Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Diaspora / Sociologji

MERITOKRACIA E TRURIT

kthimi-i-vetmuarNuk ka dyshim se në Shqipëri është verifikuar një farë mitizimi i individëve “të suksesshëm” jashtë shtetit. Mediat shqiptare e kanë bombarduar opinionin publik me mijëra artikuj, emisione televizive, reportazhe, duke krijuar personazhe me konture mitike, shpesh të pikturuar si pionierë të shqiptarisë në botë.

Është e vërtetë se shqiptarëve u ofrohej kështu mundësia për t’i projektuar ëndrrat e veta tek personat e transformuar me art në personazhe (në thelb heronj të mirëfilltë), duke e pompuar artificialisht vetëvlerësimin kolektiv prej kohësh përtokë, por është po aq e vërtetë se atyre, në këtë mënyrë, u fshehej rëndësia e faktorit “bashkësi” në rritjen e individit. Me fjalë te tjera, suksesi i fizikanit ose mjekut shqiptar në Danimarkë, ose në Amerikë, varej jo vetëm  nga përgatitja profesionale e tij, por edhe nga vlerësimi i bashkësisë bujtëse, rregullat e së cilës i dhanë përfundimisht shansin që të vinte në pah aftësitë e veta.

Në baret shqiptare, rrihet rëndom gjoksi me emra shkencëtarësh dhe artistësh që “kanë çarë” jashtë shtetit, pa harruar citime antikiteti me perandorë romakë e papë gjithfarëlloj; veçse porsa përfundon efekti ngushëllimtar i frazave “kemi aftësi ne shqiptarët“ ose ca më keq “jemi racë e zgjuar“, mbetet vetëm shija e hidhur e realitetit: shumë pak njerëz të kualifikuar janë kthyer në Shqipëri. Në fakt, përjashto projektet e dështuara të Ojq-ve të zakonshme, duhet parë se përse Shqipëria nuk arrin t’i krijojë kushtet për tërheqjen e trurit e vet. Edhe pse, në epokën e globalizimit, togfjalëshi ”truri i vet“ stonon disi. Kimisti shqiptar, projektet e të cilit financohen nga laboratorët e një vendi tjetër, e për këtë arsye fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare, edhe sikur të kthehej në atdhe, vështirë ta quash vetëm tru shqiptar, sepse rezultatet e tij varen nga shumë faktorë, duke filluar nga rrjeti dhe ekipi brenda të cilit ka punuar me vite. Pra konteksti ka rëndësinë e vet, edhe kur flasim për kthimin e mundshëm. Duhet të pranojmë se dashuria për atdheun e ka peshën e vet, sepse është ndjenjë objektive, por nuk është vendimtare në procesin e kthimit. P.sh. kimisti shqiptar kandidat për Nobel, nuk do të kthehej në Shqipëri po qe se kjo nuk do t’i vinte në dispozicion një laborator të hajrit, të paktën si ai që kishte kur punonte jashtë shtetit. Në rast të kundërt, në përfundim të ceremonive festive me flamurë valëvitës, himn të ekzekutuar live, telekamera televizive, shtrëngim duarsh me personalitete, fotografi me buzëqeshje statike, vjen vdekja e sigurt profesionale.

Çdo kthim është edhe nisje. Kthimi, në një kuptim të caktuar, përbën migrim të dyfishtë. Desha të them se integrimi në atdhe, pas vite mungese, nuk është aq i lehtë. Kjo ndodh për arsye objektive ose subjektive. Vendi i punës duhet fituar me mund e djersë. Tapetin e kuq nuk ta shtron kush, as të presin me brohoritje apo me lule. Pastaj, të gjithë e dinë se mediokriteti nuk i lë asnjë hapësirë inteligjencës. Aktualisht, ata që kanë marrë diploma ose kanë bërë specializime jashtë shtetit, duhet të kalojnë për njohjen e tyre nëpër duart e vrazhda të burokracisë. Kjo është e kuptueshme nga an njerëzore. Kjo është aq e vërtetë sa ekziston edhe kthimi përgjysmë, ose truri që kthehet në Shqipëri, por me pasaportë ose lejeqëndrim të huaj në xhep. Është një lloj valvule sigurie në rast dështimi, krejtësisht e ligjshme, por domethënëse për faktin se kthimi është vendim delikat e i pasigurt. Pa përmendur pastaj faktorët e tjerë që kanë të bëjnë me familjet.

Shteti shqiptar cilës kategori të trurit duhet t’i japë përparësi për kthim?ikja-e-trurit Shqipërisë sot i lipsen inxhinierë të anijeve kozmike apo ekonomistë? Ekspert finance apo tregtie? Kimistë apo ekspertë letërsie? Juristë apo matematicienë? Përnjimend zgjedhje e vështirë, edhe për arsyen se jo çdo gjë që mësohet në perëndim vlen për realitetin shqiptar. Shembull? Inxhinieri i fluturimeve ndërplanetare, fizikani i antimateries, ose eksperti i sistemit fiskal italian, vështirë se do ta gjente veten në Shqipëri, duke pasur parasysh se profesioni i tij mund të ushtrohet më mirë në kontekste të tjera socioekonomike. Këto dilema nuk ndihmohen aspak nga politikat skizofrenike, që nga një anë bëjnë ç’është e mundur për ta nxitur emigracionin, nga tjetra përpunojnë programe për tërheqjen e trurit të emigruar.

Megjithatë, ka plot mënyra për ta vlerësuar trurin shqiptar. Para së gjithash duke krijuar kushtet që të mos ikin nga vendi, duke i dhënë dinjitet social punës intelektuale. Përveç kësaj, mund të promovohet kthimi i tyre “virtual”, që nuk është më pak i frytshëm se ai “fizik”. Shumë studiues shqiptarë nëpër botë punojnë vullnetarisht prej kohësh për të mirën e vendlindjes, duke krijuar rrjeta bashkëpunimi me ente dhe organizma shqiptare. Këtë lidhje e krijojnë natyrshëm të gjithë emigrantët. E bën kuzhinieri shqiptar që fton pronarin të hapë një restorant në Vlorë, e bën punëtori i fabrikës që i propozon sipërmarrësit të hapë një punishte në Shkodër, e bën studiuesi që lidh departamentin e vet me Universitetin e Tiranës. Klasa drejtuese shqiptare ka vetëm një detyrë: të favorizojë formimin e kulturës së meritokracisë dhe t’i mbajë dyert hapur për të gjithë ata që mund të japin kontribut të vërtetë për bashkësinë. Shoqëria që e vlerëson meritën dëshirohet nga të gjithë, veçanërisht nga truri.

3 Komente

  1. Shqipëria nuk është Kongo apo somalia që ta ndjejë aq shumë mungesën e “trurit”… bile, për sa është, ka me shumicë.
    Më shumë se sa për Tru që Di, ka nevojë për Tru që di të Bëjë dhe Veprojë (sidomos në kushtet shqiptare).
    Është gjynah, dhe s’dua të shtoj që është krim, që mjaft persona që kanë njohuri dhe përvojë në fusha të ndryshme (dhe në forume të ndryshme kemi ndeshur debate ndërmjet personash vërtet kompetentë në fushat e tyre) që të ngelen të papërfillur nga ata që janë të interesuar për rikthimin e trurit, ndërkohë që të tjerë… vetëm se kanë një diplomë amerikane dhe deklarojnë që po sakrifikojnë, nga darka në mëngjes bëhen profesorë universitetesh …

  2. Kesaj qe thote Edrus do ti shtoja edhe dicka tjeter.
    Personalisht njoh njerin qe ka mbaruar fizike dhe prej shume vjetesh shet bide, njoh nje informaticien i cili nuk programon per kompjuterin por e shet ate, njoh nje inxhiner ndertimi qe prodhon faqe interneti ( dhe me besoni qe i njoh me gjithe mend )
    Duket sikur njerezit jane me te prirur drejt te berit biznes sesa venies ne pune te njohurive ne fushen perkatese qe shkolla ju ka dhene. Nuk dua te dal prej temes por personalisht e shoh me te ngutshme gjetjen e zgjidhjeve per mireperdorimin e trurit “vendas”, pastaj ate pertej detit.

  3. Ky artikull dhe keto dy komente jane te parat kritika qe degjoj ne lidhje me programin e thithjes se trurit. ME NE FUND. Per menyren se si po zbatohet programi i thithjes se trurit kam shume shume rezerva. Ketu do perpiqem te bej nje permbledhje te arsyeve qe kane shkaktuar lindjen e ketyre rezervave. Ne radhe te pare duhet te them e pranoj me dhimbje se sistemi universitar ne Shqiperi eshte ne krize. Programi i thithjes se trurit ne pamje te pare duket si nje perpjekje per t’i dhene fund kesaj krize. Por sa e vertete eshte kjo? Te kalojme ne analize. Duke qene se vete jam kerkuese shkencore ne shkencat sociale, analizen do ta mbeshtes ne zhvillimin e ketyre shkencave.
    Kriza e universiteteve shqiptare
    Eshte e vertete se universitetet shqiptare vuajne nga mungesa e investimeve. Nuk flas ketu per investime ne infrastrukture, por per ato ne kerkim shkencor. Sa perqind e pedagogeve shqiptare bejne pune kerkimore shkencore? Sa realisht shkencore jane punimet e tyre (po te kemi parasysh se pjesa me e madhe jane kompilim studimesh nga autore te huaj ne rastin me te mire, ndersa ne rastin me te zakonshem jane thjeshte plagjatura te perkthyera keq)?
    Ku, ne cilat revista shkencore botohen keto punime brenda vendit? Po jashte? Sa wshtw numri mesatar i pjesemarrjes se pedagogeve shqiptare ne konferenca nderkombetare te organizuara pertej zones Shqiperi-Mal i Zi-Kosove-Maqedoni? (Do jap edhe arsyet pse jashte kesaj zone).
    A jane konferencat shkencore kombetare vertete shkencore?
    Si organizohet ora e leksionit?
    Po ajo e seminarit?
    Sa literature te detyruar ka lexuar studenti i universiteteve shqiptare deri ne fund te studimeve te tij pasuniversitare?
    Pergjigje
    Pedagogu shqiptar ka nje ngarkese mesimore qe te ze frymen, e nuk te le shume hapesire e kohe per te bere kerkim shkencor. Pervec kesaj nje pedagog eshte i detyruar te jape edhe lende per te cilat nuk ka pergatitje, per te plotesuar normen. Pere pasoje:
    1. Thuajse mungojne kerkimet shkencore origjinale, pjesa me e mire jane ose kompilime, ose perkthime tekstesh te gatshem
    2. Leksionet sa vijne e pakesohen si nga cilesia, ashtu edhe nga sasia
    3. Kjo kthehet ne rutine, qe con ne shuarjen e deshires dhe vullnetit per te kryer pune shkencore

    Fakultetet shqiptare ne pergjithesi nuk kane revista shkencore. Ky fakt flet kaq shume dhe nuk ka nevoje per analiza te metejshme.
    Dyshoj se konferencat kombetare kane vlera shkencore ne Shqiperi per disa arsye:
    Se pari, gjate 9 vjeteve ne kerkim shkencor, nuk me kane zene kurre syte “Thirrje per aplikim per Konferencen x, y” (perjashto ketu Alb-shkencen). Kjo, sepse edhe ato pak konfereca qe organizohen, behen me ftesa, dhe per shkak te pageses se mire qe jepet perkundrejt cdo kumtese, keto ftesa qarkullojne brenda nje rrethi thuajse te mbyllur studiuesish e pedagogesh.
    Duke qene thuajse kudo te njejtet njerez, ndodh qe edhe kumtesat te jene thuajse te njejtat, vetem me titull te ndryshem. Koha e prezantimit zakonisht eshte 10 min deri ne 15, nderkohe qe, ndersa gjithnje parashikohet nje kohe per diskutim e pyetje, ajo thuajse nuk konsumohet. Studiuesit dhe pedagoget shqiptare kane antipati ndaj pyetjeve dhe diskutimeve (as qe behet fjale per debat), por shpesh ato mungojne edhe per shkak se shume kumtesa kane nje cilesi kaq te dyshimte saqe nuk di nga t’ia fillosh me pare.
    Ne shkencat tona sociale dhe humane eshte shume e diskutueshme edhe gjuha e perdorur neper keto kumtesa. Diskursi vazhdon te jete i tipit “populli yne trim e heroik qe rrugen e historise e ka care me shpate ne dore”
    Per te gjitha keto arsye, niveli shkencor i konferencave ne Shqiperi eshte i dyshimte.
    Po ashtu ve ne dyshim pjesemarrjen ne konferenca nderkombetare kur ato zhvillohen ne Mal te Zi, Kosove e Maqedoni, per keto arsye:
    Shpesh keto lloj konferencash organizohen nga studiues shqiptare te ketyre vendeve, dhe jane thjeshte nje klonim i tipit te konferences qe pershkrova me siper. Kur ne to ka nje pjesemarrje me te gjere nderkombetare, apo kur organizohen nga studiuese malazezw ose maqedonas, pjesemarresit shqiptare prezantojne ne shqip (difekti ketu eshte i organizatoreve), e keshtu ata as nuk kuptojne njeri, e as nuk i kuptojne te tjeret.
    Organizimi i ores se leksioneve
    Leksionet vazhdojne te jepen ose me shkrim, ose te shtypura ne kompjuter. Literatura e detyrueshme shpesh mungon, ose edhe kur jepet, ajo kerkohet te riprodhohet permendesh, njesoj si leksionet. Ne shumicen e universiteteve shqiptare seminaret organizohen si te jete ore mesimi ne shkollen e mesme, dhe debati nuk lejohet. (Perjashto ketu disa universitete private ne Tirane)
    ATEHERE, KTHIMI I TRURIT DUKET SI NJE ZGJIDHJE E MIRE
    POR CFARE NDODH?
    Truri duhet kthyer, por vetem me nje qellim, ose per te reformuar rrenjesisht strukturat dhe permbajtjen aktuale te sistemit universitar (qe do te reflektohet me ane te reformave zinxhir edhe ne shkallet e arsimit parauniversitar), ose per t’i krijuar ato nga fillimi, sepse shume disiplina mungojne fare ne shqiperi, ose edhe kur jane, jane ne nje gjendje qe nuk kerkon reformim, por krijim nga e para. Kjo do te thote qe ata qe duan te kthehen, ne radhe te pare duhet te kene deshiren dhe vullnetin per t’i bere e kryer keto reforma – e kjo kerkon sakrifice.
    POR cfare kam vene re ne praktike? Personalisht asnje nga kualifikimet pasuniversitare nuk e kam kryer jashte. Punen e kam dashur fort, dhe kam kuptuar se pa sakrifica, asnje reformim nuk kryhet. Kam shpenzuar shume per te shkuar ne konferenca te verteta shkencore, aty ku rrihet mendimi, dhe ku debati prodhon dije e horizonte. Ato ishin shkolla e munguar-aty u ballafaqova me krizen e sistemit tone te larte arsimor dhe ate te kerkimit shkencor. Arrita te krijoja lidhje e miqesi, me ane te cilave sigurova edhe nje literature relativisht te pasur. Dhe pashe se si organizoheshin leksionet dhe seminaret, debatet me studentet, si mesoheshin studentet te benin kerkim shkencor, edhe pse shume prej tyre kurre nuk do te behen studiues. Keshtu si une kane vepruar edhe shume kolege gati te nje moshe. Dhe me entuziazem kemi pritur TRURIN te na vije e te na ndricoje. Te themelonim se bashku kulturen e debatit shkencor, te perkthenim se bashku literaturat me te fundit per disiplinat tona, te organizonim leksionet ne menyre bashkekohore, e edhe seminaret; te cmitizonim historine dhe te gjitha shkencat e tjera te ashtuquajtura albanologjike….Keto do te hasnin ne rezistence, e nodshta do te kishim nje konflikt shkencor brezash. E nderkohe kurrikulumi yne ishte rritu e zhvilluar sepse ne kishim punuar dhe investuar personalisht per kete.
    POR doli se shume prej te kthyerve kishin kryer thjeshte ndonje master, te siguruar nga babi/mami/miku/leku, e qe ishin kthyer me sigurine se kjo katershe magjike do ia garantonte nje vend te mire pune. Neper universitetet ku filluan pune, shume syresh u konformuan menjehere jo vetem me shefat (ketu nuk ka asgje te keqe), por edhe me stanjacionin, me leksionet 5 faqeshe pa literature shtese, me seminare/tip/gjimnazi, shpesh pa debate. C’ndodh me kerkimin e tyre shkencor? Perjashtim, theksoj, bejne disa universitete private. Neper to kam degjuar se organizohen debate e jepet literature, por nga biseda me studente te ndryshem nga keto shkolla, serish ka shume difekte. Dhe difektet nisin qe ne momentin kur keto universitete detyrohen te punesojne lektore me tituj Prof. ne menyre qe te akreditohen sa me shume, nderkohe qe pikerisht ky brez profash eshte trashegimia me e keqe intelektuale qe na la sistemi, e eshte kiunder ketij brezi qe duheshin bere reformat.
    PRA paradoksi i thithjes se trurit qendron ne kundershtine mes aksiomes se intelektuali i pregatitur jashte ka shancet me te medha per te kryer reformimin, dhe ligjit, qe i jep kredit titujve Prof etj. Sepse te kthyerit, ne realitet, nuk mund te jene me shume se doktore shkencash, edhe per shkak te moshes se re te nje pjese te mire, edhe sepse ne boten e jashtme akademike, titulli Prof leshohet me pika, e shume pak shqiptare kane shanc te jene disa nga ato pika.
    Keshtu mendoni psh nje studiues ne Studime Kulturore, qe ka pasur udheheqes Zygmunt Baumanin psh, nen hyqmin e nje profesori x, qe kete titull e ka marre per shkak te lehtesimit te ligjit per marrjen e titujve shkencore ne 1994, me vetem nje disertacion te mbrojtur, te mbrujtur me Marksizem Leninizem. Nje rast i tille eshte imagjinar, por i bazuar ne realitet. Ne kete menyre, edhe ai qe vjen “si tru” fillon te squllet e te mos prodhoje me, te pakten jo me ritmet e meparshme, e as eksperienca e tij nuk shfrytezohet. Per kontaktet me jashte as qe behet fjale qe te shtrihen ne rang departamenti, pasi ato “duan gjithe ate pune e angazhim te ruhen, per fare pak leke (departamenti mendon keshtu)”.
    Nderkohe, ata te kthyer qe u bene profesore brenda nates, per vete menyren se si e pranuan kete, dyshoj se kane ndonje vullnet per te ndryshuar realisht dicka. Me sa po e perjetoj kete, ky dyshim po kthehet ngadale ne siguri.
    Ndersa brezi qe kthehet prej pozitave te rehatshme me pune te garantuar, nuk gjen arsye pse duhen bere keto reformime.
    Zhgenjimi me i madh i imi ka qene kur kam hasur ne qendrimin e “te shkolluarve jashte” ne lidhje me ceshtjet e nacionalizmit, etnicitetit e multikulturalizmit. Ky ka qene nje qendrim me nacional-komunist sesa i baballareve te tyre.
    Nderkohe, vertete me diploma shqiptare, por me nje CV per t’u pasur zili edhe nga ata qe mbajne titullin Prof As, mua dhe miqve te mi nuk na ka marre kerkush ne konsiderate. Kishim pritur aleatet nga qielli, por kur ata zbriten, as qe u perpoqen te kerkonin cka duhej ruajtur, e ku duhej ndrequr.
    Nderkohe qe me shume pak mbikqyrje mund te mesohet se disa prej ketyre profesoreve/24 ore, nuk i kane shkeputur marredheniet e mapareshme te punes ne vendin prej nga vijne, e vec tyre, Brain Gaini i akordon nje shume fikse mbi rroge, pervec qe u paguhet cdo udhetim jashte.
    PER MENDIMIN TIM, BRAIN GAINI KA DESHTUAR. Edhe njehere ai u kthye ne nje vegel, per te ricikluar pushtetin ne duart e nje grupi te vogel njerezish, per te bere favore me vende pune e per te bere palle me parate e taksapaguesve.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin