Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
AI

ÇFARË TYMOS AI

Po lexoja një artikull të Isaac Deutscher, “Poeti dhe revolucioni” (The Poet and the Revolution) dhe atje ndesha në një citim me gjasë nga poema “Re në pantallona” e Majakovskit, por që nuk m’u duk i referuar drejt. E njoh atë poemë në përkthimin e Kadaresë dhe gjithnjë e kam admiruar; por nuk mbaja mend ta kisha parë atje tekstin e citimit.

Kisha të hapur Gemini-n, inteligjencën artificiale të Google-it, prandaj ia dhashë pasazhin:

If such as you are the creators then I spit upon all art. I’d rather open a shop, or go on the Stock Exchange…

Dhe i kërkova që të ma identifikonte.

Më ktheu një përgjigje të befasishme.

Citati yt, më tha, duket si variacion i një thënieje që i atribuohet poetit dhe dramaturgut frëng Alfred de Musset, nga pjesa e tij teatrale Fantasio.

Origjinali, siç thuhet nga personazhi Fantasio, shpesh citohet kështu:

“« Si vous étiez les créateurs, je cracherais sur toutes les œuvres d’art, et j’aimerais mieux ouvrir une boutique ou aller à la Bourse. »”

Citati interpretohet gjerësisht si koment për mungesën e perceptuar të kreativitetit ose frymëzimit të mirëfilltë në botën e artit, me Fantasion që shprehet se preferon aktivitete më praktike, të përditshme, ndaj artit që duket i pafrymëzuar ose thjesht akademik.

Kështu Gemini. Asgjë nga këto nuk i përgjigjet realitetit.

Në universin tonë, teksti im është një përkthim anglisht i një pasazhi të poemës “Vëllezër shkrimtarë” të Majakovskit, të shkruar në vitin 1917. Përkthimi anglisht nuk është imi, e kam gjetur në një tekst kritik relativisht të mirënjohur.

Që AI-të halucinojnë, kjo tashmë njihet dhe është përshkruar mirë. Çfarë e dallon këtë që më ndodhi mua, është se Gemini jo vetëm shpiku një citat nga Fantasio, por edhe e përktheu tekstin që i dhashë unë në frëngjishte, për të qenë më bindës.

Asgjëkundi nuk i kisha kërkuar që të ma jepte atë pasazh në frëngjishte. Përkthimi prej Gemini-t ishte thjesht performativ, me “dëshirën” për të qenë më bindës.

Natyrisht, zbutje të tipit “origjinali shpesh citohet kështu…” dhe “citati interpretohet gjerësisht” janë edhe ato profka.

Dy ditë më pas, u ktheva në Gemini dhe i kërkova që të më gjente origjinën e këtij teksti:

“« Si vous étiez les créateurs, je cracherais sur toutes les œuvres d’art, et j’aimerais mieux ouvrir une boutique ou aller à la Bourse. »”

Duke i dhënë përkthimin e ofruar vullnetarisht nga Gemini vetë.

Më thotë:

Ky citat i fuqishëm është nga Émile Zola, dhe pikërisht nga romani i tij L’Oeuvre, i botuar në 1886. Romani është pjesë e ciklit të tij të njohur Les Rougon-Macquart dhe fokusohet në botën e artit dhe të piktorëve në Parisin e shekullit XIX.

Fjalët shqiptohen nga personazhi Claude Lantier, një revolucionar dhe piktor i turbulluar (që besohet gjerësisht se bazohet në mikun real të Zola-së, Paul Cézanne).

Për të ndërruar ajër, kaloj me citatin frëngjisht te një AI tjetër, Deep Seek, që çel shtigje të reja kërkimi duke më njoftuar:

Ky citat është nga Stendhal-i, shkrimtari i shekullit XIX i njohur sidomos për romanet e tij Le Rouge et le Noir dhe La Chartreuse de Parme. Del në autobiografinë e tij e tij, Vie de Henry Brulard, e botuar pas vdekjes së autorit në 1890.

Shkoj t’ia kërkoj përgjigjen COPILOT-it, që me gjasë përdor GPT-5.1; më përgjigjet kështu:

Citati vjen nga Manifeste Dada (1918), i Tristan Tzara-s, një nga themeluesit e lëvizjes Dada.

Dhe pastaj ma sjell “pasazhin” të plotë:

« Si vous étiez les créateurs, je cracherais sur toutes les œuvres d’art, et j’aimerais mieux ouvrir une boutique ou aller à la Bourse. L’art n’est pas sérieux, je ne veux pas de l’art, car tout ce qui est sérieux me dégoûte. Je veux que l’on me dise des choses qui n’ont aucun sens. »

(Për shtesën në Italics, ChatGPT më thotë tani se “nuk është citim i dokumentuar nga Tzara”.)

I neveritur tashmë dhe para se të shkoj të hap ndonjë dyqan apo të luaj në bursë, kthehem te një dritare rastësisht e hapur në Chrome dhe ia dërgoj sërish citatin për verifikim Gemini-t që bashkëpunon me shfletuesin, për të marrë këtë përgjigje:

Kjo deklaratë e fuqishme është një citim i drejtpërdrejtë nga piktori i famshëm frëng Paul Gauguin. Gauguin e shprehu këtë në një letër mikut të tij dhe artistit bashkudhëtar Émile Bernard rreth vitit 1888. Citati pasqyron frustrimin e Gauguin-it dhe zhgënjimin e tij me botën e artit bashkëkohor dhe komercializimin e artit, teksa ai vë përballë realizimin e shprehjes artistike gjenuine dhe cektësinë e perceptuar të tregtisë dhe të financës.

Tani nuk më mbetet veçse t’i drejtohem Claude-it, në versionin falas.

I jap të njëjtin citat frëngjisht (atë që pat halucinuar Gemini) dhe i kërkoj që të më ndihmojë të gjej origjinën, duke e ngacmuar më tej dhe pyetur mos vallë është nga Gauguin-i.

Më përgjigjet:

Ky citat nuk është nga Gauguin-i, por nga Vincent van Gogh-u! [hë pra!] Është nga një letër që ai i pat shkruar të vëllait Theu në korrik 1880. Konteksti i plotë këtu është që Van Gogh-u shpreh frustrimin e tij me establishmentin e artit dhe tregtarët e artit të kohës së vet… Citati shpreh përçmimin e tij për botën e artit komercial dhe ata që e trajtojnë artin thjesht si komoditet, në vend që të përpiqen të kuptojnë përpjekjen kreative dhe pasionin pas tij.

Meqë tani nuk më kanë mbetur AI të tjera për të testuar, po guxoj të them se të gjitha këto shërbime mbeten të mangëta, kur i përdorim për të identifikuar tekst; dhe se kjo mangësi ndoshta nuk lidhet aq me burimet e pamjaftueshme, sa me vetë mënyrën si funksionojnë mendjet artificiale tani për tani.

Jemi mësuar me idenë se motorët e kërkimit janë tejet eficientë, për të gjetur tekst; por AI-të nuk shkëlqejnë si motorë kërkimi. Mbase prandaj, në përgjigjet që solla më sipër, ChatGPT-ja, Gemini, Copilot-i, Claude dhe Deep Seek “e kuptojnë” thelbin e pasazhit që u kam dhënë; madje janë gati të komentojnë gjerësisht dhe në mënyrë të arsyeshme.

Por më habit edhe këmbëngulja, me të cilën këto inteligjenca i mbrojnë “zbulimet” e tyre – Copilot-i ishte gati të bënte bé që citati vinte nga Manifeste Dada 1918 i Tristan Tzara’s, aq sa më saktësoi se “është botuar për herë të parë në Zurich në mars të vitit 1918 dhe pastaj në gazetën Dada no. 3 (Dhjetor 1918) duke qarkulluar edhe si pamflet, edhe pjesë e një periodiku; dhe se Tzara e lexoi me zë në Zurich Dada soirées, e kështu me radhë. Edhe pak dhe do të më kish informuar për kostumin që kish veshur Tzara kur e lexoi manifestin e vet me zë. Më tregoi edhe disa modele për ta cituar referencën në pajtim me stilin akademik, duke më lejuar të zgjidhja mes tyre.

Kjo më provon edhe virtytin e tyre pervers për të ndërtuar një ligjërim “veridik” mbi të dhëna të paverifikuara ose të halucinuara, që është edhe gjëja më e rrezikshme që mund t’i ndodhë studiuesit (human). Jam pothuajse i bindur se Alfred de Musset-ja, Stendhal-i, Émile Zola-ja, Paul Gaugin-i, Vincent Van Gogh-u, Tristan Tzara dhe vetë Majakovski do të më jepnin të drejtë.

(c) 2025 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është krijuar me Copilot.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin