Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
AI

TUNDIME TË REJA PËR POLICIM TEKSTESH

Dy shkrime të ditëve të fundit, njëri nga Edon Qesari (Shkrim me ngut), tjetri nga Bjorn Runa (Epoka e indiferencës), sollën në vëmendje një efekt – në dukje të çuditshëm – të përdorimit të chatbotëve të inteligjencës artificiale për të hartuar tekste: ka tani njerëz që besojnë, dhe nuk ngurrojnë ta shprehin hapur, që cilësia e mirë gjuhësore dhe ligjërimore e një teksti provon se ky është shkruar me AI (“me ChatGPT” siç thuhet, nga ata që nuk e dinë se ka edhe chatbotë të tjerë konkurrues). Një arsyetim i tillë niset nga premisa se sot përdoruesit nuk dinë më ta shkruajnë shqipen pastër dhe sipas rregullave; një premisë që është edhe pranim i një dështimi, në mos i një katastrofe. Të tjerë, më praktikë në hetimet e tyre amatoriale, besojnë se mund ta provojnë autorësinë “kompjuterike” të një artikulli, një eseje a një editoriali, apo edhe të një projekt-ligji a vendimi gjyqësor, duke pikasur shenja të thjeshta, si disa shenja pikësimi jo dhe aq të rëndomta (ajo që quhet në anglishte M-dash, dhe që nuk është veçse një vizë ndarëse e gjatë, shumë e gjatë). Paradoksi i kësaj paranoje është se vepron në të dy kahet: nga “ti je gjysmë-analfabet, prandaj ky artikull që shkruar kaq pastër tregon se ke përdorur një patericë elektronike për trurin”, në “ky artikull është i shkruar kaq pastër dhe mirë, sa nuk mund veçse të ketë dalë nga një chatbot, prandaj autori nuk mund të jetë veçse gjysmak, në-mos gjysmë-analfabet.”

Meqë famëkeqi ChatGPT, por edhe vëllezërit e tij si Copilot dhe Gemini, të ofrohen vetë për ta përfunduar muhabetin që ti bën me të me një shkrim përmbledhës në trajtë eseje, shqetësimi se shumë autorë, përndryshe të pasigurt në të shkruar, do të tundohen dhe do t’ia delegojnë penën e tyre asistentit digjital, nuk është hiç i tepruar; rrjeti dhe, më tej, mjedisi i shkruar do të vijë duke u mbushur me tekste të tilla, të dala nga “makina”; që janë, gjithsesi, më të pranueshme se gjysmakëritë dhe belbëzimet që ndesh sot online, në mediat portalet dhe rrjetet sociale. Por këtë mbytje të tregut të fjalës një drogë e keqe nuk mund ta pengojmë me polic-llëqe dhe aq më pak duke ua baltosur statusin dhe profilin atyre pak autorëve, që janë ende në gjendje të shkruajnë mirë. Madje shumë më mirë se ChatGPT-ja dhe kolegët e këtij.

Daniel Naroditsky

Në mes të këtij diskutimi për mashtrimin me ChatGPT, sidomos në ato kontekste ku aftësia për të shkruar mirë dhe qartë dhe për ta parashtruar një argument me zotësi edhe gjuhësore, edhe retorike vlen për të bërë përpara në karrierë ose për të fituar një vend pune ose për të shkëlqyer si nxënës a student, u përhap edhe një lajm në dukje nga një sferë tjetër, pa lidhje me invadimin mendor të AI-së. Në 19 tetor, Daniel Naroditsky – një popullarizues i mirënjohur i shahut online dhe njëherazi lojtar i kalibrit më të lartë, u gjet i vdekur në shtëpinë e tij, me gjasë pas një mbidoze droge, ndoshta edhe të qëllimshme. Prej muajsh, Naroditskyn e kish vënë në shënjestër ish-kampioni i botës, Vladimir Kramnik, duke e akuzuar si mashtrues, ngaqë kish përdorur rregullisht ndihmën e një motori shahu, në lojërat online.

Mashtrimi në shah dënohet rëndë, sepse sot softueri që luan shah, i njohur edhe si chess engine, është në gjendje të fitojë kundër çdo kampioni të mundshëm, duke ia tejkaluar në kapacitet trurit të njeriut. Turnetë tradicionalë të shahut kanë marrë masa të rrepta kundër atyre që duan të mashtrojnë, duke përdorur motorë të tillë, drejtpërdrejt ose tërthorazi. Dukuria është e ngjashme me çfarë ndodh kur një nxënës a student “kopjon” në provim. Natyrisht, është pothuajse e pamundur që të pengohet drejtpërdrejt online – që këtej edhe adoptimi i disa masave të tërthorta, për shembull i algoritmeve që, me gjasë, mund të pikasin të ashtuquajturat “lëvizje kompjuteri”, që janë kundërintuitive dhe mund të dëshmojnë një thellësi llogaritjeje jo-njerëzore.

Naroditsky i hodhi poshtë këto akuza, madje edhe filloi të përdorte një kombinim kamerash, në transmetimet direkte të lojërave të tij, për të treguar se nuk po “mashtronte”, dhe as po shihte, në lojë e sipër, te ndonjë ekran i dytë, sekret, i një kompjuteri që ia analizonte lojën dhe i sugjeronte lëvizjet më të mira. Por njëherazi tregoi se nuk e kish forcën e nevojshme për të përballuar këtë farë bullizmi, nga një autoritet si Kramniku; dhe më se një herë u ankua, edhe publikisht, se po i shkatërrohej jeta nga kjo fushatë, sipas tij pa bazë.

Edhe në shah, ndodhka që lojtari që luan me cilësi shumë të lartë dhe pa gabime, të akuzohet se po përdor ndihmë “nga lart”.

Natyrisht, motorët e shahut punojnë në bazë parimesh të ndryshme, nga LLM-të e chatbotëve si ChatGPT-ja; një softuer si Stockfish kërkon në miliona pozicione të mundshme, që mund të përftohen nga pozicioni ekzistues, dhe i vlerëson nëpërmjet një algoritmi si Minimax, i cili e lejon të zgjedhë për të luajtur një lëvizje që maksimalizon rezultatin e vet, me supozimin se kundërshtari gjithnjë do të bëjë një lëvizje që e minimizon atë rezultat (për motorin) – në kuptimin që kundërshtari gjithnjë do të bëjë lëvizjen më të mirë të mundshme. Softueri në thelb krijon një “pemë” me lëvizje të mundshme (“nëse unë lëviz kështu, tjetri mund të përgjigjet kështu”), me rrënjët në pozicionin ekzistues; dhe pastaj vlerëson çdo pozicion final, pas një numri specifik lëvizjesh të parashikuara. Për të kursyer në llogaritjen e variacioneve, ndihmon një metodë optimizimi e njohur si “krasitja alfa-beta”, e cila eliminon ato degëzime, që qartazi nuk çojnë gjëkundi.

Në lojërat e shahut ku lojtarët nuk kanë shumë minuta në dispozicion, ndihma prej një motori shahu – edhe sikur ky të jetë modest – mund të ofrojë epërsi absolute, sepse softueri jo vetëm që analizon miliona pozicione, por edhe e bën këtë me shpejtësi të madhe. Prandaj edhe motorët e shahut do t’i kishin paralizuar aktivitetet shahistike online, sidomos ato më të zakonshmet, po të mos ekzistonin marrëveshje për të mos e përdorur softuerin gjatë lojës dhe ndëshkime të rrepta për mashtruesit, të cilat u ngjajnë atyre që jepen në sportet fizike, për doping.

Si në shahun kompetitiv, ashtu edhe në botën e shkrimtarisë online, një gjë është që ta kapësh dikë me presh në duar, p.sh. duke nënshkruar si të vetin një raport që e ka hartuar ChatGPT-ja; dhe një gjë tjetër është të dyshosh se dikush po vepron në keqbesim, në bazë provash të tërthorta. Për shembull, sa kohë që një LLM e krijon tekstin dora-dorës, duke parashikuar fjalën pasuese me probabilitet më të lartë (në vija të trasha), teksti do ketë më pak “surpriza”, kthesa ligjërimore, fjalë të përdorura “jangllëç”, ose edhe luhatje a pasaktësi leksikore a sintaksore. Ashtu, për një fjalë si fitore, në tekstin e gjeneruar me AI do të gjesh togfjalësh të tillë si fitore e merituar, fitore e madhe, fitore e radhës, etj., por jo togfjalësh si fitore e çalë, fitore me pupla ose fitore bibliografike, me probabilitet shumë të ulët kombinimi.

Një përshkrim i përmbledhur i veglave të pikasjes së AI mund të lexohet këtu (How Professors Detect AI in Academic Writing: A Comprehensive Student Guide).

Metoda dhe vegla të tilla, sado të bazuara e të sofistikuara, nuk mjaftojnë për ta gjykuar një tekst si jo-origjinal dhe aq më pak për ta akuzuar autorin si “mashtrues” ose “kopjues”; aq më tepër që çdo lloj teksti është edhe produkt i intertekstualitetit, ose i ndikimit të drejtpërdrejtë i teksteve që i kanë paraprirë. Intertekstualiteti është i koduar në zemër të ligjërimit – pa të, komunikimi nuk do të ndodhte dot. Ka një arsye që togfjalëshi fitore bibliografike ndeshet shumë rrallë – dhe kjo është nevoja e paktë për të shprehur një koncept të tillë. Fraza e mirënjohur e Chomsky-t, colorless green ideas sleep furiously habit pikërisht ngaqë kombinon fjalë që nuk kanë gjasë të ndodhen së bashku pranë e pranë – pavarësisht nga korrektesa gramatikore e thënies.

Një metodë tjetër do të ishte pikasja, në tekstet e dyshuara, e atyre që janë quajtur halucinacione të AI-së: të dhëna të fabrikuara, referenca të pasakta ose që nuk ekzistojnë fare, citate që janë krijuar nga hiçi, e kështu me radhë. Kjo ndodh më shpesh në situata kur LLM-të nuk janë trajnuar mjaftueshëm; ChatGPT-ja ose Gemini-ja kanë më shumë gjasë të lajthitin në shqip, se në anglisht – diçka që duhet të kenë parasysh të gjithë ata që komunikojnë shqip me AI-të.

Përkundrazi, motorët e shahut nuk kanë halucinacione; sidomos versionet e tyre më të vona. Deri edhe 20 vjet më parë, kishte studiues që zbaviteshin, duke krijuar pozicione – tejet artificiale – ku motori do ta humbte toruan dhe do të gabonte, ndonjëherë në mënyrë qesharake; por sot për çudi të tilla sikur nuk po dëgjojmë më. Ajo që bëjnë motorët e shahut, është të zgjedhin lëvizje ndonjëherë kundër-intuitive, që një mendje njerëzore nuk do t’i kish zgjedhur kurrë; të ashtuquajturat computer moves, të cilat lënë shkas për dyshim, në ata që i pikasin.

Edhe në shah, edhe në shkrimtari, janë hartuar tashmë programe që llogaritin gjasat që të jetë përdorur, përkatësisht, një motor ose një AI; por të dhënat e nxjerra nga programe të tilla detektive të mashtrimit nuk janë të mjaftueshme, për të akuzuar dhe fajësuar një lojtar apo një autor; sado që mund të përdoren, dhe janë përdorur, nga bullies për të vënë poshtë kundërshtarët e tyre ose rivalët. Çfarë ndodhi me Naroditskyn provon se marifete të tilla mund të kenë pasoja të rënda, të papranueshme; dhe gjithsesi shumë më të rënda, se probabiliteti që dikush të mashtrojë, duke rekrutuar një motor shahu ose një AI. Aq më tepër që, në rastin e të shkruarit shqip, dhe në përgjithësi të hartimit të teksteve shqip, analfabetizmi mbytës dhe komplekset e inferioritetit mund të çojnë, dhe do të çojnë, në abuzime pikërisht me ata që do të kishin shërbyer si barrierë dhe shpresë ndaj mashtrimit.

(c) 2025 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është krijuar me Midjourney.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin