Ndërrimi masiv i emrave nga emigrantët shqiptarë në Greqi është më shumë se një realitet – është një traumë kolektive që do të ndjekë breza të tërë për një kohë të gjatë. Nuk është thjesht çështje identiteti, por edhe dinjiteti dhe nderi, sidomos për brezin e parë të emigrantëve. Ky brez, pavarësisht nivelit arsimor, ka bërë punët më të rënda – ashtu siç ndodh zakonisht me çdo valë emigrantësh kudo në botë.
Shkruan Tannhaüser-i në DUAJE EMRIN TËND:
Për një popull që kishte jetuar për dekada pa fe, ku emrat kishin humbur çdo kuptim fetar dhe reflektonin vetëm dëshira laike të prindërve, ky hap kishte një ironi të hidhur: ata që dikur kishin mbyllur kishat, tani po i trokisnin dyerve të kishave për një emër të ri dhe një shans për të jetuar.
Vështirë të besohet se emrat që prindërit e tyre u kishin dhënë nën ndikimin e komunizmit, pas 30-40 vitesh, u tingëllonin aq të papërshtatshëm sa të kërkonin vetë adoptimin e një emri grek. Në fakt, ishin punëdhënësit e tyre grekë ata që, me pretekstin se nuk shqiptonin dot emrat shqiptarë, u vendosën atyre emra grekë – që të nesërmen t’i mbanin mend më lehtë.
Në podcast-in[2] e Aris Dimokidis për revistën Lifo, u ftova të përgjigjem mbi pagëzimin (ose thjesht me adoptimin e një emri grek) e shqiptarëve (të gjeneratës së parë) dhe mbi mitin se grekët nuk mund t’i shqiptonin emrat shqiptarë, prandaj kërkonin që të gjithë shqiptarët (fillimisht kryesisht të rinjtë meshkuj) të prezantoheshin me një emër ortodoks grek. Anashkalova aspektin historik dhe arsyen politike që fshihet pas kësaj praktike.
Historikisht, nuk është ekzagjerim të thuash se, shteti grek dhe Kisha e Greqisë i kanë konsideruar të gjithë ortodoksët e Shqipërisë si me prejardhje greke. Edhe sot e kësaj dite, shqiptarët që mbajnë emra ortodoksë shpesh merren për homologë etnikë ose për grekë të shqiptarizuar[3], siç përmend Vasilis Nitsiakos në librin e tij Në kufi. Prandaj, duke u dhënë emra ortodoksë, punëdhënësit grekë ndiheshin sikur këta individë ishin më afër kulturës greke sesa “elementeve të huaja” jo ortodokse. Ose besonin se rruga drejt asimilimit të plotë dhe pranimit të tyre do të ishte më e shkurtër.
Një rast tipik është ai i personave që, ndonëse të pagëzuar ortodoksë, u ripagëzuan për të krijuar lidhje farefisnore me vendasit dhe për të rritur gjasat që të mos dëboheshin. Interesant është këtu fakti që që nga themelimi i shtetit modern grek, pagëzimi ishte një certifikatë e domosdoshme për mbijetesën e atyre që mbeteshin në Greqi pas revolucionit[4].
Ashtu si dikur shqiptarët ndaheshin në “turko-shqiptarë”[5] (myslimanë, greqisht: Τουρκαλβανοί) dhe “arvanitas” (të krishterë), pas vitit 1990 ata u ndanë sërish në “shqiptarë” dhe “vorio-epirotë”. Para, gjatë dhe pas revolucionit, këto terma përcaktonin nëse dikush shihej si “miku” (ose bashkëkombës për shkak të ortodoksisë) apo si armik (i revolucionit, i kombit). Në vitet ’90, këta dy terma modernë vazhduan të krijojnë një vijë ndarjeje të madhe. Dhe ndoshta kjo shpjegon pagëzimet masive të emigrantëve shqiptarë, sidomos të gjeneratës së dytë që po shkollohej në sistemin arsimor grek i cili kultivon ksenofobinë dhe identitetin kombëtar të brishtë dhe të pasigurt. Kombi grek paraqitet si plotësisht homogjen, pasi nuk bëhet askund referencë për “të tjerët” që kanë ekzistuar dhe ekzistojnë brenda kufijve të tij. Tiparet kulturore që e karakterizojnë greqizimin shfaqen të pandryshuara në kohë, pa ndikuar apo pësuar ndryshime. Identiteti kombëtar grek përcaktohet brenda një kornize mbrojtëse kundrejt kërcënimeve të njëpasnjëshme nga forma të ndryshme të “të tjerëve” kombëtarë, siç shkruajnë Α. Frangkoudaki, Th. Dragona dhe N. Askouni[6][7].
Mund të shpjegohet pra pak pse fluksi i parë i emigrantëve shqiptarë në Greqi, kryesisht burra të rinj, adoptuan emra ortodoksë. Ishte një mënyrë për të lehtësuar komunikimin dhe për të fituar simpati nga punëdhënësit grekë, të cilët pretendonin se nuk mund të shqiptonin as emra si “Astrit” apo “Petrit” – pavarësisht se këta kanë origjinë nga vetë gjuha e tyre[8][9]. Pra, kur dëgjohej, zakonisht pas ndeshjesh futbolli, “grek nuk do behesh kurrë, o shqiptar”[10], thirrja nuk vinte direkt nga shteti por (edhe) nëpërmjet shtetit i cili i mbante peng emigrantët për vite duke mos i legalizuar ata deri më 1998[11].
Shkrimi i Tannhäuser-it fillon kështu:
Kur Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, foli para emigrantëve shqiptarë në Athinë më 12 maj 2024, ai hodhi një vështrim të rëndë mbi një çështje që prek thellësisht identitetin: “Shumë ndër ju ndërruat emrat që ju kishte vënë nëna dhe baba për të marrë dokumentat e punës dhe regjistruar fëmijët në shkollë.” Dy javë më vonë, në Milano, më 26 maj, toni i tij u bë më i nuancuar, por akoma me një hije akuze: “Ju shqiptarët e Italisë, nuk i ndërruat emrat forcërisht dhe gjerësisht siç u ndodhi tragjikisht qindra mijëra vëllezërve dhe motrave tona në Greqi, për një arsye të vetme dhe të lemeritshme që e dimë shumë mirë të gjithë dhe që do të mbetet një njollë turpi në historinë e Europës demokratike.” Këto fjalë, të shoqëruara nga zëra në mediat shqiptare që flisnin për një imponim ligjor në Greqi, krijojnë përshtypjen e një dhune sistematike kundër emigrantëve shqiptarë në këtë drejtim. Por a qëndron ky pretendim?
Por a qëndron pretendimi i Tannhaüser-it se mediat shqiptare krijuan përshtypjen e një dhune sistematike kundër emigrantëve shqiptarë në Greqi? Me logjikën e shkrimit të Tannhaüser-it nuk ka patur dhunë, diskriminim e racizëm nga shteti grek thjesht se shteti grek nuk ka miratuar ndonjë ligj që i detyronte shqiptarët të linin pas emrat e tyre pa shpirt, jo ortodoks. Greqia, si anëtare e Bashkimit Evropian dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, është e angazhuar për respektimin e të drejtave të njeriut. Megjithatë, ka pasur raste kur ligje të miratuara nga Parlamenti grek janë perceptuar si kundërthënëse me këto të drejta[12]. Do ishte përtej qesharakes të besohej se shtetit grek i duhej të detyronte me ligj emigrantët të ndryshonin emrat. E njëjta gjë nuk ka vlejtur për emrat e vendbanimeve dhe fshatrave, emrat e të cilëve shteti grek i ka modifikuar sistematikisht përmes ligjeve të riemërtimit[13]. As të flisje shqip nuk ishte e paligjshme, apo të festoje fitoren e Shqipërisë ndaj Greqisë në një ndeshje futbolli, në një natë kur qindra tifozë shqiptarë u dhunuan brutalisht nga tifozeria greke në rrugët e shumë qyteteve grek. Atë natë, 20-vjeçari shqiptar Gramoz Palushi u vra me thikë vetëm sepse kishte veshur një bluzë të kuqe[14].
Shteti grek nuk kishte një kuadër ligjor për fëmijët e emigrantëve që lindnin dhe rriten në vend për më shumë se dy dekada. Kjo u mohoi shumë nxënësve dhe studentëve emigrantë aksesin në ndihma financiare dhe programe arsimore, për të cilat kërkohej shtetësia greke (ose e një shteti tjetër të BE-së në disa raste)[15].
Ndërrimi i emrave dhe adoptimi i emrave ortodoksë nga shqiptarët u imponua tërthorazi në mënyra të ndryshme, duke filluar nga punëdhënësit e zakonshëm, siç e përmenda më lart. Në stacionet kufitare të Kakavijës dhe Kapshticës, kontrollet e policisë, ndalimi i hyrjes në Greqi, sanksionet, si dhe dhuna verbale e fizike, ishin më të ashpra ndaj shqiptarëve me emra jo ortodoksë – veçanërisht atyre me emra myslimanë. A është kjo dhunë sistematike? Shteti grek, siç shkruan dhe vetë Tannhaüser-i, e vonoi me vite legalizimin e emigrantëve, madje edhe atyre që vinin nga minoriteti grek të cilët i pajisi me një kartë identiteti rozë (pa asnjë vlerë juridike). Ndryshe veproi ky shtet për emigrantët grekë të ardhur nga vendet e ish-BRSS, të cilëve u dha menjëherë shtetësinë greke[16]. A kemi pasur raste të tjera kur shqiptarët kanë qenë të detyruar të ndryshojnë emrat, fenë, vendlindjen? Edhe këtë çeshtje e ‘hapi’ Rama por nuk u përmend nga Tannhaüser-i[17].
Shkruan Tannhaüser-i:
Për një popull që kishte jetuar për dekada pa fe, ku emrat kishin humbur çdo kuptim fetar dhe reflektonin vetëm dëshira laike të prindërve, ky hap kishte një ironi të hidhur: ata që dikur kishin mbyllur kishat, tani po i trokisnin dyerve të kishave për një emër të ri dhe një shans për të jetuar… Për grekët, emrat shqiptarë ishin një sfidë e dyfishtë. Jo vetëm që ishin të vështirë për t’u shqiptuar – me bashkëtingëllore të forta dhe ritme të huaja për gjuhën greke – por ata vinin nga një traditë krejtësisht e panjohur.
Por si është e mundur që dy popuj që kanë jetuar së bashku për shekuj – shpesh brenda të njëjtave shtete dhe pa kufij mes tyre për periudha të gjata – të trajtohen si tërësisht të ndryshëm? Si mund të thuhet se shqiptarët vinin nga një traditë krejtësisht e panjohur për grekët[18]?
Historikisht, grekët dhe shqiptarët kanë ndarë jo vetëm hapësira të përbashkëta gjeografike, por edhe elemente të rëndësishme kulturore, sociale dhe historike. Për shembull: Arvanitët dhe roli i tyre në Greqi, ndikimet kulturore të ndërsjella – Muzika, veshjet tradicionale dhe folklori shqiptar dhe grek shpesh përzihen, duke krijuar elemente të përbashkëta që mund të vërehen në këngët polifonike, veshjet e fustanellës dhe vallet tradicionale[19]. Lidhjet fetare dhe historike, bashkëjetesa në periudha të ndryshme historike – Në kohën e Perandorive Romake, Bizantine, Osmane, shqiptarët dhe grekët shpesh jetonin krah për krah, duke ndarë qytete, tregti dhe familje të përziera. Në këtë kontekst, nuk është për t’u habitur pse shumë shqiptarë e deklarojnë grekun si popullin me të cilin ndihen më të afërt. Ky nuk është vetëm një perceptim, por një realitet i bazuar në shekuj ndërveprimi, ndikimesh të ndërsjella dhe histori të përbashkëta.
Pse ndryshimi i emrave nuk ndodhi, ose të paktën jo në këtë nivel, në vendet e tjera ku emigrantët shqiptarë u shpërngulën? Pse shqiptarët që emigruan (dhe ende emigrojnë) në Gjermani, me përjashtime të rralla, nuk marrin emra gjermanë si Wolfgang, Ludwig apo Ursula?
Shkruan Tannhaüser-i:
Një Kujtim, me kuptimin e tij të “kujtesës” dhe tingëllimin poetik, për një grek ishte një mister gjuhësor. Një Festim, që evokon gëzimin dhe festën, nuk kishte asnjë resonancë në traditën e tyre.
Si shpjegohet atëherë që për shoqërinë gjermane duket më e lehtë të shqiptojë emrat shqiptarë sesa për atë greke?
Shkruan Tannhaüser-i:
Akoma më keq me emra si Skerdilajd që vështirë thuhen edhe në shqip.
Të pretendosh diçka të tillë është të paktën ofenduese, për mendimin tim, duke qenë se si në traditën shqiptare ashtu edhe në atë greke, emrat e gjatë zakonisht shkurtohen. Për shembull, në Greqi, Panajotis shpesh thirret Jotis, ndërsa në Shqipëri (dhe gjithashtu në Greqi) një emër si Skerdilajd zakonisht shkurtohet në Skerdi, siç e kam parë edhe në rastin e një personi në Athinë që njoh personalisht. Mbiemrat arvanitas, të cilët gjithashtu përmbajnë bashkëtingëllore të vështira, nuk kanë qenë aspak pengesë për t’u shqiptuar në greqisht, e aq më pak për t’u ndryshuar (Bishtika – Μπιστήκας, Gjerbeshi – Γκερμπέσης, Gjolma – Γκιόλμας, Kryebardhi – Κριεμπάρδη, etj.).
Ajo që ndodhi në SHBA gjatë shekullit të 19-të me transformimin e mbiemrave, ose në Australi pas Luftës së Dytë Botërore, nuk duhej të kishte ndodhur fare. Është jashtëzakonisht e trishtueshme që ky fenomen u përsërit për shqiptarët në Greqi pas vitit 1990. Kjo nuk duhet të përdoret si justifikim dhe as të paraqitet si diçka normale.
Shkruan Tannhaüser-i:
Çuditërisht emri Besa mund të kalonte pa problem, pasi apelativi ka hyrë edhe në greqishte dhe përdoret shpesh.
Në fakt, i dashur Tannhaüser, mund të ndodhte shpesh e kundërta, pasi fjala Besa në greqisht ka të njëjtin kuptim si në shqip dhe media greke i portretizonte të gjithë emigrantët shqiptarë si të pabesë, banditë dhe pushtues[20][21].
Shkruan Tannhaüser-i:
Në Itali, ku Rama foli për një ndryshim më vullnetar, situata ishte disi e ndryshme: atje, një Haxhi që bëhej Gigi ose një Drita që rilindte si Lucia, e bënte këtë jo për t’iu përshtatur një kërkese fetare, por për të shpëtuar nga një etiketë negative që lidhej me imazhin e “albanezëve” në media – një imazh i ndërtuar nga kronikat e zeza dhe paragjykimet e viteve ’90.
Pra, në Itali, ndryshimi i emrave dhe fshirja e gjurmëve shqiptare ndodhte vetëm për të shpëtuar nga një etiketë negative e lidhur me imazhin e “albanezëve”[22][23], ndërsa në Greqi, shqiptarët, sipas këtij arsyetimi, u paskan trokitur vetë kishave nga malli për to dhe janë pagëzuar si ortodoksë? Pra ndryshimet e fesë dhe emrave nuk lidhen fare me mënyrën se si shqiptarët u pritën nga shoqëritë dhe shtetet pritëse, por qenkan rezultat i zgjedhjeve të vetë emigrantëve? Dy standarde për të njëjtin popull, që doli nga i njëjti izolim 45-vjeçar? Në Greqi, mediat greke etiketuan emigrantët shqiptarë që në fillim të emigrimit të tyre[24].
Shkruan Tannhaüser-i:
Në Greqi, ky transformim kishte një dimension më të ndërlikuar për shkak të rolit të fesë. Një emigrant që merrte emrin Nikos gjatë pagëzimit po hynte në një sistem ku emri lidhej me një shenjtor dhe një komunitet fetar.
Në fakt, jo të gjithë emrat grekë lidhen me një shenjtor. Ashtu si në Shqipëri, edhe në Greqi po ndodh një transformim, ku fëmijëve u vendosen gjithnjë e më shumë emra që nuk kanë domosdoshmërisht një lidhje fetare[25]. Gjithsesi, për shkak se jo të gjithë emrat grekë lidhen me një shenjtor specifik, ekziston edhe Dita e të Gjithë Shenjtorëve[26][27], ku edhe një Bledar mund të festojë ditën e emrit të tij, siç ndodhi para 20 vitesh me një mikun tim:
Ajo që mungon në Greqi për t’u pagëzuar si “Bledar” pa emrin “Ανδρέας” është vullneti.
Për t’u shtuar këtu edhe se në Greqi nuk ekziston një ndarje e plotë mes Shtetit dhe Kishës, pasi Kisha Ortodokse e Greqisë mban një marrëdhënie të privilegjuar me shtetin grek. Edhe pse Kushtetuta e Greqisë e njeh lirinë e fesë, po ashtu e garanton Ortodoksinë si “fenë mbizotëruese” (Neni 3 i Kushtetutës greke)[28][29].
Tema të tilla nuk mund të trajtohen kaq cekët, bazuar vetëm në përvojën personale, supozoj, të një autori anonim dhe në tendencën e tij për të mos u pajtuar me atë që deklaroi kryeministri shqiptar në Athinë. Në fund të fundit, ka plot arsye për të kritikuar Ramën – madje, mendoj unë, në disa raste, siç është rasti i kampeve të emigrantëve në Shqipëri për hatrin e Italisë, kritika është e domosdoshme[30].
PS: Kërkoj ndjesë për përkthimin e titujve të librave grek në shqip. E kuptoj mirë që ndonjëherë një metaforë e përkthyer fjalë për fjalë mund të jetë si veshje të bukur në një manekin të vendosur pas një qelqi: e saktë, por e papërvojtur nga jeta, ende e papërshtatur mirë në trupin e kolmë gjuhësor të kulturës shqiptare[31] siç shkruan Profesori Aristotel Spiro, por shumica e referencave në këtë shkrim lidhen me libra shkencorë.
(c) 2025 Elson Zguri. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është përfytyruar me Midjourney.
Referencat:
[1]https://www.washingtonpost.com/outlook/2018/09/08/anonymous-criticism-helped-make-america-great/?
[2]https://www.lifo.gr/podcasts/wraia-pragmata/i-skliri-alitheia-gia-toys-albanoys-stin-ellada
[3]“Në kufi. Emigracioni, kufijtë dhe identitetet në kufirin shqiptaro-grek”, Vasilis Nitsiakos, Odiseas, 2010 (Στο σύνορο. «Μετανάστευση», σύνορα και ταυτότητες στην Αλβανο-Ελληνική μεθόριο, Βασίλης Νιτσιάκος, εκδ. Οδυσσέας, 2010.
[4]“Lenaki. Dy zjarre dhe dy mallkime”, Dimitris Indares, Estia 2021, f. 76 (Λενάκι. Δυο φωτιές και δύο κατάρες, Δ. Ινδαρές, Εστία 2021, σ. 76).
[5]https://en.wikipedia.org/wiki/Turco-Albanian
[6]“Cili është atdheu ynë? Etnocentrizmi në arsim”, Α. Frangkoudaki, Th. Dragona, Alexandria 1997, f. 143 (Τι ειν’ η πατρίδα μας. Εθνοκεντρισμός στην Εκπαίδευση, Α. Φραγκιουδάκη, Θ. Δραγώνα, Αλεξάνδρεια 1997, σ. 143).
[7]“Etnocentrizmi dhe multikulturalizmi: kërkimi i një orientimi të ri të arsimit”, Ν. Askouni, Hellenic Open University, 2001, f. 74 («Εθνοκεντρισμός και πολυπολιτισμικότητα: η αναζήτηση ενός νέου προσανατολισμού της εκπαίδευσης», Ν. Ασκούνη, Ελληνικό Ανοικτό Πανεπιστήμιο 2001, σ. 74).
[9]https://mfi.maroussi.gr/product/%CE%B1%CF%83%CF%84%CF%81%CE%AF%CF%84%CE%B7%CF%82/
[10]https://www.lifo.gr/stiles/na-mi-ginoyn-ellines-pote
[11]https://www.tanea.gr/1998/10/01/greece/oi-80-prwtes-prasines-kartes/
[15]“Të gjithat janë të bukura”, E. Zguri, Strange Days Publications 2020, f. 116 (“Όλες οι γάτες είναι όμορφες”, Ε. Ζγκούρη, Παράξενες Μέρες 2020, σ. 116).
[16] “Kush është qytetar grek? Dy shekuj nënshtetësi”, D. Christopoulos, Vivliorama 2019 (“Ποιος είναι Έλληνας πολίτης; Δυο αιώνες ιθαγένεια”, Δ. Χριστόπουλος, Βιβλιόραμα, 2019).
[17]https://tvklan.al/u-regjistruan-si-kosovare-ne-angli-rama-prezanton-nismen-e-re-ligjore
[19]https://www.youtube.com/watch?v=7AvDJiqMqek
[21]https://www.youtube.com/watch?v=RzLx1A-WSqw&list=PLQRCbhtLyPgBCl7MRvNG8HGHLLHCQiRYp&index=1
[22]“La Scoperta dell’ Albania”, Ardian Vehbiu & Rando Devole, Paoline Editoriale Libri, 1996.
[23]https://balkaninsight.com/2023/04/13/how-fear-of-albanians-went-mainstream-in-1990s-italy/
[26]https://armyvoice.gr/2024/05/pote-einai-giorti-ton-agion-panton-2024/#goog_rewarded
[28]Αρθρο 3: (Σχέσεις Εκκλησίας και Πολιτείας).
[29]https://synathena.gr/political-philosophy/wp-content/uploads/sites/2/2018/10/Palioura.pdf
[31]https://peizazhe.com/2025/03/15/si-ta-perkthesh-nje-titull/
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.
Nje fakt i pakundershtushem eshte qe i vetmi etnicitet qe ndryshoi emrin masivisht eshte ai shqiptar dhe Elson Guri ben gabim total qe mendon se mbrapa ketij fenomeni fshihet shteti grek…ne Greqi erdhen emigrante nga shume natcione por asnje nuk u mundua te behet grek sa etnia shqiptare…besoj se ka te bej me personalitetin e shqiptarit historikisht per te arritur ate qe do behet serb,turk, grek etc etc…historia shqiptare na ka treguar qe populli qe flet kaq shume per besen se ka per gje ta shkeli ate…dhe me mire nga te gjithe na njef populli grek…