Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Udhëtime

HORROR ME BUXHET MINIMAL

nga Pllaka e Pionierit

(MILANO)

Ishte një natë dhjetori dhe binte shi i dendur, sepse kështu fillojnë zakonisht historitë e horrorit, dhe po ecnim me një shokun tim (ndjesë pastë nëse na ka lënë) duke u përpjekur të gjejmë një hostel për të kaluar natën.

Atë hostel e kishte rezervuar shoku im nga interneti sepse kishte lexuar kritika të mira në një forum udhëtimesh dhe ishte i lirë. Asgjë nga këto nuk është e vërtetë. Aq sa po ecnim, kaq po na rritej brenda nesh dyshimi për destinacionin tonë pasi shikonim se po largoheshim nga qytetërimi dhe po hynim në ca lagje të degraduara, pa drita rrugësh dhe kalimtarë me moral të dyshimtë.

Edhe në Milano njerëzit kanë vesin e keq që të ecin poshtë strehëve kur bie shi dhe, edhe pse kanë çadra, duan nga ty, që nuk ke çadër, të bësh në anë dhe të lagesh. Këta njerëz duhet të përfundojnë në kampe përqendrimi. Pasi u larguam me mirësjellje nga disa prostituta që u ofruan të na shërbenin për disa euro, madje edhe në ngricë, arritëm përfundimisht në hostel. Përshtypja e parë nuk qe mbresëlënëse. As e dyta. Disa zezakë kishin ndezur një zjarr brenda një koshi të madh plehrash për tu ngrohur dhe kur u afruam na pyetën çfarë ishim dhe çfarë kërkonim atje. As ne nuk dinim. Një tip monstruoz, si lojtar basketbolli në steroide që duhet të ishte kapua i tyre, shtypi zilen e hyrjes (po! kishte dhe të tillë) dhe pas një dialogu pasthirrmash u bind të na lejonte të hynim.

U futëm në një oborr dhe u gjendëm para disa vetësh të cilët duhet të kishin ndjerë të njëjtën habi me ne kur na panë. Pas gjasash habia e kishte origjinën në hashashin, era e të cilit mbulonte ambientin. Duke ecur midis skeletesh të makinave, biçikletave, mbase edhe njerëzve, arritëm ne hyrjen e hostelit. Na priti një i ri rreth njëzet e pesë vjeç që dukej i pirë tapë dhe vështirë kuptonim ça thoshte pasi ngatërronte anglishten me italishten (mbase edhe lombardishten), por nxorëm konkluzionin se në katin e nëndheshëm (ku gjetkë?) të godinës po bëhej reggae party, gjë që shpjegonte zhurmën enigmatike që po dilte prej andej sa edhe hashashin. E tërë ngrehina të sillte në mend ato ndërtesa të braktisura që i uzurpojnë anarkistët dhe çfarë kishim parë deri tani na e konfirmonte këtë. Duke ecur në disa shkallë të ngushta që kërcisnin në çdo hap arritëm në katin e parë dhe u futëm në një dhomë ku bëheshin rezervimet.

Dalluam brenda tymit “pronaren” e hostelit, Carlottën, një flokëkuqe të pahijshme që nuk duhet të kishte paguar shumë për të arritur atë ngjyrë, një djalosh me flokë kaçurrel, që në bazë të karakteristikave duhet të ishte irlandez dhe kërkonte edhe ai si ne një strehë për të kaluar natën, një të ri të inatosur para një kompjuteri dhe një qen që e shihte normale t’u hidhte putrat e tij plot baltë njerëzve të panjohur. Me nëntë në dhjetë fjalë si cazzo, i riu në kompjuter konfirmoi rezervimin tonë dhe i tha të riut tjetër të na shoqërojë në dhomën tonë. Na tha madje se ishim të ftuar në party meqë do kalonim natën atje. E refuzuam me mirësjellje ftesën me pretekstin se ishim të lodhur (dhe vërtet ishim) dhe u gëzuam që nuk insistoi. Çantat tona i lamë atje në dhomë në një mal me bagazhe të tjera dhe na premtoi se nuk do t’i ngacmonte njeri.

Pasi ecëm në një korridor të nxjerrë nga filmi “The Shining” i Kubrick dhe që ende më fanitet në ëndrra, arritëm në dhomë. Diku atje na la shoqëruesi ynë dhe ngelëm të dy vetëm. Filluam të qeshim dhe vrapuam drejt dritares të shikonim nëse kishte dalje emergjence apo të shikonim nëse ia vlente të hidheshim e të thyenim disa kocka sesa të kalonim natën atje. Dhoma kishte gjashtë krevate marinari që logjikisht duhet t’i kishin vjedhur nga ndonjë kapanon ushtarak, ndonjë spital psikiatrik, ose burg. Në muret kishte një afishe të Che Guevarrës, një flamur palestinez, grafiti me parulla anarkiste, (A), fotografi nga pjesëtarët e “Brigade Rosse”, dy foto nudo të Gudrun Ensslin dhe të gjitha këto lidheshin në mënyrë perfekte me letrën e shkrirë të murit me ngjyrë të kuqe. Dera natyrisht nuk kyçej.

Banja ishte në fund të korridorit. Kur u futa brenda nuk dija nëse duhet të thërrisja shërbimin sanitar apo atë arkeologjik. Nëse më kërkoni të përshkruaj vaskën apo të vdes, mendoj se do porosis që tani ca arkivole. Nevojtorja akoma më keq. Në mur dhe në dysheme mjaft pllaka mungonin dhe midis tyre kishte shënime, premtime për seks oral, grafiti të shëmtuara, telefona me emra, vdekje policëve (nga pastërtia?), një bluzë të grisur prej leshi me njolla të verdha që shërbente si peshqir, dhe mbi lavaman që kishte pa punuar nja dhjetë vjet e ca, një kornizë që dikur duhej të ishte pasqyrë.

Ishte shumë vonë për të bërë mbrapsht. Vendosëm të rrinim dhe nëse na ndodhte diçka shpresuam që kufomat kur t’i dorëzonin të afërme tanë të ishin të paktën të pastra. Natyrisht që fjeta me rroba dhe me këpucët nën jastëk pasi kisha frikë mos m’i vidhnin. Diku në të gdhirë u fut në dhomë një i dehur dhe filloi të fliste italisht; ia kthyem në anglisht dhe u largua. U zgjuam në mëngjes dhe shyqyr Zotit, in one piece. Edhe këpucët ishin atje ku i lashë. Na ofruan toast për mëngjes me një bukë që të kujtonte më shumë pllakat e banjos që mungonin. Ikëm nga hosteli dhe u kthyem vetëm në darkë për të marrë çantat. Kishim paguar edhe për një natë të dytë por zgjodhëm të gdhiheshim afër stacionit të trenit, duke pritur autobusin që do na çonte në aeroport për të shkuar pastaj në Amsterdam, poshtë një strehe, me policët që kalonin të na pyesnin nëse gjithçka ishte OK, sesa të kalonim edhe një natë atje.

(ROMË)

Me një buxhet modest (asokohe isha student), e kisha prerë biletën e avionit Amsterdam – Pisa dhe që andej do shkoja me tren për në Romë. Biletat Amsterdam – Romë ishin shumë të shtrenjta. Kthehesha vetëm; shoku im kishte shkuar në Barcelonë për të gjetur vajzën e ëndrrave (nuk e gjeti) dhe do takoheshim në Romë. Arrita në Pisa, preva biletën për në Romë (më bëri përshtypje që nuk kishin shënuar orën e nisjes në biletë) dhe dola një shëtitje në qytet. Ide specifike për nisjen e trenit nuk kisha, kështu që u ktheva në stacion dhe pashë në tabelat e nisjes se treni për në Romë nisej në 18.00’. Ishte 17.50’, pyeta në një sportel në lidhje me biletën time dhe më thanë se po ai tren që nisej ishte treni im! Isha me fat.

Ishte një tren i vjetër dhe për çudi, i mbushur plot. Shoqëria ime në vagon ishin dy amerikanë nga Nju Jorku, dhe një italian. Amerikanët ishin në fakt italo-amerikanë që vizitonin vendin e të parëve, llafazanë të mëdhenj dhe italiani akoma më keq. Duket stereotipe por biseda u përqendrua tek Mafia, Cosa Nostra, Paolo Borsellino, komuniteti italian në SHBA, dhe tek italiani që villte vrer kundër Martin Scorsese për prezantimin që u bënte italianëve ky i fundit në filmat e tij. Si përfundim të gjithë ramë dakord se filmi “The Godfather” ishte një kryevepër.

Arritëm në orën 21.00’ në Roma Termini. Tani çfarë? Informacioni që kisha për Romën ishte një letër A4 diku në çantën e shpinës dhe nuk përmbante  gjë tjetër veçse një hartë shumë të vogël me vendndodhjen e një hosteli. Nuk ia kisha idenë as si shkohej atje. Anës stacionit të trenit ishte stacioni i autobusëve të urbanit. Atje nga ora dhjetë kishte vetëm një linjë që kalonte diku nga qendra. S’kisha ç’të bëja tjetër, hipa. Në bazë të kalkulimeve që kisha bërë dhe në krahasim me fotot satelitore që kisha parë të Romës do zbrisja pas dhjetë minutash, do gjeja ndonjë hotel të lirë apo hostel dhe do kaloja natën. Nuk kisha as biletë për autobusin. Fillova të flisja anglisht dhe të kërkoja biletë. U gjet një pasagjer që kishte një më tepër, e falënderova dhe u ula.

Përballë meje ishin disa turistë (çanta shpine, pamje të hutuara) dhe filluam një bisedë. Ishin argjentinas dhe po shkonin edhe ata në një hostel për të kaluar natën. Fati vazhdonte! Më thanë se ishte diku mbi qytetin e Vatikanit dhe ishte i lirë. OK, e provojmë thash. Autobusi na la disi larg dhe ecëm nja njëzet minuta me këmbë në mes të natës. Arritëm në hostel. Më mbajtën pasaportën për garanci dhe më detyruan të blija një kyç për dollapin që do lija çantat. I lodhur u futa në dhomë. Brenda ishin nja katër veta, ca kolumbianë dhe ca meksikanë. Ça është kjo thashë me vete? Azile për të përndjekurit e kartelit latinoamerikan? Yo no hablo español dhe rashë i vdekur për gjumë.

Të nesërmen shëtita qendrën historike, Vatikanin, dhe mbasdite prita shokun që erdhi nga Barcelona. Në të gdhirë duhet të merrnim trenin nga stacioni i Tiburtinës për në Milano. Treni nisej në orën tre të mëngjesit. Problemi ishte se nuk dinim ku ishte stacioni i Tiburtinës. Gjatë një shëtitjeje afër Koloseut, druhem të them se vodha një hartë turistike nga një çift të moshuarish. Më erdhi keq dhe shpresoj të mos kenë humbur, por edhe ne ishim në pozitë të vështirë. Mos më gjykoni.

Atje nga ora dhjetë u nisëm nga hosteli për në stacion. Fakt interesant: Ishte një ditë para Krishtlindjeve dhe të gjitha mjetet e transportit ndalonin fiks në dhjetë. Nuk kishte as autobusë, as metró, as gjë. Kështu që u nisëm me këmbë. Që të keni një ide, hosteli gjendej diku afër Stadiumit Olimpik në veri të Vatikanit. Koha ishte akull e ftohtë. Nuk bëhej llaf për taksi se nuk ishim në gjendje të paguanim shuma astronomike dhe nuk kishim dëgjuar llafe të mira për taksixhinjtë italianë. Kaluam Viale Angelico, Ottaviano, anas Vatikanit, urën e famshme Sant’ Angelo mbi lumin Tevere, Piazza Navona, dhe të rraskapitur arritëm në Fontana di Trevi. Gjatë gjithë rrugës nuk pamë asnjë lokal të hapur, as për të pirë një kafe. Hodhëm ca të holla tek fontana me shpresë që të arrinim në orë në stacion. Kaloi mesnata, Gëzuar Krishtlindjet! I thashë shokut të futeshim të paktën në ndonjë kishë sa të ngroheshim një çikë dhe niseshim prapë. Me sarkazmën që e karakterizonte ma ktheu: “Do bëhesh tradhtar i besimit ortodoks dhe do futesh në kishë katolike?”.

Gjetëm si përfundim një lokal afër Quirinales ku pimë një farmak dhe më zuri gjumi mbi tavolinë por më zgjoi kamerieri duke më thënë se nuk lejohej të flija atje. U nisëm prapë. Kaluam nga Stazione Termini dhe diku atje mbaronte harta jonë turistike. Një shtizë që tregonte drejt lindjes dhe thoshte me një përgjithësim “Tiburtina” ishte informacioni i vetëm që kishim. Kaluam Universitetin “La Sapienza” dhe pastaj nuk dinim ç’të bënim. Rrugët ishin krejt të zbrazëta nga njerëz. Instinkti i mbijetesës funksionoi dhe atëherë më erdhi një ide për të cilën jam krenar edhe sot e kësaj dite. Do merrnim një rrugë dhe do shikonim nëse kishte stacion urbani. Atje do shikonim nëse autobusi që kalonte kishte si destinacion Tiburtinën. Nëse po, do vazhdonim mbi atë rrugë. Nëse jo, ishim gabim. Trial and error.

Funksionoi. Hëpërhë, dhe pasi ishim lemeritur nëpër udhëkryqet, pamë shinat e trenit. Pas pak minutash gjetëm edhe stacionin. Kishim arritur gjysmë orë para nisjes, pra kishim ecur plot katër orë. Dridheshim që të dy nga të ftohtit sikur na kishte kapur delirium tremens, ishim të vdekur nga lodhja edhe të frikësuar (nuk është edhe shumë normale të ecin nëpër zona të shkretuara dy të rinj njëzet-vjeçarë në një ambient krejt të huaj), por të gëzuar që arritëm në destinacion. Kanë kaluar plot dhjetë vjet që atëherë, por edhe pse kalova siklet të madh e kujtoj udhëtimin me nostalgji.

Pa Komente

  1. ai hosteli me kujtoi nje motel ne New Jersey para nja pese vjetesh, sugjeruar nga nje taksist. E nderrova dhomen dy here nga qelbsilliku (perzevativa ne kosh, ere e ndyre, zhurma te tmerrshme dhune seksuale ne dhomat ngjitur) dhe ca nga orari e ca nga meraku ika nga moteli qe pa gdhire e pa pershendetur pakistanezet pronare.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin