Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Udhëtime

NJË DITË NË EXPO (II)

Expo-ja tashmë tregon gjallëri kudo. Ka marrë jetë si koshere bletësh. Njerëz që shkojnë e vijnë, në grup e në turmë, ngadalë e nxitimthi, me ose pa destinacion. Ndjenjë e këndshme për ata që janë imunë nga demofobia. Shikoj orën e dorës. Po shkon dymbëdhjetë. Kthej timonin drejt pavijonit shqiptar, tashmë ylli im polar.

Arrij pas njëzetë minutash. Duket, por nuk është afër. Pozicioni më duket i mirë, për nga dukshmëria: afër “Pemës së jetës”, jo larg pavijonit italian, por sigurisht nuk mund të matet me shtetet që kanë zgjedhur rrugën kryesore. Megjithatë, nuk është pozicioni që më pengon. Dua të jem i pranishëm në prezantimin e verës Kallmet. Jam kureshtar, për eventin e organizuar, por edhe për verën, nëse na ofrojnë një gllënjkë. Mbërrij pak pas orës 12.00 të drekës, por aktiviteti nuk ka filluar ende. Ka vonesë. Po nuk kam gojë të flas, se edhe unë më vonesë erdha. Organizatorët i shoh në tension, japin e marrin mes tyre, lëvizin me nxitim. Karrige që zhvendosen, tryeza që rreshtohen, salla që sistemohet. E shoh që punojnë me ngulm, por do kohë gjithsesi. Them të vij më vonë. Nuk kam ç’të shoh tani për tani.

Kthehem në pavijonin shqiptar pas një ore e pak, tashmë këmbët më çojnë vetë, piloti automatik bën punën e vet. Në qendër të cluster-it shikoj një sallë të përgatitur bukur. Tryeza me mbulesa të bardha ku shndrisin gota vere shtatderdhura. Aktiviteti sapo ka filluar. Gjej një vend shpejt e shpejt, andej nga fundi, dhe mpreh veshët. Aktiviteti më duket shumë interesant. Expo-Shqiperia-7Relatorët janë italianë, ekspertë të sektorit, por duket që e njohin shumë mirë Shqipërinë, që e kanë prekur me dorë si të thuash. Flitet për tema të rëndësishme: vera shqiptare, vreshtat tradicionale, potenciali i prodhimit të verës, karakteristikat e verës Kallmet dhe të territorit ku prodhohet, etj.

Dy zonja sommelier (i dalloj nga tastevin prej argjendi në qafë dhe nga uniforma e veçantë) shërbejnë verën shqiptare një pas një, me elegancë e durim prej vapës së drekës. Mundohen t’i qëndrojnë besnike radhës së degustimit. Kalojnë nga tryeza në tryezë, nga gota në gotë, të sinkronizuara me kolegun e tyre, edhe ai ekspert verërash, që i shpjegon me imtësi karakteristikat e pijes. E njoh verën si dashamirës, por jam ende amator për t’i dalluar nuancat e thanës “shqiptare” në verën që më ofrojnë me mirësjellje. E pranoj sugjerimin në mirëbesim. I sugjestionuar dalloj shijen e thanës në gotë. Megjithatë jam në gjendje ta dalloj objektivisht se kjo verë qenka e mirë, madje nga gllënjka në gllënjkë bëhet edhe më e mirë; ndoshta prej crescendo-s së studiuar, mendoj, e jo nga alkooli gradualisht në rritje. Në fund, degustimi kap majat e veta me “Kallmet Prestigj”. Këtu, shpjegimet janë të tepërta. Nuk kam nevojë për asgjë. Poezinë e sommelier-ëve e lëmë për herë tjetër. Vera flet vetë.Expo-Shqiperia-12

Pyes për diçka dhe zbuloj se njëra prej sommelier-eve është shqiptare. Më shndrit fytyra si pa e kuptuar. Nuk kemi ndonjë traditë kushedi çfarë në këtë fushë. Tani po krijohet dalëngadalë, çka mund të shihet vetëm pozitivisht. Kam kureshtje për diçka. Më jep informacion të bollshëm e interesant, por tejet profesional për një profan si unë. Edhe Roberto Rabachino, drejtues i F.I.S.A.R. (Federatës Italiane të Sommelier-ëve), pas superlativave për verën shqiptare, shpjegon se “është nën trysninë” e koleges shqiptare që i kërkon vazhdimisht të provojë verërat e ndryshme të Shqipërisë. Vera shqiptare fiton një promoter falas, unë një degustacion më shumë.

Aktiviteti më duket cilësor, gjithashtu relacionet kushtuar territorit e vreshtave shqiptare. Pjesëmarrja është mjaft e mirë. Në krah më ulet një vajzë kineze me banim në Milano. Punon në Expo, ndoshta në të njëjtin cluster. Hyj menjëherë në muhabet. Mirësjellja ndihmon, por edhe vera bën të Expo-Shqiperia-8vetën. “Si të duket aktiviteti?” e pyes. “Shumë i mirë, veçse bëjnë pak. Praktikisht ky është i dyti që po zhvillon Shqipëria”. Dalloj një farë keqardhjeje në zërin e saj. Ndoshta e ka fjalën për prezantimin e Altin Prengës, të Mrizi i Zanave, që u bë në fillim të muajit. “Po pavijonet e tjera bëjnë më shumë?”, “Patjetër, varet nga vendi, por në përgjithësi bëjnë më shumë aktivitete”, më thotë duke shijuar verën e kuqe shqiptare.

Prezantimi i Kallmetit po shkon drejt fundit. Ja ndërhyrjet institucionale, nga ana e Konsulles në Milano dhe e Drejtorit të Pavijonit shqiptar. Ja edhe falënderimet e pashmangshme, duartrokitjet e merituara dhe së fundi fotografitë ceremoniale. Fillon menjëherë puna e kundërt për pastrimin dhe rregullimin e sallës. Përfitoj nga rasti të takoj disa autoritete e njerëz të pranishëm në aktivitet. Kthehem sërish tek pavijoni shqiptar, ku punojnë ethshëm disa punonjës për të sistemuar materialet. I ka përveshur mëngët edhe drejtori.Expo-Shqiperia-10

Në pavijon ka ndonjë vizitor por nuk janë të shumtë. Hapësira e pavijonit shqiptar më duket më e vogël se më parë. Instalacioni, e pak metra rreth e qark me video. Vajza e turnit të ri më tregon se ka edhe një kat më sipër. Shkoj për t’i hedhur një sy, por ka vetëm një sallë të vogël me ekran më të madh, natyrisht me pamje nga Shqipëria. E disa karrige. Asgjë e veçantë, asnjë i pranishëm. Më zë pak trishtimi, por nuk e jap veten.

Bëj një bisedë të shkurtër me drejtorin e ri Ravik Mima, që është përgjegjës për menaxhimin e pavijonit. Më duket energjik e i sinqertë. Shpjegon angazhimin e përditshëm dhe vështirësitë organizative që i paraqiten. E kuptoj që nuk është e lehtë. I kërkoj edhe ndonjë sqarim për vartësitë institucionale dhe fondet e pavijonit. Më përgjigjet pa retiçencë, por nuk jep komente estetike për dizajnin e pavijonit. Nuk rri dot pa i dhënë përshtypjet e mia. Në fund, shkëmbej dy fjalë me punonjësen shqiptare dhe një koleg bashkatdhetar, e nisem për nga “qendra”.

Expo-Shqiperia-11Rreth pavijonit Italian ka jetë. Duhet kohë për t’u futur. Përballë pavijoneve të tjera bëhet radhë e madhe. Nisma nga më të ndryshmet, koncerte, valle, degustime, parada mode, intervista, prezantime, instalacione, vepra arti, restorante, që humbasin në ngjyra, tinguj, zëra, filmime, dizajn, arkitekturë, gjelbërim, shatërvanë. Babel zbavitës. Njerëzit duken të etur për të parë e për t’u argëtuar. Në ndonjë rast duhet t’u kërkosh leje për të kaluar nga një vend në tjetrin. U enda pak nëpër pavijone të ndryshme. Nuk mjaftojnë dy sy, as dy këmbë. Dita qenka vërtet e shkurtër.

 

[vijon – fotografitë janë të autorit]

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin