Sikurse të gjithë ata që dinë shkrim e këndim – ose shkrim edhe më mirë se këndim – edhe protagonistët e jetës politike në Tiranë nxjerrin dhe përditësojnë rregullisht statuset e tyre në Facebook.
Nga Facebook-u, këto statuse e gjejnë pastaj rrugën në mediat dhe në forume të tjera madje deri edhe Parlament; rreth tyre debatohet dhe gjykohet masivisht; mund të bien qeveri ose edhe të nisin luftëra.
I shoh herë pas here këto statuse, sidomos të atyre pushtetarëve të ekzekutivit, veprimitaria dhe fusha e përgjegjësisë të së cilëve më intereson veçanërisht: Ministres së Kulturës Mirela Kumbaro, Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliajt dhe, natyrisht, Kryetarit të Këshillit të Ministrave Edi Ramës.
I shoh sepse e konsideroj edhe mediumin, edhe formën e zgjedhur, si mundësi potenciale të komunikimit të një pushtetari të lartë me qytetarët.
Për shembull, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj lajmëron rregullisht për punë të ndryshme që kryhen në Tiranë, ose për punë të tjera që do të kryhen; disa prej të cilave duken me rëndësi të madhe, ndërsa disa të tjera haptazi i përkasin në rutinën e detyrave të tij dhe të institucionit që drejton.
Madje jo vetëm lajmëron, por edhe shton komente të tijat për këto suksese dhe u sugjeron lexuesve mësimet morale që duhen nxjerrë, së bashku edhe me çfarë emocionesh duhet të provojnë, kur i marrin këto informacione: gazmend, ngazëllim, besim në të ardhmen, mirënjohje për fjalën e mbajtur, respekt për punën, vlerësim për kryebashkiakun dhe forcën politike që ai përfaqëson, e kështu me radhë.
Këto statuse si rregull ndiqen nga një numër i madh komentesh nga miq, dashamirës e mbështetës, të cilët thonë gjëra të tilla si “Bravo”, “Të lumtë”, “Vazhdoni kështu”, “Je yll”, “Ju shkoftë mbarë”, “Suksese”, “Je njish”, “Po bëni punë të shkëlqyer”, “Je gjigand”, “Komplimente”, “Je fantastik”, “Mos ndalo” e të tjera si këto.
Statuse të ngjashme gjen edhe në faqen e Ministres së Kulturës Mirela Kumbaro, ku marrin përparësi vlerat turistike-kulturore kombëtare dhe interesi specifik i Ministres, ose i zonjës Kumbaro si qytetare, për artistë dhe V.I.P.-a të cilët ajo i zgjedh të përfaqësojnë shijet e saj dhe kushedi edhe orientimin politik-kulturor të institucionit që drejton.
Për shembull, mu në mes të pështjellimit që shkaktoi dorëheqja e drejtorit të TOB-së, Ilir Kernit, Ministrja e Kulturës lajmëroi ndjekësit e vet për një shfaqje të Traviatës në Teatrin antik Chorégie d’Orange, ku do të këndonte edhe “ylli i operës” Ermonela Jaho – ndoshta për t’ua lehtësuar ndjekësve të vet (ose të Kernit) tronditjen që provuan, kur morën vesh për rrufenë në të kthjellët të dorëheqjes.
Përndryshe, edhe në këtë faqe flitet për projekte të Ministrisë që janë realizuar ose që do të realizohen; për gjithfarë aktivitetesh kulturore anembanë Shqipërisë dhe gjetiu; si dhe rimerren statuse të kolegëve të zonjës Kumbaro – si të kryeministrit Rama ose të kryebashkiakut Veliaj; të cilët nga ana e tyre rimarrin statuse të Ministres së Kulturës, që miqtë e dashamirësit të kenë gjithnjë diçka për të lexuar.
Përkundrazi, faqja e Kryeministrit Edi Rama, së paku këto ditë, është mbushur me fotografi rrugësh të reja dhe projekte shndërrimesh dhe ndërtimesh urbane, të tilla si parkingu nëntokësor në sheshin Skënderbej, projekti i rindërtimit të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, zemra e Rivierës – një platformë e re në “majën e Llogarasë”, rruga Levan-Shtyllas 4.1 km e gjatë, projekti për rindërtimin dhe zgjerimin e Bibliotekës Kombëtare, “Sfinksi i qytetit të Durrësit” i fotografuar në mbrëmje, projekti i Rilindjes Urbane për qendrën historike të Vlorës, rikonstruksioni i rrugës Lin-Pogradec, vështrim nga lart i Korçës së gjeneratës tjetër, rikonstruksioni i rrugës së fshatit Malbardhë në Kurbin, Dardha turistike me një rrugë të re, segmenti jetik i unazës së Vlorës, Tamara e transformuar e Malësisë së Madhe, mbjellja e pemëve në rrugën e re Lushnjë-Berat, rruga e re 12.8 km që lidh Qelezin (Pukë) me Rrugën Nacionale, shëtitorja e re 4 km buzë Drinit në Lezhë, rilindja e Pazarit të Gjirokastrës, rruga lidhëse me Peshtanin në Tepelenë, aksi i rindërtuar prej 29.8 km që lidh Iballën me Rrugën Nacionale, segmenti i rindërtuar Manati-Lezhë… Të gjitha këto vetëm gjatë javës së parë të këtij gushti (dhe pa llogaritur Tony Blair-in me zinxhir floriri në qafë). Edhe drejtori i Ndërmarrjes Rruga-Ura nuk do ta kish qarë kështu infomercialin përkatës.
Nuk di nëse ka ndonjë politikë a direktivë zyrtare, për ta udhëzuar të gjithë ekipin në pushtet si ta ndërtojë komunikimin me publikun në Facebook, apo ngjashmëria është vetëm a kryesisht produkt i seleksionit natyror midis mënyrave të shumta si mund t’i flitet publikut për diçka dhe ku inteligjenca dhe ndjeshmëria nuk e kanë kurrë të garantuar fitoren përballë pragmatizmit dhe paranojës ndaj armikut që përgjon nga ana tjetër.
Di, përkundrazi, që sa herë i lexoj këto statuse, nuk mund të mos mendoj për një formë brutale të propagandës të cilën e kam njohur dhe e kam përjetuar mirë, gjatë viteve të totalitarizmit.
Një mundësi e vyer, që u jepet pushtetarëve të sotëm, për të komunikuar lirisht dhe pa filtra me publikun dhe qytetarët, ka degraduar tashmë në një instrument thjesht propagandistik, që shquhet si i tillë që një kilometër larg.
Dhe sa më e dukshme të jetë natyra propagandistike e këtyre statuseve, që duhej të kishin natyrë personale, aq më pak i besueshëm bëhet informacioni i përcjellë prej tyre; sa kohë që lexuesi, madje edhe ai i statuseve në Facebook, është në gjendje të dallojë propagandën nga informacioni.
Me gjithë kërkimet që kam bërë, nuk më ka qëlluar të lexoj ndonjëherë, prej pushtetarëve që përmenda dhe të tjerëve, statuse të tilla, ku ata të pranojnë, për shembull, se një projekt i nisur prej tyre dështoi – sepse ishte planëzuar keq, ose sepse e bllokoi gjykata, ose sepse nuk u gjetën paratë, ose sepse u tërhoqën sponsorët.
Nuk më ka qëlluar të lexoj statuse ku ndonjë prej këtyre pushtetarëve të pranojë se ai vetë, ose institucioni i tij, nuk e kanë menduar mirë këtë apo atë veprim; se kanë gabuar në vlerësimin e pasojave negative të një projekti; se nuk janë këshilluar si duhet me qytetarët.
Nuk më ka qëlluar të lexoj statuse ku pushtetari të pranojë – haptazi dhe me dorë në zemër – se ka gabuar, ai vetë ose institucioni që drejton; se nuk e ka kuptuar mirë një projekt, ose ka ndërruar mendje, pasi është njohur me kritikën që ia kanë bërë të tjerët.
Nuk më ka qëlluar të lexoj statuse ku pushtetari ta paraqitë veten jo si një figurë kartoni dy-përmasore, nga ato që përshëndetin klientët në hyrje të dyqanit, por si njeri tri-përmasor, me dritë-hijet dhe ulje-ngritjet e veta; si njeri që edhe punon, edhe del faqebardhë në punën e vet, edhe ndonjëherë dështon.
Është pikërisht kjo mungesë hijesh dhe lëkundjesh, kjo mungesë e një reflektimi së bashku me miqtë, që i shndërron faqet dhe statuset e pushtetarëve në Facebook në diçka midis një tabele të emulacionit, stendave fotografike që ekzistonin dikur në murin rrethues të ambasadës koreano-veriore në Tiranë dhe një programi elektoral agresiv.
Njerëzit janë në gjendje të kuptojnë se shumëçka në Shqipëri nuk shkon mirë; dhe se për këtë një pjesë të përgjegjësisë e kanë dhe duhet ta mbajnë edhe pushtetarët e tanishëm – pavarësisht sa të përkushtuar që mund të jenë për të kryer detyrat e tyre dhe për të promovuar veten dhe njëri-tjetrin në publik. Prandaj, këta njerëz, që sa përfitojnë nga politikat e mira, aq edhe i vuajnë në lëkurë pasojat e gabimeve që bën ekzekutivi, kanë nevojë të dëgjojnë jo vetëm mburrje dhe lajmërime për arritje, por edhe mea culpa, reflektime, përsiatje dhe rrëfime të sinqerta, të cilitdo leader-i politik që ka zgjedhur, me dëshirën e vet, që të flasë për veten në publik.
Natyrisht, është në vetë natyrën e rrjeteve sociale, që njerëzit të paraqitin atje anën e tyre më “shkëlqimtare”, ndonjëherë edhe thjesht duke u mburrur; dhe këtu pushtetarët e Tiranës nuk bëjnë ndonjë gjë më tepër nga miqtë, moshatarët dhe ndjekësit e tyre, sa herë që promovojnë imazhin e tyre prej leader-i politik të suksesshëm, me çfarë të munden dhe si të munden.
E megjithatë, e kam të vështirë të përfytyroj veten duke nxjerrë një status në Facebook, për të lajmëruar botën mbarë se “Më në fund, e gjeta pse po më rridhte makina e kafesë!” ose “Dje i lamë perdet e apartamentit: çfarë kënaqësie, të rrish në një dhomë që i ka perdet të pastra!”
Prandaj, kur lexoj nga pushtetarët se bëmë këtë dhe atë, ndërtuam kështu dhe prishëm ashtu, e të tjera si këto, më shkon menjëherë mendja te fushata elektorale – meqë nis të dyshoj se të gjithë këta po e përdorin punën e tyre, të cilën e kanë marrë përsipër ta bëjnë dhe për të cilën paguhen mirë, si trampolinë për zgjedhjet e ardhshme a katapultë drejt një posti a detyre tjetër, edhe më të lartë.
Kështu do të shpjegohej edhe heshtja a mospërfillja, ndonjëherë në kufi të arrogancës, për ato çështje që publiku i konsideron me interes të veçantë; çfarë bëhet praktikisht e papranueshme, në rrethanat kur pushtetarët kërkojnë që statuset e tyre në Facebook të përdoren jo krahas, por për të zëvendësuar komunikimin e tyre me mediat.
Sikurse do të shpjegohej edhe vëmendja ekskluzive në sukseset herë reale herë të fryra herë imagjinare dhe toni reklamues, promovues, vetë-lavdërues prej përfaqësuesi të shitjeve apo cheerleader-i; fryma e përgjithshme prej selfie ose projeksioni i një atmosfere detyrimisht entuziaste deri në rrëmbushje; Rrjetet sociale mund të shfrytëzohen edhe për synime të tilla; por që mund të shfrytëzohen, kjo nuk do të thotë se duhet të shfrytëzohen.
Aq më tepër që askush nuk i detyron, këta pushtetarë kaq punëshumë, të jenë kaq me këmbëngulje të pranishëm në Facebook, për të folur rreth punës së tyre të përditshme (dhe aq më pak për t’u mburrur me të); përtej formatit të intervistës televizive, të cilit i ka dalë pak kallaji, ka edhe rrugë të tjera, institucionale dhe të rregulluara formalisht, për ta realizuar të njëjtin synim – duke filluar që nga komunikatat për shtyp dhe deklaratat e zëdhënësve përkatës dhe editorialet në gazeta; dhe në ndonjë rast edhe bisedat dhe fjalimet live.
Një pushtetar që e sheh me vend e ndonjëherë edhe thjesht guxon të nxjerrë statuse përditë në Facebook duhet të kujdeset që ta bëjë këtë me dinjitetin dhe përgjegjësinë që ia kërkon posti që ia kanë besuar.