Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Admin

NJERËZ QË U PËLQEN FURÇA

Një i njohuri im specialist për rrjetet sociale pasi shpenzoi muaj të tërë duke studiuar motivimet dhe shpërndarjen e Likes në Facebook-un shqip hoqi dorë nga kjo punë, madje ndërroi zanat. E pashë veten sy më sy me humnerën, më tha.

Nuk ia besova atëherë. Pastaj një ditë më qëlloi të shfletoja Facebook-un e shefes sime (pa e kuptuar që isha loguar nën emrin e saj) dhe atje më doli përpara përgjigjja metafizike që i kish shpëtuar mikut.

Ministri N., i qeverisë së tanishme në Tiranë, kish publikuar një foto – të furçës së vet të rrojes, me titullin: “E shkreta!” Mua më pëlqen ky ministër, sepse të gjitha selfie-t që nxjerr, i ka indirekte. Sikurse më pëlqen që ai i jep hapësirën e duhur, si i majtë i bindur që është, edhe proletariatit të banjës së vet.

70075E shkreta furçë, pra. Surpriza ime e parë, ishte që kjo furçë me qime baldose kish marrë 12,500 likes. Dhe ka diçka marramendëse, në mos kozmike, në këtë shifër: përfytyroni, dymbëdhjetë mijë e pesëqind vetë, që lektisen pas një furçe rroje, të publikuar nga ministri i shpenguar N. We love you! Tani presim të shohim furçën tuaj të dhëmbëve! We want to see more!

Dymbëdhjetë mijë e pesëqind vetë: drejtorë drejtorish, oficerë të NATO-s, punonjës të mediave, të dërguar të posaçëm, OJQ-istë, yje të ekranit, italianë të çfarëdoshëm, alabakë, profesorë në universitete private, leader-ë komunitetesh, polemistë të regjur, mercenarë të hapësirave virtuale, instagramistë, opinionistë, sekserë, noterë, regjisorë, arkitektë, shkrimtarë të diasporës, pas-universitarë, dekoratorë zyrash, bankierë, artistë konceptualë, stilistë, botues, manikyristë, militantë partiakë: të gjithë këta ishin gdhirë në mëngjes, kishin parë foton e furçës dhe kishin thënë: ah, po mua më pëlqeka kjo! Kjo e meritoka një like! Madje edhe një share

Surpriza e dytë ishte që, mu në krye të kësaj liste madhështore me likes, shoh emrin e një mikut tim, Pleurat K.: intelektual publik, aktivist i shoqërisë civile, penë e fortë, njeri me shije dhe shoqëri të rafinuar, frequent flyer, me dy ose tre shtetësi, i përfolur disa herë për poste të larta në shtet dhe në organizatat ndërkombëtare; me pak fjalë një snob i mirëfilltë, di origine controllata, nga ata që ke qejf t’i ndeshësh në rrugë dhe sidomos në opera.

Pikërisht Pleuratit tim, pra, i shkëlqente emri të parit, në atë njëshkolonë prej 12,500 të dalldisurish pas furçës së rrojës të ministrit N.

Natyrshëm më erdhi pyetja: çfarë duhet të ndiejë robi në gjirin e bashkësive të tilla astronomike, ose kur bëhet pjesë e një turme sa virtuale, aq edhe brohoritëse? Dhe pastaj pyetja tjetër: çfarë duhet të ndiejë sërish robi, kur e sheh veten të parin e kësaj liste?

Çfarë do të thotë të jesh Pleurat sot?

S’më bëri zemra t’u hidhja një sy emrave të tjerë në listë; përjetova një si ngërç kardiak të krahasueshëm me atë që provon njeriu, kur i avitet buzës së humnerës. Mendja jonë nuk i ka mjetet, as kapacitetin, që të përballojë madhësi të tilla marramendëse.

Përfytyrova pastaj ministrin N., si mbretëreshë zgjoi, që çante qiejt e mëngjesit i ndjekur nga luzma roitëse shumë-mijëshe me likes, dhe kjo metaforë entomologjike ma ndolli pastaj epifaninë, ose pikërisht atë ndriçim që i kish munguar të njohurit tim sociolog dhe like-o-log të kamotshëm.

I përfytyrova, pra, të gjithë këta ndjekës fluturues të ministrit N. jo si bletë (sepse bleta tek e fundit bën mjaltë), por si avionët bombardues, që komunikojnë mes tyre dhe me kontrollin poshtë, duke sinjalizuar nëpërmjet transponder-ëve si për të thënë: jemi këtu, jemi akoma këtu, të gatshëm për të konfirmuar se jemi këtu, jemi akoma këtu.

Mijërat e likes-eve janë mënyra për ta mbajtur kompakte këtë ushtri të ajrit; me foton e furçës së rrojes, të publikuar nga ministri N. (që, kije inat e foli hakun, del gjithnjë në publik i rruar taze), në rolin e imazhit të koduar. Diçka si in hoc signo vinces, një emblemë e fitores që gatitet të buzëqeshë.

Këtu kish ngecur i njohuri im ish-studiues i katakombeve të Facebook-ut; këto likes që i shumëfishoheshin para syve, nuk ishin mesazhe banale konformimi, të tipit edhe unë, por thirrje luftarake, të tipit gjithmonë gati! Por s’e bëj dot shumë me faj, të ziun: është i ri dhe nuk ka qenë ndonjëherë Pionier i Enverit.

Pa Komente

  1. Me siguri do ta keni vene re atehere edhe fenomenin e te berit like te nje shkrimi jo tek burimi origjinal por tek ndonje i dyte qe e ben share. Kjo sepse tek i dyti (fjala bie nje minister apo nje tjeter Pleurat) Pleurati fiton kapital me kete shkelje syri . Nderkohe qe me siguri e ka pare per here te pare te botuar tek ti shkrimin pret qe ndonje me hije ta bej share qe te vendos ku ta jap like e vet. Nuk eshte aq shkrimi qe pelqehet sesa shija dhe afiniteti mes llojit.

  2. Mire e ke terezitur. Like furces do te thote ti besh furca furces. Po nuk eshte kaq humo(rr)istike kjo. Nje koleges sime, iu afrua dikush ne pune, ka qene gusht 2013 mos gaboj, dhe i tha: Po c’e kishe ate status ne Facebook? Nuk eshte mire keshtu. Pastaj si per ta bere me serioze ate qe tha, qeshi dhe iku. Ishin ankuar nje apo dy te zgjedhur, se shiko “ajo qe punon te ty, shkruan keshtu ne Facebook”. Keta qe permend ti, jane Inteligjenca. Une po flas per diku me poshte, ose te permbysur. Dhe prape verejtjw erdhi qe erdhi. Lenizem ne kushte dixhitale. Po ka zarar, se te heqin nga puna. Kete e di mire fare. Se ketu per dreq nuk i shpeton gje njeriu: Ej, Kac Islami i ka be like shkrimit te Ylli Manjanit. O Perendi! Po kujt po i rruhet! Dhe mos i imagjino fare: Se jane aty, pse jo edhe Ketu.

    1. Këtë ma kanë thënë edhe mua disa herë: njerëz që u kanë tërhequr veshin për një “like”. Se ashtu fillon: një “like” këtu, një “like” atje dhe befas e sheh veten në prehrin e armikut.

      Por ka edhe një anë tjetër medalja – që ua komplikon edhe më jetën virtuozëve të miut, në FB.

      Dhe pikërisht, kur të vjen tjetri dhe të thotë: “nuk të pashë ta kishe bërë ‘like’ atë foton time sot. Ka ndonjë problem?

      Njëlloj si me punën e të votuarit në sistemet totalitare: të votosh është rutinë, por të mos votosh akt rebelimi i pashembullt.

      Dhe jo për gjë, por ai tjetri u ka bërë “like” të gjithë posteve të tua, madje edhe disave që ty të kanë shpëtuar gabimisht, ndonjëherë kur ke qenë tapë. Ai po pa që ka dalë nga dora jote, gati e mban “like”-in. Atëherë, të kam rixha, a nuk ka të drejtë të presë të njëjtin trajtim prej teje?

      Se po të mos na bëjnë “like” tanët, kush do të na bëjë?

  3. I njohuri yt specialist me siguri ka parë me sy diçka tjetër, por jo humnerën!

    Fërkimet e qimeve dhe pëlqimeve në face -book ngjallin një kënaqsi të epërme dhe shkumëzuese poshtë gushës – pavarësisht furçës që mund të jetë me qime qeni, derri, dose, kali, apo kaprodhi.

    Si rregull numri i pëlqimeve për furçën duhet të jetë i barabartë me numrin e qimeve në furçë. Kështu krijohet shkumëzimi maksimal, por kurrësesi një humnerë.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin