Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

BESNIKË TË FLAKUR

Kur znj. E.K, nëpunëse civile prej disa vitesh në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, u thirr në zyrën e eprorëve të saj, mendoi se do të ngarkohej me detyrën e radhës.  Por atë ditë, ajo dhe mbi 30 nëpunës të ministrisë u lajmëruan se, për shkak të “ristrukturimit”, do të largoheshin nga pozicioni i tyre dhe do të qëndronin në listat e pritjes. E njëjta situatë vërehet edhe në ministritë e tjera, si p.sh. në Ministrinë e Bujqësisë, së Zhvillimit Rural dhe të Administrimit të Ujrave, ku së fundmi u largua edhe z. K.P, ish-drejtor pranë kësaj ministrie, aktualisht në një program formimi profesional financuar nga program i qeverisë së Shteteve të Bashkuara Amerikane “Fulbright”.

Listat e pritjes nënkuptojnë një periudhë një-vjeçare pritjeje për nëpunës të shërbimit civil që preken nga ndryshimet strukturore në sistemin e organizimit të përgjegjësive në një ministri apo bashki. Kjo periudhë është parashikuar në Statusin e Nëpunësit Civil (1999), neni 23.  Nëpunësve, sipas rregullit, u ofrohet një pozicion tjetër, por pas periudhës një-vjeçare ata e humbasin statusin e nëpunësit civil. Në ligjin e ri të shërbimit civil miratuar në 2013, neni 50, parashikon transferimin në një pozicion të ngjashëm dhe jo pritjen një-vjeçare që shkon deri në largimin e përhershëm.

Zbatimi i ligjit u shty nga tetori 2013 për në mars të 2014, sikur në historinë e statusit të nëpunësit civil të 1999, kur Freedom House (1998) raportonte se ishte shtyrë për të mundësuar largimet arbitrare të 1997-2000 dhe legjitimuar rekrutimet në vijim. Shtyrja u realizua me aktin normativ të saporrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Por do të ishte gabim të mendohej se motivi i largimeve është kryekëput politik. P.sh. një pjesë e nëpunësve të larguar në Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve u kthyen pasi shfrytëzuan lidhjet e tyre nepotiste apo korruptive nëpër strukturat e partive të koalicionit në fuqi.

Mundësitë që znj. E. K. të fitojë sërish një pozicion të ngjashëm në shërbimin civil janë thuajse zero. Departamenti i Administratës Publike (DAP), organi përgjegjës për zbatimin e politikave shtetërore në shërbimin civil, raporton se, gjatë periudhës 2002-2004 janë miratuar 735 emërime, prej nga 59 kanë qenë lëvizje paralele, nëpunës civil të promovuar ose që ndryshojnë pozicion, ndërsa të dhëna për emërime nga listat në pritje nuk ka. Gjatë periudhës 2005-2008 janë miratuar 894 emërime, prej të cilave 24 kanë qenë lëvizje paralele dhe 44 kanë qenë nga listat në pritje dhe të atyre që riemërohen me vendim gjyqi.  Gjatë periudhës 2009-2012 janë miratuar 974 emërime, nga ku 18 kanë qenë në lëvizje paralele dhe vetëm 28 nga listat e pritjes dhe të atyre me vendim gjyqi.  Të dhënat për largime nga puna janë më pak të rregullta, departamenti raporton rreth 150 largime nga shërbimi civil për periudhën 2002-2004 dhe rreth 82 largime për periudhën 2006-2009. Shifra për numrin aktual të nëpunësve në listat e pritjes nuk ka. Numri shumë i pakët i të emëruarve nga listat në pritje në raport me numrin total të emërimeve dhe të largimeve nga shërbimi civil tregon se, të jesh në listat e pritjes ka më shumë gjasa të presësh largimin përfundimtar nga shërbimi civil.

Përveç kostos së lartë që shtetit i duhet të mbartë për pagesat një-vjeçare të atyre që janë në listat e pritjes, apo edhe të atyre që zakonisht fitojnë gjyqet për largim të padrejtë nga shërbimi civil, shtetit i duhet të përballet me humbjen e kapaciteteve njerezore. Bashkëpunëtorët ndërkombëtarë nuk vlerësojnë seriozisht projektet e qeverisë nëse personat e kontaktit nuk janë të qëndrueshëm dhe nuk zotërojnë kualifikimet dhe aftësitë e duhura negociatore. Sistemi administrativ dhe funksionet burokratike nuk rinisin përherë nga zero. Organizatat mbështeten në kujtesën dhe praktikat e përditshme të funksionarëve të shtetit. Shteti ngarkohet me një kosto të madhe administrative nëse i duhet të fillojë të rindërtojë kapacitetet e riaftësojë nëpunësit përherë nga e para.

Nëpunësja E.K. kishte disa vite që bashkëpunonte me ekspertë ndërkombëtare, kishte mësuar prej tyre e kishte krijuar kontaktet e saj, miqësitë dhe njohjet e duhura.  Nëpërmjet udhëtimeve, konferencave dhe organizimeve të tjera ajo kishte ndërtuar një kapital social që e ndihmonte atë për realizimin me sukses të detyrave shtetërore. Gjithashtu, znj. E.K mishëron kujtesën institucionale që mundëson lidhjen e proceseve të kaluara me të ardhmen. Ajo  ishte një nga anëtaret e grupit që punuan për reformën e planifikuar në arsimin e lartë dhe person kontakti për raportimet me institucionet ndërkombëtare dhe ato evropaine. Znj. E.K është e njohur kësisoj me përvojat ndërkombëtare, pritshmëritë e aktorëve të përfshirë dhe situatën e arsimit në Shqipëri.

Shumëkush ka arritur të mësohet me këtë sistem organizimi të shërbimit civil në Shqipëri. Znj. E.H, së cilës gjithashtu sapo i është shpallur pezullimi nga shërbimi civil, shprehet se largimet ishin të ditura, të paralajmëruara. Një tjetër, që dëshiron të qëndrojë anonim, arsyeton se kështu ka ndodhur edhe gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike dhe do të ndodhë mandatin tjetër. Por që e presim nuk do të thotë se është e pranueshme e aq më keq e vetëkuptueshme. Institucionet demokratike të përfaqësimit, si p.sh. zgjedhjet, jo vetëm garantojnë apo konfirmojnë liritë dhe të drejtat tona, por edhe gjenerojnë shpresat për ndryshim.

Kryeministri Rama në një intervistë në AMA News (shtator 2013) është shprehur se, qeveria e re është “këtu për të mos përsëritur gabimet dhe aq më shumë fajet dhe mëkatet e së shkuarës, por për të shkuar përpara, duke respektuar mandatin e fortë që kemi.” Pikërisht, shumica e popullsisë zgjodhi një koalicion qeverisës, i cili premtoi një “projekt të  madh të shtetndërtimit dhe të ndërtimit të një shteti në shërbim të qytetarëve”, çfarë përfundimisht do të vendoste  “një raporti të ri mes shtetit dhe qytetarit”. Por largimi i nëpunësve të përkushtuar të shtetit, pa kurrfarë kujdesi ndaj normave ligjore dhe interesit të nëpunësve si qytetarë, rrënon mbi të gjitha besimin dhe besnikërinë e qytetarëve ndaj shtetit. Këto largime dhe shfrytëzimi i lidhjeve nepotiste e korruptive për të mbajtur vendin e punës  shkakton pikërisht korruptimin e sistemit dhe korruptimin e individit nga sistemi, të cilin kryeministri Rama e kishte në qëndër të kritikës së tij gjatë fushatës zgjedhore.

Qëllimi i ligjit të shërbimit civil është të krijojë “një shërbim civil të qëndrueshëm, profesional, të bazuar në meritë, integritet moral dhe paanësi politike”. Ndërsa mbrojtja që ligji i siguron nëpunësit ka për qëllim mbi të gjitha të përftojë besnikërinë e nëpunësit ndaj aparatit të shtetit, duke zbehur ndikimin e interesit vetjak apo partiak mbi funksionin zyrtar. Nëse kjo mbrojtje ligjore vazhdon të bjerret e rrënohet sistematikisht nga largimet arbitrare, shteti shqiptar nuk do të mund të ndërtojë një raport të ri me qytetarin. Ky raport nis me marrëdhënien e shtetit me nëpunësin e vet.

Pa Komente

  1. Ujku qimen e nderron, por zakonin se harron….Cdo politikan ne Shqiperi dhe ne vende me sisteme dhe struktura te ngjashme politike si Shqiperia, eshte kandidat per tu bere nje ujk i denje. Madje ky ujqezim konsiderohet si nje proces biologjik dhe gjenetik tek shqiptaret dhe rituali i “bajram kurbanit” si qellim i eperm sundimi dhe despotizmi “demokratik”. Gjithe pushtetaret vuajne nga “sindroma e Abrahamit”. Per te plotesuar nevojat gjakesore dhe klienteliste te nje Zoti imagjinar dhe delirant, cdo Isaak fiktiv duhet te flijohet ne altarin e interesavet te ngushta politike dhe partiake. Dhe si nje “deus ex machina”, vjen manipulimi i Machiavellit ” the ends justify the means”.
    Pushteti gjyqesor ngjan me nje metafore patetike….

  2. me e keqja eshte qe nepunesit i vendosin kunder njeri-tjetrit, te hahen mes vedi se kush eshte me besnik e servil ndaj ministrit te rradhes, u heqin personalitetin e dinjitetin

  3. Eh…une degjova edhe per nje z/minister/ministre, qe i ul apo i ngre funksionaret ne detyre, i kualifikon dhe s’kualifikon nepunesit sikurse te behej fjale per pike dhe jo per njerez, me kritere kryeqytetas-provinciale….etj, etj…Dhe ne cfare ministrie se……me mire t’i nderrohet emri….

  4. Kjo është plagë e vjetër e shoqërisë dhe e Shtetit shqiptar. Kur një shtet ndihet si “i huaj” nga qytetarët e vet, dhe kur nuk e respekton njeriun, nuk ka se si ta respektojë përkushtimin e nëpunësit korrekt. Në administratën shtetërore ka pasur e ka njerëz shumë të përgatitur. Por dinjiteti i tyre është nëpërkëmbur rregullisht.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin