Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë / Totalitarizëm

QYTETARË NË MËSYMJE (V)

Demalia flet në libër për murin rrethues të ambasadës – të asaj gjermane, ku ishte strehuar; por edhe për murin në përgjithësi, si shënjues të kufirit, si ndarës midis botëve, si masë betoni, së cilës shqiptari veç me kokë kish mundur t’i binte, për gati gjysmë shekulli.

Mure të tilla gjithnjë i kishin ndarë ambasadat, në Tiranë, nga qyteti përreth; për t’i kthyer në institucione të heshtura, gati si kuvende murgjish ose tempujsh të sekteve gjysmë-sekrete; vende që hapnin gropa në eksperiencën tonë të qytetit, sepse nuk mund t’i bënim dot tonat, madje as me imagjinatë. Çfarë të bën përshtypje, është se, edhe pas kapërcimit, edhe pas depërtimit, edhe pas shpërthimit me shembje siç veprohej qëmoti me kalatë mesjetare, ai mur ndarës kish mbetur i palëvizur – përkundrejt turmës që tashmë kish ndërruar vend, për të kaluar nga andej, në këtej. Për disa prej të ikurve, si në verën e 1990-ës ashtu edhe më pas, ky ndërrim vendi në raport me murin do të mjaftonte, ndoshta edhe do të tepronte; për të tjerë, arratisja do të duhej të shërbente si preludi në mos i shembjes së mureve, së paku i hapjes së portave. Kjo nuk do të ndodhte, me përjashtim të spektaklit mbarë-planetar të asaj çfarë ndodhi në Berlin; ku një mur i ngjashëm, që kish shërbyer si simbol dhe emblemë e luftës së ftohtë, u shemb brenda natës dhe ashtu shënjoi edhe shembjen përfundimtare të Lindjes komuniste dhe të ndarjes së Europës në blloqe të ndërkryera ndaj njëri-tjetrit.

Mirëpo me kalimin e viteve, shqiptarët në përballje me Europën dhe më tej, nuk arritën dot ta shembin deri në fund murin ndarës – dhe çfarë deri në fund të 1990-ës ishte një tel gjigant me gjemba, që rrethonte burgun totalitar të ideuar prej Hoxhës dhe të administruar me zell prej Alisë, më pas veç do të ndërronte formë, për t’u kthyer tashmë në një pengesë që ua ngrinte dhe ua nxirrte përpara shqiptarëve ana tjetër. Demalia përmend në libër tmerrin absurd të vrasjeve në kufi dhe pastaj dramën e përjetuar nga të gjithë ata që morën vendimin për të kapërcyer muret në Tiranë, pa e ditur nëse do të ktheheshin dot më në atdhe; por në fakt ka edhe një histori tjetër, që vazhdon me të njëjtat pamje gardhesh, turmash, policësh dhe paketash me ushqime, duke kaluar përmes kampeve të refugjatëve dhe për të arritur te kampet e “azilantëve” sot në Gjermani dhe gjetiu.

Frika këtu, dhe nuk është frikë e paktë, ka të bëjë me atë se mos, përtej izolimit që ia imponoi Shqipërisë regjimi totalitar; dhe murit vrastar të kufirit, të gjakosur nga qindra e qindra që lanë kokën, në përpjekje për t’u arratisur gjatë gjysmë shekulli komunizëm, ka pasur gjithnjë një mur tjetër, më abstrakt dhe më primordial, që na ka ndarë nga bota; dhe që dje merrte trajtën e mbylljes totalitare dhe të mitit të “kalasë buzë Adriatikut”, ndërsa sot trajtën tjetër, të refuzimit që i vjen Shqipërisë nga Europa; në kuptimin që qytetarët shqiptarë, përfshi këtu edhe ata të Kosovës sot, mbeten gjithnjë të tharkuar, edhe pse nuk po e dinë dhe as po e kuptojnë më se në cilën anë të tharkut janë. Ka një gjeometri, në konfigurimin e këtyre mureve, gardheve dhe pikave të kontrollit, që e kapërcen logjikën e gjeopolitikës; dhe që përkufizon krejt dramën tonë në histori.

Ndoshta edhe për këtë arsye 2 korriku është datë kyçe në historinë e Shqipërisë moderne; jo vetëm pse dha sinjalin e parë, që qytetarët e atij vendi nuk do ta duronin dot më gjatë zgjedhën policore të regjimit; por edhe sepse provoi se muret, të gjitha muret, janë të kapërcyeshme – dhe se hapi i parë drejt lirisë është ta besosh atë.

Se ç’ndikim pati kriza e ambasadave, në shtjellimet e mëvonshme politike në Shqipëri, edhe këtu mendimet ndahen. Disa mendojnë se regjimi, ose pjesa më dinake dhe reformatore e kupolës komuniste, ia arritën të largojnë nga vendi elementin subversiv, duke i dhënë vetes pak më shumë kohë, për ta organizuar tranzicionin sipas planit; të tjerë se 2 korriku u tregoi shqiptarëve në të dy anët e barrikadave se pushteti komunist, në Shqipëri, i kishte ditët e numëruara, mes të tjerash edhe ngaqë i mungonte vendosmëria për të vazhduar të ishte po aq ekstrem dhe i dhunshëm sa më parë.

Mbaj mend që një politolog italian i intervistuar aso kohe në RAI, pat thënë se “regjimet e këqia bien, kur kërkojnë të reformohen” – por nëse kjo ndodhi edhe në Tiranë, veçanërisht pas 2 korrikut, është e vështirë ta thuash. Për disa antikomunistë të vendosur, në Shqipëri dhe në diasporë, zhvillimet pas krizës së ambasadave shënuan një lloj regresi ose vonimi në reformat e shumëpritura, ndoshta edhe për shkak të reaksionit që erdhi prej krahut më konservator të atyre në pushtet. Edhe mitingu i madh në sheshin “Skënderbej” menjëherë pas largimit të së ikurve, që rikrijoi – me teknika totalitare tipike – kundër-turmën e refugjatëve, duke e lidhur arratisjen e tyre nga Shqipëria me ngjarjet në Kosovë dhe duke luajtur, si gjithnjë në raste të tilla, kartën patriotike, e konfirmuan këtë devolution.

Vetëm 2 muaj më pas, nga Shqipëria do të tërhiqej edhe personi që, për shumë shqiptarë, ishte i vetmi që do të duhej të udhëhiqte revoltën kundër regjimit: shkrimtari Ismail Kadare, i cili kërkoi strehim politik në Francë. Gjesti i tij, që gjithashtu u trajtua me ambiguitet të madh nga regjimi, po të shihet nga lartësitë e të sotmes, sërish dha rezultate të diskutueshme – meqë për disa Shqipërisë erdhi dhe i mungoi një Havel në momentin e duhur; ndërsa për disa të tjerë, përfshi këtu edhe Kadarenë vetë, shërbeu si coup de grâce për të gjithë ata që shpresonin se regjimi totalitar i Alisë dhe i teknokratëve të tij mund të mbijetonte njëfarësoj pa u bërë shumë lëshime kundërshtarëve. Në të vërtetë, Kadareja iku nga Shqipëria si i fundmi i dykorriksave, ose duke kërkuar dhe gjetur edhe ai strehim, në oborrin përtej. Edhe ai nuk e dinte, në atë vjeshtë të vitit 1990, nëse do të mund të kthehej më për së gjalli, në atdheun e vet.

Ndërkohë, Shqipëria po gatitej për dhjetorin, grevën e urisë të studentëve dhe themelimin e Partisë Demokratike; ngjarje këto që, për nga natyra e tyre dhe e njerëzve që u përfshinë në to, nuk i përkisnin më Tiranës, por mbarë vendit. I vetmi shqiptim i madh i kryeqytetit, në shtjellën e tranzicionit gjatë vitit 1991, do të ishte rrëzimi i statujës së Enver Hoxhës; një gjest me simbolikë të hatashme, por që gjithashtu u shoqërua nga pasiviteti – relativisht i pashpjegueshëm – i organeve të rendit, të cilat nuk ndërhynë në mbrojtje të krye-idhullit dhe totemit të regjimit. Do të ishte akti i fundit mirëfilli anti-komunist, në një Tiranë ku së shpejti politikës do t’i duhej të largohej nga rruga, teksa rruga do të pushtohej sërish nga turmat, që këtë herë zhvendoseshin drejt bregdetit, për të shkruar një faqe të re, të ngjashme me 2 korrikun, e megjithatë krejt të ndryshme.

Ngjarje të tilla fenomenale, si kriza e ambasadave në Tiranën e verës 1990, nuk do të kuptohen kurrë deri në fund; sepse është në vetë natyrën e tyre, që motivet e palëve të mbeten gjithnjë gjysmë të zhytura në enigmë. E vetmja që mund të bëhet, në rrethana të tilla, është që të flasin protagonistët, ose ata që me vendimet e tyre, me gjestet dhe fjalët e tyre, e bënë 2 korrikun që të ndodhë. Këtu qëndron, besoj, edhe vlera kryesore e librit “Guri i fundit i dominos[ë]” nga Ilir Demalia – meqë autori, që ka punuar për një kohë të gjatë me televizionin dhe kinemanë, arrin t’i japë lexuesit materialin filmik, ose atë që në anglishte e quajnë footage të atyre ditëve; sikur të dojë t’i thotë: “ja çfarë ndodhi, tani më thuaj ti se si i gjykon të gjitha këto.” Dhe, në fakt, askush nuk mund të vendosë rregull dhe logjikë, në shumatoren e motiveve, pasioneve dhe anktheve të atyre mijëra vetëve, që kapërcyen të pakapërcyeshmen dhe thyen, mu në mes të Tiranës të regjimit komunist totalitar, një nga tabutë kryesore mbi të cilat ishte ndërtuar pushteti: atë të paprekshmërisë së kufijve. Që nga ajo ditë, kufiri shtetëror i Shqipërisë do të shndërrohej, nga vijë transhendentale që ndante ekzistencën nga mos-ekzistenca dhe jetën nga vdekja, në një bezdi administrative dhe gardh mes dhjetëra gardheve të tjera, me të cilat të gjithëve ne do të na duhej të kishim të bënin, gjatë viteve që pasuan.

[fund]

2 Komente

  1. 1- Ka një gjeometri, në konfigurimin e këtyre mureve, gardheve dhe pikave të kontrollit, që e kapërcen logjikën e gjeopolitikës; dhe që përkufizon krejt dramën tonë në histori. – shkruan Xha Xhai.
    Mendoj qe ky lloj muri nuk eshte vetem per ne por europa e perendimi e ngren kete mur per te gjithe popujt “xhuxha”, njelloj per ne si per rumunet, ukrainasit, armenet, tunisianet,egjiptianet e siriane se fundi. Si ne kercim se larti, perendimi ul steken per keta popuj si faktor kur diskutohet nderrimi i nje regjimi me nje tjeter interes-ant, per ta ngritur serish me pas ( per gjigantet ,kinezet a ruset kurre!).
    2- Per Kadarene nuk e kisha menduar kurre si nje antikomunist, nuk me kishte dhene asnje arsye ne veprat e tija, por u largua si i mencur qe ishte sapo e kuptoi qe regjimi i kryente vete bisedimet me perendimin e s’kishin nevoje per ndermjetes.
    – Jam i te njejtit mendim qe keto qe shkruan ky liber jane emocionet e ndjesite e atyre qe morren pjese ne keto ngjarje e do shtoja qe nuk kane lidhje me historin per te njejten arsye te letrave te ushtareve per familjet e tyre ne llogoret e luftes se 2° boterore.

  2. Seri e vyeshme shkrimesh per nje liber, po mesoj ketu, po kaq te vyeshem.
    Mendoj se ne rrjeshtat e kesaj serie gjendet njera nga pergjigjet e mundshme per arsyet e tranzicionit te tejzgjatur dhe deri tani te pasuksesshem shqiptar si dhe per arsyet pse klasa politike dhe ne pergjithesi “elita” ne Shqiperi eshte e nje cilesie kaq ibret.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin