Turizmin zakonisht e shoqëron njeriu në mendje me syrin – edhe pse tani vonë gjithnjë e më shpesh edhe me aromat dhe shijet e ushqimit e të pijeve; por ideja që ti shkon diku për të parë (anglisht sight-seeing) mbetet; për të njëjtën arsye, gjëja e parë që turisti bën, pasi është sistemuar në hotel, është të dalë shëtitje dhe të krijojë një ide, një mbresë, një ndjesi për vendin ku ka shkuar, nëpërmjet kontaktit të syve. Vetë dalja e nënkupton një kalim nga brenda në jashtë, këto dy gysma të botës, të çdo bote me subjektin brenda; dhe turizmi vetë, si një lloj lëvizjeje në hapësirë ose edhe udhëtimi, nëse duam ta quajmë kështu, është edhe ai një kalim i tillë, nga brenda, që është vendi yt, krevati, kuzhina, divani, shtëpia, kafeneja e lagjes, toka ku i ke rrënjët, në jashtë, që është vendi përtej, i cili do të përjetohet mes të tjerash edhe përmes shikimit, madje sidomos përmes shikimit.
Ashtu habitesh pastaj, kur dëgjon të flitet për turizëm për të verbër, edhe ky lloj aktiviteti ekziston dhe ushtrohet lirisht nga njerëz që nuk e kanë më, ose e kanë humbur shqisën e të parit; që jetojnë, në thelb, në një botë cilësisht të ndryshme nga imja dhe jotja, por që megjithatë e kanë ruajtur interesin dhe dëshirën për të shkuar edhe ata gjetiu, për të kaluar edhe ata nga brenda në jashtë, për të përjetuar edhe ata tjetërsinë. I verbri e realizon këtë nëpërmjet shqisave të tjera, nga nuhatja te shija, për të mos folur për veshin dhe prekjen; të cilat për më tepër i ka edhe ku e ku më të fuqizuara e të rafinuara se ne që shohim; dhe as që dua të filloj me përjetimin e tërthortë të një udhëtimi, përmes shoqërisë dhe muhabetit me njerëz të tjerë të dashur ose të afërt me të verbrin.
Gjen online këshilla për të verbrit që kërkojnë eksperienca optimale si turistë – nga restorantet me ushqime lokale, të pazakonshme, të rralla plot erëza shumërrokëshe; te dyqane lulesh dhe kopshtije dekadente dhe lëndina të virgjra e te vende ku njeriu mund të hipnotizohet me kolonën zanore shoqëruese, si buzë detit, ose pranë një ujëvare, a në një pyll; ose edhe në një treg fshatar, ku aromat e mallrave dhe të ushqimeve kombinohen me koret e blerësve dhe të shitësve; por edhe qoshe sekrete ku mund të ndjekë i verbri një koncert live qoftë edhe nga një fizarmonicist që është edhe ai i verbër poshtë një ure të mbrojtur nga shteti; ose teatro ku mund të dëgjohen koncerte baroke e kështu me radhë; opsionet janë të shumta, siç e dinë të verbrit më mirë se të tjerët.

Por te kjo temë më solli një foto që ndesha sot, e një maketi të kështjellës Wawel, në Krakóv të Polonisë; maket i krijuar në bronz dhe i shoqëruar me shënime shpjeguese në alfabetin Braille. Turistët e verbër mund t’i afrohen kësaj enciklopedie të vogël, të lexojnë mbishkrimet për t’u informuar për vendin ku kanë ardhur dhe – ja çfarë më bëri më shumë përshtypje – të kalojnë majat e gishtave nëpër format e ndërtesave në miniaturë, për të “lexuar” në mënyrë taktile pamjen e kështjellës. Në të njëjtën mënyrë siç mund ta dallojmë ne se një top bilardoje ka formë sferike, kur e mbajmë në dorë në errësirë; ose siç mund ta njohim një dryn thjesht duke e prekur me gishta e duke lokalizuar deri edhe vrimën e çelësit; ose, në fund të fundit, siç mund ta marrim vesh edhe nëse po prekim kurrizin e një maceje apo të një qeni, edhe kur i kemi sytë të lidhur.
Ka pastaj gjithnjë diçka magjike, te maketi në vetvete, ose modeli në shkallë – scale model – siç e quan anglishtja; nga fëmijëria, mbaj mend se ekspozitat dhe muzetë që më shpinin për të vizituar kish plot të tilla, madje edhe hi-tech, me drita dhe gjëra që lëviznin, si pompa të puseve të naftës ose trena; disa syresh mund edhe t’i prekje. Përballja me një model 3D, ku një send, një ndërtesë, një kompleks urban ose industrial, është tkurrur në përmasa për t’u njerëzuar, i ngjan pastaj semiotikisht eksperiencës me turin virtual të një muzeu a një pallati mbretëror në pension, që sot mund ta bësh edhe në shfletuesin e kompjuterit, duke klikuar; ose edhe me një shëtitje që mund të bësh në një qytet çfarëdo, me Google Maps (street view); me këtë eksperiencë të fundit që i dëbon të gjitha shqisat nga qyteti veç pamjes (përfshi këtu edhe proprio-recepsionin e lëvizjes në hapësirë, ose të shëtitjes), duke e njësuar turizmin me videolojën.
Nuk pretendoj ta kuptoj dhe aq më pak ta përjetoj atë që ndien turisti i verbër, kur ndërvepron me shenja të tilla si maketi, i shoqëruar nga teksti në Braille; shqisa e pamjes, që unë e kam dhe e përdor, më dhuron një botë që atij i mungon, por njëherazi nuk më lejon të “shoh” një botë që atij i ofrohet për kompensim. Kur lexon sot për eksperiencën magjike të atyre që kanë lindur të verbër, por pastaj u është kthyer shikimi falë një operacioni ose procedure tjetër mjekësore, e kupton se po ai sy, që neve na duket sikur na lejon ta projektojmë “dritën” shqisore në botën përreth funksionon, për ish-të-verbrin, si një e çarë a vrimë në kafkë, nga ku hyn bota në mendje, me dhunë të papërshkrueshme. Dhe nëse kështu ndodh vërtet, atëherë bota e perceptuar prej një të verbri duhet të ketë delikatesë të pashembullt. Herën tjetër që të ndeshem me ndonjë maket të tillë, do të provoj edhe unë ta “njoh” me sytë mbyllur, duke ia kaluar mollëzat e gishtave sipër.
E keqja jonë e madhe, është se i marrim gjërat për të mirëqena; edhe kur ecim në një rrugë të themi në Romë a në Paris, harrojmë të tregojmë vëmendje për format e mureve dhe të pemëve, ngjyrat e ndërtesave, nuancat, dritëhijet, xhamat dhe pasqyrimet, perspektivën, teksturën e mureve, aromat që vijnë nga kafetë, dyqanet e ushqimeve, restorantet, libraritë dhe parfumeritë, afshet që gufojnë nga vrimat e ajrimit të metrosë, zhurmat që afrohen nga lumi dhe gugatjet e pëllumbave; dhe mpihemi mendërisht duke lexuar gjithfarë pllakash dhe shenjash me mbishkrime dhe tabelash rrugore; ose edhe më rëndë, duke u hutuar pas fytyrave të njerëzve që na kalojnë përbri. Kjo ndodh vetvetiu, sepse truri nuk e thith dot kaq shumë informacion dhe kapet pas “familjares”, për të mos u detyruar të merret me interpretimin e “pak të njohurës” ose “të panjohurës”.
Kur e mendoj hollë, sytë i kemi vërtet – por nuk është se i përdorim mirë. Madje prakticiteti na ka stërvitur e kushtëzuar që të mos i përdorim, sa herë që mund t’ia besojmë sjelljen një shprehie të mësuar, ose robotit brenda nesh. Na ndodh të kapërcejmë deri edhe oqeanin për turistifikim, dhe pastaj ta kalojmë ditën atje përtej me sy të mbyllur; edhe kur nuk e kalojmë përballë pasqyrave (selfie-ve); në vend që të shohim vendin, kundrojmë veten në vendin ku kemi shkuar (më nxirr një foto me San Pietro-n në sfond). Gjithnjë kemi qeshur me turistët italianë, që kërkojnë, kudo që të ndodhen, “pasta”; por e vërteta është se edhe ne kërkojmë, dhe sigurojmë, të njëjtin lloj “ushqimi” për trupin dhe për mendjen. Sa herë i kam premtuar vetes, që kur të vete diku – kur të zhvendosem nga brenda jashtë – të filloj të përfytyroj sikur të kisha një shqisë tjetër, shtesë, të tillë që të ma tregonte një anë të panjohur të botës; siç përfytyron i verbri për një botë të përjetuar nëpërmjet syrit. Ndonjëherë e kam realizuar këtë, si në gjysmë-ëndërr, duke u futur qoftë edhe vetëm anash dhe për një çast, në botën e kujt ka kaluar jetën e vet atje; por vetëm për të kuptuar, sakaq, se edhe një banor i Romës e ka stërvitur veten që ta “heqë” Koloseun nga fushëpamja e vet, sa herë që kalon në atë lagje…
Ngjashëm më ndodh edhe kur ndesh në turistët rrugëve të Tiranës sime; jemi gjeografikisht në të njëjtin lokacion, të identifikuar me të njëjtat koordinata në Google Maps; e megjithatë banojmë botë të ndryshme, aq të ndryshme, sa edhe vetëm një dritare, një dritarez, një frëngji a një vrimë në mur, do të ofronte eksperienca të paçmuara: atyre të miat, por edhe mua të atyre. Edhe aromën e qofteve, te “Tymi” i rrugës së Kavajës, e përjetojmë tjetërlloj; edhe kundërmimin e majdanozit të freskët që shet një plakë, e ulur në trotuar. Aq sa tundohem të besoj se këtë botë – pavarësisht se çfarë mund të thotë shprehja këtë botë – na e bëjnë të përbashkët vetëm fjalët.
(c) 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ky shkrim është botuar më parë në substack-un Menditime. Imazhi ilustrues është realizuar me Midjourney & Nano Banana.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.