Kur përshkruan hierarkitë në pallatin e perandorit të Etiopisë Haile Selassie, në kryeveprën e tij The Emperor[1], reporteri i njohur polak Ryszard Kapuscinski shquan tri grupe kryesore: bujarët, burokratët dhe besnikët (të ashtuquajturit “njerëz personalë,” i quan ai këta të fundit).
Bujarët e pallatit perandorak në Adis-Abeba ishin çifligarë të mëdhenj dhe jashtëzakonisht konservatorë; burokratët, më të edukuar dhe progresivë për shkak të arsimimit, i gjeje në ministritë dhe në zyrat imperiale; ndërsa besnikët Perandori vetë i kish sjellë në Pallat duke i marrë nga “shtresat më të ulëta të plebejve” dhe që i shërbenin këtij me një zell të papërshkrueshëm, në fakt me pasion, sepse “i kishin shijuar sakaq hiret e Pallatit dhe lezetin e pushtetit.”
Pikërisht këtyre, thotë Kapucinski (me gojën e të intervistuarve prej tij – sepse libri vjen, në fakt, si një gjerdan intervistash me funksionarë të Pallatit) Perandori u kish besuar ato pozicione që kërkonin edhe besnikërinë supreme: Ministrinë e Penës[2], policinë politike dhe super-intendencën e Pallatit.
Skema ka vlerë gati universale. Çdo sundimtari i duhet të gjejë një gjuhë të përbashkët me ata që e kanë sjellë në pushtet dhe me ata të tjerët, që i ka gjetur në pushtet – të themi, me “krerët historikë” të partisë së vet ose të institucioneve.
Sikurse i duhet edhe të gjejë njerëz të zotët, teknokratë, që t’ia bëjnë punën; “burokratët” për të cilët flet Kapucinski – dhe që nuk kanë shumë ambicie për pushtet, pavarësisht nga komplekset e superioritetit, grykësia për t’u pasuruar dhe lakmi të tjera të tolerueshme.
Ndërkohë, për shkak të një procesi gati fatal – ose të paktën të pashmangshëm për autokratin – sundimtarit vijnë dhe i ngjiten rrotull besnikët; njerëzit që i bëjnë punën dhe që i sjellin thashethemet dhe që që ia ruajnë sekretet; njerëzit që nuk druhen t’i bëjnë duart pis dhe që e dinë se e vetmja arsye pse gjenden atje, është besnikëria pa kushte dhe pa kufizime, e verbër.
Çfarë e mban në ekuilibër pushtetin, vëren Kapucinski, është urrejtja e ndërsjelltë midis këtyre tre faksioneve: bujarët, burokratët dhe besnikët. Bujarët ndihen depozitarë të atij pushteti natyral që nuk ua ka dhënë gjë sundimtari dhe nuk durojnë dot krekosjet vikare të besnikëve, as kompetencën e sforcuar, prej lope, të burokratëve; burokratët janë të bindur se bujarët janë thjesht parazitë, ndërsa besnikët thjesht qelbësira; besnikët mendojnë se bujarët komplotojnë orë e çast për ta rrëzuar sundimtarin, meqë nuk janë “të besës” (lexo: të shantazhueshëm), ndërsa burokratëve u mungon “burrnia”.
Ideja këtu është se bujarët, ose krerët historikë (capi storici) nuk ndihen të detyruar për gjë ndaj sundimtarit, madje gjithnjë mund të gënjejnë veten e të shpresojnë se mund ta heqin nga pushteti njëlloj sikurse edhe e kanë sjellë; ndërsa burokratët janë gati të punojnë për kë t’i paguajë, sepse nuk shesin besnikërinë e tyre por vetëm ekspertizën. Besnikët nga ana e tyre i mban në pushtet vetëm besnikëria totale ndaj liderit, duke qenë apendikse praktikisht biologjike të këtij të fundit; dhe për shkak të pozicionit që kanë i shohin dy faksionet e tjera si tradhtarë të vetvetishëm; në një kohë që shihen prej tyre si jargë, pleh ose llum.
Nëse në rrethana normale pushteti funksionon dhe riprodhohet nëpërmjet balancimit që u bën këtyre tre faksioneve vetë sundimtari, në periudha krize balanca nuk ruhet dot më; dhe sundimtarit fillojnë t’i largohen të gjithë ata që shpresojnë se mund t’i ruajnë privilegjet edhe në qoftë se ky rrëzohet nga fiku ose zëvendësohet. Kësisoj, prirja është që sundimtari të vijë duke u rrethuar vetëm nga besnikët, duke humbur kontaktin jo vetëm me realitetin, por edhe me vartësit e vet kompetentë ose me një farë pushteti të pavarur prej tij.
Edhe e kundërta vlen: nëse një sundimtar nis ta përzgjedhë entourage-in e vet, duke mbajtur aty vetëm yesmen-ë, ose në përgjithësi persona që nuk do ta kishin vendin aty, po të gjykoheshin në bazë të meritave dhe të ekspertizës; atëherë kjo do të ishte shenjë e qartë e krizës në pushtet.
Kapucinski shkruan për Etiopinë e viteve 1950-1970, një realitet ishullar edhe në gjeografi edhe në histori. Megjithatë, shumë prej vëzhgimeve dhe zbulimeve të tij vlejnë pikërisht ngaqë kërcejnë menjëherë jashtë faqeve të librit, për të gjetur rezonancë në historinë e regjimeve dhe tundimeve autokratike anembanë botës.
Kush i ka profilizuar psikologjikisht autokratët, e ka vënë re – veç të tjerash – edhe atë karakteristikë të përbashkët që është paranoja e tyre, ose dyshimi që kanë për kolegët e tyre më të afërt, bashkëpunëtorët, “shokët e armëve”; sidomos për të gjithë ata, me të cilët kanë pasur dikur raporte të tjera, horizontale.
Perandori Selassie, siç e rrëfen Kapucinski, aq u druhej bujarëve që kish në pallat, sa i merrte gjithnjë me vete, në udhëtimet e shumta jashtë shtetit, të gjithë ata që i konsideronte si armiq: për të evituar që ndonjë prej tyre të bënte putsch pallati në mungesë të tij.
“Mbaji miqtë e tu afër, por mbaji armiqtë e tu edhe më afër,” këtë fare mirë mund ta kish thënë gjenerali dhe strategu kinez Sun-tzu, të cilit edhe ia kanë atribuuar; por më duket domethënëse që ta ketë thënë një shkrimtar i mafia-s, si Mario Puzo.
Dhe nëse është kështu, atëherë do të kishim një autokrat që e kalon kohën me armiqtë e vet në publik, dhe me besnikët e vet, në privat.
Çfarë i ka shpëtuar Kapucinski-t, kushedi ngaqë nuk i është dukur me rëndësi për portretin e tij të perandorit etiopian Haile Selassie, është një kategori e katërt pushtetarësh të pallatit: ambasadorët e fuqive të mëdha.
Po të përjashtosh kushedi fuqitë e mëdha vetë, sot vështirë të gjesh gjëkundi ndonjë shtet në botë, dhe aq më pak shtet autokratik, ku ambasadorët e rëndësishëm të mos jenë palë e makinacioneve në pushtet dhe rezidentë të kulisave, krahas bujarëve, burokratëve dhe besnikëve.
Autokratit këta ambasadorë ia legjitimojnë pushtetin në një mënyrë disi tjetër nga ajo e bujarëve; sepse ndaj ambasadorëve autokrati nuk ka kurrfarë pushteti.[3]
Në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, asgjë nuk mund të kuptohet dot më, në politikën e shteteve jo të fuqishme, pa rolin që luajnë miqtë e tyre të fuqishëm.
Duke e çuar edhe më tej këtë arsyetim, mund të përfytyrojmë sfera ku një fuqi e madhe, p.sh. ShBA, e ushtron pushtetin e vet në mënyrë autokratike, duke hyrë në marrëdhënie me bujarët, burokratët dhe besnikët e vet – njëlloj si perandori Selassie i Kapucinskit.
Në këtë rast Shqipëria do të mbetej “e dënuar” të luante në amshim rolin e besnikut – meqë nuk ka ç’të ofrojë tjetër, veç gatishmërisë.
Edhe po ta përmbysim perspektivën ose t’i kthejmë dylbitë mbrapsht dhe të zhvendosemi në mikrobotën e pushtetit lokal, për shembull në Shqipëri, sërish do të vërenim se një autokrat lokal edhe ai do të rrethohej nga bujarë, burokratë dhe besnikë; por në marrëdhëniet në pushtetin qendror në më të shumtën e herëve nuk do të vlente përveçse si besnik.
Është kjo hipertrofi e besnikërisë si virtyt – ose monedhë – në kulisat e pushtetit, që duhet të shqetësojë; jo sepse besnikëria ka ndonjë të keqe, por thjesht ngaqë forcimi i kursit të besnikërisë tregon, para së gjithash, se nuk ka shumë të tillë në qarkullim.
Kërkohet obsesivisht besnikëri në një treg ku monedha e zakonshme e shkëmbimit është “tradhtia.” Pa çka se ky kushtëzim i pushtetit nga besnikëria nuk duket të ketë gjë të përbashkët me parimet elementare të demokracisë dhe të transparencës, të cilat do të duhej ta dallonin, madje ta imunizonin pushtetin joautokratik nga autokracia.
[1] Libri më i mirë që kam lexuar muajt e fundit: satirë e mrekullueshme e pushtetit politik, si të ish shkruar nga një Machiavelli syrgjyn në Afrikë.
[2] Ky dikaster duket si i dalë nga pena e një shkrimtari distopik ose satirik; por në fakt ishte nga kryesorët, në administratën perandorake, ngaqë Haile Selassie-ja vetë nuk shkruante asgjë: të gjitha vendimet i merrte gojarisht, dhe pastaj ministri i Penës kujdesej që t’i kalonte fjalët në formë të shkruar.
[3] Për t’u shënuar një incident tani së fundi, mes Presidentit të Republikës Çeke dhe ambasadorit amerikan në atë vend, të cilit i është ndaluar tashmë të shkelë në pallatin presidencial.
Duhet pranuar qe ShBA ka ulur Shqiperine ne nje tavoline te madhe si ajo e NATOs. Ama ulja ne ate tavoline i kushton jo pak Shqiperise, dhe anetaresia ne ate klub luftarak nuk u be prej zulmes te madhe luftarake, por prej tekave te SHBA-ve. Jam mese i sigurt qe kur te vije puna per mbrojtur Shqiperine, asnje nga anetaret e klubit nuk do i dale ne mbrojtje.
Tjeter perfitim nuk shikoj nga afrimi me SHBA-ne (pare ne prizmin e besnikut)
Pare ne prizmin e nje aktori sovran, zgjedhja e nje partneri strategjik qe eshte ‘i madh por larg'(strategji e Enver Hoxhes kjo), i jep shume perfitime Shqiperise.
Ne kete kontekts, une do e klasifikoja Shqiperine si aktor sovran, jo besnik. (mos qofsha gabuar:))
Xhaxha, shkrimi yt i ka rënë pikës. Rëndësia qëndron edhe tek fakti se tema është universale.
Nga ana tjetër, ky shkrim ngjalli edhe kërshërinë time dhe disa pyetje të pashmangshme që po ia bëj vetes që sot në mëngjes. Së pari, a thua është vetëm urrejtja që e mban në ekuilibër pushtetin? Po sikur të jetë edhe smira, adhurimi, arrivizmi e të tjera ndjenja e qëndrime që krijon një farë ekuilibri midis tre faksioneve?
Tjetër. Bujarët, burokratët dhe besnikët duhet të konsiderohen si klasa në kuptimin e kastave, apo mund të ketë një farë lëvizshmërie midis tyre? Po mendoja që mundësia e kalimit nga një kategori në tjetrën e çorodit ekuilibrin e përgjithshëm, por edhe të personit vetë.
Së fundi, lidhur me rritjen e besnikërisë. A duhet ta shpjegojmë këtë rritje vetëm me formulën e tregut? Sa më shumë besnikëri, aq më pak besnikë? Është e vërtetë, se të qenit besnik ka kuptim vetëm nëse ka tradhti; e sa më shumë tradhti të ketë aq më pak besnikë ka e aq më shumë besnikëri kërkohet. Mirëpo, për mua, edhe vetë besnikëria është një farë tradhtie, për sa kohë, besniku nuk i tregon sundimtarit të vërtetën, por vetëm atë që ai dëshiron të dëgjojë. Kjo shkakton edhe shkëputjen e pushtetit nga realiteti. Dikur qosheve e sot kafeneve thuhet: “A ia thonë atij lart këto gjëra apo jo?”. Që këtej edhe justifikimi i dikurshëm shqiptar, sa i vonuar aq edhe naiv, sipas të cilit “Uji në burim është i kulluar por turbullohet rrugës”.
Besniku është egoist dhe oportunist, sepse në analizë të fundit mendon për vete dhe privilegjet e arritura.
Këtu na ndihmon koncepti i personit luajal, i afërt me besnikun, por i dallueshëm prej tij. Se njeriu luajal, pikërisht se ta do të mirën, tregohet i ndershëm ndaj eprorit, duke i thënë të vërtetën, që mund të jetë edhe e keqe për veshët e tij. Por pushteti autokratik i largon njerëzit luajalë.
“Bujarët, burokratët dhe besnikët duhet të konsiderohen si klasa në kuptimin e kastave, apo mund të ketë një farë lëvizshmërie midis tyre?”
Keto kategori universale qe i gjen ne çdo sistem politik dhe social logjika ta do te mos i nderkembejne rolet aq thjeshte, sepse perndryshe sistemi vertet hyn ne krize. Megjithate, kur nderrohen sistemet, mund te nderrohen edhe rolet. Une njoh shume “besnike” te regjimit te dikurshem qe sot jane bere “bujare”.
Edhe ajo çeshtja e dy koncepteve: besnik / luajal qe shtron ti eshte shume interesante, madje per mua pikerisht aty fle lepuri. Te ky keqkuptim “gjuhesor” e kane burimin te gjitha problemet e shqiptareve.
Meqe ra fjala, une do ta ftoja komentuesin tkapuranis te reflektonte pikerisht per kete dublet leksikor fjale shqipe – fjale e huaj: besnik – luajal.
Nje ndarje e tille nuk tregon gjendje normale ne monarki. Pushteti i monarkut varet nga kontrolli i shumices se aristokracise. Besniket si pale aktive tregon se monarku nuk ka shumicen e aristokracise. E perkthyer ne piramiden partiake roli i aristokracise luhet prej kryesise, e cila eshte tmerri i kryetareve te partive. Besniket e autoritetit suprem jane njesoj si besniket e autoriteteve me poshte, dmth nje kategori normale e pushtetit. Behen me te fuqishem kur lider maximo ka probleme me legjitimitetin dhe anasjelltas behen te padukshem kur kryetarit i shkojne gjerat fjolle me kryesine/aristokracine. Nuk ka realisht ndonje triumvirat kategorish te ketilla, cfaredo sistemi te jete pushteti kalon nga nje pale e aristokracise tek tjetra, apo nga e vjetra tek e reja.