Kur e fyen një herë rëndë korbin, ky tha: veç mos më kaloftë poshtë degës ai që ma bëri.
Dhe ashtu e mori në sy të rrinte tek dega e vet e preferuar mbi rrugë, derisa një herë armiku t’i kalonte poshtë dhe ky t’ia lëshonte glasën proverbiale mbi kokë.
Ditët u bënë javë, javët muaj, muajt vite. Më kot ndenji korbi aq durueshëm në pritë, që t’i vinte ora për të marrë shpagën – sepse armiku sikur ishte zhdukur pa nam e nishan.
Dhe të gjithë atyre miqve e të afërmve që i luteshin e i përgjëroheshin të hiqte dorë nga kjo marrëzi, të zbriste nga dega dhe t’u kushtohej punëve të holla që i kanë hije një korbi, ky u përgjigjej hidhur: nuk luaj që këtej, pa u vënë drejtësia në vend.
Por i erdhi edhe korbit njëditëzaj pleqëria dhe sythet e këmbëve mezi e mbanin, teksa veshët e lanë, sytë iu përujën e iu turbulluan dhe lustra iu shkoq prej puplave.
Për faj të Alzheimerit që nuk i kursen korbat në moshë, yni s’po e mbante mend më pse e çonte gjithë ditën në majë të degës, por veç dinte që ashtu duhej bërë sepse ashtu kish bërë; dhe nuk kish ndërmend ta ndërronte rutinën tani në pleqëri.
Rrinte edhe atë pasdite nëntori duke fërgëlluar në ftohmë, kur rasti fatlum e solli që vërtet e më në fund t’i përhihej poshtë degës armiku.
Korbi e shqoi këtë me bisht të syrit, por me siguri nuk e njohu; kohët e fundit kujtesa po i bënte shumë lodra.
E megjithatë, mu kur armiku iu gjend pingul nën prapanicën e fishkur, korbit iu shpif një baticë peristaltike e befasishme, një kontraktim i rrufeshëm dhe alarmant, i kurorëzuar sakaq me një spërkël të qelbët e të ujshme që i fluturoi përjashta trupit.
Fatale u var kjo glasë madhështore poshtë, duke u spërdredhur spirale si mijëra e mijëra krimbat që kish kullufitur në jetën e vet korbi, për t’iu zgërlaqur pastaj në çaçkën e shogët armikut.
Ah, ah, ah – obobo i ziu unë, të më falësh, o zotëri i mirë, i tha këtij korbi, i turpëruar për vdekje e duke folur gjithë zor, nga fryma që i merrej. Të më falësh e të ma bësh kabull mua plakut, se më shpëton e nuk e mbaj dot ndonjëherë!
Dhe këtu shpërthyen duartrokitjet.