Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Admin

KARTON KUQEZI

Konkursin e organizuar nga UEFA, për një frazë motivuese që do të shkruhet në autobusin e secilit ekip pjesëmarrës në UEFA EURO 16 e fitoi, për Shqipërinë, “O sa mirë me qenë shqiptar!”, e cila rezultoi më e votuara nga fansat, duke ia kaluar, mes të tjerash edhe një vargu të Naimit (“Ti Shqipëri më jep nder.”) Një slogan, ky i joni, që pasqyron më së miri vetëdijen kolektive të tifozerisë së kësaj kombëtareje – pa çka se nuk është pa interes as për antropologun, sidomos në krahasim me sloganet e votuara për kombëtaret e tjera pjesëmarrëse: ja një ushtrim që ju ftoj ta bëni. Këtu doja veç të vërej se ky slogan yni njëfarësoj zyrtarizon edhe të ashtuquajturën “paskajore gege” me qenë, në kundërshtim me standardin; duke dëshmuar, mes të tjerash, edhe se kjo kombëtare futbolli përfaqëson më shumë kombin shqiptar nocional se Republikën e Shqipërisë, edhe pse nuk ishte nevoja për gramatikën, që ta merrnim vesh; sidomos po të kemi parasysh se nga vijnë lojtarët e këtij ekipi; por edhe se shumë nga entuziastët e kombëtares (pa folur për futbollistët vetë) nuk janë në gjendje të shprehen në shqipen standard; por kur na ka ndalur ne kjo ndonjëherë?

slogan-bicubic

Përndryshe, dhe në vend të propozimit të parakohshëm për ta shpallur gegërishten gjuhë zyrtare të tifozerisë kuqezi, dua edhe të shtoj se, ashtu siç është shkruar, “O Sa Mirë Me Qenë Shqiptar” i shkel haptazi rregullat e të shkruarit shqip, përfshi këtu edhe rregullat sado hipotetike të së shkruarit në variantin letrar geg, duke e përdorur shkronjën e madhe lirisht dhe liberalisht, si për të përforcuar krekosjen që përcjell, ose idenë se ne kemi fituar tashmë thjesht duke qenë shqiptarë. Ironikisht, futbollistët që do të udhëtojnë nesër me këtë autobus, ku të jetë pikturuar një mbishkrim që i shpërfill rregullat e shqipes, nuk do të guxojnë të shkelin, në fushë, rregullat e tjera, ato të futbollit; se ashtu do t’ua nxirrte kartonin arbitri. Ja një kulturë që e pranon lirisht arbitrimin në fushën e lojës, por që shpërfilljen e rregullave të gjuhës së vet e konsideron si të drejtë legjitime, madje si prerogativë e të qenit shqiptar. O sa mirë, pra.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin