Majin e shkuar Ekrani i Artit organizuar nga Art House më ftoi të drejtoja një punëtori të shkrimit kritik me pjesëmarrjen e të rinjve që studiojnë kinema dhe pëlqejnë të shkruajnë. Një pjesë e tyre u zgjodhën pas një thirrjeje të hapur, në bazë të teksteve që kishin shkruar më parë, të tjerët erdhën me sugjerim nga Dokufest, shkolla e filmit Marubi dhe Universiteti i Shkodrës.
Gjatë katër ditëve, pjesëmarrësit duhej të shihnin gjithë programin kryesor në kinemanë “Republika”, ta diskutonin, analizonin dhe të shkruanin një review për atë film që kishin më shumë për të thënë. Një ndihmë ishin edhe takimet e gjata pyetje-përgjigje me regjisorë dhe artistë të artit bashkëkohor të pranishëm në festival.
Në punëtori është diskutuar për strukturën e recensionit që kalon nga informacioni tek opinioni, për forma më pak dhe aspak konvencionale të shkrimit, për shmangien e metaforave, përgjithësimeve dhe e reduktimit tek lokalja, për perspektivën e disiplinave fqinje me kinemanë në leximin e një vepre filmike, për sfidën që krijon përzierja e zhanreve eksperimental, poetik, dokumentar dhe pa harruar nxitjen për të mbajtur qëndrim kur është e nevojshme.
Unë besoj që dikush që shkruan për artet (kinematografia i përmbledh të gjitha) është gjithashtu shkrimtar dhe kjo është arsyeja që gjatë punëtorisë i kemi mëshuar sa saktësisë së analizës, përdorimit të termave aq edhe çështjes së stilit, sepse gjuha vizuale, në fund të fundit, i nënshtrohet analizës nëpërmjet gjuhës së shkruar, e cila duhet ngritur në atë nivel që është gjuha e veprës së artit në mos edhe më tepër. Në një aspekt, kjo do të thotë të mos ia sakrifikosh shpirtëroren profesionit, sepse është në natyrën e çdo profesioni krijues dhe aktiviteti mendor që ta mbajë në kontroll dhe ta thajë brishtësinë emocionale të profesionistit.
Kundëruniformiteti dhe nxitja e aftësisë për një vizion origjinal të secilit ishte pika ku doja të arrinim, sepse e shihja këtë mundësi tek secili student. Se çfarë kanë dashur ata, nuk mund ta di deri në fund, përveçse të mat rezultatin e punës së tyre që është përmbledhur në një web-zin për faqen e Art House-it, i pari i këtij lloji në festivalet e shumtë të filmit që bëhen në Shqipëri. Unë pashë talent dhe vullnet, por nuk do doja që këto të viktimizohen prej rrethanave, mostherranave, më saktë, që janë mungesa e hapësirave të posaçme për kritikën filmike, mosqarkullimi i atij pak prodhimi filmik që është, mediokriteti si armik i hapur i gjykimit kritik në sferën publike dhe pas kulisave. Në ditën e fundit folëm edhe për etikën e profesionit, rolin e kritikut si aktor publik, që jo gjithmonë mësohet nga librat dhe mësimdhënësit, që gjithashtu kanë kontribuar në ruajtjen e gjendjes siç është.
Me sa kuptova, një pjesë e atyre të rinjve nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, e kanë të qartë që vokacioni nuk mund të ngatërrohet me instinktin për t’u kënaqur dhe se kënaqësia në këtë profesion nuk mund të jepet falas.
Do kisha dashur që në revistën digjitale të ishin botuar edhe shtatë variacionet që studentët kanë shkruar për të njëjtin dokumentar “Adnan, Being and Time” me regji të Marie Valentine Regan, premiera që hapi Ekranin e artit, për të kuptuar se sa mirë ia ka dalë të shprehë secili perspektivën e vet për një përvojë që e ka përjetuar kolektivisht. Një diseksion i tillë, si metodë e të parit të fenomeneve dhe ngjarjeve me interes publik, është e nevojshme të kultivohet lirisht tek të rinjtë.
Me bujarinë e Peizazheve të Fjalës po botojmë katër a pesë tekste nga 14 që u prodhuan në këtë punëtori, duke shpresuar fillimin e një bashkëpunimi me revistën.
Elsa Demo
© 2026 Elsa Demo. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.
Më duket se edhe ky shkrim pasqyron një tipar të mendimit intelektual shqiptar: ai ndalet te teknika e kritikës: te gjuha, stili, struktura, termat dhe metodologjia, por nuk hyn në botën e ideve, aty ku kritika bëhet një mënyrë për të kuptuar njeriun, shoqërinë dhe qytetërimin. Në traditën perëndimore, kritika nuk është vetëm analizë estetike; ajo është histori idesh. Pikërisht për këtë arsye, pyetja themelore nuk është si shkruhet një recension, por çfarë të vërtete zbulon vepra për epokën dhe për njeriun. Edhe ideja interesante e autores për të mos ia sakrifikuar “shpirtëroren” profesionit mbetet e papërcaktuar dhe e pazhvilluar. Ndoshta kjo është arsyeja pse mendimi shqiptar vazhdon të sillet rreth mjeteve të kritikës, ndërsa ende nuk ka hyrë plotësisht në universin e historisë së ideve, që është themeli mbi të cilin u formua kultura moderne evropiane.
Nje perpjekje e rralle per t’i dhene ndihme shqipes qofte edhe me nje fjale te vetme (punetori), qe po bombardohet eger ne kete epoke te arte te snobizmit.
Punetori – shume bukur dhe guximshem. Gjermani nuk e ka per turp te perdorin te njejten fjale fuehrer si per ate qe nget makinen aedhe per udheheqesin e shtetit.
Sa bukur do te tingellonte edhe shqip ngares ne vend t frengjishtes shofer!