro-news-i! Cudia qendron se euro-news-i mbush programin kur nuk ka me cfar ta mbush, si dhe ku ka urdher nga lart! Sepse kesaj radhe ishin zgjedhjet mw me pak interes, zgjedhje me te qeta (pa sherre dhe vrasje), zgjedhjet ku fituesi dihej pa u hedhur zari! Vete fakti i numrit te pjesmarrsve e tregon kete! Mirpo une nuk e kuptoj lojen e euro-news-it, qe si i ra mendja per zgjedhjet ne Shqiperi, kur ato i kishin harruar 4/5 e shqiptarve?!
Rama biles ka perdorur pa ndrojtje deri edhe fjalen shah (qe po ashtu eshte loje).
Besoj se eshte thjesht ceshtje sinqeriteti (naiviteti? cinizmi?) por jo problem sistemik (demokraci apo jo). Perndryshe, si ta shpjegojme faktin qe, nese nuk do ishte loja me gruan e Fijonit (Fillon – kandidatit të djathte francez për zgjedhjet presidenciale, shancet e të cilit për të fituar zgjedhjet, deri para nxjerres në drite të skandalit me gruan e tij ishin në masen 100%), Macron jo vetem qe nuk do ti fitonte ato, jo vetem qe parlamenti i sotem francez nuk do të për perbehej nga 60% macronistë (parti inekzistente deri para 6 muajsh!!), jo vetem qe parlamenti i sotem donte ish me 60% republikanë (të djathte) por dhe vete Macron, pa me të voglin dyshim (mjafton të shohesh sondazhet e dhjetor-janar 2017) nuk do të mund të kalonte as në raundin (turin) e dyte të zgjedhjeve!
Me të vetmin ndryshim qe Fransua Hollande, sigurisht qe nuk foli për loje! (aq me pak për shah) : po Franca, eshte apo nuk nuk eshte demokraci?
Ne Bizantin e shekujve te pare politika vendosej ne Hipodom, mes te verdheve dhe te gjelberve, atje niseshin edhe permbysjet e perandoreve, te cilet shpesh nuk i mbyllnin dot 2 mandate, atje masakroi edhe gjithe opoziten Justiniani i Madh, pasi mbylli dyert e hipodromit. Ne Turqine osmane, ne periudha te ndryshme politika behej ne harem apo ne kazermat e jeniçereve. Luigji XIV i mblodhi te gjithe ne Versaje, kurse Enveri i mblodhi te gjithe ne Bllok.
Tek ne ka nise zakoni qe politika te vendoset nga dy persona qe ulen e diskutojne si t’ua fusin 3-4 miliona te tjereve.
E kam fjalen qe loja e metaforat e ndryshme jane shume kurioze pergjate gjithe historise, mirepo tek ne s’ka me as loje e as metafore qe pershkruan dot situaten.
Situata jone ka hyre ne sezonin e parodise, me Ramen qe do te shpetoje bashkelojtarin e tij, Bashen.s’e ka nje marreveshje historike per shpetimin e Shqiperise.
Ashtu sikunder ne sot kujtojme historine, ashtu do na kujtojne, ja politika asokohe vajti ai bashke me ate dhe ua ngopen te gjitheve, njehere Sala me Ilirin pastaj Iliri me Ramen, pastaj Rama me Bashen, pastaj … (ngelet per t’u pare dyshja e radhes).
Pastaj normal qe do dalin edhe interpretuesit e demokracise, mirepo koha pergjithesisht i sharton deget e harlisura dhe stilizimet qe pretendojne te mbartin mendim politik.
Ne kemi hyre ne fazen e parodise politike, saqe tani te marresh seriozisht politiken eshte pune te marresh. Sot poltika me kujton filmin Idiokraci, keta te kepusin krahet se qe te besh kritike duhet te kesh diçka per te kritikuar, po a mund te kritikohet dot nje parodi, ky eshte problemi sot per sot. Ishalla ndryshon ndonje gje shpejt, perndryshe do te na duhet t’ia plasim te qeshures kur te shohim njerez ne hall, sa me ne hall aq me e forte e qeshura.
Demokraci thone, ketu eshte per t’u dhjere se qeshuri.