Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arsim / Politikë

MEDALJA KA (GJITHMONË) DY ANË

Një aktiviste e Lëvizjes Për Universitetin, spërkati me salcë jo më larg se dje mbrëma Ministren e Arsimit Lindita Nikollën në formë proteste në një event publik. Ky gjest, siç edhe u komunikua nga vetë lëvizja, ishte një akt simbolik kundër retorikës së ministres dhe reformës qeveritare në arsim, për të cilën ka patur jo pak debate dhe përleshje. Shumëkush e konsideroi aktin gjest të dhunshëm dhe të pahijshëm, ndërsa studentët u kundërpërgjigjën duke u shprehur se e dhunshme është sjellja e qeverisë ndaj protestuesve dhe mënyra si po imponohet reforma në arsim.

Të dyja palët kanë të drejtë. Kush më shumë e kush më pak është çështje tjetër. Konfrontimi fizik i të resë me ministren është gjest dhune. Fakti që është simbolik nuk e zhvesh atë nga dhuna. Nga ana tjetër, ofezat me të cilat protestuesit vazhdimisht janë përballur, së pari prej kryeministrit të vendit e pasandaj prej autoriteteve të tjera qeveritare, sikurse përleshjet fizike dhe presioni që është ushtruar ndaj tyre prej policisë së shtetit; prangosja dhe shpënia në komisariat e disa prej studentëve pas një sërë grumbullimesh paqësore, nuk është tjetër veçse dhunë e pastër, e zhveshur nga çdo lloj simbolike. Një përndjekje që u është bërë dhe vazhdon t’u bëhet zërave të lirë sa herë që këta kundërshtojnë vendimet dhe sjelljen e qeverisë.

Megjithatë ajo që mbart vlerë në këtë mes nuk është doemos fakti nëse gjesti ishte i dhunshëm apo jo, nëse u përdor salcë apo bojë, por arsyeja që e shtyu të renë të vepronte kësisoj. Pse ministrja u mbulua me salcë krejt papritmas në një aktivitet publik në qendër të Tiranës? Sepse që kur draftet për reformën në arsim i janë paraqitur publikut, këto kanë hasur në mosaprovim të gjerë, sidomos ndaj aspektit ekonomik të reformës. Ky mosaprovim është artikuluar në mënyrë dinjitoze, me argumente të paraqitura me shkrim dhe gojë; gjithashtu kryeministri është ftuar prej kundërshtuesve të reformës për të biseduar me ta; por ajo çfarë ndodhi ishte injorimi dhe fyerja e tyre. Madje u shkua deri atje sa edhe media i bojkotoi thirrjet; një media e cila duhet theksuar se po i krijon probleme të mëdha demokracisë në Shqipëri, pasi i mungon si objektiviteti ashtu edhe profesionalizmi. Dhe kjo prodhoi pastaj frustrim. Injorimi dhe shtypja morën menjëherë formën e një lëvizjeje civile protestuese, e cila dëshmoi të ishte e vendosur në qëndresën e saj për mbrojtjen e universitetit publik dhe arsimit, për mbrojtjen e as më shumë e as më pak pos se të ardhmes e dijes në Shqipëri.

Është e rëndësishme të kuptohet se kur komunikimi dështon, kur dialogu shndërrohet në fyerje, në arrogancë, në poshtërim dhe në përpjekje të vazhdueshme për t’i shtypur zërat e rebeluar në vend të një përpjekjeje të mëtejshme për t’i kuptuar ato, përballja e fundit do të jetë luftarake; mjeti i vetëm për komunikim do të mbetet dhuna. Nuk mund të pretendosh respekt apo vlerësim, kur i drejtohesh tjetrit me “sharlatan”, “idiot’’ apo ‘’i paaftë’’; kur në vend që të përpiqesh ta dëgjosh, i rras atij shqelmin dhe e degdis pa një pa dy komisariateve, sikurse ka bërë pushteti i tanishëm.

Do të ishte më e favorshme për të gjitha palët e konfliktit sikur qeveria të ndryshonte mënyrën e komunikimit me studentët protestues dhe të pushonte së injoruari ata. Këta të fundit janë pjesë e shoqërisë. Nuk mund të pretendohet se ky grup “thjesht nuk ekziston,” përndryshe protesta do të vijë në jetë në një formë që nuk ngjall kënaqësi për kënd. Qeveria nuk mund të ndërmarrë politika dhe të kalojë ligje nëse këto hasin kundërshtime sistematike në popull; qeveria nuk mund t’i njohë vetes pushtet të pakufishëm e ta manifestojë këtë me arrogancë dhe dashakeqësi ndaj qytetarëve; qeveria nuk mund të zgjedhë as injorimin, as ofendimin dhe as dhunën ndaj qytetarëve të saj si mjet për të krijuar bindje dhe rregull, përndryshe do të përballet jo vetëm me pakënaqësi të artikuluara në thirrje e britma por edhe me dhunë që ka premisa të shtohet.

Protestuesit nga ana tjetër nuk mund të pretendojnë të dalin mbi ligjin. Në rastin kur vendoset të thyhet ligji për të tërhequr vëmendjen e autoriteteve, s’mund të anashkalohen pasojat që e shoqërojnë një veprim të tillë. Konfrontimi fizik është vepër penale dhe e dënueshme. Nuk mund të kryesh një vepër penale me ndërgjegje të plotë dhe të pretendosh t’i ikësh dënimit apo ta zhbësh ligjin, vetëm pse mendon se kauza jote është e drejtë. Ligji në Shqipëri nuk funksionon njëlloj për të gjithë: ky është fakt. Sistemi është i korruptuar dhe i ngërthyer nga pushteti, ndërsa studentët protestues janë të zhveshur nga fuqia përballë këtij pushteti, çfarë do të thotë se vetëm duke i mëshuar ligjit, pushteti mund t’ia hedhë paq (siç edhe ka rezultuar). A është e drejtë kjo? Jo, nuk është.

Cilat janë pasojat e një kryeneçësie të tillë (nëse do të mund ta quaja rebelimin (edhe) ndaj ligjit kështu)? Protestuesit vijojnë të përfundojnë rajoneve. Shamata nuk duket të prodhojë gjë të re veç sensacionit mediatik dhe instrumentalizimit të ngjarjes nga secili kah partiak. Reforma në arsim vazhdon të integrohet; një reformë që po e shtrydh ekonomikisht klasën e mesme dhe të varfër; një reformë që po i çon ujë privatit duke e financuar këtë të fundit nga buxheti i shtetit dhe po e dëmton akoma më shumë sistemin e këputur arsimor, sidomos ndërmjet politikës për rritjen e tarifave studentore dhe kthimin e akademisë në qendër biznesi. Cili është qëllimi pas akteve të tilla që përsërisin vetveten? Çfarë u arrit pasi u godit kryeministri me vezë? Studenteve që e qëlluan iu hap proces gjyqësor, të cilin duhet ta ndjekin akoma sot dhe projektligji për reformën kaloi në Parlament. Çfarë u arrit pasi ministrja u spërkat me salcë? Aktivistja u dërgua në komisariat dhe qyteti u kaplua nga një tjetër potere e madhe.

Pavarësisht sa personale mund të jenë këto akte të qeverisë për shumëkënd, qasja emotive ndaj problemit nuk sjell dot zgjidhje. Në rastin më të mirë, krijon shumë zhurmë për asgjë; në rastin më të keq e thellon ndërlikimin. Cilat janë çështjet emergjente për momentin? Mijëra maturantë (nxënës të mirë dhe të shkëlqyer) kanë mbetur pa shkollë të lartë. Disa degë të universiteteve publike janë mbyllur dhe një pjesë e maturantëve të mbetur pa shkollë, janë detyruar të përplasen në dyert e universiteteve private. Tarifat ekonomike për arsimin do të rriten edhe më tej. Universitetet private do të gëzojnë ato para nga buxheti i shtetit që deri dje u shkonin universiteteve publike. Shumica dërrmuese e të rinjve nuk kanë asfare mundësi ekonomike të ndjekin shkollimin. A zhbëhet dot reforma? Nëse po, si? Nëse po, kur? Tani apo pas zgjedhjeve? Metodat e deritanishme për t’u dëgjuar nuk kanë rezultuar efektive. Ku është gabuar? Çfarë duhet të ndryshojë tek forma e protestës dhe aktivizmit në mënyrë që të shkohet tek ndryshimi i politikave?

Ndryshimi kërkon kohë dhe koha kërkon durim e gjakftohtësi. Politika mbi të gjitha, lyp strategji racionale, pothuajse si një lojë shahu të cilën në Shqipëri deri më tash e kontrollon kasta e politikanëve autoritarë.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin