Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media / Politikë / Sociologji

LE T'I SHMANGIM NGATËRRESAT

Jetojmë kohë të vështira e lundrojmë në ujëra të trazuara. Atentati kundër Charlie Hebdo, mu në zemër të Francës, dhe manifestimi madhështor që pasoi kundër terrorizmit e në mbrojtje të lirisë së fjalës, u duk fillimisht sikur i qartësoi gjërat, sepse të gjithë ne e pamë veten mes manifestuesve të Parisit në mbrojtje të vlerave qytetare e demokratike.

Mirëpo menjëherë më pas – megjithëse për hir të së vërtetës ekzistonin edhe më parë -, filluan polemikat, dhe tubimi disa milionësh nuk mjafton më për të simbolizuar unitetin e mendimit për ata që besojnë tek vlerat perëndimore e tek të drejtat e njeriut në përgjithësi.

Në këto momente lipset qetësi e maturi. Mbi të gjitha nuk duhen ngatërruar gjërat. Ja që kthjelltësia e mendimit merr vlerë pikërisht kur emocionet përmbytin arsyen me forcën e tsunamit. Ndërkohë, nuk mungojnë ata (e kur kanë munguar ndonjëherë?) që jo vetëm mundohen të peshkojnë në ujëra të turbullta, por edhe kontribuojnë t’i trazojnë ato.

Le të përmendim disa nga ngatërresat e thjeshtëzimet klasike që vihen re në raste tensionesh sociale globale, si këto që po kalojmë aktualisht.

Feja / Fundamentalizmi. Zakonisht një qëndrim fetar fundamentalist shikohet si qëndrim i gjithë fesë dhe i besimtarëve të saj. Kështu, deklaratat e veprimet me të cilat shprehen disa organizata integraliste islamike shikohen si shprehje e të gjithë islamit, ndërkohë që dihet se galaktika e fesë myslimane është e madhe dhe jo të gjithë myslimanët kanë të njëjtat qëndrime ndaj shoqërisë, besimit e politikës. Ndoshta duhet të rikujtojmë se fundamentalizmi është për zbatimin dogmatik të parimeve dhe se refuzon çdo interpretim evolutiv të normave fetare. Mirëpo është injorancë e dritëshkurtësi të vihet tout court shenja e barazisë midis grupeve fundamentaliste dhe fesë islame në tërësi. Nga ana tjetër, dialogu ndërfetar është conditio sine qua non për paqen në botë, por janë pikërisht pjesët më radikale që e kundërshtojnë dialogun.

Feja / Politika. Shpeshherë ngatërrohet feja me fundamentalizmin, kurse ky i fundit me projektin politik, duke harruar se aktet terroriste dhe organizatat që i frymëzojnë kanë synime të qarta politike, ndaj si të tilla duhen analizuar e luftuar. Feja në duart e tyre është thjesht mjet politik për të arritur diçka tjetër, pra përdoret në mënyrë cinike për objektiva të caktuara. Është absurde të akuzohet feja myslimane për aktet terroriste, sepse dhuna e terrori të ushtruar nga fundamentalistët, nuk është gjë tjetër veçse mohimi i Perëndisë, i njeriut, i fesë, i dialogut dhe i paqes. Kur ishte në Shqipëri, Papa Françesku tha, mes të tjerash, se askush nuk duhet ta përdorë Perëndinë si mburojë dhe se terroristët e shtrembërojnë kuptimin fetar.

Terrorizmi / Migracioni. Në datën 22 janar 2015, gazetat italiane online dolën me deklaratën e Ministrit të jashtëm Gentiloni, bërë në Londër, sipas të cilit “ekziston rreziku i infiltrimeve terroriste nga imigracioni”. Deklarata u mor të nesërmen nga një sërë mediash që duan ta stigmatizojnë dukurinë. Mirëpo, ka nga ata që e “harrojnë” qëllimisht pjesën e dytë të deklaratës së Ministrit italian, që është po aq e rëndësishme sa e para: “… porse, ta ngatërrojmë imigracionin me terrorizmin është idiotësi”. Vetë saktësimi i politikanit italian me përvojë dëshmon se rreziku i konfuzionit është real, sepse ka nga ata që duan ta shikojnë imigracionin si vektor të të gjitha të këqijave, përfshirë edhe terrorizmin, meqë është aktual, duke përfituar nga frika dhe ankthi kolektiv që po kalojnë sot shoqëritë perëndimore. Kjo nuk e përjashton mundësinë e infiltrimeve, por nuk e shpjegon plotësisht fenomenin, duke pasur parasysh se ka terroristë, për të mos folur për Foreign fighters, që janë lindur në vendet perëndimore dhe u përkasin brezave të dytë e të tretë të imigracionit.

LaRepubblica-22janar2015Etnia / Terrorizmi. Në të njëjtën ditë të deklaratës për imigracionin të Ministrit italian, agjencitë informative njoftuan me të madhe, duke i përshoqëruar lajmet, se në aeroportin e Katanias u arrestua një qytetar shqiptar i dyshuar për terrorizëm. Sipas lajmeve, bëhej fjalë për një shqiptar që udhëtonte me pasaportë false drejt Londrës, por i pajisur me dy karta imbarkimi. Nga kontrolli doli se kishte edhe një pendrive me fotografi të vetat me kallash në dorë. Hollësi të tjera nuk u dhanë, por sallata e përgatitur informative me rrezik infiltrimesh nga imigracioni, terroristë të supozuar nga Shqipëria, dëbimi i një kosovari nga Italia dhe frika e sekuestrimit të një mjeku në Libi, lë shije të hidhur; jo sepse njoftimet nuk janë të vërteta, por sepse mishela e tyre mund të jetë eksplozive për psikozën kolektive që është krijuar, ose mund të prezantohet në trajtën e humusit për paragjykime të reja.

Nga ana tjetër, shqiptarët e Shqipërisë e të Kosovës, pavarësisht nga deklaratat për bashkëjetesën e tolerancën fetare, po përmenden gjithnjë e më shumë për akte terroriste. Le të marrim shembullin e mediave italiane: “Fundamentalistë shqiptarë në perëndim të Ligurias” (Secolo XIX, 9.1.2015), “Lady Jihad” italiane dhe lidhjet me rrjetin shqiptar” (Il Giornale, 13.1.2015), “Terrori mes nesh. Në Romë celula e xhihadistëve shqiptarë” (Il Tempo, 19.01.2015), “Rrjeti shqiptar në periferi të Romës” (Il Tempo, 20.01.2015) e kështu me radhë. Natyrisht, rreziku i përhershëm për të identifikuar etninë me dukurinë negative ekziston edhe këtu, përderisa në media përmendet vazhdimisht prejardhja e tyre. Ciflat e lajmit nuk dihet ku bien.

Në këto çaste delikate që po kalojmë, kurthet e ngatërresave janë gjithnjë të ngritura. Për neutralizimin e tyre duhet t’i sqarojmë dukuritë e mos t’i ngatërrojmë gjërat, edhe pse nuk është gjithnjë e lehtë. Kjo i shërben edhe luftës së efektshme ndaj terrorizmit. Armiqtë e urtësisë e të maturisë janë të shumtë, sikurse janë të shumtë ata që për arsye të ndryshme duan kaos, pështjellim, frikë, çorientim. Si i thonë, nerva të çeliktë e mendje të kthjellët.

Pa Komente

  1. Në këtë jetë robi ka vetëm një mundësi për të kuptuar, dhe kjo është vetja. Për aq sa e arrin këtë, ka shans të kuptojë diç edhe nga tjetri. Por nëse niset të kuptojë tjetrin dhe harron veten, ia ka futur kot ose thjesht ka turbulluar ujrat.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin