Kur ai bërtiste, asaj i dukej sikur kishte në dorë një libër të keq, pa vlerë, që nuk e kuptonte përse nuk e kishte hedhur tej prej kohësh. Mbase e kam të pamundur të përfytyroj gjësendi tjetër në atë hapësirë të bibliotekës, thoshte me vete. Pastaj ai i afrohej dhe e puthte ne qafë. Apo për këtë? – mëdyshej ajo…
Shefit tim të madh i pëlqente te dukej gjithnjë enigmatik, si një libër i ndaluar. Si ata libra që pasi i kisha lexuar vrisja mendjen për të kuptuar përse i kishin ndaluar.
Kaloj shpesh nëpër duar libra për të cilët kisha bindjen se nuk kishin ndonjë vlerë, por që së fundi u jap edhe një shans duke i lexuar edhe një herë. Pas atij leximi më duket se janë ata që më kanë dhënë mua një shans tjetër.
E dëgjonte dhe i dukej se ai po recitonte faqet e një libri, të cilit kurrë nuk kishte patur kureshtje t’i shkonte deri ne fund. Ulte kokën dhe mbante zi për kohën që ikte…
Shumë vetë kishin pritur rrëzimin e shtatores së diktatorit shqiptar për të flakur nga dritaret vëllime të tëra të atyre që njiheshin si Vepra të tij. Ato vëllime që i ekspozonin aq krenarisht në ballë të bibliotekave të pluhurosura familjare, e që me kohë kishin marrë vetitë e nuskave që i mbronin familjet nga fjalët e këqija të komshiut. Kur po ktheheshim një natë gushti në shtëpi, diku poshtë atij që njihej si pallati i oficerëve në rrugën e Durrësit, një libër i tillë fluturoi nga një dritare që u mbyll me zhurmë dhe si më kaloi në anë të veshit, shkoi e gjakosi keq në nofull S.H, me të cilin po ecja duke biseduar. Njiheshim prej vitesh dhe e dija mirë se ai jo vetëm që nuk kishte patur kurrë në shtëpinë e tij ndonjë vepër të diktatorit, por edhe kurrë nuk ishte ulur të lexonte ndonjë faqe të tyre. Më pa me dhimbje në sy e ma tha se gjithmonë kishte qenë i bindur se ai do ta përndiqte edhe pas vdekjes.
Dikur, kam përshtypjen se nga kujtesa nisen e shuhen ngadalë me qindra e mijëra libra të lexuara përgjatë viteve si për t’u përqendruar më mirë në kuptimin e përrallave të fëmijnisë.
Gjithmonë kur ndahesha prej tij, ndjeja nevojën të kruaja pak fytyrën, sikur sapo kisha shfletuar një libër të vjetër.
E dëgjoj së largu që flet dhe përpiqem të krijoj një ide se përse e ka fjalën, sikundër përpiqemi të marrim vesh të shkuarën e personazheve të një libri, të cilit i mungojnë faqet e para.
… Si një libër që e fshehim diku për ta lexuar në kohë më të mira, thua se po ta lexojë ndokush ndërkohë, ai nuk do të ketë të njëjtat vlera.
Kur e pa për herë të parë në metro duke lexuar një libër, ai bëri diçka që nuk e kishte zakon. Iu afrua dhe priti të lirohej një vend pranë saj. Një grua e bukur me një libër në dorë, për të ishte shprehje e një ndjeshmërie jo të zakonshme, e një shpirti të hapur. Çdo gjest i saj ishte mjaft i shlirët, familjar, thua se qe mbështetur te jastëkët e saj, të cilët kishte nevojë t’i linte dhe gjente aty. Vendi u lirua në stacionin pasardhës. Ai u ul dhe meqë stacionet po kalonin radhazi dhe nuk po e tërhiqte dot vemëndjen e saj, nxori të lexojë librin e tij. Kur u ngrit, ajo i buzëqeshi kalimthi, duke futur librin e saj në çantë. Ai u bind se ajo buzëqeshje vinte nga diku larg, nga shpirti i tij binjak, që nuk e kishte njohur kurrë, por që asnjëherë nuk i kishte humbur shpresat… Në ditët që vijuan u përpoq të kuptonte në cilin stacion kishte hipur dhe ku do të zbriste. Në fillim duke nxjerrë librin nga çanta dhe pastaj duke e kthyer atje ku kishte qenë. Në mes, në të vërtetë andej nga fundi, gjithnjë po ajo buzëqeshje. Tamam atë buzëqeshje ai e mori shumë seriozisht. Pak para fillimit të pushimeve verore gjithçka ishte gati që ta ftonte në apartamentin e tij të vogël. Kur në shesh pushimin e shkallës nxitoi përpara saj t’i hapë derën, ai nuk e kuptoi nëse asaj i pëlqeu apo jo mjedisi që iu shfaq, por pastaj e ngushëlloi veten duke thënë se nuk e kishte ftuar që t’i shiste apartamentin. Vetëm se mbeti pak i hutuar kur ajo nuk e pranoi gotën që i ofroi. Alkooli më shpërqendron në lexim, i tha. Ai harroi të pinte edhe gotën e tij, ndërkohë që me dorën tjetër mbante gjithnjë gotën e saj. Tamam atë gotë, ajo e shtyu lehtë me kurrizin e dorës dhe pasi bëri disa hapa nëpër kuzhinë e pyeti se ku ishte dhoma e fjetjes. Ai ia tregoi, por nuk u nxitua të hyjë pas saj, as menjëherë pas saj. Qëndroi pak në dritaren e kuzhinës duke ndjerë nevojën të tymosë një cigare. Pastaj shkoi në dhomë. E gjeti të mbështetur në jastëkët e tij, por duke lexuar librin e saj. Ishte shumë e përqendruar dhe praninë e tij e kuptoi vetëm kur shtrati u anua ca. Megjithatë vazhdoi të lexojë më tej. Atij iu duk se nuk ishte në dhomën e tij. Madje ishte gati të betohej se dëgjoi pak edhe zhurmat ritmike të metrosë dhe besoi se në stacionin e ardhëm ajo do të ngrihej të ikte, pasi t’i kishte buzëqeshur, duke futur librin në çantë. Kur gjysmë ore më pas, ajo nuk po e nxirrte hundën nga libri, ai u ngrit e shkoi të ulej në fund të shtratit. Mbështeti kokën në pëllëmbët e duarve dhe mori frymë thellë. Libri ishte fort i trashë dhe ajo natë premtonte të ishte fort e gjatë.
Librin te meson, e libri te c’meson, i thone kesaj! S.d.q., tregimi i bukur e i qete libri!