Gjatë këtyre ditëve kur një lëvizje qytetare dhe e shoqërisë civile po hedh shtat në Tiranë, pikërisht duke iu kundërvënë një projekti të Bashkisë për të ndërtuar në parkun e Liqenit, i jam kthyer herë pas here një dokumenti të pabesueshëm, të titulluar “Tirana 030” dhe të prezantuar si “një plan të ri lokal të përgjithshëm dhe një vizion strategjik për Tiranën si entitet metropolitan intensiv dhe policentrik”.
Dokumenti është hartuar nga Stefano Boeri Architetti, me bekimin e Bashkisë së Tiranës dhe në bashkëpunim me disa studio të tjera si UNLAB dhe vjen në trajtën e një prezantimi në PowerPoint, të shkruar në një anglishte llahtarisht të keqe: shiheni vetë për t’u bindur.
Nuk mund të trajtoj këtu temat, çështjet dhe problemet e një dokumenti 70-faqesh[1]; por vetëm do të ndalem në kontrastin midis “vizionit” të Stefano Boeri-t dhe asaj çfarë po ndodh realisht në Tiranë, të paktën ashtu siç po përcillet nga mediat dhe nga rrjetet sociale.
Dokumenti kërkon të gjejë një mënyrë për ta transformuar Tiranën në një sistem policentrik, ku sfera urbane, sfera bujqësore dhe sfera natyrore të gjejnë një drejtpeshim mes tyre. Dhe kush nuk do ta dëshironte këtë?
A mund të bëhet Tirana, pyet Boeri, një model europian për qytetin biodivers, jo-antropocentrik?
Dhe më tej, vazhdon ai, si ta kthejmë mbrapsht procesin e reduktimit të kompleksitetit dhe të shtojmë larminë e gjinive, specieve dhe kulturën e materies së gjallë?
A është e mundshme, pyet Boeri, të përfytyrojmë Tiranën periferike (“outer Tirana”) si një kopsht zoologjik të përmbysur, ose si një zonë të mbrojtur, ku gjallesat të mund të qarkullojnë lirisht, duke e lënë jashtë njeriun?
Dhe sikur kaq të mos mjaftonte për ta nxjerrë lexuesin mendsh, Boeri pyet akoma: Si të nxitim një proces të demineralizimit të ndërtesave? Si të krijojmë korridore biologjike brenda metropolit?
E kam të vështirë t’i risjell këto pyetje spekulative të një arkitekti të mirënjohur, pa dyshuar se mos ky tekst nuk është veçse një parodi, një hoax, një tallje e madhe me Tiranën, siç është sot dhe siç mund të bëhet në një të ardhme të afërt dhe afatmesme.
Herët e fundit që e kam vizituar qytetin tim (sepse Tirana mbetet qyteti im ndërsa boerët shkojnë e vijnë), kam konstatuar një larmi të pashembullt speciesh dhe racash të canis randagius, ose të qenve të rrugës; sikurse kam marrë me mend një lulëzim të paparë të bakterieve, dobiprurëse dhe të dëmshme, në plehrat e rrugëve dhe në pisllëkun e përgjithshëm, që nuk ka kursyer as ujin e pishëm.
Që këtej, më duket goxha rrugë e gjatë për të arritur tek ai kopsht zoologjik i përmbysur (inverted zoo) që përsiat Boeri.
Për autorët e këtij manifesti, projekti a vizioni, Tirana paska një problem të “reduktimit të kompleksitetit” të cilit i duhet gjetur zgjidhje, për të krijuar (how to realised thuhet atje, me një anglishte demenciale), një “ishull” me shkallë të lartë biodiversiteti; dhe për të promovuar shartime biodiversiteti.
Sa për demineralizimin e ndërtesave, këtu më duhet të dorëzohem dhe të them se nuk e kam të qartë se për çfarë bëhet fjalë; ndoshta për rritjen e gjelbërimit në fasadat, ndoshta thjesht për një lajthitje të përkthimit; dhe gjithsesi, për diçka që, pavarësisht nga kuptimi që ka, duhet “promovuar” gjithashtu; sidomos në lidhje me objektivin (f. 33) për t’i transformuar ndërtesat nga “konsumatore në prodhuese të energjisë.”
Dhe e gjitha kjo, në emër të de-antropocentrizimit të Tiranës; duke pasur parasysh se antropocentrizmi është besimi se “njeriu është specia kryesore ose më e rëndësishme në planet, për nga statusi moral ose nga vlera”; çka do të thotë se dëshira e Boeri-t & Co. është që Tirana të bëhet një model europian i një qyteti që nuk ka në qendër të vet njeriun.
Çfarë do të shpjegonte pastaj edhe kopshtin zoologjik të përmbysur.
Ky qytet i ri, që nuk ka në qendër njeriun, është “BIOTIRANA – A NON-ANTHROPOCENTRIC CITY”, i demineralizuar deri në kockë, ku “njerëzit të gjejnë një drejtpeshim pjellor midis sferës urbane, sferës bujqësore dhe natyrës, duke ruajtur dhe promovuar biodiversitetin e kulturave dhe të specieve.”
Ju kujtoj këtu, i bindur se do të jeni hutuar tashmë, që po flitet për Tiranën (BioTiranën).
Dhe këtu, dokumenti përmend, mes të tjerash ri-natyralizimin e lumit Lana, krijimin e një rrjeti parqesh urbane dhe hapësirash publike, një praktikë shkatërrimesh të shënjestruara, për të “liruar hapësirë” dhe për të ndërtuar “pocket gardens”, si pika diversiteti dhe plot të tjera buzzwords nga këto, përfshi këtu edhe promovimin e një programi të mbajtshëm të administrimit të pyjeve.
I lexon këto dhe të duket sikur po bëhet fjalë për ndonjë fushim rojesh pyjore në parkun natyral të Serengetit, jo për Tiranën, ku është grumbulluar gati gjysma e popullsisë së Shqipërisë; dhe me lagjet e saj karakteristike ku nuk ka pasur shtëpi pa një “pocket garden” me sa të duash biodiversity, që nga pulat deri te lepujt dhe guguftutë, që nga luleboret e lulesahatet te zerdelitë, shegët e portokallet, gjersa ia behën arkitektët dhe u dhanë dërmën, për t’ia hapur ashtu rrugën vizionit të Boeri-t, ose, në rastin konkret, l’arte di scoprire l’acqua calda.
Tani, po të pyesësh banorët e Tiranës të vjetër dhe të rinj, se çfarë duan të kenë në qytetin e tyre, do të përmendin mes të tjerash ujë të freskët dhe të bollshëm, gjelbërim të shtuar, shërbim shëndetësor adekuat, furnizim elektrik të vijueshëm, transport publik urban funksionues, trotuare të gjera, kanalizime funksionuese, bllokimin e ndërtimeve të reja dhe të spekulimit ndërtimor, rehabilitimin e mëhallave dhe të komuniteteve të gjymtuara nga zhvendosjet e popullsisë, shërbime cilësore të trajtimit të plehrave dhe të riciklimit, shërbime cilësore të pastrimit të qytetit, lehtësim të trafikut, vende ku të luajnë fëmijët, fusha sporti dhe palestra, kufizime të trafikut të rëndë dhe zona pedonale, qetësi dhe siguri; ndërsa në një të ardhme afatgjatë, kushedi edhe një shërbim transporti publik të nëndheshëm (metro), një sistem parkimesh në periferi të ndërlidhura me stacione transporti urban multimodale dhe ngrohje të shtëpive të banimit me gaz. Pakkush do të kujtohet për demineralizime ndërtesash dhe biodiversitet; ndërsa për de-antropocentrizimin askush.
Prandaj duke lexuar këtë dokument nga pozitat e një qytetari të shqetësuar për qytetin e vet, të krijohet përshtypja sikur ai është i shkruar në kod; ose përmban një gjuhë brenda gjuhës, me të cilën pushtetarët dhe starkitektët merren vesh mes tyre, kur duan që të mos i marrë vesh publiku; diçka si latinishtja që flasin mjekët, te koka e ndonjë qyqari që nuk i ka mbetur edhe shumë për të jetuar.
Natyrisht, biodiversiteti dhe de-antropocentrizmi synohen edhe në funksion të idesë që Tirana “të luajë një rol qendror në Ballkan dhe në cirkuitet turistike europiane”; ose model i një “lloji të ri turizmi mesdhetar, të mbajtshëm dhe aktiv”, përfshi këtu edhe “agroturizmin” në trojet rrethepërqark, të cilat troje “të jetë e mundshme të jetohen dhe të përjetohen traditat e bujqësisë dhe të biodiversitetit.” Ose, të idesë që Tirana të funksionojë si kopsht zoologjik, si treg rajonal, si qendër bio-mesdhetare e punës me dru, si urë gjeopolitike midis Europës dhe Lindjes, si kryeqyteti ballkanik i prodhimit të makinave, si “a metropolis that will become the first European capital with a percentage of electric vehicle” (një dreq e di se ç’duan të thonë me këtë), si tempull multi-fetar dhe seli festivalesh ndër-religjioze, si apoteozë e (bio)diversitetit, si fabrikë e artit folklorik, si plantacion i përhershëm për artin bashkëkohor, si magnet për agro-turistët dhe për artistët, kushedi edhe si spaceport për të dërguar anijet e para kozmike drejt Jupiterit ose, why not, yllësisë së Gaforres; me një fjalë, Tirana si gjithçka, përfshi këtu edhe biznesin parazitar por krejt fitimprurës të bullshitologjisë, përveçse si makinë për të jetuar mirë banorët e saj, tiranasit.
Që të mos harroj: në faqen 57 të këtij dokumenti madhështor, propozohet edhe “krijimi i një shtetësie shqiptare të përkohshme, për të lehtësuar dhe rregulluar rrjedhën e migrantëve nga Lindja e Mesme drejt Europës, me mbështetjen e European Structural Funds, Bankës Botërore dhe IMF.” Aferim, Boeri!
Të gjitha këto, në kontekstin e shndërrimit të Tiranës në “smart city.” Kjo e fundit, “smart city”, është një nga ato fjalë që sot e dëgjon në çdo forum dhe simpozium dhe konferencë urbanistësh, planifikuesish urbanë, arkitektësh dhe eurokratësh; aq sa po vjen duke e humbur kuptimin, për t’u shndërruar në një shenjë të vetvetes.
Me literaturë, smart city është një vizion i zhvillimit urban për integrimin e zgjidhjeve teknologjike të shumëfishta për informacionin dhe komunikimin për të menaxhuar asetet e qytetit; për të përmirësuar cilësinë e jetës duke përdorur teknologjinë për të përmirësuar eficiencën e shërbimeve dhe për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve.
Megjithatë, në gojën e bullshitokratëve të të gjitha ngjyrave, smart city është transformuar në një fjalëkalim ose numër PIN, për të hapur dyer bordesh, fondacionesh dhe organizmash ndërkombëtare; financimet prej të cilave shpesh veç kalojnë nga një xhep në tjetrin pa u përkthyer në ndonjë përfitim real për qytetarët dhe pastaj mbushin statistikat e summit-eve hiper-teknokratike globale, me mega-displays, live video-feeds dhe flluska të tjera shumëngjyrëshe psikadelike dhe psikotropike.
Dhe ka edhe më: po t’i besojmë dokumentit, një nga pyetjet që po e lë pa gjumë Boeri-n dhe grupin e tij është edhe: can Tirana become the largest Balcan [sic] Garden?
Kjo pyetje magjistrale, ndiqet nga një mori pyetjesh të tjera, që shtjellojnë koncepte të mjegullta të tipit: “how to re-allocate the permeable metropolitan areas of Tirana to an agriculture divided and heterogeneous in products and crops” [as që po marr guximin ta përkthej, 2Xh]; ose “how to imagine a new management of the feeding cycle using heterogeneous and proximal agriculture that can serve the system of public canteens… as well as a citizens community?”
E gjithë kjo frazeologji e dambllosur edhe për shkak të anglishtes së keqe me të cilën prezantohet dokumenti – dhe që tradhton mendjelehtësinë dhe arrogancën me të cilën i janë qasur projektit hartuesit e tij – ia shmang lexuesit vëmendjen nga fakti elementar që Tirana sot është qytet i sëmurë, ku administrata, për arsye të ndryshme dhe pjesërisht edhe të mirëkuptueshme, ende nuk arrin dot të sigurojë deri edhe minimumin e shërbimeve për qytetarin; një qytet kantier i hapur dhe i mbetur përgjysmë; i papërgatitur, nga pikëpamja infrastrukturore, për të përballuar shtimin dramatik të popullsisë nëpërmjet imigrimit të brendshëm, zhvendosjet demografike dhe sfidat e mëdha të papunësisë, emigrimit jashtë Shqipërisë dhe të jetërsimit të popullsive me prejardhje rurale që shpesh e përjetojnë urbanizimin si dhunë; një qytet europian, që përndryshe ende nuk furnizohet normalisht me ujë të pishëm, ku tarracave të pallateve po u këputen gjunjët nga pesha e depozitave të ujit të ndenjur, ku shërbimi i energjisë elektrike është po aq i çrregullt sa në një vend të botës së tretë në mos të katërt, ku zogjtë po humbin rrugën në fluturim për shkak të çakërdisjes së telave dhe të kabllove, ku bizneset dhe shërbimet janë armatosur të gjitha me grupe elektrogjene, ku rrugët dhe katet përdhese rrezikojnë të përmbyten pas çdo shiu që bie, ku ujërat e zeza ende përzihen me të bardhat aq sa edhe një kub i vetëm akulli artizanal në limonatë mund të të dërgojë në spitalin infektiv, ku as edhe auto-ambulancat dhe makinat e policisë nuk qarkullojnë dot për shkak të trafikut, ku ajri është nga më të ndoturit në Europë dhe sipërfaqja e gjelbëruar për banor nga më të ulëtat, ku popullsia ngrohet me energji elektrike; pra një qytet që lufton ditë e natë, në agoni, thjesht e vetëm për të qenë qytet.
Qytet i lirë, i hapur dhe i banueshëm për banorët e vet; jo kopsht zoologjik i kthyer përmbys dhe i demineralizuar. Qytet që ende ka nevojë të vendosë njeriun në qendër, para se të fillojë të shqetësohet për de-antropocentrizimin.
Në fakt pyetja e vetme e shtruar nga ky dokument “vizionar” duhej të ishte: Can Tirana become a normal European city? Por askush nuk të jep miliona euro, në përgjigje pyetjesh të tilla.
E kam lexuar disa herë dokumentin e përgatitur nga Boeri & Co. dhe të vënë në dispozicion të lexuesit të interesuar online; dhe asnjëherë nuk kam gjetur dot atje një referencë të arsyeshme ndaj realitetit të Tiranës, ashtu siç është sot; dhe aq më pak ndonjë shenjë dhembshurie, shqetësimi ose interesi human për qytetin dhe banorët e tij.
Shënimet e mia më lart i kushtohen vetëm pjesës së gjelbërimit dhe të biodiversitetit, në kontekstin e luftës që po bën sot Tirana, nëpërmjet përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe qytetarëve të angazhuar, për të mos lejuar ndërtime në zonën e Parkut të Liqenit.
Është pikërisht ky kontekst, që e nxjerr dokumentin në fjalë lakuriq, në krejt shëmtinë e tij radikale; dhe që dëshmon, të paktën për mua, se asnjë e mirë nuk do t’i vijë Tiranës dhe tiranasve, nga plane të tilla buoni per l’Albania dhe mendje të tilla të përndezura, që energjitë dhe vizionet e tyre narcisike do të bënin mirë t’ia kushtonin fantashkencës.
Sepse ky dokument nuk është plan për të ardhmen e Tiranës, por vetëm një provë e detyruar – njëlloj si provat e detyruara të gjimnastëve në Olimpiadë – se autorët e tij i kanë të gjitha kartat në rregull për t’u përfshirë në cirkuitet e mëdha ndërkombëtare, ku flitet një teknokratishte e koduar dhe ku shpërndahen dhe ri-shpërndahen vlerat e më shpesh pseudo-vlerat e një elite globale gjithnjë e etur për të marrë legjitimim nga elitat provinciale.
[1] Vincent Van Gerven Oi ka shkruar gjithashtu për këtë dokument; versioni i shqipëruar mund të lexohet këtu. Thotë ky autor mes të tjerash:
Është për t’u lutur dhe shpresuar qē ky nuk është kurrsesi një “hap i parë”, por një draft shumë paraprak, i rrjedhur në publik para kohe, i cili do të rishikohet tërësisht nga shumë persona, dhe që do të përkthehet, me qëllim që të përcjellë në mënyrë të pavarur (pa pompozitetin retorik dhe vetësigurinë e Boerit) qëllimin dhe shpirtin e këtij plani të ringjalljes urbane. Sepse nëse do të bazoheshim në këtë dokument, “vizioni” i Masterplanit Tirana 030 bazohet i gjithi në citime të gabuara, pyetje të paketuara si përgjigje, referime fallce, spekullime në ajër, data të gabuara, dhe mungesë totale të të dhënave objektive—me një fjalë, në vend të vizionit është verbëri. Ai është një demonstrim ngazëllues i zhargonit teknik dhe një shfaqje patetike e paaftësive përkthyese dhe të dizenjimit tipografik. Si ka mundësi që materialin nuk e ka lexuar askush për ta korrektuar? A nuk kanë patur fonde për një përkthyes profesionsit? Apo mos italianët, të vetëdijshëm për shterpësinë e këtij ushtrimi, kanë menduar thjesht se askush në Shqipëri nuk do ta vinte re?