Në muajt e parë të protestës për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar shihja jo pak studentë të Arteve. Aq nuk vinin as për shfaqjet. Ndiqnin pedagogët, të cilëve protesta po iu jepte mundësinë për të çliruar ndrydhjen e dhuntive nga mungesa e një jete normale artistike. Ishte rast për të shfaqur në jetën publike, në atë realen, intransigjencën që Shekspiri apo Beketi ua jepte ta shfaqnin në skenë “me gjasme”.
Fjalori i de Niros drejtuar Trumpit zbriti në sheshin e teatrit. Atë qershor, live në televizion nga skena e çmimeve “Tony”, aktori hollivudian e kishte zgjidhur edhe një herë gjuhën kundër presidentit të vet. Nën shembullin e tij, një aktor-pedagog nga Tirana po rindizte karrierën po edhe kamerat e kanaleve televizive kombëtare, që nuk e kishin ndarë mendjen, bojkot a mbështetje për teatrin, njëlloj si artistët që nuk kishin kaluar ende në përpunimin e kryebashkiakut, i ngarkuar nga Partia t’i jepte drejtim. Versioni shqiptar i de Niros, teksa e lagte shiu, si në filmat e Kinostudios edhe ky, me njërën dorë lart si mesia, me tjetrën në çantën e vogël prej lëkure mbi stomak, iu drejtua kreut të qeverisë: Shikomë në sy, ti, son of a bitch! Fuck you, fuck youuuu!
Nuk kaloi shumë, ai dhe të tjerë u shfaqën në fotokartolinën me kryetarin e bashkisë. Kush nuk mundi të ishte i pranishëm, prej rëndimit të veshëve, kyçeve a peshës së famës, e dha miratimin nga Facebook-u. Nuk u dukën më në shesh as pedagogët e kategorisë së dytë, hije e kolegëve që u përpunuan brenda natës, nuk u dukën as studentët e Arteve. Çështja e Teatrit Kombëtar, megjithëse vazhdon të konsiderohet në studimet mbi korrupsionin në Shqipëri, si rast i pastër i kapjes së shtetit në nivelet më të larta, njerëzit i ka lënë të ndarë.[1] Pyetja “kujt t’i besosh?”, e fortë sa shembja e teatrit, mbetet hon mes nesh.
Një ditë pas rrafshimit, 18 maj 2020, artisti me karrierë ndërkombëtare, Adrian Paci e dënoi aktin me anë të një letre. Paci, që e ndan jetën dhe aktivitetin krijues midis Milanos dhe Shkodrës, e shpalli veten “një kundërshtar publik me shumë” të Edi Ramës.[2] Qëndrimi i tij pati jehonë. I shkrova “falemnderit”, ma ktheu “Tani është vonë”. Nuk më kujtohet nëse i shkrova “nuk është vonë”, por mbaj mend ndjesinë e asaj “vonë”, kur kjo fjalë shpreh një akt njerëzor të fundëm, tek i cili e gjejnë veten si në një gji gëzimi dhe dhimbja. Mirëpritja në masë e asaj letre shpjegohet me nevojën për ngushëllim të njerëzve të plagosur nga një padrejtësi. Ka dhe një arsye tjetër. Letrën e shkruante një njeri i afërt me kryeministrin dhe sistemin e tij.
Paci është mirëpritur gjithnjë nga skena e artit në Shqipëri, nga Galeria Kombëtare po ashtu. Kur Partia Socialiste erdhi në pushtet, ai u caktua të përfaqësojë Shqipërinë në një bienale arkitekture, pa qenë i asaj sfere, megjithëse vepra e tij “Kolona” shprehte një bashkim gjuhësh nga fushat humane, një akuzë nëpërmjet modelit të kitsch-it kundër dehumanizimit. Edhe angazhimi i tij me një shtëpi arti në vendlindje, “Art House”, ka gjetur mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Shkodrës.
Po ta mendosh në kontekstin e propagandës që vinte nga të gjitha drejtimet, ajo letër ishte akt intransigjence: “një i yni del kundër”. E gjitha kjo ka dhe një shpjegim njerëzor, i lidhur me një proces që vepron në brendësi të njeriut pas fakteve të kryera, ngadalë, kur ka ndodhur tek ai dekantimi i përzierjeve, manipulimeve, dualizmit, kur ka reshtur tek ai konflikti mes intelektualit në vetmi dhe intelektualit në shoqëri, kur ka rënë personazhi tek ai, për t’u takuar me atë gjë, që e ngre njeriun në sytë e vetes, edhe atëherë kur njeriu bie në sytë e publikut, kur luzma e denigron, e dënon, pra për t’u takuar me ndërgjegjen.
Pak muaj pas asaj letre, në nëntor 2020, Paci bashkëpunon me Platformën e Artit Bashkëkohor “Harabel”, me bashkëshorten e atij që punoi deri në momentin e fundit për shembjen e Teatrit dhe deri në momentin e arrestimit, që aty të ngrihet një teatër nga ndërtues që kanë përfituar miliona euro fonde publike. Vepra “Bukurshkrimi”, e kripur në kontradikta me veten si objekt kulturor dhe me vendin ku u ekspozua, anulon integritetin shprehur në letrën disidente. “Harabeli” kishte menduar ta vendoste në një hapësirë publike në Tiranë: “Dy ministri i qëndrojnë anash, përballë ka Katedralen Ortodokse, nga ana tjetër e Bulevardit qëndron Teatri Kombëtar”. Në fakt, nga ana tjetër qëndronte gropa e Teatrit Kombëtar. Mospërputhja e parë kjo.
Para se ta shembnin, Teatrit i këputën fijet e mbrojtjes ligjore, për t’u lënë jashtë qendrës historike të qytetit, me qëllimin që t’i hapej rrugë ndërtimit në atë territor.[3] Me dy vendime të njëpasnjëshme të qeverisë, ngushtohej zona e mbrojtur e Tiranës, në perimetrin ekzistues të së cilës do të ndërtoheshin objekte të larta, me efekt bunkerizues. Në këtë logjikë progresi urbanizues, “Harabeli” e propozon veprën e Pacit si “pjesë e një projekti që ka si qëllim vendosjen e publikut në ndërveprim të afërt me artin bashkëkohor dhe krijimin e një dialogu të hapur mes hapësirës urbane dhe artit.” Mospërputhja e dytë kjo. Në njërën anë të dialogut të hapur qëndron administrimi i hapësirës urbane si dëshmi e vendimmarrjeve arbitrare qeveri-bashki, në bashkëpunim me biznesin e ndërtimit dhe investimin e parasë së dyshimtë.[4] Në anën tjetër, vepra e artit është në një konflikt interesi mes komisionerit të veprës, “Harabelit” dhe bashkisë së Tiranës që ofron hapësirën publike. Prej këtej vjen mospërputhja e tretë.
“Bukurshkrimi” është një bankë shkolle, rekuizitë nga vitet e komunizmit. Mbi bankë, në dy pllaka bronzi janë gdhendur sipas fletores me shkrim dore nga Paci në vitin 1975, fjali të diktuara: “Tirana është kryeqyteti ynë; Në Tiranë jetojnë udhëheqësit tanë të dashur; Tirana po zbukurohet dita-ditës.” Xoxa, sërish në rolin e kuratores, lexon aty “sfumaturat mes kësaj pune të vogël dhe qytetit përreth me shenjat dhe shprehjet që artikulohen përditë mbi hapësirën e tij urbane”. Mund ta shtysh deri natën vonë me sfumaturat dhe përligjjen e objektit si vepër arti. Vetëm si objekt kulturor par excellence nuk mund ta shoh. Nuk mund ta shkëpus qëllimin estetik nga qëllimi për të cilin i japin vëmendje. Është vepër me funksion: dje, dora e partisë kontrollonte dorën e fëmijës; sot vepra e artistit përdoret si mëngë e qeverisjes politike. E komisionuar, instaluar dhe lexuar sipas pikëpamjes së një mecenati me axhendë politike, vepra komprometon edhe ndonjë cilësi me origjinë nostalgjinë.
Sipërmarrjet e “Harabelit”, nuk i trajton dot thjesht estetikisht. Dhe të dëgjosh “Harabelin” tek i vë për mision artit ndërgjegjësimin për një të ardhme më të mirë apo destinacionin turistik, në përputhje me prioritetet e Bashkisë?
Të instaluara në lagje e sheshe, duke pasur për skenografi qytetin, këto objekte vihen në marrëdhënie me polisin. Vlerësimi i tyre për të bukurën, për shijen që lënë, lidhet me këto sfera, qytetin dhe politikën dhe me vlerën e përdorimit në to. Nuk i gjykon dot vetëm nga pamja e jashtme. E njëjta gjë vlen të thuhet edhe për një seri veprash nga “Arti në hapësirën publike”, projekt i qeverisë i vitit 2022. Instalacioni në hyrje të Qendrës Spitalore Universitare, përbri Onkologjikut, “Terminal for Tirana” nga Karolina Halatek, është vendosur në një hapësirë, e cila ka hyrë në hartën e hapësirave shoqërisht të plagosura dhe të helmuara nga PPP-të dhe korrupsioni, aq sa debati publik ngec keq, kur niset ta ndajë përgjegjësinë individuale nga sistemi i kapur. Nga përvoja familjare në vitet e fundit, kam provuar se nuk është çështje fati e numrash të hysh asaj porte të Onkologjikut. Më sfilitëse se sëmundja bëhet vuajtja që shkakton një sistem shëndetësor i korruptuar që ka dehumanizuar raportin mjek-pacient, duke rrezikuar seriozisht jetën e njeriut. Përtej ca pak mjekëve të zotë e humanë, ai territor të shtyn ta kërkosh fuqinë dhe shpëtimin jo më në tokë, jo më tek njerëzit.
Objektet që kam diskutuar edhe në shkrimet e mëparshme, herë manifestojnë shpëlarjen e punëve të ndyra nëpërmjet artit (“Bleta” nga Sislej Xhafa, në Landfillin e Tiranës), e herë komprometojnë identitetin e vendit, e peizazhit ku janë instaluar. Si të tilla janë të destinuara të jenë të përkohshme. Kur jam përballë tyre nuk mund t’i vrojtoj e painteresuar, sikur të jenë produkt i pastër i intelektit apo shpirtit krijues. Ndjej zemërim dhe neveri, kur shoh që për këto projekte qeveria ka paguar edhe artistë që sot janë angazhuar në organizimin e diasporës për llogari të Partisë Socialiste në zgjedhjet e majit.
Të gjitha këto janë dëshmi e një botëkuptimi për artin krijuar nën qeverisjen e Ramës.
Jo vetëm nuk gjej bukuri në punët e Driant Zenelit, po sërish e them, aty vegjeton një art frikacak. Rrembi i parë frikacak qëndron tek fshirja e problematikës lokale nga vepra e artit, kur artisti shkon në minierën e kromit në Bulqizë për të ndërtuar një kozmos të paqenë, aty ku realiteti nuk ka nevojë për fantazitë e Driantit po për dorën e shtetit. Propozim për Bienale ky, për të cilën Paci mund të thotë se është maja e artit botëror për nga integriteti integral. Rrembi i dytë frikacak është që ky lloj arti shpëlan imazhin e një kompanie të fuqishme me aktivitet të shumanshëm, nga biznesi i pasurive të nëntokës shqiptare, tek tregtia e lavatriçeve e së fundi hedhur edhe në botën e artit.
Në këtë kontekst i kam parë disa nga punët e ekspozitës personale, me të cilën u inaugurua Gallery Of Contemporary Art Tirana – G.O.C.A.T, kuruar nga Ajola Xoxa. G.O.C.A.T zotërohet nga Fondacioni Mane. Në dosjen hetimore del se, kompania “Balfin” ka kaluar shuma të hollash për llogarinë bankare të “BYLA”-s, kontrolluar nga Xoxa. Kur duhet të nënshkruhet kontratë me kompaninë e Samir Manes, Xoxa llogarit nga cila prej shoqërive të saj do ta lëshojë faturën për shumën 30.000 euro.
Sa për pjesëmarrjen në Manifesta 2022, ku Zeneli zinte një kat të tërë në Hotel Grand, kujtoj se “Harabeli” ka qenë partner për katër bashkëpunime me Manifesta 14 Prishtina Western Balkan Project, financuar nga Bashkimi Europian.
Paci e kalon pa problem zgjedhjen pa konkurs të përfaqësuesit të Shqipërisë në Bienalen e Venecias, madje ai e ka përshëndetur, me sa di, edhe përfaqësuesen e vitit 2024. Po ashtu, zgjedhja për Bienalen e Arkitekturës 2025 u mbyll pa bërë zë.
Kjo histori është një tjetër gjurmë e botëkuptimit për artin krijuar në dekadën e fundit, gjatë së cilës, po të kujtojmë programin politik për kulturën 2013-2017, pritej të krijohej një sistem i pavarur për artin. Jo. Vetëm projekti i fasadave është promovuar për 10 vjet (2001-2011) në Bienalet e Tiranës dhe në dy Bienalet e Venecias, të Artit dhe Arkitekturës. “Dammi i colori”, realizuar nga Anri Sala në bashkëpunim me kryetarin e bashkisë Rama, u prezantua si ngjarje kolaterale në edicionin e 50-të të Bienales së Venecias (2003), brenda projektit “Stazione utopia”. Ky seksion është kuruar nga Molly Nesbit, Hans Ulrich Obrist e Rirkrit Tiravanija, të cilët kishin bashkëpunuar me bienalet e Tiranës, nën mbikëqyrjen e Ramës. Është i Tiravanijas slogani në fasadën e pallatit tek “Zogu i Zi”: “These are things we are fighting for”. Në vitin 2010, një variacion i projektit të fasadave u prezantua nga artisti Helidon Gjergji në pavijonin shqiptar të Bienales së Arkitekturës. Në Bienalen e vitit 2017, Rama prezantohet ekskluzivisht si piktor. Midis viteve, nuk llogariten forumet, reportazhet, intervistat e panumërta me Ramën protagonist në mediat e huaja, për PR-in e të cilit një rol jo të pakët ka Anri Sala. Sala ka ruajtur që në krye të herës një raport kurtizan me pushtetin e Ramës. Përtej famës dhe suksesit në Perëndim, ai ka ndikuar si këshilltar në vendimmarrjet politike që çuan në betonizimin e qendrës historike të Tiranës, vendlindja e Salës. Emrin e tij e gjen edhe në projekte më rëndësi për rehabilitimin e qendrës historike, në kohën kur doli hapur për shembjen e Teatrit Kombëtar.
“Të mos harrojmë” shkruan Paci “se artistët bashkëkohorë janë një kategori e margjinalizueme në Shqipni që luftojnë secili individualisht e në mënyrën e vet për mbijetesë intelektuale, shpirtnore dhe ekonomike dhe e fundit gja që do i ndihmonte do ishte një klimë linçimi, survejimi e përgojimi.” Kësaj i thonë të fusësh në thes ata që janë vërtet të shmangur, ata të zonës gri që as e kanë ditur ose nuk iu ka interesuar ta dinë origjinën e investimit të Xoxës dhe efektin e krijuar nga politikat e Rama-Veliajt, të cilët rrinë në grykë të thesit si autorët e gjendjes. Pesë vjet më parë Paci kishte sy t’i shihte këto, tani jo më.
Nuk e marr dot me mend, nëse hetimi për “Harabelin” ka për të shërbyer si paralajmërim për të tjerë të asaj rruge, për të pasur drejtësi për skenën e artit, për atë pjesë të skenës që nuk e do këtë fëlliqësi. Se ka që e duan.
Kur pyesja për rastin e Idlir Kokës, “si ndihet piktori, vallë, kur dëgjon t’i përdoret emri dhe puna?”, ishte për të shprehur keqardhjen që, sistemi i ngritur nga Xoxa, nuk ka kursyer miq e familjarë, artistë me famë e pa famë. Që një ish-fshesar i ndërmarrjes së pastrim gjelbërimit, sot drejtues i një kompanie me rëndësi për sasinë e parasë që qarkullon edhe nga tenderat e Bashkisë, i kërren një artisti gjithë punët varur në muret e galerisë së Xoxës, për vlerën 50.000 euro, ndërsa artisti paguhet 13.000 euro, duhej të ishte fyese, ca më tepër nëse artisti nuk do kishte dijeni.[5] Po ja që nuk është hiç i keqardhur vetë kalorësi. E konfirmon Paci, i cili gjen rastin t’u japë përparësi penelatave të shkrifëta në pikturën e Kokës. Jam dakord edhe unë që nuk ka rëndësi, nëse një kurator i huaj ka kuruar apo jo ekspozitën e Kokës. Rëndësi ka që, ky kuratori i huaj, “shtetas italian, sipas sugjerimeve të Ajolës, faturën e lëshon për një event në të cilin nuk ka marrë fare pjesë”.[6]
Kjo kastë e mbyllur e artit bashkëkohor është në koherencë me ligjet e veta të funksionimit. Në raport më historinë, epoka e kësaj kaste është baraz me epokën e njeriut të ri dhe të realizmit socialist, baraz me të djeshmen, baraz me përdorimin e artistit. Këtë herë, historia po përsëritet si farsë.
Ndaj nuk habitem që, pjesa majtas e mediave dhe e elitës, kur kanë parë zemërimin në njerëz për hetimin e Xoxa-Veliajt, e kanë quajtur “gjygj popullor”.
Në artikujt e mi, nuk vjen thirrje për ndëshkim a për gjueti shtrigash siç shkruajnë poshtë e përpjetë artistë bashkuar radhëve të establishmentit. Hetimi im është kulturor, nisur nga faktet që të çojnë tek reflektimi për një hetim të ndërgjegjes, që e bëjnë shoqëri me mendim kritik të sprovuar pas çdo krize që i trondit.
Duhet të mos e kesh fare idenë se çfarë ka ndodhur me artistët nën diktaturë që të dalësh në përfundimin se, kërkesa për ndershmëri intelektuale e qytetare, qenka thirrje popullit për gjyqe publike. Paralelet e Pacit, në rastin më të mirë, janë padije për çfarë është botuar në këto 30 vjet, dokumente arkivore, dëshmi, kujtime dhe, në rastin më të keq, largim i qëllishëm i vëmendjes, për të mos i adresuar problemet me emrin që kanë. Nuk i drejtohem asnjë populli, hetuesi, hafijeje, falsifikuesi faturash, hajduti, asnjë njeriu pa integritet, asnjë artisti frikacak, i drejtohem ndërgjegjes, nëse ka ndonjë ndërgjegje aty që po lexon. Edison Gjergon, Maks Velon, Ali Osekun, Kujtim Spahivoglin, Kasem Trebeshinën nuk i dënoi populli, i dënuan artistët në aleancë me një shtet diktatorial, në të njëjtën llogore me të fuqishmin, Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve të Shqipërisë që ishte policia e inteligjencës në bashkëpunim me shtetin. U ndëshkuan për intransigjencë, jo për lëpirje për karrierë a për një kredi të butë shtëpie. Instransigjenca vjen kur njeriu është në gjendje ndërgjegjeje, jo në konflikt me veten, por me një rrymë jashtë vetes, me një diktaturë, me një masë që mendon në mënyrë të njëanshme dhe tërheq verbërisht pas vetes të tjerë. I ndëshkuan me largim nga profesioni, me vetmi, i shpallën të çmendur, i dënuan me burg. Kur dolën andej, askush nuk iu drejtua me një mea culpa. Nuk do të ketë kurrë mea culpa tani që nuk janë në këtë botë as ata, as përndjekësit e tyre. Unë kështu e njoh këtë pjesë të historisë së kulturës në Shqipëri. Paci njihka gjyqet popullore ashtu në përgjithësi me ballistë dhe partizanë. Si mund të pretendojmë mea culpa nga artistë të sotëm që ngrihen mbi rendin ligjor? Cili në fakt është ndëshkuar, cili është bërë shembull, shembull në kuptimin që pikërisht për shkeljet që i ka bërë ligjit, të dilte nga skena publike, nga e drejta për të përfituar para publike dhe për t’i administruar ato dhe burimet njerëzore apo duke i hequr të drejtën për të mësuar brezin e ri?
Në këtë vend të vrasin për çështje nderi, por të nderojnë për shkelje ligji. Nuk po i ndaj në mënyrë abstrakte politikën dhe etikën. Nuk po kufizohem në një refuzim moral të kësaj situate. Këndvështrimi i anës tjetër po i redukton në gjykim moral problemet në këtë çështje. Problemet etike i rregullon ligji, të cilin mund quash daç policí, a daç gijotinë morale. Funksioni është po ai. Strukturat e drejtësisë po tregojnë aftësi për të rregulluar këtë dominim të padrejtë, këtë marrëdhënie të pistë të politikës me aktivitetin e subjekteve private në kulturë. Por kam frikë se kërkimi me ngulm i diçkaje si drejtësia përmes ligjit, për shoqëri të pasprovuara ligjërisht e shpirtërisht, mund të rezultojë zhgënjyes.
Pse jam e anshme
Për herë të parë dhe të fundit me mjediset e “Harabelit” jam prezantuar në fillimet e krijimit të Qendrës, në maj 2018, për një reportazh mbi hapësirat e artit bashkëkohor. “Reja” e Fujimotos, si në atë fabulën e kungullit me gardhin, hijeshonte para rrjepacakes Galeri Kombëtare, derisa tërmeti u gjet si momenti i duhur për ta mbyllur. Sepse Shqipëria është vendi ku fuqia e njerëzve me pushtet vepron me të njëjtin potencial fataliteti si të forcave të natyrës. Reportazhi mbyllej me një plan total të kryeministrisë. Në shkallë ekspozoheshin afishe me pikturat e Ornela Vorpsit. Paraqitej aty një burrë shtrirë gjysmë i zhveshur, me një mace të zezë në krahë dhe një autoportret me tipare të fshira. Më vijnë ndër mend të vagullta si karaktere të një bote nën morfinë. Pas transmetimit të reportazhit, në postën time email vjen një letër nga drejtori Driant Zeneli, një letër me fyerje, mbi të gjitha, pse kisha pohuar që ai e bashkëdrejton “Harabelin” me gruan e kryetarit të bashkisë. Nuk e kam përmendur më parë këtë fakt, por tani që shumë ngjarje lexohen më mirë post-factum, them se “Harabeli” e ka njohur dhe përdorur që në krye të herës gjuhën e atij që e mendon veten të paprekshëm, sepse e ka ditur me çfarë mjetesh po e çante rrugën ku demonstrohet shembulli i forcës. Ju kujtohet refreni i kryeministrit, besoj, “Të flasim me forcën e shembullit, jo me shembullin e forcës”. Po duhet t’ju kujtohet së fundi, kur kryetarja e Komisonit Parlamentar të Ligjeve, Klotilda Bushka, para fytyrave të opozitës tek i kërkonin dorëheqje, tha tri herë si në yshtje: “Jam e dinjitetshme”. Në dosjen Veliaj-Xoxa, skenat e kërcënimit që Bushka dhe Xoxa u bëjnë dëshmitareve, janë të tipit mafioz.
Diskutimi për korrupsionin në kulturë i ka kapur të papërgatitur njerëzit, komentuesit, dëgjuesit, edhe sulmuesit e autores së këtyre radhëve (do të ta shtypim kokën, moj bushtër; çfarë vreri ka në shpirt kjo skizofrene), të papërgatitur për të gjykuar pa rënë në përfundime që e mbyllin debatin. Nuk paska instrumente analize ose ato nuk zënë vend, një; dhe e dyta, shtresëzimi i problemeve pararendëse, të cilat po të kishin ngrënë debat publik sa herë kanë ndodhur, do kishin ndihmuar që, aktualisht, mendimi kritik të mos shihet si qëndrim armiqësor ndaj privates dhe si një polici morale ndaj artistëve, duke e barazuar me “gjygjet popullore” të komunizmit.
Paci nënkupton se nuk jam objektive në çfarë shkruaj dhe se paanshmëria qenka thelbi i të qenit gazetar.
Të jesh e paanshme, do të thotë të mos jetosh, të mos zemërohesh me zemër, të ruash status-quo-në, të rrish në zen, të mos vuash, t’i thuash derrit dajë.
Jam e anshme për gjithë arsyet që kam rreshtuar deri tani. Jam e anshme kur shoh njerëz që lejojnë t’i poshtërojnë të tjerë njerëz, të cilët janë në detyrë për të shërbyer. Jam e anshme, sepse kjo e jona është shoqëri ku e para gjë që asgjësohet është mendimi. Jam e anshme, sepse gazetaria është profesion që të jep të drejtën që, duke dhënë informacion, të kritikosh zyrtarë publik dhe individë me pushtet, dhe mund ta bësh këtë duke u shprehur nëpërmjet ironisë, humorit e satirës, si forma të ligjërimit publik plotësisht legjitime, madje edhe ta teprosh e të provokosh, kur është nevoja dhe për aq sa nuk çorienton publikun. Edhe gazetarit shqiptar i njihen këto të drejta universale, tjetër gjë sa lufton për t’i gëzuar dhe sa e lejojnë që t’i gëzojë. Janë të drejta që i japin dinjitet profesional dhe njerëzor, përndryshe nuk do të kishte dallim mes tij dhe PR-it. Gazetari, ndryshe nga PR-i, e ka për detyrë të mos ua harrojë emrat atyre që kanë bërë keq, që kanë shkelur ligjin në emër të artit, të së bukurës, manive, patologjive, snobizmit a çfarëdolloj instinkti të pafre.
Shqipëria është përballur me imazhin e keq që ka në botë si vend i korrupsionit, mafies, dhunës e tani shqiptarët duhet të përballen, brenda për brenda, me vetë shqiptarët të kredhur në korrupsion dhe në mafie, duke shkaktuar dëme, efekti i të cilave ka për t’u shtrirë në breza.
Nuk e shoh larg mendësisë korruptive dhe mafioze sulmin që njerëz, të cilët i thonë vetes artistë, i bëjnë mendimit kritik. Sepse ata kanë idenë, si të despotëve, fashistëve dhe diktatorëve, – në fakt më rezulton ta kenë vjedhur nga pornomotivimet e njëri-tjetrit poshtë e përpjetë, përfshirë universin e gossip-biz-it – se, njeriu që kritikon “është i palumtur” dhe s’meriton veçse të neveritet e të izolohet, larg skenës publike. Artistët e lumturisë, që zgjohen të parët dhe flenë të fundit në Qendrën për Hapje dhe Dialog të kryeministrit, këta alfa të provincës, që lëvdatën e përqafojnë si të vetmen formë të thëni e të menduari – një shprehje thotë “kur nuk më lejon të kritikoj pse më lejon të të lëvdoj?” – e shohin kritikën si një krijesë të gërditshme që duhet zënë për cep muri e grushtuar sa të dhjesë gjak, që të mos e bëjë rrugë e të zbresë në polisin e artit shqiptar. Lumturia i jep leksion palumturisë si të jetojë indiferente me gënjeshtrën dhe krimin.
Ka njerëz të trashë, që vetëm të lumtur mund t’i bësh.
© 2025 Elsa Demo. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Pjesa e parë këtu.
[1] Raporti më i fundit: “Zbërthimi i kapjes së shtetit në Shqipëri. Një shqyrtim i rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe ligjeve të bëra me porosi nga viti 2008-2020”, Transparency International, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, Mars 2025, Tiranë.
[2] “Edi Rama është sot fytyra e dhunshme e pushtetit. Është i pushtetshmi që nëpërkëmb të ndryshmin e manipulon të dobëtin. Është pazarxhiu që tregton me të mirën publike. Është gaztori që tallet mbi viktimën që sapo ka dhunuar. Është artisti, ah po artisti. Këtu më duhet më shumë se një rresht. Pa dyshim ka edhe kontributin e vet në hapjen e skenës së mbyllur shqiptare ndaj dialogut me artin bashkëkohor ndërkombëtar si kur ishte ministër kulture apo edhe kur u zgjodh kryetar bashkie në Tiranë. Por pikërisht atëherë zë fill tek ai edhe fara e një arti që bëhet spektakël i pushtetit dhe i një pushteti që manipulon artin… Estetika si dukje, si fasadë e zbukuruar, si shkëlqim i jashtëm i një të brendshmeje që kalbet nga e pavërteta, brutaliteti dhe vulgariteti është sot vepra më evidente e politikanit-artist Edi Rama. I pushtetshmi ekstravagant Edi Rama ka sot një kundërshtar publik me shumë.” https://lapsi.al/2020/05/18/ish-studenti-i-rames-sot-artist-me-fame-boterore-sot-te-them-vafsh-ne-djalle-profesori-im-bashke-me-kujtimet-e-shkolles/
[3] Vendim Nr. 325, datë 12.4.2017, “Për shpalljen e Qendrës Historike të qytetit të Tiranës dhe miratimin e rregullores për administrimin e saj e të zonës së mbrojtur përreth”, si dhe Vendimi Nr. 582, datë 3.10.2018 “Për deklarimin e Qendrës Historike të qytetit të Tiranës, përcaktimin e zonës mbrojtëse të saj dhe miratimin e planit për ruajtjen dhe administrimin”.
[4]https://monitor.al/gi-parate-e-droges-ne-shqiperi-pastrohen-ne-ndertim-kryeqyteti-shqiptar-me-i-shtrenjti-ne-rajon/; shih edhe https://monitor.al/nuk-ndalen-ndertimet-ne-tirane-siperfaqja-e-lejeve-rritet-me-36-ne-6-mujorin-e-pare/, po edhe raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, mars 2025: https://bit.ly/4bNygbw
[5] Sipas veprimeve hetimore të SPAK-ut “edhë në këtë rast, një tjetër përfitues i madh i fondeve publike nga Bashkia Tiranë, jep shuma monetare në favor të kompanive që kontrollohen efektivisht nga shtetasja Ajola Xoxa, duke zgjedhur si mekanizëm për dhënien e këtyre të hollave blerjen e gjithë koleksionit të pikturave të shtetasit Idlir Koka, dhe me një diferencë prej 30.000 euro nga çmimi i blerjes së tyre prej shoqërisë “Nan” shpk.”
[6] Cituar nga veprimet hetimore të SPAK-ut. Në dosje përmenden raste të tjera të ngjashme. Punonjëset e Xoxës flasin për rastin e “një drejtori artistik, për projektin e financuar nga Ministria e Kulturës, por ai është emër kot, këtë mund ta bëjë dikush tjetër”.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.
Përgëzime, nuk e njoh mirë çështjen, por falë këtij shkrimi veçanërisht bie dakort, për hir të argumentimit, se dhe ju si subjekt, pavarësisht se gazetare, mbani një qëndrim të anshëm, i cili përtej vulgaritetit dhe gangsterizimit dhe korrupsionit masiv që ka kapluar një shoqëri të tërë që flet shqip pa ditur se ç’flet shumicën e kohës, keni një qëndrim të qartë e fjalëplot. Ndryshe nga shumica e diskurseve që në skenën publike tashmë janë retorikë boshe e cila maskon një krimbje të skajshme të shpirtërores, nëse me ktë fjalë nënkuptojmë psikën.
Një krimbje që vjen si rezultat i paaftësisë për të strukturuar një mendim, sepse të menduarit që nga njeriu i ri komunist shqiptar është diçka e lodhshme, e parehatshme dhe mbi të gjitha në përgjithësi një aftësi që merret si e mirqenë.
Ndërkohë që më shumë se kurrë më parë të menduarit, të menduarit kritik dua të them, që fundja është ajo që realisht na lejon të krijojmë dhe jo thjesht rikombinojmë koncepte boshe që kanë estetikën por jo etikën e një mendimi të menduar e rimenduar mirë, është jo thjesht nevojë dhe armë emancipimi, por një dukuri tashmë e rrallë në ktë mbretërim të imagjinarit të skajshëm.
Komenti im është vërtetë thjesht përgëzues, sepse leximi i këtij artikulli më bëri të mendoj dhe rimendoj gjëra, të harruara, dhe të pamenduara në këtë formë më parë.
Faleminderit që jeni një zë i tillë.