Shënime për librin Die Sprache der Albanesen oder Schkipetaren, nga Joseph Ritter von Xylander.
Në veprimtarinë kërkimore të studiuesve të huaj për albanologjinë, studiuesit gjermanë zënë vendin e parë, si nga kronologjia e interesimit për këtë fushë studimesh ashtu dhe nga sasia e cilësia e studimeve dhe e arritjeve shkencore. Interesi i studiuesve gjermanë për Europën juglindore e konkretisht për Shqipërinë fillon që nga fundi i shekullit XVIII, në periudhën e romantizmit gjerman të themeluar nga vëllezërit Friedrich dhe August Schlegel, një rrymë filozofike letrare që e ktheu vështrimin nga e kaluara antike greko-romake dhe nga popujt ekzotikë. Nga të parët që shfaqën interes për shqiptarët e gjuhën shqipe që në shek. XVIII ishte filozofi i madh Gottfried Leibniz, i cili shtroi problemin e prejardhjes së gjuhës shqipe e të marrëdhënieve të saj me gjuhët e tjera indoeuropiane[1] dhe më pas Johann Thunmann, i cili qe i pari që u shpreh me autoritetin e historianit të shquar për autoktoninë e shqiptarëve dhe vazhdimësinë e tyre nga ilirët, fqinjët e lashtë të grekëve dhe nënshtetasit e Romës së lashtë.
Kërkimet shkencore të gjermanëve për Shqipërinë përfshijnë fusha të ndryshme të albanologjisë dhe periudha të ndryshme kohore të saj. Një nga çështjet themelore ishte prejardhja e gjuhës shqipe, deri atëhere e mbuluar nga errësira ose e pasqaruar saktë. Në atë kohë kishte hedhur hapat e para edhe gjuhësia krahasuese indoeuropiane, që me kërkimet e William Jones-it, dhe kishte marrë rëndësi çështja e përkatësisë së gjuhëve në një familje të caktuar gjuhësore. Kështu që studiuesit që hulumtonin mbi shqipen e shihnin edhe nga aspekti i marrëdhënieve të saj farefisnore me gjuhët e tjera i.-e. Ndër të parët që vuri re karakterin indoeuropian të shqipes, duke e provuar me ekzistencën e tri gjinive, ishte danezi Rasmus Rask në 1826, por vepra e tij nuk pati jehonën e duhur.
Ai që shtroi në debatin intelektual të kohës, me përpjekje serioze për argumentim, prejardhjen indoeuropiane të shqipes, qysh para vërtetimit të saj prej Franz Boppit më 1859, ishte oficeri gjerman Joseph Ritter von Xylander në vitin 1835. Ai nuk ishte gjuhëtar dhe nuk kishte qenë kurrë në Shqipëri, por u mor seriozisht me gjuhën shqipe dhe me prejardhjen e shqiptarëve. Në kohën e tij ushtarakët e karrierës përbënin një shtresë të arsimuar dhe me interesa të gjerë kulturorë. J. Xylanderi ishte doktor në filozofi dhe anëtar i Akademisë Ushtarake Suedeze. Për disa vjet ai qe në shërbim të Mbretërisë së Greqisë, ku pati rastin të njihet nga afër me shqiptarët, me kulturën, historinë dhe gjuhën e tyre. Për studimin e gjuhës shqipe ai u nis jo vetëm nga interesa shkencore por edhe nga nevoja praktike e mësimit të gjuhës shqipe nga bashkatdhetarët e tij që jetonin në Greqi, pjesë e popullsisë së të cilës ishin shqiptarët arbërorë. Kështu, duke vënë re se për shqipen nuk kishte një manual për mësimin e gjuhës, ai mendoi që me materialet e grumbulluara deri në atë kohë për shqipen të jepte një përmbledhje që t’u shërbente si studiuesve që donin të thelloheshin në këtë gjuhë, ashtu edhe njerëzve të thjeshtë që donin ta mësonin gjuhën për qëllime komunikimi. Lëndën e shqipes bashkë me një studim origjinal për prejardhjen e shqipes dhe marrëdhëniet e saj të afërisë ai i botoi në librin “Die Sprache der Albanesen oder Schkipetaren”, Frankfurt am Main, 1835, me 320 faqe. Në këtë vepër ai jep së pari, në një parathënie, gjendjen e shkrimeve shqip të njohura deri atëhere, ku hyjnë tekstet e autorëve të vjetër Frang Bardhit, Budit dhe Bogdanit, gramatika e Da Lecces, Fjalori trigjuhësh i Teodor Kavaliotit si dhe fjalori katërgjuhësh i Danil Haxhiut, pastaj edhe gjendjen e kërkimeve për gjuhën shqipe nga disa hulumtues si Pouqueville-i, Hobhouse-i e Martin Leake-u, të cilët shkruan edhe për shqipen në shënimet e tyre të udhëtimeve në Greqi e Shqipëri. Këta autorë kishin sjellë një lëndë relativisht të bollshme për shqipen, sidomos Martin Leaku, i cili kishte dhënë shënime të plota mbi gramatikën e Da Lecces, një listë fjalësh si dhe ushtrimet e gjuhës të Danil Haxhiut, të përkthyera prej tij në anglisht. Këto materiale shfrytëzoi Xylanderi, duke u shtuar dhe materialin gjuhësor të përkthimit shqip të Dhiatës së re botuar në Korfuz në vitin 1827, një kopje të së cilës e kishte gjetur fatmirësisht gjatë qëndrimit në Greqi. Këtë tekst ai e vlerëson shumë, duke e paraqitur në parathënie me këto fjalë: “Me këtë përkthim për gjuhën shqipe përfundon koha e dyshimit dhe e pasigurisë, përmes tij bota tjetër ka fituar një bazë të sigurtë dhe unë kam qenë në gjendje jo vetëm që të verifikoja çfarë kisha gjetur në materialet e tjera ndihmëse e të ndreqja shumë gjëra, por edhe të jepja pjesë të mjaftueshme për dokumentimin e gjuhës, ta zgjeroja shumë më tepër vëllimin e fjalorit dhe, mbi të gjitha, ndonëse ende jo në mënyrë të plotë e shteruese, prapëseprapë ta paraqes në mënyrë shumë më të mbështetur gjithçka ka qenë e njohur më parë deri më sot për këtë gjuhë”.
Mbas parathënies vepra përmban një gramatikë përshkruese të toskërishtes mbështetur në materialet e Da Lecces, Martin Leakut dhe Dhiatës së re toskërisht; disa tekste shqip të dhëna si mostra gjuhësore për shqipen, të marra nga Dhiata e Re dhe materiale të ndryshme folklorike nga Bajroni dhe Hobhouse-i; si dhe një fjalor gjermanisht-shqip dhe shqip-gjermanisht të bazuar për një pjesë të mirë te përkthimi i Dhiatës së Re nga Vangjel Meksi (1827), gjithsej rreth 3500 njësi leksikore (këtë shifër e japin studiuesit, që nga Fallmerayeri[2], G. Petrotta[3] etj. Në fund libri ka një shtojcë me titullin “Mendime për farefisninë dhe prejardhjen e gjuhës shqipe”, në të cilën autori shpreh mendimet e veta për prejardhjen e gjuhës shqipe dhe lidhjet e saj të afrisë me gjuhë të tjera. Kjo është pjesa më interesante e librit dhe me vlerë për historinë e albanologjisë.
Këtë studim autori e ka ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë ai paraqet idetë e studiuesve të deriatëhershëm, kryesisht filozofë, historianë, gjeografë, që kishin dhënë mendime për prejardhjen e shqipes, si Leibnitzi, Thunmanni, Herderi, Malte-Bruni, të cilët ishin shprehur për një lashtësi të madhe të shqiptarëve në trojet e tyre dhe për farefisni me gjuhët e tjera të Europës, të cilët ai i përkrah, edhe pse i konsideron argumentet e tyre të paplota, e më pas jep opinionin e gjuhëtarit Johann Adelung, i cili ishte shprehur se shqiptarët ishin një mbetje e përzier e një fisi tartar të njëjtë me ata protobullgarët që pushtuan viset e Bullgarisë së sotme ose kushërinj të Albanëve të Kaukazit, duke u nisur nga përkimet e shumta që gjente në shqipen me gjuhët kaukazo-tartare. Këtij mendimi autori i përgjigjet me pohimin se fjalët e gjuhës turke gjenden te shqipja jo për afëri farefisnore por për shkak të marrëdhënieve të huazimit, nga fakti i pushtimit turk të shqiptarëve. Kishte edhe dijetarë të tjerë në atë kohë që i mbanin shqiptarët si pasardhës të turmave që janë dyndur nga fillimi i mijëvjeçarit të parë në viset ku banojnë sot, ndërsa gjuhën shqipe si një përzierje pa formë të greqishtes, latinishtes dhe të gjuhëve të tjera romane. Më gjerësisht jep autori mendimin e Leakut, sipas të cilit pas gjithë gjasash gjuha shqipe duhet të jetë ilirishtja, e cila pësoi ndryshime, ashtu siç pësuan latinishtja e greqishtja nga pushtuesit gjermanë e sllavë. Leaku ka vënë re edhe disa huazime të lashta të shqipes prej greqishtes së vjetër, që flasin për kontakte të shqipes me greqishten së paku prej antikitetit. Citime të shumta jepen edhe nga dijetari Von Arndt, bashkëpunëtor i fjalorit krahasues të gjuhëve europiane të hartuar me porosi të perandoreshës Katerina e madhe, ku për shqipen jep vlerësime si gjuha më e lashtë e asaj hapësire (dmth Evropës) dhe për ngjashmërinë e saj kryesisht me gjuhët kelte. Më në fund autori jep edhe mendimin e gjuhëtarit Jernej Kopitar (megjithëse në tekst nuk del shprehimisht emri i tij) për afërsinë e madhe të gjuhës shqipe me arumanishten e bullgarishten, mendim i shprehur prej tij që në vitin 1829 me rastin e krahasimit të parabolës së djalit plangprishës në këto tri gjuhë, ku kemi fillimin e idesë së lidhjes gjuhësore tipologjike ballkanike, fushë që sot ka krijuar objektin e saj të studimit me studiues dhe vepra të shumta shkencore. Nga Kopitari Xylanderi mori edhe pohimin e rëndësishëm të ekzistencës në shqipe të huazimeve latine nga koha e perandorit August, në bazë të analizës fonetike të disa fjalëve si qiqër, qytet, qepë, peshk (lat. cicer, civitas, cepa, piscis) etj. të cilat ruajnë shqiptimin e latinishtes së kohës antike (d.m.th. në shekujt para erës së re dhe në fillim të erës së re), kur këto fjalë shqiptoheshin /kiker/, /kivitas/, /kepa/, /piskis/; në këtë rast bashkëtingëllorja k e këtyre huazimeve, e ndjekur nga zanorja i ose e, u kthye në bashkëtingëlloren qiellzore q, d.m.th. qiqër, qytet. Karakteri arkaik i huazimeve latine të shqipes flet për praninë e shqiptarëve në Ballkanin jugperëndimor në periudhën e pushtimit të parë romak, në shekujt e parë të e.s..
Këto arritje studimore të kryera deri në atë kohë, Xylanderi i shfrytëzoi me mprehtësi për të nxjerrë përfundime për prejardhjen e shqiptarëve dhe afërinë e tyre me gjuhët e tjera indoeuropiane. Në krahasim me paraardhësit ai pati avantazhin e një materiali më të gjerë për shqipen, që ia dha teksti i Dhiatës së re. Në qoftë se Leaku pati në dispozicion një pasuri leksikore prej rreth 2000 fjalësh, Xylanderi arriti të grumbullojë një numër më të madh fjalësh, rreth 3500 njësi leksikore. Këtë pasuri leksikore ai ia nënshtroi analizës gjuhësore për t’i afruar fjalët e shqipes me fjalë të gjuhëve të tjera indoeuropiane me të cilat gjente ngjashmëri. Ai vuri re se një numër fjalësh të shqipes gjendeshin pa ndryshime thelbësore edhe në gjuhë të tjera indoeuropiane, si greqishtja e latinishtja, në gjuhët gjermanike, në gjuhë të ndryshme sllave, në indishten e vjetër etj.; një numër fjalësh të tjera gjenden në turqishten, persishten e arabishten. Nga 3500 fjalët e fjalorit të tij ai gjeti 400 fjalë të ngjashme me greqishten, 650 fjalë të ngjashme me latinishten, rreth 500 fjalë me gjuhët e ndryshme gjermanike, rreth 60 fjalë me sllavishten dhe rreth 190 fjalë të ngjashme me turqishten. Ndër këto të fundit, përveç fjalëve me burim të drejtpërdrejtë nga gjuha turke, përfshihen edhe një numër fjalësh me burim nga persishtja (që është gjuhë indoeuropiane) dhe nga arabishtja (që është gjuhë e familjes semite), që kanë hyrë në gjuhën shqipe nëpërmjet turqishtes. Pra, sipas statistikës së Xylanderit, gjysma e fjalëve të fjalorit të tij dalin të afërta me fjalë të gjuhëve të tjera indoeuropiane ose joindoeuropiane. Përmes krahasimeve etimologjike, nga të cilat një numër syresh i qëndruan kohës si të drejta, ai përcaktoi se shqipja duhet të ketë marrëdhënie farefisnore me gjuhët i.-e. dhe se përkimet e saj me sanskritishten tregojnë për lidhje afërie të drejtpërdrejtë me trungun e përbashkët indoeuropian. Xylanderi argumentoi me këtë se shqipja nuk është një përzierje pa formë e gjuhëve romane, se nuk është degëzim i gjuhëve tartare, dhe se lënda e parë e saj në masë të konsiderueshme është indoeuropiane.
Përveç leksikut, Xylanderi studioi edhe strukturën gramatikore të shqipes dhe gjeti edhe atje përkime me gjuhët indoeuropiane. Sidomos me rëndësi është vërejtja e tij për nyjat e prapme të shqipes, të cilat i gjen edhe në gjuhët daneze, islandeze e suedeze (këtu na shkon mendja menjëherë te Pederseni dhe teza e tij për nyjen e prapme të shqipes), gjuhë të cilat nuk kanë ndikuar mbi shqipen; përkundrazi prapavendosja e nyjes nuk gjendet në asnjërën prej gjuhëve të atyre popujve që kanë ndikuar mbi shqipen. Duke mbështetur mendimin e Jernej Kopitarit për nyjen e prapme si dukuri e përbashkët në gjuhën shqipe, rumanishte e bullgarishte, ai tregoi se ato kanë një nënshtresë të përbashkët: “…nga kjo del se tri gjuhët e këtyre popujve, të cilët janë shpërndarë në pjesën më të madhe të Trakës së vjetër, mund të kenë gjetur një bazë të përbashkët në një idiomë të veçantë të banorëve më të lashtë të vendit, e cila shfaqet më e fortë dhe më e pastër në gjuhën shqipe”. Këtu del qartë ideja e substratit të lashtë ballkanik dhe i shqipes si vijim i këtij substrati. Kjo ide është rimarrë kohët e fundit nga albanologët e rinj gjermanë, Stefan Schumacher dhe Joachim Matzinger, të cilët, duke u nisur pikërisht nga dukuria e prapavendosjes së nyjes në gjuhët ballkanike, mendojnë për shqipen si çelësin e shpjegimit të lidhjes gjuhësore ballkanike.
Në këtë mënyrë J. Xylanderi e analizoi gjuhën shqipe në tërësinë e saj, pra jo thjesht duke krahasuar fjalë të veçanta, por edhe strukturën gramatikore, që është pjesa më thelbësore e sistemit gjuhësor. Bashkë me Martin Leakun, mbi të cilin u mbështet gjerësisht, ai i dha një drejtim shkencor studimit të gjuhës shqipe duke e analizuar atë me metodën e gjuhësisë krahasuese, dhe mbi këtë bazë përcaktoi karakterin indoeuropian të gjuhës shqipe duke vendosur kështu një gur themeli për kërkimet në fushë të shqipes.
Vepra e Xylanderit pati rëndësi të madhe për studiuesit e mëvonshëm të shqipes, sidomos lënda gjuhësore e paraqitur prej tij. Prej Xylanderit i kanë marrë të dhënat e para për gjuhën shqipe edhe gjuhëtari i njohur i shekullit të 19-të August Schleicher, i cili përdori alfabetin e Dhiatës së re të marrë nga libri i Xylanderit,[4] Franz Boppi, i cili vërtetoi shkencërisht vendin e shqipes mes gjuhëve të tjera indoeuropiane, si dhe Hahni, për të cilët lënda e ofruar nga Xylanderi qe “një minierë e paçmuar”.
Kështu nisi dhe e vazhdoi rrugën e saj albanologjia gjermane dhe ajo botërore, hap pas hapi, duke u mbështetur tek paraardhësit, deri në arritjen e rezultateve të spikatura të shekullit XX e ende në ditët e sotme. Kështu, edhe vepra e Xylanderit pasqyronte nivelin shkencor të asaj periudhe dhe, siç thoshte historiani i madh gjerman Fallmerayer, ajo “doli si një statujë e bukur pa shpirt, derisa erdhi Georg von Hahni dhe i dha frymë, ngrohtësi dhe jetë”. (G. Petrotta).
© 2025 Anila Omari. Të gjitha të drejtat janë të autores. Ilustrimi në kopertinë është përfytyruar me Midjourney.
[1] Mbi kontributin e Leibnizit në albanologji mund të shihen artikujt e B. Demirajt, Si ta lexojmë Leibniz-in?, në: Studime Filologjike, 2001, 1-2, 163-175; Po ai, Gottfried Wilhelm Leibniz (I) – mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, në: Peizazhe të fjalës (7. Jan. 2022) https://peizazhe.com/2022/01/07/leibniz–i–mbi–shqiperine–dhe–shqiptaret–i/; Po ai, Gottfried Wilhelm Leibniz (II) – mbi shqipen dhe origjinën e saj, në: Peizazhe të fjalës (8. Jan. 2022) https://peizazhe.com/2022/01/08/leibniz–i–mbi–shqipen–dhe–origjinen–e–saj–ii/; Po ai, Gottfried Wilhelm Leibniz (III) – mbi leksikun e shqipes, në: Peizazhe të fjalës (8. Jan. 2022) https://peizazhe.com/2022/01/09/leibniz-i-mbi-leksikun-e-shqipes/
[2] J. P. Fallmerayer, Das albanesische Element in Griechenland, I. Abteilung, në: “Abhandlungen der historischen Classe der K.B. Akademie der Wissenschaften”, VIII Bd., II Abt. (München), 1857, f. 432. Shih Xh. Lloshi, “Zanafilla europiane e një libri shqip”, Academe, vol. 1, nr. 1, 2012, f. 94.
[3] G. Petrotta, Popolo, lingua e letteratura albanese, a cura di M. Mandalà, Palermo, 2003, f. 368.
[4] Xh. Lloshi, “Zanafilla europiane e një libri shqip”, Academe, vol. 1, nr. 1, 2012, f. 95.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.
Artikull shumë interesant që duhet lexuar patjetër prej gjithë atyrëve që duan të mësojnë rreth albanologjisë dhe fillesave të saj. Shkrimi është i qartë, shpjegues në hollësi dhe i mirë strukturuar. Përgëzime!
Duhet përmendur së përkthimi i Dhiatës së Re në shqip prej Meksit u bë pikënisje për Rilindjen tonë kombëtare, Meksi duhet vlerësuar më shumë, pioner i Rilindjes mundëmi lirshëm ta quajmë protonacionalist shqiptar.