Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Letërsi

DASHURIA – E GRUAS, E BURRIT

– me shkas dy poezi, por jo vetëm –

CILI DASHURON MË SHUMË?

Rastësisht dy poezi dashurie në duart e mia, por jo dhe aq rastësisht… dhe a mund të themi “të dikurshme” për poezinë, që gjithmonë është e tashme, sipas meje, e çastit kur e lexojmë.

Dy poezi, e një burri dhe e një gruaje, të së njëjtës kohë, shekulli XIX, të së njëjtës gjuhë – anglisht, vendi – Angli, poetë të njohur jo vetëm në kohët e tyre, Alfred Tennyson dhe Cristina Rossetti. Pse këta? Kam histori me poezitë e tyre? Mund të gjeja dhe të tjera, por ato më gjetën… për t’më ndihmuar t’i përgjigjem pyetjes se cili dashuron më shumë, burri apo gruaja? Në fakt është më mire të flasësh për dashurinë. Që kur kam qenë student në shekullin e kaluar, mbaj mend që dikush tha: dashuria ka dalë nga moda (?!). Botova edhe një poezi atëherë si përgjigje kësaj, por ishte ajo kohë që u quajt “koha e liberalizmit”, fillimi i viteve ’70, para plenumit IV të partisë, që e dënoi aq ashpër atë kohë.

Po dashuria ndryshon nga koha në kohë? Si është në shekullin XXI? A nuk është e përjetshme? Përjetësi nuk do të thotë mos-ndryshim… Tani sikur s’i duan shqetësimet e dashurisë, atë romantizëm me ballkone Romeosh dhe Zhuljetash?

Po unë do t’u kthehem dy poezive “mbretërore”, viktoriane. Që të dyja i kam përkthyer në shqip në kohë dhe vende te ndryshme, madje të kundërt, nëse mund të thuhet për vendet, për Shqipërinë Socialiste atëherë dhe Anglinë kapitaliste, ku atje nisi, madje dhe u modernizua, etj, etj..

T’i lëmë mënjanë të gjitha këto, madje dhe teoricienët e poezisë, dashuria është dhe pikërisht është dhe shkas për të gjithë poezinë e botës, sipas meje, për letërsinë të gjithë… ashtu si dhe për luftën e parë botërore, atë të Trojës, nëse mund ta quajmë të tillë, por dhe për dy luftërat botërore të shekullit XX, etj, etj.

Do të doja të nisja me gruan poete, por po ndjek kronologjinë e datëlindjeve:

1. Alfred Tennyson (1809–1892) një nga poetët më të mëdhenj britanikë të shekullit XIX, kishte titullin “Poet Laureat i Mbretërisë së Bashkuar”, e mbajti deri në vdekje. Veprat e tij lirike dhe epike shpesh përshkohen nga temat e dashurisë, vdekjes, besimit dhe dyshimit, si dhe motive nga mitologjia dhe legjendat arturiane. Janë cilësuar madhështoreMe stilin e tij muzikor, me një gjuhë të pasur dhe imazhe të fuqishme. Tennyson konsiderohet zëri poetik i epokës Viktoriane.Poezia që kam ndër duar është lirika “Vajza e Mullisit”. Çuditërisht kjo kishte hyrë dhe në burgun e Spaçit, ku unë isha, madje në origjinal dhe të burgosurit që vazhdonin ta donin poezinë dhe në ferr, rrekeshin dhe e përkthenin si mundnin, gjithmonë me një lloj fshehje se të burgosurit duhej të punonin si skllevër minierave dhe s’duhet të lodheshin për ‘mbeturina” të tilla si poezia. Në burg kishin hyrë vetëm tre strofa, mbase aq mjaftonin. Tani vonë e plotësova:

VAJZA E MULLISIT

Është vajza e mullisit që po rritet
E tëra e dashur dhe e tëra pa faj.
Dhe unë do desha të isha vëthi,
Të dridhesha në veshin e saj.
Ditë e natë i fshehur ndër kaçurrela
Qafën e bardhë e të ngrohtë do prekja.

Dhe unë do doja të isha brezi
Rreth belit të saj aq të hollë e të brishtë.
Zemra e saj pranë meje do të rrihte
herë hokatare dhe herë e trishtë
Dhe do e dija që rreh për mirë e jo kot
Dhe unë do e shtrëngoja fort e më fort.

Dhe do të doja të isha gjerdani.
Gjithë ditën e gjatë të ngrihej, të ulej
Me të qeshurat e saj, me psherëtimat
Mbi gjinjtë e mbushur erë jetë lulesh.
Pranë shpirtit do të prehesha aq lehtë,
Fshehtas s’do të hiqesha nëpër net.

Dashuri që digjesh e bukur lartësive!
Flaka e pastër përherë do të jetë.
Zemra ime mbushet me bekime
Puthja ime të bëri timen për jetë.
Vajzën e mullisit më në fund e fitova
Kaq mjaftoi dhe botën ndriçova. 

Le të gëzojë gjithë bota me mua
Se të fitova dashuria ime,
Jeta ime, drita ime, – nusja,
Xhevahiri im plot vezullime.
Të bien kambanat, flamujt të valojnë
Të çmenden qytetet, nga gëzimi të këndojnë.

 

Është rrëfimi i një burri që është martuar me vajzën e mullisit, e bukur dhe e dashur, që e ka përmbushur jetën e tij.

Tennyson përdor metafora delikate dhe fizike (si vëthë, rrip, gjerdan) për të shprehur dëshirën për afërsi dhe unitet të plotë me të dashurën e tij.

Poezia mbart një ideal të dashurisë së pastër bashkëshortore, tipik për një sensibilitet viktorian, me ndikim nga romantizmi. Poezia është prapë më e gjatë, por ky është version më i njohur dhe i përmbledhur (nga botimi i vitit 1842), nga vetë Tennyson. Të burgosurit e Spaçit kishin patur të drejtë…

2.Christina Rossetti (1830 – 1894), londinezja që jetoi epokën viktoriane të shekullin XIX, kur Anglia ishte fuqia më e madhe perandorake koloniale dhe e revolucionit industrial, e zhvillimeve kulturore mes tensioneve të traditës dhe modernitetit, të konservatorizmit, të kufizimeve ndaj grave dhe sfidave dhe ndryshimeve, prandaj dhe Rosseti trajtonte çështje të feminitetit dhe religjionit, ndërkohë kishte dalë Darvini, poetja i mbeti besnike një besimi të thellë anglikan. Poezia që kam ndër duar është shumë e dashur dhe e përhapur për temën e saj të dashurisë, por kaq shumë paqësore dhe njerëzore mbi ndarjen dhe lamtumirën, madje është përdorur shpesh në ceremonitë mortore për shkak të qetësisë, forcës dhe thjeshtësisë që përcjell.

Toni i butë, ngushëllues si në shumë poezi elegjiake të Christina Rossetti-t, që flasin për vdekjen si çlirim, jo si humbje. Nga të gjallët kërkohet të mos qajnë, por të kujtojnë dashurinë dhe të vazhdojnë jetën:

E NDJEJ MUNGESËN,

POR MË LËRË TË SHKOJ

 

Kur të arrij në fund të rrugës
Dhe dielli të ketë perënduar për mua,
S’do të doja rite në dhomën e mugët,
Pse të qajmë për shpirtin që u çlirua?

Do të mungoj, por s’është përgjithmonë,
Kokë ulur s’dua të të shikoj.
Kujto që dikur ndamë dashurinë tonë,
Do më mungosh, por më lërë të shkoj.

Është udhëtim që do e bëjmë patjetër
Dhe vetëm do ta bëjë çdo njeri.
E gjitha është pjesë e Planit të Epërm,
Një hap rrugës për në shtëpi.

Kur të jesh vetëm me zemrën të vrarë,
Te miqtë tanë shko, ta dëshiroj.
Qesh me gjërat që bëmë më parë,
E ndjej mungesën, për më lërë të shkoj. 

Dhe çudia, do të thosha, kjo poezi nuk ka siguri që është e Christina Rossetti-t, edhe pse shpesh i atribuohet asaj. Gabimisht? Nuk gjendet në veprat e saj të botuara dhe as në dorëshkrimet e saj. Studiuesit mendojnë që ka shumë gjasa që të ketë ndodhur ajo që ndodh shpesh me poezitë popullore, sidomos tani me internetin. Ose është shkruar nga një autor anonim, ndoshta i shek. XX, por me një stil që përngjan me ndjeshmërinë e Rossetti-t. Disa e lidhin këtë poezi me emra burrash si Edgar A. Guest, David Harkins, madje dhe me autorë anonimë funeralistë, etj. etj.

Mund të gjeja poezi të sigurtë nga Christina Rossetti, madje dhe në burg kishin hyrë poezi të saj dhe i kemi përkthyer, por po më pëlqen të mbaj këto poezi tani, anonimati i saj, se më duket si zë gruaje, i shumë grave dhe rrëfen shumë…

 

KA IKUR ROMANTIZMI

APO I KEMI IKUR NE?

Po romantizmi duhet? Tani në dashuri, në poezi? Po sikur të thosha: po, mbase më shumë se kurrë. Sepse romantizmi nuk është vetëm stili me trëndafila e hënë, – do ia shpjegoja ndonjë të riu, apo ai do t’i drejtohej Inteligjencë Artificiale, – romantizmi është besimi se ndjenja ka vlerë, se njeriu nuk është vetëm mendje e trup, por një shpirt me dëshira dhe ëndërr, që do të shprehë mallin, humbjen, bukurinë, përjetimin e një përjetësie të brendshme, etj, etj. Po në poezi? Të konsultohem dhe unë me teknologjinë moderne? Romantizmi është oksigjen për poezinë, nëse e kuptojmë si shpërthim i sinqertë i emocioneve, i përshkuar nga përfytyrimi dhe përkushtimi estetik. Poezia pa një ndjenjë të thellë, qoftë ajo e lartësuar apo tragjike, bëhet vetëm lojë fjalësh. A ka romantizëm modern? Unë besoj se po dhe s’ka pse të jetë nga ai i vjetruar, mund të jetë i përzierë me modernitet dhe urbanistikë, me ironinë, me dhimbjen “bashkëkohore”, me heshtjen e të gjitha kohërave dhe thyerjet, e ku di unë çfarë tjetër, por thelbi mbetet: ajo dëshirë për të arritur tek tjetri, tek e përjetshmja.

Romantizmi në dashuri nuk është vetëm gjeste të mëdha, kuaj, trena, ballkone, serenada me hënë, duel, por thjesht vëmendje, ëndërr, sakrificë, besim tek një tjetër njeri, në një kohë kur gjithçka është e konsumueshme dhe e përkohshme. Romantizmi nuk është naivitet, është guximi për të dashur edhe kur është më lehtë të qëndrosh i padashur dhe të mos duash. S’e di sa të lehta janë, o Zot!Në fund të fundit unë e shoh romantizmin si qëndresë ndaj zbrazëtisë, ndaj banalitetit, ndaj ftohtësisë që na rrethon. Ai është një lloj etike e rinovueshme e shpirtit.

* * *

Nuk e di sa ndihmuan poezitë e premtuara, ajo e Alfred Tennyson-it dhe ajo e Cristina Rossetti-t, megjithëse që të dy ata nuk janë poetë romantikë, por viktorianë dhe ka ndryshime, karakteristika që i dallojnë nga poetët romantikë si Wordsworth, Coleridge, Byron, Shelley apo Keats.

Romantizmi ka më shumë prani të natyrës, mitologjisë dhe ndjenjave të fuqishme, është më racional, shpesh më moralizues.

Viktorianët trashëgojnë disa elemente të romantizmit, por i përpunojnë ato në një kontekst të ri kulturor dhe historik, pra të epokës viktoriane, me sfidat sociale, teknologjike dhe shpirtërore. Të ndërgjegjshëm për moralin publik, detyrën, religjionin dhe skepticizmin ndaj tij, për zhvillimin shkencor, në krahasim me idealizmin emocional dhe shpirtëror të romantikëve. Më të më strukturuar dhe shpesh më klasikë, I rikthehen sonetit dhe “blank verse” – vargjeve të bardha), e kështu me radhë.

I KTHEHEMI PYETJES?

Burri apo gruaja, kush di të dojë më shumë? Më thellë. Që tejkalon dhe vdekjen? Pyetje e çiltër, mbase jo në modë, por miqësore, nxitur nga poezitë…Gjithsesi pyetja fsheh brenda një mister të përjetshëm të dashurisë njerëzore dhe përgjigjja s’mund të jetë e njëtrajtshme dhe nuk shërben asnjë statistikë. Dashuria e gruas dhe dashuria e burrit shpesh kanë trajta të ndryshme, sikurse edhe vetë natyrat e tyre.

Burri duket se sheh më nga jashtë, me përdëllim, edhe kur ngjan si i largët, e do femrën, i futet dhe në gjumë, me një përkushtim që shpesh trondit, mbase të nesërmen, në zgjim, ka dhe një vendim siç duhet të ketë ndodhur në poezinë e Alfred Tennyson-it. Gruaja, me ndjenjën e saj të thellë dhe përkushtimin që shpesh kalon përtej jetës, duket sikur e do burrin me një qëndrueshmëri dhe sakrificë të pashoqe, siç e shohim në poezinë e Cristina Rossetti-t,A është dashuria e gruas më e thellë apo ajo e burrit më dramatike? Apo mos ndoshta dashuria është e njëjtë, dashuri, në çdo shekull, madje dhe në ata që do të vijnë, por shprehet ndryshe? Në këtë dilemë pa përgjigje të prerë, qëndron edhe bukuria.Nëse gruaja dhe burri janë dy universe, a mund të themi se dashuritë e tyre janë si dy yje apo planetë që ndriçojnë ndryshe, por me dritën të njëjtë?Gruaja besohet se shpesh dashuron me një zjarr të heshtur, të qëndrueshëm, një përkushtim që përfshin sakrificën dhe kujdesin edhe përtej kohës dhe hapësirës si te poezia e Christina Rossetti-t, ku dashuria vazhdon edhe në botën tjetër. Besnikëria e gruas duket e natyrshme, e pashmangshme, e lidhur me instinktin e saj për të mbajtur gjallë jo vetëm dashurinë, por edhe qëllimin e saj.Ndërsa burri besohet se dashuron me një forcë shpesh të patrazuar, të përplasur mes pasionit dhe fatit, ndonjëherë duke e kuptuar thellësinë e ndjenjave të tij më shumë natën si në poezinë e Tennyson-it, duke zbuluar ngazëllimin e pranisë edhe me mungesën. Dashuria e burrit edhe mund të ketë trandje dhe është po aq e fortë dhe e pashkatërrueshme.Pra, kush dashuron më me forcë? Gruaja me përjetësinë e dashurisë apo burri i thirrur drejt saj? A mund të themi që mbase forca e dashurisë nuk matet me zjarrin që ndriçon, por me hirin që mbetet?

S’e di ç’më bën të mendoj se dashuria e gruas ka më shumë përkushtim dhe besnikëri. Nëse burri e himnizon gruan për dashurinë e tij, do të thotë që ai e pranon ndjenjën e saj sipërane. Gruaja, me durimin dhe forcën e saj të brendshme, shpesh e dashuron burrin jo vetëm si bashkëshort, njeri, por dhe si një kauzë, si një ideal, duke i dhuruar jo vetëm praninë, por edhe mirëkuptimin e sakrificën.Gruaja është ajo që nuk kërkon të fitojë, por të japë veten tërësisht.

A mund të ndërrohen rolet?

A mund të jetë burri ai që dashuron me durim, që fal e pret, dhe gruaja ajo që kërkon, që braktis e rikthehet?Po. Historia dhe letërsia kanë shembuj ku burrat kanë dashuruar me përkushtimin e një gruaje, të palëkundur dhe heshturazi si Dante për Beatricen ose Petrarka për Laurën. Po kështu dhe poezia e re Dhe po ashtu, ka gra që janë përpëlitur midis pasionit dhe tradhtisë, duke dashuruar me zjarrin e një burri.Nëse thellohemi në natyrën e dashurisë, duket sikur këto role janë më shumë thelbësore sesa të rastësishme. Gruaja, me natyrën e saj më të brendshme, duket sikur ka një forcë më të madhe për të dashuruar, duruar dhe falur. Ndërsa burri, edhe kur e dashuron thellë, duket më i prirur të endet, të kërkojë e të pendohet.Në fund të fundit, burrat dhe gratë e plotësojnë njëri-tjetrin pikërisht për shkak të këtyre dallimeve, njëri duke kërkuar strehë, tjetri duke e ndërtuar atë. Njëri duke u përfshirë në kohë pasioni, tjetri duke e ruajtur përjetësisht.Ndoshta dallimin nuk e bën intensiteti i ndjenjës, por mënyra se si përjetohet dhe shprehet. Gruaja dashuron me një përkushtim të pashoq deri në shenjtëri, ndërsa burri me një forcë shpesh të trazuar, por të madhërishme.

Po dashuria në shekullin XXI: frikë apo shndërrime?

Në një epokë të shpejtësisë, teknologjisë dhe konsumit të menjëhershëm, duket se dashuria po përballet me sfida të reja. Mund të pyesim nëse dashurojnë ende njerëzit me ngulmimin dhe forcën e dikurshëm apo kanë frikë nga ndjenjat e fuqishme dhe mjaftohen me një kënaqësi të përkohshme?

Shekulli XXI karakterizohet nga një qasje pragmatike ndaj gjithçkaje, përfshirë edhe marrëdhëniet dashurore, sado e madhe qoftë trashëgimia romantike. Përvoja e dashurisë si një përkushtim i thellë dhe një risk emocional duket se tremb shumë njerëz, sidomos ata që janë rritur në një kulturë të mbështetur mbi individualizmin dhe pavarësinë. Përfshirja në një lidhje të thellë shpirtërore kërkon kohë, durim dhe ndonjëherë sakrificë, gjëra – kështu po i quajmë, – që bien ndesh me jetën moderne, ku gjithçka kërkohet të jetë e shpejtë, e lehtë dhe e kontrollueshme. Kjo frikë nga humbja e vetes në tjetrin i bën shumë njerëz të qëndrojnë në sipërfaqe të ndjenjave, duke shmangur lidhjet që mund të jenë të dhimbshme ose të paparashikueshme.

Një nga fenomenet e dukshme të kohëve moderne është lidhja e lehtë dhe e çliruar nga përgjegjësia, edhe ajo emocionale. Teknologjia ka sjellë mënyra të reja për të krijuar dhe përfunduar marrëdhënie me një klikim, duke e bërë seksin më të aksesueshëm se kurrë më parë. A është kjo një shenjë e dekadencës, apo një formë e re lirie? Shumë njerëz zgjedhin marrëdhënie pa angazhim, duke e parë dashurinë si një rrezik që mund të sjellë zhgënjim. Kjo nuk do të thotë se ndjenjat kanë vdekur, por që forma e shprehjes së tyre ka ndryshuar, mendoj.Dashuria e vërtetë nuk është zhdukur. Ajo vazhdon të ekzistojë tek ata që guxojnë të ndjejnë, të lëndohen, të ëndërrojnë dhe të kërkojnë diçka më shumë se një lidhje kalimtare. Besoj që dhe në shekullin XXI dashuria nuk është normë e përgjithshme, por një zgjedhje për ata që nuk i tremben gjithpushtetshmërisë së saj.Teknologjia ka ndryshuar mënyrën se si njerëzit njohin njëri-tjetrin dhe ndërtojnë marrëdhënie. Aplikacionet e takimeve kanë thjeshtuar procesin e gjetjes së një partneri, por njëkohësisht kanë krijuar një kulturë të konsumimit të shpejtë të lidhjeve. Në vend që të investojnë emocionalisht, shumë njerëz lëvizin shpejt nga një marrëdhënie në tjetrën, duke kërkuar përherë “opsionin më të mirë”. Kjo ka krijuar një mungesë stabiliteti dhe një pasiguri të vazhdueshme në marrëdhëniet dashurore në përgjithësi, jo vetëm ato romantike, nëse ka.

Dashuria si revoltë kundër sipërfaqësores

Në një botë ku lidhjet janë bërë si të përkohshme dhe ndjenjat e thella shpesh si të rrezikshme, zgjedhja për të dashuruar me gjithë qenien është dhe si një akt revolte. Dashuria e vërtetë kërkon guxim – guximin për të qenë i hapur dhe i pambrojtur për lëndime dhe për të dhënë pa pritur gjithmonë diçka në këmbim. Nëse dashuria do të mbetet dhe një zgjedhje e vetëdijshme, një akt i kundërshtimit ndaj sipërfaqësores së hatashme dhe konsumizmit emocional të pamëshirshëm, do t’i mbijetojë dhe shekullit XXI.

(c) 2025 Visar Zhiti. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

1 Koment

  1. Kjo persiatje do te ishte interesante e trajtuar si roman. Bashkebisedime karakteresh ne burg mbi nje tekst qe qarkullon fshehtazi neper qelite, copeza dialogjesh qe i shpetojne vesheve te rojeve, dhunes fizike e intelektuale te burgut. Nje lloj romani si i Umberyo Ecco.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin