Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arsim / Kulturë

GABIMI QË NA MËSON

fatal-errorEfekti didaktik i gabimit fillon nga njohja e tij. Në rast se nuk e njohim dhe nuk e pranojmë, nuk e korrigjojmë dot. Por edhe njohja e gabimit, sidomos kur bëhet ndaj të tjerëve, është art më vete. Ka të bëjë me taktin. Të gjithë e dimë se nuk ka njerëz të pagabueshëm, pra të gjithë e pranojmë se gabimi është njerëzor. Errare humanum est, thoshin latinët, edhe pse e vazhdonin me idenë e përsëritjes djallëzore.

Pasardhësit e tyre i kanë dhënë një vlerë tjetër, duke e shndërruar në proverb (sbagliando si impara) idenë se duke gabuar ne mësojmë, pra që gabimi ka edhe një efekt didaktik. Në kulturën tonë ka qëndrime të skajshme ndaj gabimit, që e anestetizon forcën konstruktive të gabimit, sepse e ndrydh dëshirën për të mësuar dhe ndoshta i vë fre krijimtarisë. Në shkrimin “Shkolla e gabimit” të Presjes, dilnin në pah edhe aspekte të tjera, që kanë të bëjnë me pedagogjinë shqiptare.

Që pas një gabimi mund të fshihet diçka gjeniale e dimë të gjithë instinktivisht, për sa kohë me gjenialitet Kulla e Pizeskuptojmë aftësinë për t’i parë problemet nga pikëvështrime të pazakonta, pra duke dalë nga binarët normalë e të përhapur të arsyetimit. Si të thuash, gabimi mund të na çojë në rrugë të drejtë. Në veprën e vet “Il libro degli errori”, shkrimtari dhe pedagogjisti Gianni Rodari, ka shkruar “Gabimet janë të nevojshme, të dobishme si buka e shpesh edhe të bukura: për shembull kulla e Pizës”.

Ka shumë mënyra se si mund ta trajtojmë gabimin e si mund të reagojmë ndaj tij. Pyetja e studiuesit të porsapërmendur “Ia vlen vallë që një fëmijë të mësojë duke qarë çka mund të mësojë duke qeshur?” jehon edhe në ditët e sotme. Nga ana tjetër, çdo gabim na jep mundësinë që të shpjegojmë historinë dhe arsyen e tij, pra të mësojmë pa dashur diçka më shumë, për të shmangur në të ardhmen gabime të tjera.

Studiuesit e pedagogjisë na kujtojnë se ka gjuhë që dallojnë disa lloj gabimesh (en. error, mistake; it. errore, sbaglio), sepse ka gabime që vijnë nga mosnjohja e plotë e argumentit, ndërsa ka të tjera që mund të vetëkorrigjohen për arsye se përgjithësisht njihen nga subjekti. Me fjalë të tjera, mbi të gjitha në shkollë, disa gabime duhen korrigjuar me ndërhyrje nga ana e mësuesit, në raste te tjera i duhet dhënë mundësia nxënësit ta korrigjojë vetë gabimin e përkohshëm. Nga ana tjetër, gabimet në gjuhë janë të tipologjive e të niveleve të ndryshme.

Që vërejtja ndaj një gabimi mund të ketë efekt paralizues e dimë të gjithë, mjafton të kujtojmë shkollën fillore dhe frikën që kemi pasur nga lapsi i kuq. Por kjo vlen edhe për të rriturit. Kur u shfaqën kompjuterët e parë, në rast bllokimi ose ndonjë problemi fare të vogël, që mund të zgjidhej me rindezjen e tij, dilte mesazhi gogol fatal error, që të kallte datën e të bënte mos ta prekje më tastierën me dorë. E megjithatë gabimi është i falshëm, shpeshherë i kuptueshëm, sikurse është jo njerëzor perfeksioni i skajshëm. Gabojmë kur jemi të hutuar, gabojmë kur jemi të emocionuar e të lodhur, gabojmë se nuk e dimë. Kush nuk punon, nuk gabon, thotë dikush.

Po kur korrigjimi i gabimit kthehet në qëllim më vete? Atëherë gabimi e humbet funksionin e vet didaktik, për t’u kthyer në mpirje të trurit e ndrydhje të krijimtarisë, sidomos në shkollë. E në qoftë se kjo kthehet në kulturë, ku korrigjimi u ngjan krahëve të këmishës së forcës, atëherë kemi të bëjmë me një sistem ku parapëlqehet ndëshkimi e jo përmirësimi. Megjithatë, në shkollë gabimi nuk duhet kaluar në heshtje, por duhen gjetur mënyrat më të mira për ta vënë në dukje. Përndryshe ata fëmijë do t’i përsërisin gabimet edhe kur të rriten, por pastaj në mos djallëzorë, do të duken injorantë.

Por a mund t’i kalojmë të gjitha gabimet, përfshirë ato gjuhësore, në kategorinë e krijimtarisë e origjinalitetit? E pamundur. Gabimet janë gabime, por bëhen diçka më shumë kur na ofrojnë mundësinë të shkojmë përtej tyre, kur ja japin kënaqësinë e kërkimit, kur na rrisin kërshërinë për risitë, kur na ndihmojmë të përmirësohemi. Edhe shkenca ecën përpara falë gabimeve. Në një farë mënyre gabimi mund të jetë karburanti ynë për të shkuar përpara, por mund të shndërrohen në zhavorr për të ngecur në vend, sidomos kur nuk njihet si i tillë.

Nuk duhet harruar se gabimet mund të bëhen si vetëm ashtu edhe në grup, por korrigjimet kërkojnë gjithnjë bashkëpunim e mendje të hapur, si me veten ashtu edhe me bashkësinë. Tek e fundit, njohja e një gabimi e mospërsëritja e tij tregon respekt ndaj vetes e të tjerëve.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin