E vërteta e syrit në epokën e imazheve të gënjeshtërta
Rrjetet, mediat sociale, forumet, portalet dhe gjithçka tjetër “e lirë” në Internet janë pushtuar nga imazhet dhe videot e rreme. Shpesh dhe qëllimisht, autorët nuk marrin mundimin as të lajmërojnë se kanë postuar diçka të krijuar me AI me shpresë se disa nga përdoruesit do ta hanë karremin. Dhe meqë përdoruesit e rritur në mjedise të tilla zakonisht nuk janë edukuar me qasjen kritike që ndihmon për të dalluar rrenën nga jo-rrena, numri i atyre që konsumojnë imazhe dhe video të tilla vjen duke u rritur.
Që një pjesë e madhe e materialeve që ofrohen falas, online, janë të gënjeshtërta, kjo nuk është gjë e re. Deri më tash, gënjeshtra, shpikja dhe shpifja kanë qenë të kufizuara në atë medium ku është edhe më e lehtë të gënjehet – te teksti i shkruar. Përkundrazi, për arsye teknike, deri vonë fotografitë dhe aq më tepër imazhet filmike janë parë si prova të vërtetësisë; meqë falsifikimi i imazhit ka qenë, nëse kjo krejt i pamundur, të paktën aq i kushtueshëm sa të dekurajojë amatorët. Prandaj edhe ka breza – por për sa kohë – që ende i besojnë imazhit fotografik dhe kuadrit të videos ndryshe nga ç’i besojnë një teksti të shkruar.
Teknologjia sot e ka vënë mashtrimin vizual në dispozicion të kujtdo që ka kohë dhe dëshirë. Nëse një krijim me AI do ta gjejë rrugën në një mjedis publik, kjo varet nga shkalla e “patrullimit” të atij mjedisi. Një foto e sajuar ka më pak gjasa të dalë në faqen e parë të Le Monde, se në një portal të themeluar dje ose mbrëmë. Ironikisht, dyndja e imazheve të rreme online ua ka kthyer autoritetin sporteleve të vjetra të gazetarisë, që ende nuk kanë hequr dorë – të paktën formalisht ose edhe thjesht për inerci profesionale – nga pakti i vërtetësisë me lexuesit.
Në Facebook, imazhet dhe videot e rreme janë zakonisht pa autor, ose u bashkëlidhen llogarive të panjohura, që duken e zhduken brenda ditës. Anonimiteti e dobëson besueshmërinë, por impakti i imazhit të rremë është aq i shpejtë dhe viral, sa të mos i lërë kohë publikut që të reflektojë. Nga ana tjetër, dyshimi për autenticitetin e një imazhi ose të një videoje shtrihet edhe ndaj materialve që janë të mirëfillta, duke i zhvlerësuar. Një fotografi e mrekullueshme, e një insekti të rrallë në Brazil, nga një autor i apasionuar dhe i njohur në qarqet e natyralistëve, rrezikon ta humbë menjëherë jo vetëm garën me një imazh të krijuar me Midjourney, por edhe mirëbesimin dhe respektin e konsumatorit. Për të bërë një krahasim të shpejtë me paranë, duket sikur numri i kartëmonedhave kallpe në qarkullim është kaq i madh, sa nuk ka më kuptim të dalësh në pazar për të blerë.
Unë jam vetë autor dhe botues dhe i përdor pothuajse përditë krijuesit AI të imazheve, për dizajnin e revistës. Arsyeja pse e bëj këtë, është se nuk i kemi mundësitë financiare që të paguajmë një artist real; dhe se më pëlqen që të realizoj, në mediumin vizual, idetë që më vijnë mua vetë. Dikur, kur vizatoja karikatura me pseudonimin Krypa, harxhoja me orë e ndonjëherë me ditë, që imazhi të dilte ashtu siç dëshiroja unë dhe siç e përfytyroja; përkundrazi, një krijues imazhesh komercial, si Midjourney, më jep mundësinë që të krijoj një numër imazhesh ilustruese për pak minuta dhe të zgjedh mes tyre atë që, për gjykimin tim, i shërben më mirë shkrimit. I vetmi detyrim moral që kam ndaj lexuesit është – për mendimin tim – që ta deklaroj haptazi dhe publikisht, se imazhi është realizuar në bashkëpunim me AI; në kuptimin që unë kam dhënë idenë, metaforat, stilin, paletën e ngjyrave e kështu me radhë, ndërsa AI ka bërë “punën e krahut”. Imazhe të tilla, për mua që i krijoj, janë edhe ato vepra arti në mënyrën e tyre; funksioni i tyre është të ilustrojnë një tekst dhe të krijojnë një kushtëzim vizual intuitiv dhe cilësor për leximin. Me të njëjtin funksion, dje përdornim në revistë foto ose imazhe të qëmtuara në Internet, herë me leje e herë pa leje; vetëm rrallë kemi zgjedhur të ilustrojmë me imazhe të ofruara nga autorët vetë.
Gjithnjë besoj se imazhet e krijuara me AI, të identifikuara si të tilla dhe që nuk synojnë të mashtrojnë a të hutojnë përdoruesit, janë një mundësi për ta pasuruar komunikimin online, përfshi këtu edhe mediat si ato ku botoj unë. Kam dëgjuar dhe lexuar që shumë artistë vizualë i përdorin edhe në procesin kreativ, sipas nevojës; edhe mua më ka ndodhur që të marr një ide nga imazhi i krijuar prej AI-së. Nuk më duket me gjasë që kundërshtarët e këtij lloj “arti” (po e vendos në thonjëza qëllimisht) të arrijnë ndonjë ditë që ta ndalojnë – më mirë do të jetë që të synohet për një përdorim sa më etik të imazheve, përfshi edhe të atyre që përdoren për trajnimin e modeleve. Protestat e atyre kundërshtarëve më kujtojnë rebelimin e dorëshkruesve dhe kaligrafistëve profesionistë, në shekullin XVI, kur filloi të përhapej gjerësisht tipografia.
Nga ana tjetër, teknologjia e digjitalizimit të imazhit, për fotot dhe videot, ka krijuar mundësi deri dje të papërfytyrueshme për publikimin, qarkullimin dhe arkivimin e tyre; në një kohë që Interneti, edhe ky një teknologji pjesërisht digjitale, i ka rritur në mënyrë eksponenciale nevojat për imazhe. Deri pak kohë më parë, riprodhimi i një imazhi mbështetej mbi një teknikë indeksikale, si fotografia analoge – një proces në thelb kimik, mjaft i kushtueshëm. Por digjitalizimi tani kërkon një përkufizim të vetë statusit semiotik të imazhit, aq më tepër që imazhet sot mund t’i krijojë, t’i riprodhojë dhe t’i shpërndajë kushdo. Nga kjo perspektivë, mundësia për të gënjyer me imazhe nuk është veçse faza më e re e një evolucioni teknologjik që ka nisur prej kohësh; dhe e një konvergimi mediash që përfshin teatrin, studion fotografike të dikurshme, filmin e animuar dhe videolojërat. Ngjashëm ka evoluar edhe riprodhimi digjital i tingullit, deri atje ku sot mund të krijohet muzikë “e re” nga autorë (këngëtarë) të vdekur dhe të manipulohet lirisht autenticiteti i zërit.
Në vështrim të parë, duket sikur teknologjia e krijimit të imazheve me AI e ka futur në krizë marrëdhënien e fotove dhe të videove me realitetin (të vërtetën); sa kohë që i vetmi reagim inteligjent, ndaj një imazhi që të del përpara në Facebook ose në Instagram, është që të dyshosh se mund të jetë i rremë. Por efekti afatgjatë i ngopjes së ekosistemit mediatik me imazhe të rreme (për më tepër, pa autor) është, në fakt, rritja e autoritetit të mediave tradicionale dhe fuqizimi i pushtetit të tyre ndaj fjalës së lirë. Edhe pse një gazetë si La Repubblica unë nuk e lexoj më (sepse nuk i besoj më), dhe gjithnjë betohem se edhe Corriere della Sera-n do ta heq nga lista e faqeshënuesve një herë e përgjithmonë, sërish imazhit që më vjen i certifikuar nga një prej këtyre dy faqeve online do t’i besoj më shumë se një imazhi që më jep – sa për të sjellë një shembull çfarëdo – faqja Dagospia. Virtytin e tyre të rifituar, si garante të autenticitetit online, korporatat e mëdha mediatike tani do ta shfrytëzojnë për t’ia rikthyer vetes prestigjin që mund të kishin humbur, në vitet e anarkisë së informacionit; dhe burimet alternative të lajmeve dhe materialeve të tjera do të damkosen si të pabesuara (unreliable), edhe kur nuk janë. I nxjerrë përjashta nga anonimiteti anarkik i uebit 2.0, autoriteti tradicional po gjen mënyrën për t’u rikthyer, si mbrojtje e garanci ndaj mashtrimit digjital. E shoh këtë si disfatë të papritur për fjalën e lirë.
(c) 2025 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.