Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media

A KANË UJË ATO BURIME?

Pas rrëzimit të helikopterit ushtarak në liqenin e Shkodrës, disa media raportuan se kompania prodhuese kish urdhëruar pezullimin e fluturimeve të këtyre helikopterëve “në të gjitha vendet e botës”, me gjasë derisa të verifikohej se aksidentin nuk e kish shkaktuar ndonjë defekt mekanik ose strukturor i mjetit.

Citoj nga lajmi i dhënë nga gazeta “Shqip”:

Shoqëria franceze “Eurocopter” ka urdhëruar pezullimin e të gjitha fluturimeve të helikopterëve “EC 145”, modele të ngjashme me mjetin që u rrëzua para pak ditësh në liqenin e Shkodrës, ku humbën jetën dy pilotët. Firma prodhuese ka marrë kontakt edhe me Ministrinë e Mbrojtjes Shqiptare, duke e urdhëruar që të pezullojë për një afat të pacaktuar të gjithë lëvizjet e helikopterit tjetër “EC 145”.

Një javë pas aksidentit ajror në të cilin dy pilotë ushtarakë humbën jetën, kompania franceze “Eurocopter” u kërkon autoriteteve shqiptare ta mbajnë të bllokuar dhe të mos e përdorin helikopterin tjetër derisa të zbardhen shkaqet e tragjedisë në Shkodër. Burime pohuan se për këtë kërkesë janë vënë në dijeni Ministria e Mbrojtjes dhe Prokuroria […]

[Ë]shtë pezulluar prodhimi i këtyre helikopterëve ‘EC 145’

Lajmi nuk përmban të dhëna se nga vijnë këto informacione, por flet në mënyrë abstrakte për “burime”.

Edhe TV Klan pat përcjellë një lajm të ngjashëm në faqen e vet, dhe pikërisht se:

Kompania prodhuese e helikopterit EC 145, që u rrëzua në liqenin e Shkodrës, ka kërkuar pezullimin e të gjitha fluturimeve me këtë lloj mjeti.

Eurocopter u ka dërguar një shkresë zyrtare të gjithë klientëve të saj, të cilëve u kërkon që ky lloj helikopteri të mos ngrihet në fluturim derisa të dalin shkaqet zyrtare të rrëzimit të helikopterit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Televizioni Klan mëson se një shkresë e tillë ka mbërritur dhe në Ministrinë tonë të Mbrojtjes. Aktualisht, Forcat e Armatosura kanë në përdorim dhe një tjetër helikopter EC 145.

Por deri, në sqarimin e asaj që ndodhi 6 ditë më parë, kompania kërkon që ky helikopter të mos ngrihet në fluturim.

Kërkesa është një masë sigurie, pasi nuk përjashtohet mundësia që aksidenti të këtë ndodhur si pasojë e një defekti teknik.

Eurocopter ka pezulluar gjithashtu edhe prodhimin e këtij lloji helikopteri.

Sipas “Panoramës”, lajmin se një letër e tillë pat mbërritur në Ministrinë e Mbrojtjes është përhapur nga “burime të Prokurorisë”.

Po a ka ekzistuar vërtet kjo letër?

Nuk ka ekzistuar, gjithnjë sipas “Panoramës” së sotme, ku përcillet një intervistë që Erald Deliu ia ka marrë përfaqësuesit të Airbus Helicopters, Claas Belling.

“Nuk është e vërtetë,” thotë Belling.

Ndërkohë, një kontroll në faqen e lajmeve të Ministrisë së Mbrojtjes, të titulluar plot ambicie “Newsroom”, nuk gjen asnjë njoftim për një letër të tillë (të paktën unë nuk gjeta dot; nëse është aty, e kanë fshehur shumë mirë); gjen, ndërkohë disa deklarata për shtyp rreth aksidentit.

Të bën përshtypje që në të gjitha këto deklarata, sikurse edhe në lajmet e dhëna nga mediat, kompania që e ka prodhuar helikopterin emërtohet “Eurocopter”; në një kohë që emri i saj i saktë sot është “Airbus Helicopters”.

Për ta përmbledhur: mediat lajmërojnë me bujë se kompania që ka prodhuar helikopterin u dërgon një letër të gjithë klientëve të vet, për t’u kërkuar pezullimin e fluturimeve; çka të paktën nënkupton dyshimin, nga ekspertët e kësaj kompanie, se helikopteri mund të jetë rrëzuar për shkak problemesh teknike (mekanike, strukturore); por një letër e tillë, sqaron një zëdhënës zyrtar i Airbus Helicopters, nuk ekziston.

Kush gënjen këtu? Kush dizinformon?

Natyrisht, gënjen kush përfiton nga hipoteza e defektit teknik të helikopterit; por nuk më takon mua që të vazhdoj me spekulime.

under_water-bsplineU takon mediave; duke filluar nga ato që dhanë lajmin për këtë letër dhe që, në çdo vend tjetër ku mbahet përgjegjësi për fjalën e lëshuar në publik, duhej ose të përgënjeshtronin dhe të kërkonin të falur, ose të tregonin se nga u kish ardhur ky lajm pikërisht, ose ta vinin Airbus Helicopters me shpatulla për muri (se mund të ketë gënjyer edhe ky Claas-i xhanëm).

Kjo do të kërkonte një etikë minimale të gazetarit.

Komunikimin e publikut për këtë ngjarje e rëndojnë edhe hipotezat dhe akuzat e formuluara në Facebook (!) nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili thotë se përcjell denoncime dhe letra që i vijnë në celularin e tij privat; duke luajtur në fakt rolin e një artisti performativ që teston – falas – imunitetin e komunikimit publik ndaj fantazive paranoide.

Këto “dokumente” nxirren në qarkullim në mënyrë të tillë, që të mos verifikohen dot, çka i mjegullon edhe më shumë punët.

Publiku, i lodhur tashmë me morinë e lajmeve që kundërshtohen dhe përgënjeshtrohen sakaq, nuk i konsumon ato si informacion, por thjesht për të kaluar kohën, ose për t’u argëtuar.

Në Tiranë ka edhe një Fakultet të Gazetarisë – të paktën një të tillë, ku japin mësim disa nga emrat më të njohur, që i sheh pothuajse përditë në mediat: në televizion, në faqet ueb dhe portalet, në Facebook. Vret mendjen njeriu nëse, këta burra me një barrë mend, a kujtohen ndonjëherë t’u mësojnë studentëve të tyre:

(a) Se çdo lajm që i jepet publikut ka nevojë të shoqërohet me informacion për burimin, ose të nënshkruhet nga gazetari që e ka sjellë në redaksi?

(b) Se kur bëhet fjalë për ngjarje të pashpjeguara ende ose plot enigma dhe palë të interesuara për ta fshehur të vërtetën, detyra e gazetarit nuk është të përcjellë çfarë thuhet poshtë e lart në Facebook, por ta organizojë informacionin në mënyrë kritike, duke e ndarë shapin nga sheqeri sipas rastit?

(c) Se kur një lajm i sjellë rezulton më pas i gënjeshtërt ose i pasaktë, atëherë për këtë që ndodhi duhet mbajtur qëndrim publik, duke kërkuar të falur dhe duke njoftuar për masat përkatëse?

(d) Se kur një institucion publik përmendet si burim i një lajmi që pastaj rezulton i gënjeshtërt ose i pasaktë, një përfaqësues i këtij institucioni që merret me shtypin, komunikimin ose marrëdhëniet me publikun duhet të shqiptohet zyrtarisht për këtë dhe ta vërë median përkatëse para përgjegjësisë?

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin