Blendi Kajsiu sot në “Panorama” shkruan për amerikanizimin e sistemit politik në Shqipëri dhe dobësimin e rolit të dy partive politike kryesore, PD-së dhe PS-së.
Artikulli është i gjatë, por ia vlen të lexohet (së bashku me disa prej diskutimeve këtu).
Sipas autorit, ky amerikanizim i proceseve politike shprehet ndër të tjera në dukuritë e mëposhtme:
- Partitë politike janë kthyer në makineri në funksion të liderëve, të cilët përplasen si persona dhe jo si udhëheqës partish.
- Rënia e rëndësisë së partive politike si institucione përfaqësimi, karriere dhe politikëbërjeje, po ndodh paralelisht me forcimin e rolit dhe ndikimit politik të mediave dhe bizneseve të caktuara.
- Është rritur rëndësia e elektoratit gri në mes të poleve politike, në një kohë që militantizmi politik e humbet rëndësinë dhe madje bëhet i dëmshëm, teksa partitë synojnë elektoratin e lëkundur, duke mbrehur mediat në shërbimin e tyre; teksa karriera partiake zëvendësohet me karrierën mediatike.
- Prandaj grupi themelor drejtues i partisë nuk është më as kryesia, as asambleja, as komiteti drejtues. Këto kthehen në struktura thjesht formale që atrofizohen me kalimin e kohës. Ato pushojnë së qeni forume pjesëmarrëse të anëtarëve ku ata shprehin pikëpamjet e tyre në lidhje me drejtimin e partisë.
- Drejtimi real i partisë ngushtohet tek një dorë njerëzish, ku futet lideri dhe stafi i tij i bindur si dhe përfaqësues të grupeve mediatike dhe të biznesit. Këshillat, idetë apo nevojat e këtyre të fundit e përcaktojnë kursin e partisë shumë më tepër së dëshira e përgjithshme e anëtarësisë, që në pamundësi për t’u shprehur me kalimin e kohës humbasin fare.
Po a është vërtet kështu?
A ka rënë ndikimi dhe pesha e partive në jetën politike shqiptare?
Unë nuk e besoj. Madje më duket se partitokracia në Shqipëri është shëndoshë e mirë dhe sundon në mënyrë kapilare çdo aspekt të jetës publike, duke përfshirë edhe politikën, por pa u ndalur aty, meqë ndikimi i partive shtrihet edhe në ekonomi, në drejtësi, në kulturë…
Atëherë çfarë e shtyn Kajsiun të flasë për dobësim të rolit të partive politike?
Kam përshtypjen se ai e interpreton ashtu përçudnimin e marrëdhënieve midis liderëve dhe partive politike; meqë këto të fundit po konsolidohen si instrumente të pushtetit të pak protagonistëve të jetës politike (Berisha, Rama, Meta), duke u identifikuar me udhëheqësit e tyre.
Megjithatë, kjo nuk është ndonjë dukuri e re në jetën politike shqiptare, as duhet marrë si shprehje e amerikanizimit të saj. Politika në Shqipëri gjithnjë ka funksionuar si marrëdhënie mes klaneve, të koaguluara rreth pak personaliteteve të forta. E njëjta dukuri që dje interpretohej, bie fjala, si bajraktarizim, sot po interpretohet si amerikanizim.
Vetë Kajsiu shkruan:
Në momentin që partia pushon së qeni një institucion përfaqësimi, pjesëmarrjeje dhe mobilizimi politik ajo reduktohet thjesht në instrument për marrjen ose mbajtjen e pushtetit. Kështu me të ardhur në pushtet ajo derdhet e gjitha në ekzekutiv dhe nuk ekziston aspak jashtë tij. […] Duke u bërë njësh me pushtetin funksioni i partisë si urë lidhëse mes qytetarit dhe pushtetit zhduket. Anëtarët e partisë kthehen në aksionarë, që ndjekin partinë në bursën politike në televizor, ku informohen rreth saj nga gazetarët apo analistët, të cilët dinë shumë më tepër rreth saj edhe sesa vetë anëtarët e kryesisë. Nëse partia vjen në pushtet anëtarësia mund të marrë ndonjë dividend në formën e vendeve të punës apo tenderëve.
Votuesit nga ana tjetër kthehen në një turmë konsumatorësh që ‘blejnë’ ofertën më të mirë në tregun politik. Nuk kemi të bëjmë aspak me një elektorat të polarizuar politikisht pasi si të majtë, si të djathtë, bashkohen tek dëshira për të pasur punë, për të marrë viza apo për t’u futur në Evropë. Votuesit nuk ndahen as në vlera dhe as në inter[e]sa sepse vlerat janë shndërruar në interesa, ndërsa interesat si pasojë e vështirësive të vazhdueshme ekonomike janë njehsuar në kërkesa minimale mbijetese për ndonjë punë, ndonjë rrugë, ndonjë shkollë apo ndonjë vizë. Pikërisht këto premtojnë edhe liderët politikë.
Mua më duket se këto argumente dëshmojnë për përçudnim e shmangie nga çka pritet prej një partie politike në një vend demokratik, jo për dobësim të rolit të partive politike në Shqipëri; meqë PD-ja dhe PS-ja atje nuk kanë nevojë të ndërmjetësojnë midis qytetarit dhe pushtetit, për t’iu imponuar shoqërisë dhe politikës me vullnetin e (liderëve të) tyre. As pakësimi i veprimtarive në bazë ose thjeshtimi i rolit të anëtarëve të thjeshtë nuk tregojnë ndonjë dobësim, sa kohë që aparati i partisë funksionon si përcjellës i pushtetit nga qendra në bazë (për partinë në pushtet), ose, vice versa, si katalizator i kundërvënies ndaj pushtetit (për partinë në opozitë).
Për mendimin tim, dipoli PD-PS sot në Shqipëri është vazhdues i drejtpërdrejtë i monopolit politik të PPSh-së, pas implozionit të kësaj të fundit në 1990-ën; çka shpjegon jo vetëm suksesin e partitokracisë, por edhe mënyrën e funksionimit të partive, si instrumente të pushtetit të liderëve të tyre. Adoptimi i disa formave mediatike dhe i disa teknikave të fushatës elektorale nga sistemet perëndimore vështirë se mund të lexohet si modernizim ose si amerikanizim i jetës politike shqiptare; madje ngjashmëritë e spikatura, që i vëren Kajsiu, mund të shpjegohen për bukuri si efekte të ndikimit gjithnjë e në rritje të mass mediave në proceset politike, këtu dhe atje.
Si mendoni?
Kajsiu kur permend makinen e zgjedhjeve (electorate machine, caucus maschine) mbeshtetet tek Max Weber, dhe Weber me kete kishte ndermend nje grup te burokratizuar njerzish qe merreshin perfaqesimin e interesave te tyre.
Por me kete shkrim me duket se ai deshiron me shume te ndikoj mbi, sesa te pershkruaj sistemin.
Ne Shqiperi nuk besoj se eshte byrokratizuar shume kjo makine, eshte akoma e percare dhe jo aq e perqendruar. Pastaj ne amerike kemi te bejme nje grup industrialistesh dhe bankieresh, e rrjete te medhaja politikanesh dhe biznesmenesh qe mbeshtesin nje kandidat, porse ku politikani eshte profesionist i mirefillte dhe jo aq besnik ndaj partise. Ndryshe nga sistemi europian (gjerman dhe ai italian flas me nje fare kompetence) ku individet jane te lidhur me partine, duan apo nuk duan ata; ne Sh.B.A kongresmenet psh. kane nje lloj pavaresie ne vendimmarrjet e tyre. Cfare flet edhe profesionalizmin e tyre.
Ndersa persa i perket militanteve, roli i tyre vertet eshte zbehur, nuk i shohim psh. ne poste ministrie, porse ne poste te vecanta, neper drejtori i shohim se kur hyne ne pune. Sidomos si mbikqyres dhe spiune te mirefillte.
Nejse, per mendimin tim, ngjashmeria me e mire me sistemin Amerikan do te ishte ai i Amerikes se viteve 1900-1930, kur dominonte bajraktarizmi, psh. ne mes te emigranteve te ardhur nga europa lindore dhe italianet, etj. dhe jo Sh.B.A e tanishme.
E kisha lexuar para dy ditesh kete shkrim te Kajsiut dhe me pat ardhur ne mendje ajo qe frengu e thote permes shprehjes “Pourquoi faire simple quand on peut faire compliqué ?!” (“Pse te shkruaj thjesht, kur mund te shkruaj ngaterrueshem ?!”).
Kajsiu “harron” nje fakt te thjeshte : Berisha eshte ne fund te karrieres se tij, dhe skenari aktual i kreut te PD, ngjan si dy pika uji me ate te Nanos se PS perpara zgjedhjeve te 2005-s: asokohe, Nano personalizoi totalisht fushaten elektorale te partise se tij dhe askush nuk e akuzoi per “amerikanizim te sistemit politik”. Nga ana tjeter, vetem te verberit nuk e shikonin asokohe qe nderrimi i pushtetit ishte i pa evitueshem : Nano deklaroi perpara zgjdhjeve se nese humbiste, do leshonte kreun e PS. Te njejten deklarate ben sot dhe Berisha.
Nga ana tjeter, mua me duket se Rama nuk e ka patur aq te kollajte marrjen e pozicionit te liderit ne PS. Nuk shikoj ndonje arsye qe ai te dobesoje kete pozicion, se nuk njoh ndonje shef partie ne ndonje vend te botes te refuzoje diçka te tille, “ketu” dhe “atje”.
Dhe, pa dashur t’i bej ndonje “argumentum ad hominem” autorit te artikullit, duke qene se emri i tij do te figuroje ne listat zgjedhore te LSI, me duket se ai fare mire mund te evitonte te debatonim per tema kaq “madhore” te se ndritures politike shqiptare e t’i binte shkurt e thjesht : as me Berishen, as me Ramen, por me … Meten ! 😉 Jo per gje, por do shtonte nje tulle me teper ne forcimin e partitokracise shqiptare…