Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Jurisprudencë

REFORMA DHE E DREJTA

Sërish u tha dhe u përsërit – deri në trushpëlarje – se reformën e kërkonte populli; duke sjellë deri edhe shifra karakteristike për regjime të tjera, që nuk kanë të bëjnë me demokracinë, të tilla si 90% e më tej; shifra që e bëjnë me turp demokracinë. Këtë të popullit e thanë politikanët, të cilët e kanë zakon të flasin mbarë e mbrapsht “në emër të popullit”, por e përsëritën edhe diplomatët e huaj, duke filluar nga ambasadori i ShBA-ve në Tiranë.

Por çfarë mendon vërtet “populli” në lidhje me reformën? Absolutisht asgjë, sepse hollësitë e reformës nuk i njeh askush, veç pak specialistëve që edhe ata mezi janë marrë vesh mes tyre. Nuk është madje e nevojshme që populli të ketë një opinion për çështje të tilla juridike procedurale të koklavitura, si teknikat e “vetting-ut”, sepse për këtë gjë ekzistojnë instrumente të tjera të titulluara për ta shprehur vullnetin e popullit; dhe nëse jo parlamenti, atëherë asambleja kushtetuese, sa për të sjellë një shembull.

Qarkulloi dje në mediat një video-reportazh ku një person me mikrofon pyeste manifestuesit e miratimit të reformës se pse kishin marrë rrugët; edhe pse kjo video nuk mund të zëvendësojë një anketë e opinionit, sërish të bën të mendosh; sepse tregon se “popullin” në këtë rast e kishin nxjerrë në rrugë partitë politike, në mbështetje të një drejtësie të cilën ky popull e kupton në mënyrën e vet, ose foklorike.

Dhe pikërisht: për faj edhe të prapambetjes në edukimin qytetar, por edhe të një tradite që është ajo që është, koncepti i “rrugës” për drejtësinë nuk ka shumë të përbashkët me konceptin modern, perëndimor, që mishërohet në Kushtetutë dhe në ligjet e tjera të shtetit. Njerëzit zakonisht e mendojnë drejtësinë si “shpërndarëse të ndëshkimeve” për fajtorët, të cilët “dihet se cilët janë”; me fjalë të tjera, njerëzit edhe kur thonë se duan reformë në drejtësi, e kanë fjalën, në të vërtetë, për reformë të ndëshkimeve dhe të ndëshkueshmërisë. Çfarë do të thotë se “populli” kërkon t’i shohë në burg fajtorët për të gjitha padrejtësitë që percepton se i bëhen dita-ditës. Nuk e ka gabim – por edhe le të mos e ngatërrojmë këtë me veprimtarinë e gjyqësorit.

Duhet ndarë, pra, folklori nga jurisprudenca; sepse sipas mendësisë foklorike, fajtorët i identifikon dhe “i kap” policia; ndërsa gjykatat shpërndajnë pastaj ndëshkimet përkatëse. Në asnjë instancë të këtij procesi identifikues nuk pritet të bëhet fjalë për të vendosur nëse një i akuzuar e ka kryer apo jo krimin për të cilin akuzohet; ose për të qëmtuar një të vërtetë juridikisht të mjaftueshme. Disa koncepte më moderne, si prezumimi i pafajësisë, as që kanë arritur të depërtojnë në mendësinë kolektive; dhe nuk kishin se si, sa kohë që askush nuk e vret mendjen si t’i popullarizojë.

I njëjti koncept foshnjor e ka gjetur rrugën deri në instanca më të larta, që duhej të kishin një koncept disi më të rafinuar për drejtësinë. Një eksponent i ekzekutivit shkruante dje publikisht, jo pa entuziazëm, se tani që u miratua reforma për drejtësi, nuk do të ndodhin më disa “skandale” si një gjyq i para pak kohëve, kur një gjykatë i paskësh dhënë të drejtë një privati, në konfrontim me shtetin.

Në fakt, pavarësisht nga skandale dhe vendime arbitrare të panumërta, çdo gjykatë që vendos kundër ekzekutivit ka bërë një akt që duhej përshëndetur – në parim; por me sa duket, për disa politikanë, drejtësia nuk është aq e varur sa duhet prej “shumicës parlamentare”; ose më keq akoma, kjo shumicë parlamentare është edhe “burim” i së drejtës. Konfuzion i plotë, sidomos po të kihet parasysh statusi dhe fibra morale e disa prej parlamentarëve të sotëm, të paktën ashtu siç i janë prezantuar publikut prej mediave.

U tha se reforma ishte diçka e mirë, që duhej të kalonte patjetër; dhe kjo u tha në të njëjtin kontekst me atë tjetrën, se reformën “e kërkon populli.” Nëse kjo nënkupton se gjithçka që “kërkon populli” është e mirë, atëherë kemi ngecur sërish në folklor – meqë kërkesat nga populli, edhe kur arrijnë të maten (sikurse nuk ndodhi këtë herë) varen nga shkalla e informacionit publik.

Mbetet për t’u shpresuar që reforma është vërtet e mirë (d.m.th. e nevojshme), për çfarë unë jam skeptik. Edhe sikur të krijohen rrethanat për ta pastruar vërtet gjyqësorin nga individët e korruptuar, këta do ta gjejnë menjëherë rrugën drejt parlamentit, çfarë do të thotë se në zgjedhjet e ardhshme duhen pritur një numër relativisht i madh ish-gjykatësish dhe ish-prokurorësh, që të “kandidojnë” dhe t’i kërkojnë votat “popullit”, për t’u zgjedhur në Parlament – me shpresë se do të siguronin ashtu një farë pandëshkueshmërie: e mira e këtyre është se do të jenë në gjendje të vetëfinancohen.

Sa për drejtësinë, kjo ka të bëjë edhe me ligjin; dhe ligji nuk duhet ngatërruar me atë që kërkon populli, sepse këtë as populistët më të pafytyrë nuk do të guxonin ta bënin; njëlloj sikurse ligji nuk duhet ngatërruar me procedurat formale, përfshi këtu edhe të shumëpërfolurin “vetting”, i cili nuk është veçse një emër i glorifikuar për atë çfarë kanë bërë, në jetë të jetëve, zyrat e kuadrit. Çudi si nuk u kujtua kush, me këtë rast, që të përmendte testin e poligrafit: me siguri ambasadori Lu do të kish dhënë ndihmesën e vet të menjëhershme edhe në këtë fushë të psiko-teknologjisë.


(c) Ky material është i mbrojtur me copyright. Ndalohet riprodhimi në media, edhe elektronike, pa lejen eksplicite të autorit.

4 Komente

  1. jo vetem kaq, por populli pikerisht tani qe keta rane dakord duhet ti ngreje veshet edhe me shume.

    Ne ate parlament kane votuar ILDKP, prokurorin e pergjithshem, ligjet per heqjen e imunitetit apo dekriminalizimin, dhe asgje nuk ka ndodhur qe te vendosen para ligjit personat qe kane miratuar koncensionet e deshtuara.

    Madje pikerisht ne ate dite qe shqiptaret “po i gezoheshin” miratimit te ndryshimeve kushtetuese, ndodhi te fillojne procedurat per ndertimin e nje porti te cuditshem ne Kavaje nga nje kompani me 100 sterlina pasuri. Pa nje studim fizibiliteti qeveria pretendon ca shifra te cuditshme, qe pritet punesimi i 70 000 personave dhe nje investim rreth 5 miliarde dollare.

    Po ne ate dite u miratua me shumice votash, edhe nga opozita, Arben Malaj si anetar i bordit mbikeqyres i Bankes se Shqiperise. Nje person qe eshte akuzuar me fakte se ka punuar per firmat piramidale ne 1997, ka perfituar nga korrupsioni i Arben Ahmetaj me kompanine Hermes qe vidhnin Telekomin perpara se te shitej etj. Dhe kuptohet qe PS jo vetem e ofron ne rradhet e saj, por edhe e mban large nga ndonje dem qe mund ti sillte per zgjedhjet e ardhshme.

    1. E pashë edhe unë lajmin për portin e Karpenit. Nuk u besova syve. Një vepër si ajo ka impakt të jashtëzakonshëm në territor – duke shkatërruar ekosistemin, jetën e banorëve që jetojnë aty, bujqësinë dhe kushedi ç’tjetër. Të jenë pyetur vallë banorët e zonës për këtë katrahurë? Pse nuk zbatohen edhe në Shqipëri ato procedura që janë rutinë në vendet e tjera të Bashkimit Europian në raste investimesh të tilla, meqë tani edhe kemi rënë dakord që do të adoptojmë legjislacionin e BE-së vullnetarisht, pa qenë pjesë e BE-së?

  2. Sepse m’u kujtua nje histori nga e kaluara e larget kur dikujt Sigurimi i hyri ne shtepi ne oren 2 te mengjezit per ta arrestuar duke i bertitur “miranden” e kohes: “Ne emer te popullit je i arrestuar”. Qyqari u pergjigj: “Mire, mire po populli po fle tashti”.

  3. Perqindjet e tilla nuk jane apriori turp per demokracine. Eshte e vertete qe populli nuk e ka idene per reformen, por ama 90%+ mbeshtet reformimin e sistemit. A do e sjelle kjo reforme reformimin e sistemit? Tek kjo pyetje calon perqindja, prandaj s’ ka as entuziazem pervec atij te shtirur te politikaneve ne televizor. Ka 25 vjet qe flitet per reforma ne cdo fushe po askund nuk shihet reformim, ne kuptimin qe te kapesh nje aspekt te jetes publike e te thuash ja ne kete fushe jane gjerat per se mbari. Vendi nuk ka nevoje per reforma ne leter, reforma me efekt 6 mujor, reforma per boten, reforma me efekt elektoral etj por per reformim. Te pretendosh se kjo do jete reforma qe do nise reformimin e vendit eshte nje iluzion i kendshem. Megjithate mund te mendohet se pasketaj gjerat ne drejtesi do te jene me pak skandaloze. Ose te pakten eshte nje shprese legjitime.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin