Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media / Politikë / Shkencë

TË IKËSH NGA DASMA

Në një artikull për mjerimin e shkencës në Shqipëri, Besnik Gjongecaj tregon një histori sa revoltuese, aq edhe të trishtuar.

Qenka mbajtur një Konferencë Ndërkombëtare për Tokën, dhe atje ministri i Bujqësisë i qeverisë së tanishme ka lexuar një fjalim “që vetëm ai e dinte se kujt i adresohej” dhe pastaj është larguar që andej në mes të eventit, pa dëgjuar asnjë nga shkencëtarët, “megjithëse toka është problemi më i madh i këtij vendi.”

Apple-press-conferenceKam përshtypjen – por lirisht më korrigjoni – se braktisje të tilla janë shndërruar në pjesë të protokollit: ministra, deputetë, zyrtarë të lartë dhe politikanë që shfaqen në fillim eventesh shkencore ose kulturore, duke tërhequr një lukuni gazetarësh dhe kamerash me vete, por që pastaj largohen menjëherë.

A thua se pa e treguar fytyrën këta, historia do të mbetej pa ndodhur.

Vetë më ka ndodhur të kem qenë i pranishëm në një konferencë për diskursin publik në Shqipëri, ku dy ambasadorë – ai gjerman dhe ajo franceze – pasi na çanë arkitraun me fjalimet e tyre bajate dhe ndërsjellazi kompetitive për “integrimin”, u larguan që andej menjëherë, me shpurën e tyre dhe mizërinë e gazetarëve me kamera, që ishin shfaqur aty me shpresën se mund të vinte edhe “Rama”.

Fodullëk, arrogancë dhe kompleks inferioriteti – kështu e shpjegon këtë sjellje Gjongecaj, dhe nuk mund veç të pajtohem me të.

Unë për konferencat shkencore kam shkruar gjetiu dhe nuk është se i mbaj për shprehjen më të lartë të komunikimit mes specialistëve; por këto ngjarje duhen respektuar, sa kohë që organizohen; jo në vetvete, por për hir të atyre që marrin pjesë në to.

Sado të mërzitshme të jenë këto konferenca, sado përsëritëse dhe vetë-shërbyese, ato vijnë dhe i ngjajnë Simpoziumit të Platonit, po t’i krahasosh me seancat e Parlamentit, atë mbeturinë të estradës dhe të filmit komik të Realizmit Socialist.

Organizatorët e tyre i durojnë mysafirët shpërfillës në seancat e para sepse ashtu kujtojnë se i ngrihet “vlera” eventit; ose ngaqë ashtu eventi do të përcillet nga mediat; ose ngaqë ndihen të detyruar ndaj sponsorëve të tyre, politikë dhe financiarë.

Në fakt, një tubim albanologjik ku mora pjesë vjet dhe ku nuk erdhi asnjë nga “të mëdhenjtë”, u zhvillua rrjedhshëm dhe bukur, pa çka se pothuajse askush në Shqipëri nuk e mori vesh që po mbahej – sepse asnjë gazetar nuk kishte ardhur atje.

Përftohet një simbiozë perverse: politika e kalëron dijen dhe kulturën për të shkuar atje ku do, teksa këto të fundit kanë nevojë për politikanët dhe kamerat që i ndjekin si mizat kalin, që të marrin pak dukshmëri publike, si dëshmi se ekzistojnë.

Politikanët në Shqipëri mund të vuajnë vërtet nga fodullëku, arroganca dhe kompleksi i inferioritetit, si sëmundje profesionale; por fajin e kanë edhe ata të tjerët, që i përkëdhelin, i miklojnë, u krehin bishtin, ua konfirmojnë deluzionet dhe i bëjnë të ndihen të rëndësishëm dhe autoritarë edhe në fusha ku më shumë duhet të mbajnë vesh dhe të mësojnë me përulësi.

Dhe përulësia është e kundërta e inferioritetit.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Pa Komente

  1. Do me dukej cudi po te ndodhte ndryshe ne Shqiperi…perulesi, sa fjale e bukur… por ne Shqiperi e ngaterrojne me servilizmin

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading